PASIONANTI I PUNËS DHE DIJES – HOMAZH PËR MËSUESIT E MI PËR 7 MARSIN

0
1153

ANDON BILLO, HARUN SEFA, HYSEN DERVISHI, REXHEP BALLHYSA, ISA MEBELLI JANI NUSHI, ALEKS DANI, KOLI ALLKANJARI, RIZA RANÇI

(Mesuesit tim i paharruar i klasës së parë Fillore, Andon Billo)

.ESE.

— nga FASLLI HALITI

Çifti i mësuesve Billo ka mbetur në kujtesën time ashtu si në vitet 1946, 82 vite më parë, si në ditën e parë të klasës së parë të shkollës fillore. Mësuese Parashqevi Billo atëhere ishte mbase 21-22 vjeç, kurse Andoni disa vjeç më i madh, por për mua mësuesi dhe mësuesja e fillores mbeten si atëhere në vitet 1946, si ditën e parë të klasës së parë fillore, si 72 vjet më parë.

Mësues Andoni ka disa vjet që ka vdekur. Parashqevia e shoqja, mësuesja ime jetoi edhe disa vite më pas. Nuk e shihja shpesh, pasi pas vdekjes së shoqit ajo dilte shumë rrallë në qytet…

– Je me fat, më tha babai, atëherë kur mori vesh se unë do të kisha mësues Andon Billon. Është i mençur dhe i vuajtur, më tha babai. Mësonte dhe punonte. Ai në kohën e të mbjellave hidhte farë misri. Me lekët që merrte, nga kjo punë, ai blente librat dhe përballonte shpenzimet e shkollës që vazhdonte. Edhe tek ne ka hedhur farë misri. Ishte farëhedhësi më i mirë. Si rruazai numëronte kokrrat e misrit. S’linte pëllëmbë brazde pa farë. Veç ta shihje misrin kur mbinte. Kishe qejf. Asnjë boshllëk pa degë misri. Njeriu i vuajtur e ka mençuri të dytë vuajtjen. Prandaj hap sytë. Mëso, mos më turpëro me Nonin (kështu e thërriste shkurt babai).

Mua sesi m’u duk kur babai më tha se ai, mësues Andoni kishte hedhur farë misri në arat tona. Mësuesi për mua ishte shenjtë. Si mund të hidhte farë misri një shenjtë. Shenjti shenjtëron. Para tij njerëzit falen, përulen, pastrohen, pasurohen, fitojnë shenjtëri… Gati e mora inat babanë, edhe pse ai thoshte të vërtetën.
– Mësues, me lejë!
– Pa hë!
– E njeh babain tim ti?
– Si e quajnë babain tënd?
– Halit!
– Halit Shurdhi?
– Po, me lejë, mësues!
– E njoh, posi!
– Pse i Halit Shurdhit qënke ti?
– Po, me lejë, mësues!

Edhe pse babai e kishte ndërruar mbiemrin nga Shurdhi në Halit, ai vazhdonte të njihej me mbiemrin Shurdhi. Kur mësuesi tha se e njihte babanë tim, qënka e vërtetë, thashë me vete, mësuesi paska hedhur farë misri te ne kur ishte nxënës në pedagogjike. Por prapë abstragova. Shenjti eklipsoi farëhedhësin.

– T’i ngjash mësuesit, më tha babai. Të mësosh dhe të ruash lopët. Para dite në shkollë, pasdite me lopë. Apo jo?
– Po, baba, i thashë babait, mësuesit do t’i ngjaj.

Babai kishte të drjetë. Mësuesi ishte vërtet tepër punëtor. Unë nuk e vlerësoja dot atë nga dijet, pasi për mua ai ishte Perëndi dhe Perëndinë unë s’e masja dot pasi isha i vogël, por që punonte, kjo dukej. E shihja dhe unë dhe shokët, klasa, shkolla…

Mësuesi im Anton Billo, nuk njihte pushim për vete. Për të s’kishte pushim të gjatë e të shkurtër midis orëve. Për të kishte vetëm punë. Lejonte nxënësit që kishin nevojë të dilnin jashtë, me të tjerët punonte. Na bënte shkrim dhe ushtrime të pafundme aritmetike. Nuk njihte lodhje. Nuk dinte të nervozohej. Seç kishte një zë të pambuktë, një të qeshur qumësht edhe pse fytyrën e kishte vrarëlije. Përvetësimi i lëndës nga nxënësit e entuziazmonte bile e çlodhte, e përtërinte. Ishte punëtor, por edhe metodist.

