AV. XHABIR ZEJNUNI
Sot, komunikimi mes personave me interesa, pikëpamje dhe ideologji të ndryshme, është një mjet shumë i rëndësishëm, i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Dhe ky komunikim, arrihet me mjete të ndryshme, siç janë gazetat, revistat, radioja, televizioni dhe interneti, Mjeti më i mirë dhe më i shpejtë sot, është bërë interneti, i cili shkurton distancat mes njerëzve në kohë reale. Por, liria e komunikimit me anë të internetit, nga ana tjetër kërkon edhe një lloj kontrolli të vërtetësisë së informacioneve, pasi nuk duhet mohuar fakti se edhe lajmet fallco (ose fake news) ose të manipulaura, kanë pjesën e tyre të madhe në këto informacione, duke bërë që ato të ndikojnë shumë tek personat e përfshirë (direkt apo indirekt).
Duhet pohuar edhe fakti se komunikimi me anë të rrjeteve sociale, ka transformuar mënyrën e komunikimit, e cila i ka dhënë liri dhe frymëmarrje më të madhe demokracisë pjesëmarrëse.
Ky fakt, sjell që edhe burimet e këtij komunikimi kaq demokratik të jenë më të besueshme dhe korrekte nga ana tjetër. Dhe rregullimin e kësaj besueshmërie, e merr përsipër politika me anë të legjislacionit përkatës. Problemi shtrohet se nga cilat parime apo rregulla duhet të niset politika për rregullimin normativ të komunikimeve on line dhe nëse ky rregullim normativ do i shërbejë interesave të personave të thjeshtë, apo do i shërbejë vetëm
interesave të politikës. Pasi përvoja ka treguar se politika më shumë interesohet kur ajo përfshihet (pa dashjen e saj!) në komunikime të tilla se sa kur përfshihen personat e thjeshtë!
Edhe Komisioni Europian ka propozuar së fundmi rregulla shtrënguese në lidhje me privatësinë dhe korrektësinë e komunikimeve on line. Dhe shtetet anëtare të BE-se, duhet të përshtasin legjislacionin e tyre në zbatim të këtyre rezolutave.
Në Gjermani, është paraqitur një dekret-ligj, i cili detyron titullarët e rrjeteve sociale që të eleminojnë lajmet fallso brenda 24 orëve nga identifikimi i tyre. Problemi shtrohet se si dhe sa shpejt do bëhet verifikimi i fallsitetit (apo i vërtetësisë!) të këtyre informacioneve(….)!
Në Itali, është paraqitur në Parlament një dekret-ligj në zbatim të rezolutës nr. 2143 të Këshillit të Europës (2 shkurt 2017): “Mediat dhe gazetaria on line: sfidat dhe përgjegjësitë”.
Ja vlen të përmendet ndonjë nen i këtij dekret-ligji (të pa aprovuar akoma!). Neni 1, disponon se “Kushdo që publikon ose shpërndan përmes platformave informatike lajme fallso, të ekzagjeruara ose tendencioze që i referohen të dhënave apo fakteve të pabazë apo fallso, dënohet me gjobë deri në 5000 euro”. Norma ligjore në fjalë, përjashton nga sanksionet gazetat e shkruara dhe të regjistruara. Kjo normë ligjore, i referohet asaj vije ndarëse, që ndan lajmet e vërteta prej atyre fallso. Duhet parë më në detaje edhe se çfarë përfaqësojnë lajmet fallso, tendencioze apo të ekzagjeruara dhe kush e përcakton cilësinë
e këtyre lajmeve. Kujt do i delegohet dallimi i këtij kufiri kaq delikat? Do ketë vallë abuzim në përcaktimin e këtij kufiri, kur interesi është publik apo privat? Do trajtohen njëlloj këto dy interesa, apo në mënyrë të diferencuar?
Neni 2 disponon se “Kushdo që shpërndan apo komunikon zëra dhe lajme fallso, të ekzagjeruara ose tendencioze, që mund të shkaktojnë alarm publik (…..) dënohet me burg jo më pak se një vit dhe me gjobë deri në 5000 euro”. Shtrohet pyetja se cili është ky alarm publik, që mund të cënojë interesin publik dhe kujt i takon detyra (apo nderi!) që të kualifikojë të cënuar interesin publik deri në atë masë sa të të ndëshkojë cënuesin e këtij interesi publik?
