LIBRI “ADEM JASHARI – LEGJENDË E LEGJENDAVE” NJË MONUMENT ME FLATRA TË FJALËS SHQIPE QË PËRJETËSON NJERIUN LEGJENDË

0
1068
Adem Jashari - Legjendë e legjendave

Jubile: Në 20-Vjetorin e Epopesë së Jasharëve doli në dritë ribotimi i 10-të i librit të Bedri Tahirit “ADEM JASHARI-legjendë e legjendave”

Shkruan: Xhemail PECI

(Fragment nga një punim më i gjatë studimor)

Pena e Bedri Tahirit, me flatrat e fjalës shqipe ka ngritur në piadestal emrin e madh të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; ka nderuar, ka lartësuar dhe ka përjetësuar emrin e gdhendur në mermerin më monumental të lirisë së atdheut, emrin e shkruar sa me gurra të gjakut po aq edhe me shkronja të arit, emrin e madh të Adem Jasharit.

Dy pena si dy krerë të shqiponjës

Tek e lexon librin e shkrimtarit dhe të publicistit Bedri Tahiri, për komandantin legjendar Adem Jasharin dhe Jasharajtë e tjerë, si dhe për luftëtarët e tjerë të lirisë së larë me gjak të breznive orëmira, nuk ke se si të mos e kujtosh vargun aq domethënës të Bajronit: “Në këngë dhe në vajtim u drodhën fustanellat”, por në radhë të parë, tek e lexon librin e Bedri Tahirit, nuk ke se si të mos e kujtosh me krenari të ligjshme thënien e poetit të madh lirik Lasgush Poradeci, se: “Kosova ka bërë luftë skënderbejane dhe se të thuash për kosovarët që janë trima, është pak.”

Bedri Tahiri sikur i është përmbajtur kështu parimit të Volterit (të shkruar në veprën e tij “Karli XII-Mbret i Suedisë”) për detyrën që duhet të ketë një historian i mirëfilltë: që të tregojë thjesht faktin dhe atë që di. E Bedri Tahiri tregon atë që e ka parë dhe që e ka përjetuar, atë që e di dhe për të cilin ka dëshmuar me veprën e tij.

Tek e lexon librin e Bedri Tahirit kushtuar epopesë ademjashariane, duke e plotësuar sfondin e kësaj figure epike me ato të figurave të tjera historike, nuk ke se si të mos bindesh se Bedri Tahiri e bën një gjë të tillë jo rastësisht. Në mendjen e tij intelektuale dhe në zemrën e tij atdhetare, ai ka projektuar në këtë kronikë të gjakut iliro-dardan, vazhdimësinë e qëndresës kombëtare, të qëndresës në një rrethim të hekurt, qëndresë dhe epope në të cilën komandanti legjendar nuk është i vetëm, por i rrethuar me familjarë e bashkëluftëtarë, i rrethuar me luftëtar lirie në këtë truall Ilirie, portretet e të cilëve pena e denjë e tij i shpalos së bashku me flatrat e fjalës shqipe, të po atyre fjalëve të cilat Pirrua ua tha bashkëluftëtarëve të tij: “Unë jam shqiponja, e ju jeni krahët e mi!”

Tek e lexon librin e Bedri Tahirit për heronjtë e përjetësisë që i dhanë besën tokës bujare të gjakut, që i falën jetën atdheut të shenjtë, që i dhanë shpresë jetës së re, që ia kthyen dinjitetin qenies shqiptare dhe që i dhanë frymë lirisë sonë, nuk ke si të mos kujtosh kronikat e kohëve të përgjakshme si dhe luftërat e parreshtura për lirinë e mëmëdheut.

Tek e lexon librin e Bedri Tahirit “Adem Jashari- legjendë e legjendave”, nuk ke se si të mos kujtosh kujtimet e Hasan Prishtinës “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitin 1912”, nuk ke se si të mos kujtosh kryeveprën e Mihal Gramenos “Kryengritja shqiptare”, si dhe veprën e Risto Siliqit: “Pasqyrë e ditëve të përgjakshme”. Tek e lexon librin e Bedri Tahirit “Adem Jashari- legjendë e legjendave”, nuk ke se si të mos e kujtosh zemër-klithjen e breznive orëmira: “Shqypni! Emër i lamë me gjak! Emër i lamë edhe me lot!”

Ashtu sikurse do të shkruante Marin Barleti për veprat heroike të qëndresës skënderbegiane, për rrethimet e Krujës apo edhe për rethimin e Shkodrës, ashtu siç do të shkruante Marin Beçikemi për rrethimin e qytetit të tij të lindjes – Shkodrën, ashtu siç do të shkruante edhe Dom Ndoc Nikaj për rrethimin e hekurt të Shkodrës prej forcave vrastare serbo-malazeze, ashtu do të shkruajë edhe Bedri Tahiri për rrethimin e Jasharajve në Prekazin historik.

Adem Jashari i ra Trumpetës së Krujës mu në zemër të Drenicës trime, në Prekazin e breznive orëmira. Adem Jashari ishte koka kryegritëse, i cili plisin e ngriti në lartësinë e përkrenares. Ndërkaq, Bedri Tahiri me veprën e tij, e përjetësoi një epope të tillë, e cila e ndryshoi fatin e historisë. Ai ka pasur fatin dhe privilegjin që ta takonte dhe ta njihte nga afër Heroin që u bë legjendë e gjallë për çdo shqiptar atdhetar. Në mënyrë të veçantë, ai e përjetëson epopenë e Jasharjave ashtu siç e ka përjetësuar Mihal Grameno Epopenë e Luftës së Mashkullores.

Vepra e Mihal Gramenos ka në sfond Bajo dhe Çerçiz Topullin, por ajo ka edhe kapedanë trima si Zeman Mashkullorin e Idriz Gurin, ajo ka fatosa malesh e burra të lidhur me besa-besën për lirinë e shenjtë të mëmëdheut. Vepra e Mihal Gramenos ka në sfond një grusht shqiptarësh që luftonin me një perandori të tërë. Po këtë sfond e ka edhe vepra e Bedri Tahirit. Një grusht shqiptarësh të përbashkuar rreth flamurit kuqezi dhe të tubuar rreth figurës kreshnike e legjendare të Adem Jasharit, luftojnë me një lubi të tërë të veshur me zjarr dhe me hekur, e armatosur deri në dhëmbë, me topa dhe me tanke.

Në penën e Mihal Gramenos shpaloset kryengritja shqiptare. Kryengritje shqiptare ka edhe në pushkët e bardha të Jasharajve, shpalosur aq bukur në penën e Bedri Tahirit.

Kryengritja shqiptare për lirinë e Shqipërisë ka dy vëllezër ideali, Bajon dhe Çerçizin. Edhe kryengritja shqiptare për lirinë e Kosovës ka Adem e Hamzë Jasharin. Në mes tyre qëndron si një vigan i pathyer, luftëtari i dritës së diturisë por edhe luftëtari i paepur i lirisë, Shaban Jashari.

Dy pena si dy krerë të shqiponjës, njëra e Mihal Gramenos dhe tjetra e Bedri Tahirit, flasin me gjuhë gjaku. Bëhen dëshmitare të vuajtjeve dhe të sakrificave më sublime të qenies shqiptare, bëhen ogur i bardhë se liria e shumëpritur do të vijë dhe se një popull nga më të vjetrit e Gadishullit të Ilirisë, nuk meriton të trajtohet si një turmë e përgjakur.

