Crown Agents: Kështu vidhej në dogana

0
1178

Një raport i shumëpërfolur nga kompania angleze e konsulencës Crown Agents ku flitet për korrupsion në nivelet më të larta të administratës doganore dhe për kontrabandë në shkallë të gjerë, është i vërtetë dhe qeveria shqiptare ka qenë në dijeni të këtij raporti prej tashmë një viti, bëri të ditur kompania angleze në një deklaratë për shtyp.

Raporti, pjesë të së cilit u publikuan nga televiziononi Vizion+, shkruan mes të tjerash se këshilluesi anglez hasi pengesa nga funksionarë të ndryshëm të nivelit të lartë në dogana në punën e saj për të luftuar korrupsionin dhe kontrabandën, pengesa që sipas vlerësimit të Crown Agents, i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 17 milionë euro.

Raporti, ekzistenca e të cilit është përfolur prej kohësh, ka qenë temë e nxehtë debati pasi Drejtoria e Përgjithshme Doganore regjistroi rënie të stërmadhe të të ardhurave në raport me planin përgjatë të gjithë vitit 2015, ku të ardhurat e munguara qenë në rendin e qindramilionë eurove.

Qeveria aktuale ka mohuar me këmbëngulje ekzistencën e korrupsionit në dogana dhe ka argumentuar në mënyrë të përsëritur se mungesa e të ardhurave doganore ka qenë rrjedhojë e planifikimeve të gabuara apo të faktorëve jashtë ndikimit të saj si rënia e importeve apo rënia e çmimeve të disa mallrave kyçë.

Raporti i cili është cituar nga televizioni Vizion+ ka qenë një raport i përgatitur në bazë të kontratës, nga Crown Agents për Qeverinë Shqiptare në krye të vitit të parë të punës tonë në Shqipëri. Për shkak të llojit të punës sonë, ky raport ishte konfidencial, prandaj ne nuk mund të përgjigjemi mbi çështjet specifike të cilat përmenden në të” – deklaroi Crown Agents në një njoftim për shtyp të shpërndarë të shtunën (23 janar 2016).

Sidoqoftë, ajo çfarë mund të themi është se raporti mbulon periudhën Shkurt 2014-Shkurt 2015 dhe ashtu sikurse thuhet në raport, në atë periudhë kishte pasur përmirësime të ndjeshme në disa fusha”, thuhet në deklaratë.

Prej periudhës kur ky raport është dorëzuar ka pasur shumë zhvillime të mëtejshme, përfshirë largimin nga detyra dhe procedimin disiplinor të një numri punonjësish të Administratës Doganore Shqiptare. Për këtë arsye, komentet e bëra në atë moment të caktuar nuk qëndrojnë domosdoshmërisht edhe sot,” – vijon më tej deklarata.

Raporti mësohet se është dorëzuar në qeveri në shkurt 2015, kohë kur rënia e të ardhurave doganore sapo kishte filluar të ndjehej. Megjithatë, qeveria nuk duket se mori ndonjë masë në këtë drejtim. Në dhjetor 2015, Prokuroria e Fierit urdhëroi arrestimin e disa zyrtarëve të lartë të doganave, përfshirë zëvendësdrejtoreshën e përgjithshme Lula Njebza dhe ish-drejtorin e akcizave në lidhje menjë sasi të stërmadhe karburantesh prej mbi 4 mijë tonësh, e cila rezulton të jetë zhdukur nga magazinat doganore pa paguar detyrimet.

Mbetet e paqartë se si ndodhi që, pasi dokumenti i Crown Agents u dorëzua në qeveri në shkurt 2015, qeveria nuk ndërmori masa ose nuk informoi publikun për masat e mundshme të ndërmarra në lidhje me korrupsionin në dogana.

Gjatë vitit 2015, të ardhurat e buxhetit të shtetit qenë 36 miliardë lekë (257 milionë euro) më të ulëta se sa plani i fillimvitit. Ndonëse një pjesë e rënies është shkaktuar me të vërtetë nga faktorë jashtë ndikimit të qeverisë, të tillë si rënia e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, siç sugjeron raporti i Crown Agents, një pjesë jo e vogël e rënies është shkaktuar nga korrupsioni dhe kontrabanda.

Crown Agents fitoi një kontratë dyvjeçare konsulence me qeverinë shqiptare, kontratë që i kushtoi taksapaguesve 4.1 milionë euro në vit me premtimin se do të sillte rritjen e të ardhurave doganore të vendit me së paku 100 milionë euro në vit. Kontrata qe një dështim pasi të ardhurat shtesë nuk u realizuan.

Gjergj Erebara, BIRN