HEGJEMONIZMI KULTUROR STALINIST

0
787

Statujat e Stalinit dhe të Leninit

Nga Frank Shkreli

Ja edhe zhgënjimi i radhës nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, ose më mirë të themi nga zonja që kryeson atë Ministri, Mirela Kumbaro. Disa gazeta dhe portale shqiptare njoftojnë se Ministrja shqiptare paska nënshkruar para disa ditësh një marrëveshje “kulturore” me Presidentin e rajonit të Pulias në Itali, Michele Emiliano, për realizimin e projektit të ashtuquajtur “shokë dhe engjëj”, projekt ky i cili do të bëjë të mundur vendosjen e statujave të vjetra të Stalinit dhe Leninit së bashku me atë të ish-komunistit italian, Antonio Gramshit në një vend më të “denjë” publik për këto figura të mëdha të “kulturës” shqiptare, pikërisht në mjedisin e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë. Projekti “Shokët dhe engjëjt” në Tiranë do të strehojë statujat e Gramshit, Stalinit dhe Leninit, statuja këto që sipas medias tani gjëndën në murin e pasëm të Galerisë Kombëtare të Arteve. Në të vërtetë Gramshi, ideologjikisht, nuk i përket këtij grupi, pasi ai ishte një neo-marksist. E dimë se këta ishin “shokë” të idealit komunist, por cilët janë “engjëjtë” dhe kush janë djajtë e këtij projekti?

Zonja e parë e kulturës shqiptare citohet nga media të ketë justifikuar këtë projekt si diçka të nevojshme që sipas saj për të “provokuar një debat mbi përballjen me të kaluarën tonë komuniste”. Zonja Kumbaro citohet nga media të ketë shprehur, siç duket, keqardhjen e saj se si janë trajtuar dhe lënë në harresë statujat e Stalinit dhe të Leninit deri tani—në murin e pasëm të Galerisë Kombëtare të Arteve, duke thënë për median se, “Këto statuja, përdorimi i të cilave ka një valencë të fortë simbolike, që janë mbuluar e zbuluar, ulur e ngritur, admiruar e përçmuar, do duhet të gjejnë një vend të lexueshëm e të hapur ndaj debatit e reflektimit, edhe për të përfaqësuar një pikë ndalese në atë që e kemi quajtur Rrugët e Kujtesës”. Pse, me vendosjen e statujave të Stalinit dhe Leninit në mjedisin e Ministrisë së Kulturës, mendoni të përballeni me krimet e komunizmit? Po, mijëra viktimave të komunizmit dhe të ideologjisë staliniste në Shqipëri, Zonja Kumbaro, në cilin mjedis ose Rrugë Kujtese” do t’i kujtoni ata? Kur do t’u ndërtohet atyre një monument në Shqipëri, ose të caktohet një ditë për të kujtuar sakrificat dhe vujatjet e tyre, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të Evropës Qëndrore dhe Lindore?

Antonio Gramsci

Sipas mediave, Ministrja shqiptare Kumbaro gjatë qëndrimit të saj në Itali ku nënshkroi marrveshjen në Puglia, kishte vizituar edhe qelinë e burgut ku ka qëndruar Antonio Gramshi. Dëshiron me të vërtetë debat mbi të kaluarën komuniste Zonja Kumbaro? Shko vizito burgun e Spaçit ose dhjetëra kampe përqendërimi të regjimit enverist anë e mbanë Shqipërisë dhe në këtë mënyrë “provoke”, siç thua vet, një debat të dobishëm për përballimin e Shqipërisë me të kaluarën komuniste. Është e vërtetë se Antonio Gramshi ishte burgosur nga fashistët e Mussolinit për qëndrimet e tija komuniste, por ndryshe nga fati i shumë viktimave në burgjet dhe në kampet e përqëndrimit të komunizmit të Stalinit dhe të Enver Hoxhës, fashistët e liruan Antonio Gramshin nga burgu pasi ishte në gjëndje të rëndë shëndetësore.

More ka gjë në plan Ministrja Kumbaro që në grupin “shokë dhe ëngjëj” të përfshij edhe vendosjen e statujës së Enver Hoxhës para Ministrisë që kryeson ajo? Pasi është e vështirë të merret me mend se mund të ketë një përballim serioz me të kaluarën komuniste në Shqipëri, siç pretendon Zonja Kumbaro, pa përfshirë edhe Enver Hoxhën shoqërinë e Stalinit të “madh”.

Kush janë këta njerëz që pothuaj 30-vjetë pas shembjes së komunizmit në Shqipëri dhe në mbarë Evropën, marrin vendime për të vendosur mu në kryqytetin e shqiptarëve, njërit prej popujve më të vuajtur nga komunizmi, statujat e figurave më të shëmtuara e kriminale të botës së shekullit të kaluar, përgjegjës për vrasjen dhe vdekjen e më shumë se 100-milion vetave anë e mbanë botës ish-komuniste? Si është e mundur që këta zyrtarë të paguar nga taksa paguesit shqiptarë, pikërisht nga ata shqiptarë që këtyre figurave kriminale të shëmtuara dhe të dështuara të historisë botërore ua kanë pa sherrin më së shumti — marrin guximin që me arrogancën e tyre të propozojnë projekte të tilla. Mu kujtuan fjalët e një zyrtari të lartë amerikan me një rast gjatë një vizite në Tiranë, duke iu referuar zyrtarëve të lartë tshqiptarë me të cilët ishte takuar, u shpreh se këta flasin sikur të ishin thomas xhefersona për liri e demokraci, por në realitet dhe me mentalitet sillën si trashëgimtarë të Enver Hoxhës.