Në penën-pushkë të Mihal Gramenos lavdia e kapedanëve të kryengritjes shqiptare kishte për lajtmotiv besa-besën: Ja vdekje, ja liri!
Në penën kryengritëse të Bedri Tahirit, lavdia ademjashariane nuk është një lavdi përkëdheltare, por një lavdi e shkruar me epope gjaku. Lavdia e Jasharajve është lavdi e sakrificës dhe e flijimit familjar.

Shkrimtarët shkrihen kështu me heronjtë e kombit të tyre dhe bëhen një me ta. Kronistët dhe kapedanët e kështjellave arbërore të përbashkët kanë një ëndërr, një shpresë, një ideal, një frymë…

Në tokën e shenjtë të shqipeve

Është thënë me të drejtë se veprat e mëdha janë vepra sintezë. Bedri Tahiri përfshinë kështu në një libër të vetëm, gjithë përpjekjet për liri dhe pavarësi, gjithë luftën shekullore. Adem Jashari nuk është thjesht vetëm një emër. Ai është një ideal, një legjendë e gjallë, një përjetësi, rreth të cilit rreshtohen sot e mot breznitë orëmira.

E veçanta e fuqisë së fjalës së Bedri Tahirit është se ai me mjeshtërinë e shprehjes së tij artistike ia ka dalur për mrekulli që tek Adem Jashari të paraqes forcën shpirtërore të një kombi të tërë, vitalitetin e tij të rrallë, gjakimin e tij për liri, patundshmërinë në qëndrime dhe atdhetarinë në veprime.

Adem Jashari në penën e Bedri Tahirit është vetë Vilhelm Teli. Ai është sa ushtari i atdheut po aq edhe hero i tij. Ai është heroi i kombit dhe mishërim i lirisë së këtij kombi. Gjithsesi ai është komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe kryekomandanti që e mbanë të gjallë flakën e shenjtë të lirisë, sot e mot. Ai është sa njeri atdhetar po aq edhe burri i rrallë, sa udhëheqës po aq edhe ushtar. Në krenarinë e tij të ligjshme, ai është shqiptar e bir shqiptari, i cili nuk pranon kurrfarë bisedimesh me armiqtë e lirisë së kombit të tij e të truallit të tij, sepse ai nuk pranon kurrfarë pazari.

Ai mbase është një nga të vetmit, që nuk pranon të futet në kurrfarë bisedimesh me ata që ndër shekuj e kanë dhunuar të drejtën tonë, sepse ai e di shumë mirë se të pranosh të futesh në bisedime, do të thotë të pranosh se pala tjetër ka hise në tokën tonë dhe në të drejtën tonë.

Është pra merita e pamohueshme e Bedri Tahiri që na e paraqet figurën shumëdimensionale të Adem Jasharit, dhe se në penën e Bedri Tahirit, Adem Jashari mishëron të gjitha tiparet dhe virtytet dalluese të kombit të tij.

Bedri Tahiri zbret në thellësinë e shekujve, ndalet tek emrat dhe të bëmat e atyre që lanë gjurmë, duke dëshmuar kështu më tej se bujaria, trimëria dhe mençuria e Prekë Kuçit u trashëgua brez pas brezi në Drenicën heroike.

Duke shpalosur të vërtetat e mëdha historike, ai vë përballë të djeshmen dhe të sotmen, bën krahasime dhe gjen ngjashmëri. Në gdhendjen e portretit të Prekë Kuçit, me një mjeshtëri të rrallë nëpërmjet gjuhës së nëntekstit, autori dëshmon se tiparet dhe virtytet e këtij burri të shquar, do të ruhen e do të trashëgohen. Ai është njeriu i fjalës e burri i besës. Por përveç se njeri i armës, ai është edhe lahutari i shquar, i cili me këngën e tij e parathotë të ardhmen e vendit të tij. Në sfondin e një portretizimi të tillë, Bedri Tahiri le të kuptohet se tiparet dhe virtytet e tilla janë prezente edhe tek Jasharajt e paepur.

Bedri Tahiri nuk ka shkruar kështu thjesht vetëm një libër, nuk ka ngritur vetëm një përmendore, por mbi çdo gjë ai e ka shtruar sofrën e kreshnikëve, ka skalitur kështu Mujën dhe Halilin në kullën e Jasharajve të Prekazit heroik, sepse për Bedri Tahirin, kur vringëllojnë armët, muzat nuk heshtin! Ai dëshmon përmes fakteve dhe kronikave të letrarizuara, se heroi që sfidoi padrejtësitë historike të Kongresit famëkeq të Berlinit e të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, heroi që aq shumë e deshti dhe e këndoi këngën e Zhuj Selmanit, e ringjalli Zhuj Selmanin prapë, së bashku me Oso Kukën.

Kulla e Dinoshës e Epopeja e Orman Çiflikut, së bashku me Betejën e Mashkullores e të Mezhgoranit, ringjallen në Kullën Kreshnike të Jasharajve legjendarë. Ka shumëçka nga kjo epope heroike me tone tragjike, siç do të shkruante Bajroni, që të përkujton dyvragëshin e madh të këngës popullore:

Shqipëri e kuqe, Shqipëri e sertë,
treqind kryengritje, në katërqind vjet!

Ndërkaq, me intuitën e tij prej shkrimtari, me formimin e tij prej intelektuali, me vizionin e tij prej atdhetari, me misionin e tij prej profesori, Bedri Tahiri na ka përkujtuar me krenarinë e tij të ligjshme se Jasharajt trima e legjendarë, kanë vepruar dhe luftuar sipas parimit të njohur të shqiptarit të madh e të shkodranit të mençur Pashko Vasa- poetit të pushkëve të bardha, se: “Urdhrat e ndërgjegjës kombëtare duhet të na vijnë për krerë e të na bindin për ushtarë.”

Duke vënë qëndresën shqiptare përballë krimit dhe gjenocidit serb, shkrimtari dhe publicisti Bedri Tahiri sërish dëshmon për historinë, dhe se duke shkruar një libër për përjetësinë e njeriut që u bë legjendë e që vuri në lëvizje tokën dhe qiellin, ai njëkohësisht na përkujton me këtë vepër kaq të çmuar, thënien e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut: Sa keq që për një shpirt kaq të madh, natyra nuk na ka falur një fat më të mirë!

Tipologjia e shkrimit

Heroi mitik, Lisi kushtrimtar, Qyqavica legjendare, Drenica heroike, kullat e djegura, kulla dhe qëndresa, kulla kala, Kulla e Përbetimit, qielli i përflakur, toka e shenjtë e shqipeve, toka mëmë, lot të dhembjes krenare, kur foshnja mund vdekjen…Këto janë vetëm disa prej shumë sintagmave poetike të librit të Bedri Tahirit, në të cilin ai duke bërë një ndërthurje mjeshtërore zhanresh, shpalos një botë kreshnikësh.
Në këtë ndërthurje zhanresh, në këtë strukturë kompozicionale, shkrimtari ia ka dalur aq bukur, jo të japë një biografi sipas normave apo kodeve që tashmë shpesh janë bërë edhe konvencionale, por në radhë të parë, ai ia ka dalur për mrekulli që kryeheroin e kryengritjes së Kosovës, komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ta nxjerrë në plotninë e tij.

Pra, Adem Jashari në penën e Bedri Tahirit skalitet në sfondin e rrjedhës së natyrshme të historisë së kombit shqiptar, në vazhdën e përpjekejve të parreshtura për liri e pavarësi. Adem Jashari në penën e Bedri Tahirit është Adem legjendari. Ai është legjendë e legjenadve, por sa një hero mitik, ai po aq është edhe një hero real. Këtu edhe qëndron merita e madhe e shkrimtarit, sepse Adem Jashari është legjendë e legjendave, i dalë nga gjiri i popullit.