Më kujtohet ora kur mësuam dyshin. Na tha: “Një djalë që quhej Dyli shkoi të mblidhte ullinj. Bëri në dërrasë të zezë një zero. Kjo, tha është koka e Dylit. Pastaj nga zeroja zgjati një vijë të pjerrët poshtë. Kjo, tha, është trupi i Dylit. Pastaj e theu horizontalisht vijën. Këto, tha, janë këmbët e Dylit që është ulur në gjunj dhe mbledh ullinj. Pra, koka e Dylit, trupi i Dylit, këmbët e Dylit, tha duke i mëshuar edhe një herë shkumësit. Ne përsëritëm në kor fjalët e mësuesit: koka e Dylit, trupi i Dylit, këmbët e Dylit…

Ai na kishte paraqitur kështu në mënyrë skematike numrin dy. Kjo mbase nuk përdoret sot, por mua më ka mbetur në mënd grafika e atij dyshi. Kështu për treshin, katrën, pesën, gjashtën, shtatën, tetën, nëntën, ai krijoi nga një figurë sendi, kafshe, të cilat mua të paktën më kanë mbetur në kujtesë si mrekulli… edhe pse sot ato mund të duken të tejkaluara. Por ne fëmijët e atëhershëm nuk ishim aftësinë racionale që kanë fëmijët sot. Tjetër empirikja, tjetër racionalja, tjetër kujtesa, tjetër gjykimi. Gjykimi mbetet, kujtesa kalon… Mësuesi im Andon Billo vlerësonte me entuziazëm. Entuziazmi i tij ishte përtej notës shkëlqyeshëm, ai ishte më mobilizues, më inkurajues.

Po mësonim, shkronjën “R”. Mësuesi shkroi në dërrasë të zezë:

Rosa bën mak, mak…

Në ato vite mësohej shkrimi i shtypit, shkrimi skript. Më vonë, pas viteve 1948 filloi shkrimi i dorës. Unë e kisha shumë qejf edhe shkrimin e shtypit dhe atë të dorës më vonë, bukurshkrimin ose siç thuhej atëherë kaligrafinë.

– Pa eja ti, më tha mësuesi, shkruaje dhe ti këtë që ka shkruar mësuesi!
Dërrasa e zezë ishte me viza katrore si fletore aritmetike. Shkrova dhe unë atë që kishte shkruar mësuesi një kuti më poshtë. Mësuesit i ndritën sytë. S’e mbajti dot entuziazmin. Pyeti klasën: – Pa shikoni këtu. Kush e ka shkruar më mirë, mësuesi apo ky shoku juaj?
– Ju, mësues e keni shkruar më mirë, thanë nxënësit.
– S’është e vërtetë, tha mësuesi, ky e ka shkruar më mirë se unë. Shoku juaj ka talent për kaligrafi siç i thoshin atëherë bukurshkrimit.

Natyrisht që entuziazmohej dhe në entuziazëm e sipër bënte mbivlerësime, pa e çarë kokën se mos keqkuptohej. Ai ishte kaq i zoti sa të mos t’i trembej asnjë lloj zotësie nxënësi a kolegu.

Sa herë që mësimi i dilte mirë, thërriste të shoqen, Parashqevinë që bënte mësim në klasën përballë. I gëzoheshin suksesit që të dy. Mësuese Parashqevia edhe kur klasa e të shoqit kishte një përparim më të mirë, jo vetëm që nuk dëshpërohej, por i gëzohej këtij përparimi si të ishte klasa e vet. Burrë e grua ata ishin shembull pune dhe mirëkuptimi.
Edhe sot pas 72 vjetësh, më ka mbetur si diçka e rrallë dita kur mësues Antoni organizoi konkursin me klasat e para në lexim në oborrin e shkollës në prani të prindërve dhe mësuesve. Klasa jonë fitoi Flamurin e Diturisë. Mësuese Parashqevia, na ngriti gati të gjithëve në krah ne nxënësit e klasës që fituan Flamurin e Diturisë. Kështu quhej ai flamur, i futur në kornizë. Ajo ndjenjë fitoreje në dituri më entuziazmon dhe tani kur e kujtoj. Ka fitore dhe fitore, por fitorja në dituri është më e bukura, më e rëndësishmja, më superorja. Në fasadën e Oksfordit shkruhet me gërma të arta:

“Jeto sikur do të vdesësh nesër dhe mëso sikur nuk do të vdesësh kurrë”.
Mbase mësuesi im e dinte athere këtë sllogan, pa organizoi një konkurs që shpërblehej me një flamur diturie.
Tepër kuptimplote të dyja: “Flamuri i Diturisë”, që fitoi klasa jonë dhe shkrimi mbi Fasadën e Oksfordit.
Mësuesi im ishte pra jo vetëm punëtor, por edhe me fantazi, një nxitës i dijes.

Në fund të vitit shkollor ai organizoi edhe ekspozitën me punimet më të mira në vizatim e në shkrim. Ajo ekspozitë u hap në shtëpinë e kulturës dhe për mua mbeti si diçka e papërsëritshme, pasi për herë të parë vizatimet e mia dhe të çamit Metat Aliu, jo vetëm u ekspozuan, por edhe ranë në sy. Më vonë unë do të ekspozoja në ekspozita, por s’do të më krijohej kurrë më ajo ndjenjë e hatashme që më ishte krijuar në ato vite të fëmijërisë. Mua më dukej se më shumë se unë, u gëzohej mësuesi vizatimeve të mia.

– Ti do bëhesh piktor, më tha mësuesi im, Anton Billo dhe mua më erdhi aq mirë, por përsëri sikur s’më besohej. Fjala piktor më dukej diçka e paaritshme, një majë që zor se do ta arrij
nonjëherë…
Por unë i jam mirënjohës mësuesit tim edhe sot, pasi ajo ndikoi dhe më ndryshoi rrjedhën e jetës.
Ky shkrim nuk është veçse një homazh për mësuesin tim të paharruar Anton Billo.

1999-2018

MËSUESI URTAN

Mësuesit tim të klasës së katër 1950
ABAZ SINANI

ESE

Kur mësova se mësuesi im i klasës katër fillore do të ishte Abaz Sinani, s’di pse u bëra vetiu krenar; mbase nga që ishte nga kodrat të cilat mua atëherë më dukeshin mal Tomori dhe ai, vinte të na jepte mësim duke zbritur prej tyre përherë kokëlartë, por pa krijuar asnjëherë përshtypjen e fodullit.

Ç’ishte e vërteta ai kishte një pamje krenare, krenari me burim lartësish. I ri, i bukur, shtatlartë, (kështu më dukej mua atëherë), me flokë të trazuar nga erërat e grykave kodrinore të cilët ai i shtronte me gishtat e duarve, sapo i afrohej oborrit të shkollës. Gjithnjë me cigare në buzë. Autoritar.

Flitej se ishte i fortë në matematikë. Mbase kjo ia rriste edhe më shumë autoritetin, pasi ishte lënda më e vështirë dhe më e vlerësuara nga ministria e arsimit, mësuesit, prindërit, nxënësi

Pastaj ai kishte mbaruar Zosimean e Janinës. Kështu flitej. Edhe po të mos ishte e vërtetë ne nxënësve të tij na pëlqente të ishte kështu dhe mburreshim para nxënësve të klasave të tjera me mësuesin tonë zosimeist. Kishte dhe një arsye tjetër më shumë që e bënte mësues Abazin të dukej krenar e të binte sy para ne nxënësve, para kolegëve të tij, prindërve tanë: ai ishte djali i patriotit Tallah Sinani, i njohur e i respektuar, jo vetëm nga zona e Karbunarës së Vogël, por edhe në mbarë trevën e Myzeqesë.

Nuk më pritej deri sa të fillonte shkolla, ta shihja nga afër, pasi e kisha parë gjithmonë nga larg në oborrin e shkollës; t’i thosha mirëmëngjesi, me leje mësues, ta them unë,kur ai të na pyeste që t’i përgjigjeshim në mësim.