More ku janë njerëzit e kulturës së vërtetë shqiptare që nuk shprehin zemërimin e tyre ndaj kësaj nepërkëmbjeje ndaj kulturës së shqiptare dhe identitetit kombëtar. Ku janë historianët, akademikët, analistët dhe njerëzit e kulturës shqiptare dhe shoqëria në përgjithësi, që nuk tërbohen ndaj këtyre marrëzirave? Ku janë njërezit e thjesht që nuk e pyesin Ministren Kumbaro se si erdhi deri tek kjo ide. Ku është politika shqiptare — pozitë dhe opozitë — që nuk reagojnë ndaj këtij propozimi absurd dhe anti-kombëtar? Ta pyesin Zonjën ministre tu shpjegojë shqiptarëve se cilat janë kontributet e Stalinit dhe të Leninit, por edhe të Gramshit (megjithse ai konsiderohej si një komunist më human, ose me fëtyrë njerëzore) — në kulturën dhe historinë shqiptare, që të meritojnë të nderohen me vendosjen e statujave të tyre në një vend publik në tokën shqiptare, siç është mjedisi i Ministrisë së Kulturës.

Ndërkaq, duke njoftuar këtë projekt, Zonja Kumbaro u shpreh për median se debati që do të rezultojë nga vendojsa e këtyre statujave në mjediset e Ministrisë së kulturës, duhet të jetë një debat “kulturor”, sipas saj. Se si e paramendon ajo debatin mbi Stalinin dhe Leninin, këtyre “përfaqsuesëve të mëdhej të kulturës botërore”, dhe mbi rolin e tyre në kulturën shqiptare si një debat “kulturor”, vetëm ajo e di. Dëshiron me të vërtetë debat mbi përballimin me të kaluarën komuniste, vendos statujën e At Gjergj Fishtës në oborrin e Ministrisë së Kulturës, e jo të Stalinit!

Fatkeqsisht, unë kam ardhë në përfundimin se bazuar në përvojat e këtyre 30-vjet të ashtuquajturave qeveri post-komuniste, kjo klasë politike nuk është e interesuar as në kulturën dhe as në njerzit e mëdhej të kombit dhe të kulturës shqiptare që ishin ndaluar nga regjimi komunist, siç është, ndër të tjerë, At Gjergj Fishta, burri i Kongresit të Manastirit dhe arkitekti i alfabetit shqip. Të huajt si Stalini, që në të vërtetë kanë shkatërruar kulturën shqiptare kanë më shumë preferencë. Provë e kësaj është vendimi i fundit i Ministres së Kulturës së Shqipërisë dhe qeverisë që ajo përfaqëson.

Propozimi i saj para disa ditësh – si pjesë e një marrveshjeje me presidentin e rajonit të Pulias në Itali, Michele Emiliano, për realizimin e projektit të ashtuquajtur “shokë dhe engjëj” — për të vendosur statujat e Stalinit, Leninit dhe Gramshit para Ministrisë së Kulturës në Tiranë — nuk është asgjë tjetër veçse ushtrim i atij që vet Gramshi e ka quajtur një “hegjemonizëm kulturor”, nga borgjezia aktuale shqiptare, që sipas Gramshit, shteti dhe klasa sunduese përdorin institucionet kulturore për të ruajtur pushtetin, duke propaganduar vlerat dhe normat e tyre. Ai ka shkruar se klasa sunduese ushtron hegjemoninë kulturore duke përdorur ideologjinë në përfitim të saj. Propozimi i Ministres Kumbaro nuk ka ndonjë logjikë tjetër.

Duke propozuar vendosjen e statujave të Stalinit, Leninit dhe Gramshit në mjediset e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, Ministrja e Kulturës, si përfaqësuese e këtij pushteti, tregon qartë se cilat janë vlerat dhe normat e saja kulturore dhe në dukje shihet se vendimet e saja mbi zhvillimet kulturore bazohen në ideologji dhe jo në interesat e kulturës kombëtare. Kështu është shprehur vet Antonio Gramshi për pushtetarët që përdorin kulturën për interesa të veta. Nuk u falet, se po manipuloni me kulturën shqiptare për interesa ideologjike të klasës sunduese, siç do të shprehej Antonio Gramshi dhe nuk po mbroni as nuk po promovoni kulturën e vërtetë shqiptare të shtypur dhe të mohuar nga komunizmi, si dhe përfaqsuesit e saj të vërtetë, siç është At Gjergj Fishta, në këtë 110-vjetor të Kongresit të Manastirit, në saje të cilit të gjithë ne flasim sot shqip – nëqoftse kjo ka rëndësi për ju.