Në këtë penë që rreshton legjendarët dhe luftëtarët e lirisë në përmasat e përjetësisë, Adem Jashari është heroi që i prinë popullit, por që e ka edhe popullin prapa. Ai është heroi që frymëzohet nga populli dhe lufta e tij për liri, por njëkohësisht ai sërish është heroi legjendë, i cili me aktin e tij të flijimit familjar e frymëzon dhe e drejton këtë popull. Ai ka bashkëluftëtarët e tij si dhe bashkëmendimtarët e tij. Ai ka bashkudhëtarët e tij. Ai ka me vete e rreth vetes, njerëzit atdhetarë, sa modestë po aq edhe bujarë, të cilët e mbajnë të gjallë flakën e shenjtë të atdhedashurisë.

Ndërkaq, është prapë po ai heroi që e ndezë flakën e luftës për liri. Ai është heroi që i bie Trumpetës së Krujës, duke dhënë kushtrimin e kryengritjes. Ai është fatosi i maleve e burri i besës. Ai flet pak, por punon dhe lufton shumë. Ai ngre peshë mendjet dhe zemrat e bashkatdhetarëve të tij, kudo që janë, ai bashkon dhe frymëzon brezat. Lufta ka edhe legjenda të tjera, por është Ai të cilin e kërkon koha dhe të cilin koha e nxjerrë në shesh e në log të luftës. Ai është legjendë e legjendave.

Në penën e Bedri Tahirit Adem Jashari është mishërim i të gjitha përpjekejve titanike të popullit shqiptar për liri e pavarësi kombëtare, për çlirim dhe përparim shoqëror. Pra, Adem Jashari, është edhe mishërim i Vranakontit që e hapë gjoksin përpara fuqisë së armikut, është mishërim i Mic Sokolit që i vë gjoksin grykës së topit, i Oso Kukës që i hedhë në erë Cubat e Vraninës, i Zhuj Selmanit që e ripërtërinë aktin epik të Oso Kukës, dhe i Selam Salarisë që për lirinë e shenjtë të Shqipërisë, e hedhë gunën përmbi tela…

Shkrimtari Bedri Tahiri ka gërshetuar kështu lirikën me epikën, historiken me poetiken, publicistiken me dokumentaren. Aty ka vargje të poetëve kombëtarë, vargje të Naim Frashërit e të Gjergj Fishtës, dëshmi se si është edukuar kjo familje atdhetare në frymën kombëtare.

Në prapavi të komandantit legjendar e në sfondin e historisë janë edhe figura të tjera, luftëtarë të tjerë lirie, burra të besës e të pushkës që i vunë shpatullat mëmëdheut, duke ngritur krenarinë përmbi lumturinë, lirinë përmbi pasurinë, interesat madhore kombëtare përmbi interesat personale. Në sfondin e këtij libri bashkëjetojnë jatagani dhe fjala e mençur, pushka dhe pena, trimëria dhe mençuria e breznive orëmira.

Portretet e skalitura

Krahas “Pelerinatës së Gjakut”, shkrimtari Bedri Tahiri shpalos edhe portretet e luftëtarëve të lirisë në sfondin e historisë, që nga Prekë Kuçi e deri tek Ahmet Delia, Azem e Shote Galica, që nga Emin Lati e deri tek Tahir e Nebih Meha, që nga Hasan Prishtina e deri tek Shaban Murat Jashari. Madje ai e bën këtë në atë mënyrë sa Drenica heroike, përkatësisht Prekazi historik, me një dorë e përkundë djepin e foshnjës së lindur (e që në simboliken e shprehjes së fjalës shqipe del edhe si djep vazhdimësi e si djep lirie) kurse me dorën tjetër mba plagën e lidhur në trupin e vet kryengritës.

Në sfondin e paraqitjes së këtyre figurave historike që lanë gjurmë e bën kthesa vendimtare në rrjedhën e ngjarjeve të vrullshme, zë vend vetëdija kombëtare e thadruar aq bukur në programatikën monumentale të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë?”, zë vend fjala e urtë e vizioni politik i Hasan Prishtinës, pushka rrufe e Shote Galicës lidhur gërshetë me një buqetë fjalësh të përzgjedhura me aq shije dhe me po aq domethënie: “Vëllezër, hasmi ynë i përbetuar, Serbia, më shumë ia ka dronë këtij libri sesa edhe grykëhollave tona. Andaj, arma më e fuqishme është arsimimi në gjuhën amtare.”, si dhe epika fishtjane e “Lahutës së Malcis”, vargjet e së cilës brumosin me atdhedashuri breznitë orëmira.

Shaban Murat Jashari

Në këtë rrugë dhe në këtë sfond shquhet figura emblematike prej atdhetari e prej mësuesi e Shaban Jasharit, i cili në zemër mbante vargjet e Naim Frashërit, kurse në mendje kishte vizionin e përhapjes së dritës së diturisë si prelud i lirisë së shumëpritur, gjë që autori në kapitullin e titulluar “Nga mësonjëtorja në qeli”, e ka paraqitur mjaft bukur e në mënyrë retrospektive, duke e ngritur atë në piadestal si një njeri të formuar me ndjenja atdhetare, i cili përherë ishte i gatshëm të sfidonte “kukudhat e kukuriqët”- siç shprehet shkrimtari, dhe i cili besonte shumë në atë që thoshte:

“Kërcënimet e tyre ia shtonin edhe më tepër atdhedashurinë. Dhe pa hezitim vazhdonte rrugën e tij. Çdo ditë u mbante orë historie. U fliste për luftërat shekullore e gjakimet e parreshtura për liri. Kur u rrëfente për Skëndërbeun, për Ahmet Delinë, për Shaqir Smakën, për Azem e Shote Galicën, për Shaban Palluzhën etj., ata nglenin gojëhapur. Të tilla gjëra më parë s’kishin dëgjuar në shkollë. E shihni shkollën tonë, u thoshte një ditë, kjo është ngritur me gurët e kullës së Azem Galicës. Për këto mund të bisedoni edhe me bashkëluftëtarët e tij, që i dinë këto gjëra më mirë.”

Në penën e Bedri Tahirit, mësuesi atdhetar Murat Jashari është një pishtar i gjallë i diturisë dhe i lirisë. Nxënësit e tij janë ata që recitojnë poemën e Pashko Vasës “O moj Shqypni”, ndërkaq që ai vetë në duar mbante një nga kryeveprat e letërsisë shqipe:
“Mësuesi “i papërshtatshëm”, që mbante libra të ndaluar, si “Lahutën e Malcis” etj., që nxënësit i “helmonte” me idenë e shqiptarizmit e që mbante lidhje me “armiqtë” e popullit, si me Dervish Koprivën, Sherif Tërtsenën, duhej të përfundonte prapa grilave, në qelitë e errëta ku të mbyste lagështia.”