Ditën e parë ai na pyeti se të kujt ishim, si i kishim kaluar pushimet duke mos lënë pa pyetur asnjë nxënës, po thuaj. Me përjashtim të Elpiza Pjetrit, Afrim Çeços, Mitat Topolës që i kishin kaluar pushimet tek të afërmit e tyre në qytete të ndryshme, të gjithë ne të tjerët kishim ruajtur lopët apo dhentë ose kishim, rralluar e prashitur apo korrur misër.
Edhe ju që keni punuar, keni bërë pushime aktive, na tha mësues Abazi, duke përkëdhelur tre- katër nga ne. Atë ditë unë mësova fjalën «aktiv» dhe s’lija rast pa e përdorur me vend e pa vend.

Ditët, javët e para u dalluan në matematikë dy nxënësit çamë të klasës sonë: Afrim Çeço që do të diplomohej me rezultate të shkëlqyera e do të kishte një bagazh shkencor mjekësor që i kalonte caqet e dijeve të universitetit, siç do t’i shënohej në dokumentin përcjellës të fakultetit, kur ai u dërgua të fillonte punën si mjek në Berat, në të njëjtin spital me mjekun e famshëm Maksut Dërrasa; kurse nxënësi i dytë çam i dalluar në matematikë Qani Xhevizi

( Sheme) gjithashtu do të diplomohej shkëlqyeshëm në agronomi e do të emërohej në Institutin e Kërkimeve Bujqësore «Ivan Miçurin».

Kur mësuesi na dha notat e semestrit të parë të klasës së katër, tha, ja, këta do të na nderojnë dhe, mësues Abaz Sinanit do t’i dilte fjala për të dy: si për mjekun Çeço dhe agronomin Qani Xhevizin e talentuar në matematikë që meritonte të ndiqte studimet e larta për matematikë, por që për arsye bixarre të asaj kohe, studioi për agronomi.

Mësues Abazi, kishte një zakon që kur klasa fillonte punën e pavarur, ai vente e vinte midis rreshtave të bangave, shikonte se cilin nxënës duke punuar dhe thoshte, ja disa do na nderojnë me shkrimin e tyre, disa me vizatimin, disa në histori…Çdo vlerësim i mësuesit i adresohej dikujt, secili e kuptonte dhe lumturohej, nxitej, ngulitej në mësim.

Mbaj mend, edhe pse kanë kaluar 61 vjet, se kur mësues Abaz Sinani filloi të na shpjegonte mësimin mbi shumëzimin, shkroi në dërrasë të zezë: 2+2+2+2+2= 10, dhe pastaj 5 x 2 = 10, e shihni, pra, na tha, se, shumëzimi nuk qenka tjetër veçse shkurtimi i mbledhjes. Kjo më mbeti gjithë jetën në kokë.

Karakteristikë e mësues Abazit ishte entuziazmi. Atij i gufonte gjoksi kur dëgjonte nxënësit të përgjigjeshin me mençuri e rrjedhshëm në gjeografi e lëndë të tjera, ende pa mbaruar përgjigjen nxënësi, thoshte: ja një gjeograf i ri, një historian, matematikan, muzikant, recitues, këngëtar, poet, fizkulturist, sportist…dhe, ishte tepër kujdesshëm në çaste, kur nxënësi gabonte apo bënte gafë. Më ka mbetur në mend e s’e kam harruar as sot pas gjashtëdhjetë vjetësh gafa që bëri një nxënëse thënies përmendësh të një poezie të një poeti sovjetik për luftën në të cilën glorifikohej Stalini:

«Me plumba, me hekur
Me flak’ e me zjarr,
Ushtari Stalinin e hodhi në varr».

Uuuu, ia bëri klasa dhe shpërtheu në të qeshura. Jo ushtari Stalinin e hodhi në varr, moj, nuk është ashtu, por ushtari i Stalinit e hodhi në varr, thanë nxënësit njëzëri.
E di ajo e di që ushtari i Stalinit e varrosi, e hodhi nazizmin në varr, por meqë fjala «ushtari» është me apostrof, u duk sikur ajo tha «ushtari Stalinin e hodhi në varr», Ju e dini që Nadirja reciton bukur, apo jo?

