Sinadinovski flet pas rrahjes: “Më rrahën sepse doja të hap kishë ortodokse shqiptare”

0
420

Me lëndime në kokë dhe trup, me fytyrë të ënjtur dhe 6 dhëmbë të thyer. Kështu kaloj Branko Sinadinovski pas rrahjes brutale të dy personave afër banesës së tij një ditë më parë. Ai ka qenë edhe katër herë fizikisht i sulmuar por deri tash siç thotë, asnjëherë policia nuk i ka kapur sulmuesit.

“Mu vërsulën si qen. Asnjë fjalë nuk ma thanë, askush asgjë nuk fliste. Kjo ishte e tëra me gjak. Më goditën në kokë”, u shpreh Branko Sinadinovski.

G: A keni mundur t’i identifikoni personat?
B.S: Jo, jo.
G: Kush mendoni se mund të ketë dashur t’ju lëndojë? A dyshoni te dikush?

“Nuk mund të akuzoj askënd. Nuk mundem pasi që është vështirë ta akuzoni dikë”, shtoi ai.

Dëshmitari i rastit thotë se personat ishin me maska dhe nuk ka mundur t’i identifikojë. Ai mendon se personat kanë qenë rreth moshës 30 vjeçare. Ndërsa shton se njëri prej sulmuesve ka qenë me pallto të gjelbër.

“Unë njërin e godita dhe ra këtu poshtë. Tjetri menjëhrë iku, unë vrapova pas por nuk kam mundur ta kap. Këtu ka gjurmë që i ka marrë teknika për krime. Njërin e godita por njëri menjëherë iku. Brankoja ishte i shtrirë në gjak dhe kjo ishte e tëra me gjak”, tha dëshmitari.

Sinadinovski thotë se si shkak për sulmin e fundit ndaj tij ka qenë vendimi i gjykatës se mund të ndërtohet kishë ortodokse shqiptare.

“Më sulmojnë fizikisht pasi që u pengon hapje eventuale e një kishe ortodokse shqiptare. E cila do të jetë e hapur për të gjithë. Priftërit nuk do të bëjnë pagesë 100 euro kur do të vdes dikush. Gjitchka do të jetë pa pagesë. Konkurrenca u pengon”, tha Sinadinovski.

MPB-ja ende po punon për zbardhjen e rastit dhe për gjetjen e personave. Sinadinovski është shqiptar ortodoks me prejardhje nga Reka e Epërme. Ai është themelues i Bashkësisë Fetare të Shqiptarëve Ortodoks në Maqedoni, kurse me profesion është profesor universitar. (Tv21)/ZgjohuShqiptar.info