Paraqitjen e portretit të këtij mësuesi atdhetar, autori e plotëson edhe më në një sfond edhe më të përgjithshëm në poetikën e ligjërimit të stilit të tij letraro-historiko-publicistik:

“Lisat e mëdhenj i rrahin erërat më shumë, por rrënjët i lëshojnë më thellë. I tillë ishte edhe ky burrë i paepur e atdhetar i shquar. Shtrëngata të fuqishme u përplasën mbi të, por nuk e përkulën dot. Bile ato e frymëzonin dhe e kalitnin më shumë. Pushtetarët gjakatrë e dëbuan nga puna, nga detyra e shenjtë e mësuesisë, por dashurinë për kombin dhe për gjuhën amtare nuk ia shuan dot. Ai sërish atë e kultivonte te të afërmit, te miqtë e posaçërisht te të bijtë: Rifati, Hamza dhe Ademi. Ata, si tre dragonj ecnin të paluhatshëm në rrugën e madhe të lirisë. Edhe vdekja druhej prej tyre. Dhe ky kënaqej. Ashtu i kishte mësuar vetë. Vetëm ajo rrugë shpiente nga ditët e bardha.”

Edhe në kapitullin vijues “Kulla e përbetimit-Liri a Vdekje!”, Shaban Murat Jashari, shfaqet si një kryefamiljar në një harmoni tipike tradicionale shqiptare, ashtu siç kanë qenë historikisht dyert e mëdha të familjeve shqiptare, dyert që e bën Shqipërinë me hir o me pahir. Kundruar nga ky prizëm, pena e Bedri Tahirit përshkon trajektoren historike të kësaj familjeje të rrallë atdhetare.

Krahas familjes, në sfondin e lirisë së mëmëdheut, zë vend edhe kulla legjendare, e cila ashtu sikurse edhe malet në poemat e Naim Frashërit, kokën e ka përherë në qiell si një shqiponjë kryengritëse, si vetë kulla e Mic Sokolit dhe e Ali Ibrës, e Jakup Ferrit apo e Mehmet Shpendit, e Ahmet Delisë apo edhe e Azem Galicës, e Nebih dhe Tahir Mehës.

Në penën e Bedri Tairit, Kulla e Jasharjave me trimëritë e burrave të saj sfidon epërsitë dhe mizoritë që kishin kazermat serbo-sllave, kurse oda e tyre me mençurinë dhe bujarinë e fisit sfidon kancelaritë e Kongresit të Berlinit, të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, të Jaltës si dhe të demagogjive gjithë sehire të politikës së paqes së përgjakshme. Kjo kullë, e cila kishte pritur me vite e vite të tëra çastin e pritur, në historinë e një kombi martir, do të ngritej në lartësinë e një kryekështjelle të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, gjë që pena atdhetare e Bedri Tahirit e shpalos fletë-fletë, me gjithë koloritin e pasur të një ligjërimi poetiko-epik…

Nuk do mend se Jasharajt, secili veç e veç apo edhe të gjithë së bashku, kanë po të njëjtën përgjigje siç pati edhe Themistokli Gërmenji: “Po të mos shkoj unë, do shkoj Shqipëria!”

E ndonëse autori nuk kalon në shqyrtime apo persiatje përreth një flijimi të përbashkët e pa dyshim një nga më të dhembshmit në gjithë historinë tonë, nga përmasa e kësaj paraqitjeje të epopesë ademjashariane, nuk ka se si të mos na kujtohen vargjet e këngës popullore lidhur me qëndresën e Arbërorëve të Greqisë:

Ishin tre, dhe nuk donin të iknin!
U bënë tre mijë, dhe donin të vdisnin!
O Todi, O Mio, O Koci dhe ti, o burrë:
Ua prenë kokat, po mendimet kurrë!

Legjendari Adem Jashari

Nuk ka dyshim se Bedri Tahiri jeton me heronjtë. Ai jeton me ta e për ta, udhëton me ta, flet me ta, dhe mendon duke qenë gjithmonë me ta. Në flatrat e fjalës shqipe secilit syresh, ai u ngre një lapidar. Në shpalosjen e kujtimeve të atyre ditëve të përgjakshme, që përbëjnë kujtime të kronikave për kohët sa tragjike po aq edhe epike, ai u ngre një obelisk martirëve të lirisë së mëmëdheut. Ai u vë buqeta fjalësh duke u përkulur gjithë respekt dhe mirënjohje përpara mermerit më monumental që historia ka gdhendur në luftën titanike për t’u bërë Shqipëria dhe për t’u bërë shqiptari: Një dhe të pandarë!

Në sfondin e një qëndresë të tillë, sa tragjike po aq edhe heroike, pena e Bedri Tahirit ka skalitur edhe portretin e kryekomandantit legjendar, Adem Jasharit. Në kapitullin “Kulla e përbetimit-liri a vdekje!”, përshkruhet fëmijëria e hidhur e kryetrimit, që lidhet me aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve:

“Fjala e parë që doli nga goja e Ademit të vogël qe “pushkë”. Gjithë biseda e atyre ditëve sillej rreth saj. Dhe, kjo s’pati gjë të keqe. Djaloshit veçsa i shtohej urrejtja për të huajt dhe i rritej dashuria për armët e lirisë. Këto ndjenja ia sforconte edhe rrethi familjar. Libri, pushka e çiftelia në duart e babait e të vëllezërve më të mëdhenj, flitnin mjaft. Shembujt edukojnë më mirë se fjalët, porosiste i madhi Naim Frashëri. Kështu formohej personaliteti i të riut kureshtar e sypatrembur.”

Adem Jashari përshkruhet kështu si një njeri të cilit: “Më shumë i pëlqenin veprat se fjalët.” Pra, ai është njeri i aksionit më shumë se sa i fjalëve. Ai është njeriu që vë në lëvizje tokën dhe qiellin, njeriu që ndryshoi rrjedhat e historisë, që ua ktheu dinjitetin dhe besimin shqiptarëve.

E një profil të veçantë të komandantit kreshnik shpalos shkrimtari, edhe kur shokët ia kërkojnë mendimin kryetrimit Adem Jashari, i cili në fjalën e tij gjithë urtësi e trimëri shëmbllen aq shumë me Oso Kukën:

“- Vëllezër të dashur! Shumë nga ato që i bluaja në kokë i thatë ju fort mirë. Armiku shekullor me një të qeshur s’bëhet mik. Këtë e ka të qartë edhe populli, por për t’i treguar botës se s’jemi veç të luftës, i mënjanuam armët përkohësisht. Por ç’ndodhi? Durimi gati u kthye në nënshtrim poshtërues. Shqiptari sikur e humbi dinjitetin e vet kombëtar. A ju kujtohet plaku që na përshëndeti serbisht kur po qitnim pushkë në malet e Prellocit? Aspak s’kishte faj i gjori. Nuk ia kapte dot mendja se tanët mund të shtinin me armë. Nuk ishte ai i mëparshmi. A s’ka bir nëne që ia kthen armën Serbisë?!- shushuritet shpesh. A durohet kjo?

Turp që nuk e lanë as Drini i Bardhë. Ardhacakët e stepave të Karpateve të bëjnë ç’t’u teket nëpër shtëpitë tona? Jo, qebesa, jo. Ende janë gjallë bijtë e shqipes. Amaneti i brezave nuk guxon të shkilet. Liria është më e shtrenjtë se jeta. E ç’kuptim ka e shkreta nën thundrën e egërsisë. Hiq fare. Për lirinë e Kosovës nuk do të kursejmë asgjë, as gjakun tonë. Nga kjo rrugë, që s’është e shtruar me lule, por me gjemba, s’ka kthim prapa. Të lidhemi me besa-besë e të betohemi: Liri a vdekje!”