Marrim një shembull konkret.
Nëse dikush do kishte hapur lajmin se në fabrikën e demontimit të municionit në Gërdec punohej jashtë kushteve teknike, të cilat mund të kishin pasoja për jetën e personelit punonjës aty, do sillte si rrjedhojë që ky lajm të shkaktonte një alarm të tillë, i cili nga ana tjetër do (mund të) sillte cënimin e interesit publik. Nëse nuk do verifikohej tragjedia e Gërdecit (15 mars 2008, ora 12.05), do sillte që përhapësi i alarmit të dënohej me burg (dhe me gjobë!), pasi ky lajm shkaktoi një alarm të tillë, i cili cënoi interesin publik. Nuk dihet pastaj nëse ky interes publik i cënuar, do kishte lidhje me politikanët e
përfshirë apo me personelin e fabrikës së demontimit të municionit!
Por, nëse do merrej në konsideratë lajmi në fjalë dhe do bëheshin verifikimet e
detyrueshme dhe të nevojshme, atëherë mbase do mund të evitohej kjo
tragjedi e madhe, nga e cila humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth
300 të tjerë. Dikush nuk do humbiste babain, vëllain, motrën apo djalin.
Dikush tjetër, (pse jo!) nuk do humbiste edhe baxhanakun! Si do veprohej
pastaj në rast se përhapësi i alarmit do futej në burg dhe më pas do
verifikohej ngjarja e parashikuar prej tij, ose tragjedia(….)?!
Neni 3 disponon se “Me qëllim rritjen e transparencës për të luftuar
anonimitetin, sapo të hapet platforma informatike e destinuar për publikimin
dhe shpërndarjen e informacioneve për publikun, administratori duhet që
brenda 15 ditëve të komunikojë 1. IP e platformës elektronike; 2. Emrin dhe
mbiemrin; 3. Adresën; 3. Kodin fiskal; 5. Adresën e postës elektronike të
çertifikuar. Administratori duhet të tregojë haptasi adresën e postës së tij
elektronike për çdo lloj komunikimi”.
Këtu jam shumë dakord, pasi personi (apo personat) që merr përsipër krijimin
e portaleve on line, duhet të jetë i identifikuar në mënyrë të tillë që të mbajë
edhe përgjegjësitë përkatëse. Pasi kush vendos emrin dhe foton e tij reale,
është më i besueshëm edhe për destinuesit e lajmeve të tija.
Neni 4 disponon se “Administratori është i detyruar të publikojë deklaratat ose
retifikimet e personave, të cilëve ju janë publikuar fotot ose ju janë atribuar
ide ose afirmime të tilla, që konsiderohen të dëmshme për dinjitetin e tyre”.
Edhe kjo normë ligjore, është shumë e drejtë, pasi sot në rrjetet sociale po
ndodh shumë shpesh që të përmenden persona realë, duke ju atribuar atyre
cilësi apo ngjarje të tilla dhe që nuk i përkojnë realitetit, të cilat i përfshijnë ata
pa dijeninë dhe dashjen e tyre.
Sot, ka shumë raste ku portalet sociale që në pamje të jashtme duket se kanë natyrë publike, të jenë shumë tendencioze me persona të (para!)caktuar, duke cënuar dinjitetin dhe profesionalizmin e tyre, por që nga ana tjetër ju bllokojnë këtyre personave mundësinë që ata të shprehen lirisht për të mbrojtur dinjitetin dhe profesionalizmin e tyre!
Është e vërtetë se fjala duhet të jetë e lirë, por jo aq e lirshme deri në atë pikë
sa ajo të ndikojë dhe të cënojë lirinë e të tjerëve.
Normat ligjore, që kërkojnë rregullimin e komunikimeve on line, urohet që të gjejnë ekuilibrin e duhur, për të ruajtur demokracinë komunikuese deri në atë pikë sa të mos abuzohet me këtë demokraci, por edhe që këtë demokraci të mos e kufizojnë për qëllime të ngushta ideologjike, politike dhe klienteliste.