Ndërkaq, edhe në kapitullin përmbyllës të këtij libri emblemë, kapitull i titulluar në mënyrë mjaft domethënëse “Me fat përjetësia Adem Jashari”, nëpërmes një ligjërimi të veçantë poetik paraqitet në plotninë e tij heroi epik në dimensionin që e meriton, në dimensionin historik. Në këtë dimension të trajektores historike, Heroi mishërohet me Flamurin, sepse Ai bëhet Flamurtar i Shqiptarizmës së Rilindur nga gjaku, Ai bëhet palë e valë prej gjaku shpalosur në Flamurin e Breznive Orëmira:

“Ai i Madhërishmi e i Plotfuqishmi bëri edhe Ilirikumin, edhe Arbërinë, edhe Kosovën, edhe Drenicën, edhe Prekazin. Mbi këtë të fundit, ditën e 28 nëntorit 1955, lëshoi rreze të forta drite. Pasi mblodhi fuqinë, mençurinë, trimërinë, bukurinë dhe bujarinë, brumosi mirë e mirë edhe një Adam të ri, Adem Jasharin. Qyqavica lëshoi një rrakullimë farfuritëse e zanat flokëgjata mbushën bucelat me qumësht të dhisë briaartë. Dragonjt kamxhikosën rrufeshëm kuçedrën shumëkrerëshe, që u përpoq ta shterronte lumin Drenica. Trimi braktisi djepin, mori krahët e vajti në logun e betejave të lirisë. Orët i dhanë ushqim ambrozi. E ëma e Akilit parapëlqeu të kënaqej fare pak me të birin, por ai i takonte pavdekësisë. Edhe Zahidja ishte e një mendjeje me të. Dhe, Ademi nuk e priti ditëlindjen e dyzet e tretë. Jo, se ai u shndërrua në legjendë, e legjendat janë të përjetshme. Ademi pati vetëm një pike gjaku në fyt…”

Një dimension tjetër i paraqitjes së Adem Jasharit nga ana e shkrimtarit Bedri Tahiri, është edhe ai i krahasimit me heroin pararendës dhe po aq frymëzues (në kapitullin “Ato presin babanë t’ua sjellë lirinë”), ku bie në sy një frazeologji mjaft e mprehtë sa dhe tejet e saktë:
“Azem Galicën s’e zinte shpella. Adem Jasharin nuk e mbajti dheu. Ende pa i mbushur dyzet e tri pranverat vajti në përjetësi. Trimat vdesin për të jetuar, ndërsa burravecët jetojnë për t’u harruar shpejt, do të thoshte një veprimtar yni. E vërtetë e pamohueshme. Një emër që tundi globin. Guri i Sizifit lëvizi nga vendi. Akti sublim i altruizmit unikat ndërgjegjësoi edhe mendjet më të mykura të ca trutharve tanë, zgjoi shurdhësinë evropiane dhe zgjodhi nyjën gordiane të memecllëkut botëror…”.

Hamzë Jashari

Në kapitullin “Gjithkush duhet ta mbrojë pragun e vet”, paraqitet në sfond figura tjetër epike e qëndresës heroike, Hamzë Jashari:

“- Fort mirë e dimë se familja jonë kaherë është në shënjestër të pushtetit shovenist serb. Mirëpo, jemi betuar që të mos luajmë nga trojet tona. Ademin e kanë dënuar në mungesë, por atdhedashurinë nuk ia kanë zbehur fare. Përkundrazi, veçse ia kanë sforcuar. Ca fjalë të pakripë, që po i vinë përanash, po e rëndojnë më shumë se sa sulmet e armikut. Edhe Azem Galica i urrente shumë hafijet dhe kukudhat, andaj i qeronte pamëshirshëm. Por, nejse, koha do t’i sqarojë të gjitha. Së shpejti populli do të na ndajë shapin nga sheqeri. Kryesorja, puna po ecën mbarë, armët e lirisë po dëgjohen kudo. E unë mendoj se rrugë tjetër nuk ka për të arritur te liria, – flet Hamza rrjedhshëm e qetë, si të mos kishte ngjarë asgjë…”

Edhe për këtë figurë heroike sa dhe emblematike të luftës çlirimtare, shkrimtari shpreh një respekt dhe adhurim të veçantë, duke e skalitur si me daltë portretin atdhetar të tij:

“Dhe nuk ndalet, por më përcjell larg e larg. Sa i lakmoja këtij burri mentar e trim. Pedant në veshje, në sjellje e bisedë. Rrobat laroshe të UÇK-së i shkonin fort bukur atij trupi gjimnastik. Revolja në brez dhe bombat përreth ia shtonin madhështinë. Hero mitik më dukej tek ecte përkrah meje. Shpirtin e tij liridashës e njihja edhe më herët, por ndryshe, përmes këngës dhe çiftelisë. Sa ëmbël e sa me afsh u këndonte Azem e Shote Galicës, Hasan Prishtinës e Bajram Currit, Oso Kukës e Isa Boletinit, Zhujë Selmanit e Lec Gradicës…Ca pushtetarë puthadorës e shikonin vëngër dhe bënin plane për kurthe e ndërskamca. Lexonte shumë dhe e njihte fort mirë historinë kombëtare. Në çantën e tij ushtarake, krahas të tjerave, kishte edhe libra. Mendja duhet t’i prijë trimërisë, se nuk kanë thënë kot të diturit Një trimëri me njëqind mjeshtëri, – i këshillonte ai vazhdimisht shokët…”.

Besartë Jashari

Portreti i Besarta Jasharit është një dëshmi tjetër e shpalosjes së një të vërtetë të madhe historike, ku brezi i ri gjakoi dhe ëndërroi për lirinë e larë me gjak. Besarta Jashari përfaqëson një brez të tërë që kalon nëpër rrathë ferri, por ajo gjithashtu në penën e shkrimtarit përfaqëson edhe një ëndërr të dyfishtë për 8 Marsin, një festë në të cilën ajo nuk dëshironte asgjë më shumë se sa t’i dhuronte gjyshes një buqetë me lule, dhe gjyshit një stilolaps, pra një penë për të shkruar kronikat e lirisë së shumëpritur:

“Besartë Jashari! Një emër, një histori. E gjalla mes të vdekurve. Një emër që të ngjallë admirim të veçantë e të bën të mos u besosh as syve tu. Vajza, e cila kaloi nëpër nëntë rrathët e ferrit dantesk dhe përjetoi e pa me sy tmerre çmendëse. Dhe, pas gjithë asaj golgote tunduese, mbeti e kthjellët si loti. Rrëfen qetë, pa emocione, pa shqetësime…Natën e kobshme flinim ëmbël. Fare nuk e mendonim përbindëshin monstruoz, që gatitej të na gëlltiste. Jo, jo, së paku ne fëmijët, jo. Përpara kishim ardhmërinë dhe ëndërronim… Ishim në prag të festave të marsit. Gjumi krah-lehtë na shpiente kahmos… Blerina e vogël buzëqeshte ëmbël në gjumë. Diç të bukur ëndërronte…

Me një tufë lulesh, mbledhur te Livadhi i Pajtimit, vraponte hareshëm drejt gjyshes Zahide. Donte t’ia uronte Tetë Marsin. Ajo disi i ikte, e kjo e ndiqte pas lehtë-lehtë. Sapo e zuri, e përqafoi fort, ia dha lulet dhe ia përsëriste përmendësh mësimin Nëna Qëndresë. Plaka flokëthinjur e kënaqur ia lëmonte flokët e butë si mëndafshi. Ajo sërish buzëqeshi ëmbël dhe u rrotullua në krahun tjetër. Po motra, Fatimja, në shtratin tjetër, ç’ëndërronte vallë në ato çaste të pakta, para orës së ligë? Gjëra të bukura. Ajo kishte ndarë mendje ta përgëzonte gjyshin e dashur Shaban me një stilolaps në ditën e Mësuesit. Edhe më shumë meritonte mësuesi i parë i Drenicës, por aq kishte ajo…”.

Marigonë Jashari

Me një poetikë krejtësisht lirike, është paraqitur edhe portreti i Marigonë Jasharit, e cila gjithashtu ka kujtime të trishta lufte, por që shkrimtari me të drejtë parapëlqen që ajo të recitojë vjershat me përmbajtje atdhetare.
“Edhe kujtesa brilante e Marigonës miturake ka regjistruar diç nga skenat makabre. Por, shpirtbardhësinë e saj ishte mëkat ta helmoje me gjëra të tilla. Dhe biseda merr rrugë tjetër. Ajo ka mësuar vjersha për babanë, për UÇK-në, për Drenicën.”

Simbolika e emrit Marigonë merr kështu përmasën e një ditë të shumëpritur, që nga Vlora e Ismail Qemalit e deri tek Prekazi i Adem Jasharit:
“Ç’margaritar i pastër që me zë kanarine josh lirinë ëmbël-ëmbël. E ajo patjetër do të vijë. Edhe më 28 nëntor 1912, Marigona i pat kënduar lirisë tek e qëndiste flamurin kombëtar. Kjo i këndoi një lirie të plotë, që të gëzojë mbarë Shqipëria. Thellë në zemër ndryhen shqipet e qëndisura me fije gjaku për trimat e lirisë…”.

Nëna shqiptare

Ajshe Boletini, Ajshe Gërvalla e Ajshe Jashari takohen tek djepi i qëndresës, tek votra shqiptare e tek sofra bujare. Ato takohen dhe bëhen një tek kulla e pamposhtur. Tek kulla kështjellë e Prekazit historik, Nënë Zahidja e Jasharjave është vetë Haso Topulli e Kosovës martire. Adem e Hamzë Jashari i ngriten asaj në këmbë, e përqafojnë dhe e adhurojnë si vetë mëmëdheun e dashur, sepse dashuria e tyre për Nënë Zahidenë është vetë dashuria që kanë ata për Shqipërinë. Në përmasat e nderimit të tyre, ata e nderojnë dhe i përkulen Nënë Zahidesë ashtu sikurse përkulen në eposin e kreshnikëve edhe Muji e Halili përpara nënës së tyre.

Ndërkaq, në kapitullin “Krimi që tundi botën”, pushtuesi ndeshet me bustin e Heroinës Qerime Shote Galica:
“-Pa shihe, shihe, edhe kjo zanë mali me gërsheta të gjata, sikur ka luftuar kundër nesh,- fliste oficeri serb duke e shikuar bustin e Shotës, që i rezistonte edhe zjarrit. Sa popull i çuditshëm. Fare nuk i drojnë vdekjes, as kur janë duarrthatë. Të gjithë njësoj e çmojnë lirinë, si burrat, si gratë. Edhe fëmijët i edukojnë në atë frymë. Kur bien në fushëbeteja këndojnë e kur i zë vdekja në shtrat, mërziten. Kam dëgjuar se një nënë shqiptare kur iu kthye djali nga beteja e shokët i kishin mbetur të vrarë, qau me lot derisa e detyroi të birin të kthehej sërish në fushëbetejë.”

Dhe, jo vetëm kaq. Ajo rroku edhe armët dhe u rradhit në vijën e parë të frontit. Rradhët e UÇK-së u mbushen përplot trimëresha. Ato dëshmuan qartë se Shote Galica nuk qe një rastësi historike e as Xhevë Krasniqi-Lladrovci nuk ishte e fundit që me gjak vadiste tokën e etur për Liri…”.
Nëna shqiptare, në penën e shkrimtarit Bedri Tahirit ngritet në piadestalin që i takon, dhe ky piadestal në të cilin e vë shkrimtari atë, është ai dorës që ka përkundur djepin e lirisë sonë, duke dëshmuar për të satën herë se liria është nëna e fitores.
Ky piadestal pra, është ai i Teutës ilire.

Nga Frashëri prijatar tek Prekazi legjendar

Shqipëria, në Rilindjen e saj kombëtare ka nxjerrë Frashëllinjte me penë. Në përmbyllje të njërit prej kapitujve të saj më tragjik-në luftën e saj për çlirimin e Kosovës martire, Shqipëria ka nxjerrë nga gjiri i saj Jasharajt e pushkëve të bardha kryengritëse.
Të parët-Frashëllinjtë, punuan e vepruan sipas krenarisë së ligjshme që e shpalosi poeti kombëtar Naim Frashëri:

“Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqipëtar,
Zemrën ti ma gatove, plot me dëshirë e me zjarr!”

Të dytët-Jasharajt, vepruan dhe luftuan sipas parimit programatik të shkodranit të mençur e shqiptarit të madh, Pashko Vasa, se: “Urdhrat e ndërgjegjës kombëtare, duhet të vijnë për krerë dhe të bindin për ushtarë!”

Frashëri i penave të përlindjes së përjetshme të Shqipërisë dhe Prekazi i pushkëve të bardha kryengritëse të lirisë, takohen në shtigjet e përjetësisë. Mbi dyert e mëdha të Frashëllinjve dhe mbi dyert e mëdha të kullave të Prekazit, qëndron shqiponja dykrenare. E pena dhe pushka qëndrojnë si gërshetë e lidhur. Drita e diturisë dhe drita e lirisë. Frashëllinjtë që vdesin me penë në dorë mbi tavolinën e punës dhe levendët e Prekazit që vdesin me armë në dorë në log të luftës. Abdyl, Naim, Sami e Mithat Frashëri. Ahmet Delia, Tahir e Nebih Meha, Shaban e Adem dhe Hamëz Jashari. Frashëllinjtë dhe Jasharajt. Nga jugu në veri, për lirinë e shenjtë të mëmëdheut: Ja vdekje, ja liri!
Prologu dhe epilogu, përkatësisht: Kosova ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?

Shkrimtari Bedri Tahiri ka kujtuar me dhembje dhe me nostalgji fatin e librit të tij, gjë që shprehet mjaft qartë tek Prologu:

“Edhe libri Adem Jashari- legjendë e legjendave ka një histori, sa të dhimbshme, aq edhe krenare. U lind në kohë të pakohë, në rrethana lufte. Copëra dhe fragmente të tij zunë embrion mu në flakën e betejave të përgjakshme e pranë viktimave të martirizuara. Në të rrjedhin tok: gjaku, loti, pikëllimi, krenaria e, mbi të gjitha, etja e pashuar për liri. Dhe, çka është më e veçanta e tij, ndoshta edhe raritet unikat, që kur nanurisej në shparguj, bie në dorë të vrasësve të pashpirt. Po të kishte gojë për të folur, rrëfimet e tij rrëqethëse do ta linin pa mend secilin. Mbi dy muaj qëndroi në një dhomë me katilët gjakatarë. Po, po, mu në një vend, dhe ia doli mbanë. Pak e pabesueshme, por e vërtetë.”
Kjo “odise e stërmundimshme e këtij dorëshkrimi”- siç shprehet vetë autori, në të vërtetë është vetë simbolika e luftës mes qytetërimit dhe barbarisë. Në njërën anë libri: “Për ditë të tëra qëndroi ashtu pa bërë zë, i shushatur, i ndrydhur e i shtrydhur…”, dhe në anën tjetër cerberët serbë, që përpiqen të zhdukin një kulturë mijëravjeçare: “Edhe në bibliotekë vajtën dhe për ca ditë rresht shfletuan, nënvizuan, veçuan e më në fund m’i dogjën në mënyrë të pamëshirshme rreth dy mijë e pesëqind tituj librash të larmishëm.”

Ndërkaq, tek Epilogu, ai ka shprehur gjakimin e tij të përhershëm për t’i hedhur në letër kujtimet dhe përjetimet e atyre ditëve të përgjakshme:
“Ngjarjet qenë të pafundshme e të mëdha, mu si sofra e Skënderbeut në malet e kuqe të Pishkashit, ku pas fitores së Domosdovës, drekuan të gjithë luftëtarët bashkë. Edhe këtu kishte vend për të gjithë…Valët shkumbëzuese të Drinit të Bardhë s’kishte digë që i mbante e rrufetë mbledhur në maja malesh s’kishte shkëmb a lis që t’i priste. E tillë ishte UÇK-ja.”

Me poetikën e stili të tij sa të veçantë po aq edhe origjinal, Bedri Tahiri sërish ngre lart luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ushtri e popullit, e idealeve të larta e dhe e moralit të pathyeshëm. Sot ajo bart amanetin e mijëra të rënëve në fushën e nderit: trimave të vrarë në logun e mejdanit, pleqve të masakruar e të djegur në shtratin e lëngimit, grave shtatzëna, operuar nga xhelatët e foshnjave të therrura në djepa. Mbi supet e saj të brishta rëndoi edhe amaneti i paharruar i brezave liridashës, i ruajtur me akribi fanatiku në çdo gur; në çdo lis e në maja kreshtash të pashkelura. Besa e madhe e burrave të motit sikur u sublimua fuqishëm në figurën e kryetrimit legejndar, në mitin e fundshekullit njëzet, në shpirtin e pavdekshëm të Adem Jasharit. Ajo me imazhin e qartë të lirisë në zemër, hapëroi guximshëm përmes dallgësh e stuhisë shkatërrimtare serbe.”

Prologu dhe Epilogu të shkruar nga shkrimtari Bedri Tahiri, e të cilët qëndrojnë si dy porta triumfale të kësaj vepre prijatare, përkujtojnë dhe njëkohësisht dëshmojnë qartë se Greqia e pushtuar e mundi pushtuesin e pagdhendur. Banorët e mbretërisë së lashtë të librit dhe ardhacakët e stepave të Karpateve ndeshen ballëpërballë. Të parët e mundin zjarrin dhe hekurin e të dytëve, sepse zjarri i shenjtë i lirisë triumfon mbi shkrumbin dhe hirin e topave dhe tankeve.

Botimi në fjalë është i dhjeti me radhë. Por, këta ekzemplarë nuk janë thjesht vetëm të tillë. Më shumë se çdo gjë, këta ekzemplarë të librit të Bedri Tahirit “Adem Jashari- legjendë e legjendave”, janë ushtarë të kryekomandantit legjendar, janë pishtarë të gjallë lirie që nuk e lënë të shuhet flakën e shenjtë të dashurisë ndaj atdheut, flamurit, gjuhës, kombit dhe kulturës sonë.

Prologu dhe Epilogu rrijnë kështu si dy kapakë të një libri të madh për lirinë, si dy porta triumfale, si dy qëndisma nga më domethënëset në faqet e këtij libri, të cilat nuk do mend se qëndrojnë vetvetiu edhe si Prolog për përjetësinë (në kapitullin “Legjenda e legjendave”):
“Po baca Adem, që aq shumë e deshi, ku ishte vallë? Atë nuk po e gjente dot. Deri vonë ia kishte dëgjuar këngën. Po, po deri vonë, dhe atëherë nuk frikësohej. Po tash ku ishte? Pse s’këndonte më? Sërish zuri ta kërkonte. Por kot, atë nuk mund ta gjente andejpari. Ai po shëtiste në ballë të protestuesve nëpër rrugët e Prishtinës, të Tetovës, të Tiranës, të Bonit, të Oslos, të Nju-Jorkut…”

E edhe si Epilog për ardhmërinë (në kapitullin Orë historie):
“Atë ditë ata po mungonin me arsye dhe emrat nuk i shënuan në ditar. Ata mund t’i gjeje në librat historikë, në vargje të poetëve, në telat e çiftelisë e në pikturat e moshatarëve të tyre.”

Përshkrimi i plojës dhe i turmave të përgjakura

Tablo të një Gernike që ka ndodhur në Kosovë, shfaqen në penën e shkrimtarit Bedri Tahiri sa herë që ai përshkruan plojën e turmave të përgjakura. Përmasa e përshkrimit të tragjedisë kombëtare është e shoqëruar përmes një gradacioni të përshkallzuar, ku sërish bie në sy poetika e ligjërimit epik që kulmon me optimizmin karakteristik të nënave të Drenicës trime…

Kështu në kapitullin “Gjithkush duhet ta mbrojë pragun e vet”, përshkrimi është i detajuar dhe fjalia është mjaft e latuar:
“Përjashta kudo gjurmë barbarie e vandalizmi. Kulme të shembura, mure të rrënuara, armë të mbetura, predha mortajash të pashkrehura, bagëti të vrara. Qeni i shtëpisë po jepte shpirt. Skena rrëqethëse, që të ngjethin mishtë. Të mpleksur me rrëfimet e kataklizmës së llahtarshme, veçan me ato të vajzave trimëresha, Ilirianës dhe Selvetes, që të plagosura lëngonin në shtrat, krijoheshin pamje kulmore të një shfrimi shtazarak, asi çfarë di të bëjë veç mizoria serbe.”

Në kapitullin tjetër, të titulluar “Lisi Kushtrimtar”, përmes retrospektivës së dëshmitarëve të gjallë, paraqitet kronika e ditëve të përgjakshme, kronikë në të cilën sa shquhet përmasa e tragjikes po aq theksohet edhe përmasa e vetëdijes dhe e krenarisë së ligjshme si zemër-klithje e popullit të thjeshtë, që gjaku i derdhur lumë të bashkojë e të shumëfishojë forcat e bijve të shqipes:

“Fill pas vrasjeve të kriminelëve serbë, forca të shumta policore e ushtarake rethuan Likoshanin,- nis rrëfimin Sefer Nebihu i Qirezit, që ashtu i plagosur qëndronte shtrirë në shtëpinë e vet. Pas pak, shtatë autoblinda kaluan përroin dhe dolën këtej, në lagjen tonë. Edhe helikopteri na sillej përmbi, duke mitraluar papra. Një autoblindë e mallkuar u përplas fuqishëm në dyert e oborrrit. Kriminelët, si të tërbuar, na u rrasën brenda, duke shtënë pandërprerë. Renë, Rukinë, ma vranë në prehërin tim. Po, po, bile nga afër, me dy plumba ia copëtuan kokën resë sime shtatzënë, ofshan ai thellë…Edhe djalit, Gjemshirit, një karikator ia zbrazën mu në gjoks. Mua më plagosën rëndë dhe më tërhoqën zvarrë, por falë luftëtarëve tanë shpëtuam pa na vrarë të gjithëve…

– Mami, këtu e kanë masakruar babin, – i thoshte Patrioti pesëvjeç, Ganimete Gjelit, duke bërë me gisht nga vendi i gjakosur.
– Jo shpirt, jo, babai ka shkuar në Gjermani, – ia priste ajo duke u mbajtur e fortë karshi fëmijëve të padjallëzuar. Vërtet burrin ma vranë këtu, mu në dhomë, – flet ajo, pasi ka larguar djemtë e vegjël. Edhe vjehërrin ma vranë, por dua që gjaku i tyre të na bashkojë e të mos shkojë huq…”

Përmasa e përshkrimit të tragjedisë kombëtare është e shoqëruar përmes një gradacioni të përshkallzuar, ku sërish bie në sy poetika e ligjërimit epik që kulmon me optimizmin karakteristik të nënave të Drenicës trime:

“-Ne nënat drenicare, jemi mësuar të rrisim fëmijë për lirinë e trojeve tona dhe askush nuk do të na e shoh lotin në qepallë! – fliste një plakë kurrizdalë, që mezi ecte përpara grave të tjera. Gazetarja gjermane drodhi kokën me habi, kur ia përkthyen fjalët e saj…”

Në ligjërimin e stilit poetik të këtij shkrimtari, si për të sfiduar gjithë këtë të keqe të madhe, mali bashkëbisedon me heroin:
“E premtja e 25 shtatorit gdhiu fare pa diell. Mjegulla dendurake shtrëngonte Qyqavicën, se kishte kokëdhembje. Kudo qetësi varri, që të ngjethte mishtë. Ploja mbi Qyqavicë kishte lënë pas vdekje, masakrime, arrestime, shkatërrime, ankthe e tmerre të pashërueshme. Dielli hezitonte të hidhte sy mbi krimet monstruoze të hordhive të egra serbe…Atë ditë binte një shi i imët, kur në Galicë hapeshin katërmbëdhjetë varre të reja.

-O Azem Galica, mos më mbaj mëri, o burrë, se nuk kam faj,- thirri Qyqavica plakë me zë të përvajshëm. E ai hijerëndë vëzhgonte nga obelisk përballë. Lotët e varrmihësve përziheshin me currilat e flokësve dhe treteshin pahetueshëm në dheun e shkriftë që nxinte mbi barin blerosh. Nën qarrin shekullor, dëshmitarin besnik të rravgimeve makabre të historisë njerkë, qëndronin lulet e rinisë. Cila zemër përballonte para tyre? Rrallë e hiq. Edhe lisi jetënxirë kishte mbyllur sytë. Ç’të shihje o Zot?! Gjymtyrë të sakatosura, koka të copëtuara, tru të derdhura përtokë, sy të nxjerrë me maja thikash, xhepa të hapur nën lëkurë, veshë të prerë e dhëmbë të thërmuar. Hapu tokë e të futem shtatë pashë nën dhe!!! Por, thonë, njeriu është më i fortë se guri dhe i mbijetuaka të gjitha!”

Duke shpalosur në sfondin e kronikave të tij, tablo të tilla si dëshmi për historinë, shkrimtari Bedri Tahiri me të drejtë ka shprushur ndërgjegjet e fjetura, dhe se duke dëshmuar njëkohësisht për lirinë e një kombi me veprën e tij, ai ka paralajmëruar atë që e pat formuluar aq bukur poeti i pushkatuar nga diktatura komuniste, Ndre Zadeja, se shqiptarët duhet të zgjohen e të bashkohen njëherë e përgjithmonë, në mënyrë që të huajtë të mos i përdorin më kurrë si turma të përgjakura:

“Dhe, midis gjithë asaj zallahie, ngjau çudia e çudirave. Rast i rrallë për libër të Ginisit. Nën fustanin e Lumnies, e bija dymuajshe, Dituria. E tërë e mbuluar me gjak, por e gjallë. Vetëm kjo më ka mbetur, thoshte i ati, Imer Deliu, duke e ngritur lart Diturinë. Fitorja është juaja, tha një gazetar i moshuar. Kur foshnja mund vdekjen, liria është në prag. Kështu ka thënë edhe një perandor romak, që e kishte provuar vetë gjatë pushtimeve të shumta…”.

Liria si çmimi më suprem

Ish-adminstratori ndërkombëtar për Kosovën, Dr. Bernard Kushner, gjatë vizitës së tij në familjen Jashari, me të drejtë pat thënë se: “Sikur të kishte një çmim Nobel për lirinë, ajo patjetër do t’i takonte Familjes Jashari.”
Bedri Tahiri me librin e tij për Adem Jasharin si legjendë të legjendave, dëshmon se çmimi i lirisë qëndron përmbi çdo gjë tjetër. Dëshmon se liria e një kombi është çmimi më suprem që qëndron si i tillë edhe në përjetësi.

Fragmenti në kapitullin “Krimi që tundi botën”, në të cilin thuhet: “Fitorja është e juaja, – tha një gazetar i moshuar. Kur foshnja mund vdekjen, liria është në prag. Kështu ka thënë edhe një perandor romak, që e kishte provuar vetë gjatë pushtimeve të shumta.”, gjithsesi na e kujton pikturën e njohur të Ezhen Delakroas: “Liria i prinë popullit”.

Ndërakq që në penën atdhetare të Bedri Tahirit, legjendari Adem Jashari mbetet për jetë e mot: “Një frymëzim i pashuar për brezat.”Ai në sfondin e tij monumental, siç e ka ngritur shkrimtari Bedri Tahiri, mbetet: “Një emër që tundi globin.” Sepse: “Guri i Sizifit lëvizi nga vendi.” Jasharajt, siç thotë me të drejtë Bedri Tahiri, janë: “Yje të pashuar të sojit të pavdekshëm.”

Prekazi dhe Kulla e Jasharjave në sfondin me fushë gjaku, nxorën Gardën Krutane. Në një nga momentet më kritike për kombin, në një kohë për jetë a vdekje, Adem Jashari e ngriti plisin si përkrenare dhe i ra kushtrimit shekullor, i ra Trumpetës së Krujës. Adem Jashari, në emër të një ideali sa të madh po aq edhe të shenjtë, i flakëroi rrufetë.

Në Prekaz u përballën dy botë: barbaria dhe liria, dy popuj: ardhacakët dhe autoktonët, dy kryeqytete: Beogradi dhe Prekazi. I pari, një qytet të cilit aq shumë i përshtatet thënia e Volterit se në këtë rast epiteti është armik i emrit; një qytet për të cilin Jeronim De Rada ka shkruar: Pirgu i Zi mbi Beligrad! Dhe i dyti, Prekazi, epiqendra e zgjimit kombëtar shqiptar, epiqendra e Kryeheroit të Përjetësisë, epiqendra që përkundi djepin e legjendës së legjendave. Epiqendra e shpresës së lindur rishtazi, epiqendra e Rilindjes së një ideali të trashëguar brez pas brezi nga shqiptarët atdhetarë.

Libri i Bedri Tahirit “Adem Jashari – legjendë e legjendave” pa dyshim se është një libër monument, i ngritur me flatrat e fjalës shqipe. Ky libër është dëshmia më e mirë se Garda Krutane, pra elita ushtarake i ka hapur rrugë elitës politike. Prandaj, elita politike edhe duhet të ketë përgjegjësi historike, sepse në historinë e shtetformimit, ushtria dhe diplomacia janë rrufepritës të një kombi.

Ndërkaq, elitat intelektuale-sa krenarinë kanë edhe kënaqësinë të ndihmojnë, që të ndriçojnë shtegun e dritës, gjithmonë sipas parimit të madh të Samiut të Frashëllinjve, i cili sa bukur ka thënë, që pastë bekimin aty ku ka rënë: Uniteti i ideve është më i fortë se uniteti i shteteve!