Pooo, u përgjigjën nxënësit e klasës dhe gafa e Nadires që recitonte bukur me ton dramatik, u harrua në çast. Vura re që mësuesi u qetësua. E keqja ishte kaluar me finesë…
Mësuesi im fliste ngadalë, por vepronte shpejt, nuk linte asnjë nxënës të përhumbej, por e zgjonte, të mefshtin e aktivizonte, i vinte në provë kujtesën, dikë që s’u linte radhë të tjerëve të përgjigjeshin e frenonte butë, pa e prekur, të pasigurtit i mundësonte sigurinë, i forconte guximin.

Duke qen tepër autoritar e serioz, mësues Abazi, nuk bënte humor veçse shumë rrallë. Një të diel, klasa ( kompania) jonë bëri një ekskursion në korën e qytetit. Të gjithë nxënësit paguan lekë dhe komandanti i kompanisë tonë Azis Manka, bleu një arkë me marmelatë. Kur komandanti i kompanisë që ishte nxënës i klasës së shtatë, hapi arkën prej dërrase dhe u duk marmelata, Çeliku i Danes, thirri me gëzim, doli mur-mu la-ta ! Të gjithë ne qeshëm.
Të nesërmen, ditën e hënë, mësues Abazi, çuditërisht u fut në klasë i qeshur, gjithë humor the na pyeti me buzë në gaz: hë, ju pëlqeu mur-mu-la-ta?

Pooo, mësues, na pëlqeu.
Po ty Çelik të pëlqeu?
Dhe Çeliku e kuptoi që mësuesi e kishte marrë vesh që fjalën mur-mu-la-të, e kishte thënë ai dhe duke vënë i ndrojtur buzën në gaz.
iu përgjigj, po mësues, më pëlqeu…
Atë ditë ora e parë e mësimit u përshkua me një humor të gëzuar.

Po ju them edhe diçka që nuk do të ma besoni. Unë nuk mbaj mend që mësues Abazi t’i ketë bërtitur qoftë edhe një nxënësi, pa le pastaj t’i ketë hequr dikujt ndonjë pëllëmbë. Me zë të lartë, madje, gati me britmë, ai na thoshte vetëm vlerësimet. Gjithashtu ai nuk na qortonte, por vetëm na sqaronte. Vetëm sqarimi i shtruar, i butë, ishte qortimi i tij. Si ai mekaniku i mirë që nuk e thyen vidën e ndryshkur, por e vais e pastaj e zbërthen butë-
butë.

Abaz Sinani, pinte shumë duhan. Qëllova pranë tij një mëngjes, kur ai po bisedonte me një kolegun e vet në oborrin e shkollës, para se të binte zilja për mësim. Unë pi shumë duhan Andon, i tha ai kolegut të tij, sidomos në mëngjes pi edhe më shumë. Pi aq sa e deh trurin e pastaj qetësohem e jam gjithë energji gjatë orëve të mësimit. Ky rrëfim i mësuesit më mbeti në mendje. Truri i fëmijës regjistron gjithë mençuritë dhe çuditë e jetës, ndaj dhe unë nuk e harrova këtë rrëfim e vetëqortim të sinqertë, këtë përpjekje për vetëpërsosje të mësuesit tim të fillores.

Thashë se mësuesi im Abaz Sinani ishte serioz, shtatlartë, autoritar, me karakter të fortë pozitiv, i bukur, ai zbriste nga kodrat që mua si fëmijë më dukeshin mal Tomori dhe ecte kokëlartë, jo me fodullëk, por me krenari e fisnikëri. Nuk vinte kurrë në shkollë me këpucë me baltë. Sapo i afrohej xhadesë, hiqte çizmet, i lante në Lunjën e Karbunarës dhe i linte në shtëpinë e një miku të tij.

Më kujtohet se kur mësuesi im ecte me kokën lart sikur të shikonte pëllumba në fluturim, në çaste të tilla e përqas tani me Ettoren, aktorin e filmit italian serial që shoh të shfaqet sot e prej gati pesë viteve, Cento vitrine, ose e gjej të ngjashëm me Agimin, djalin e tij të madh, ndërsa kur ai ecte i menduar, me kokën pak të ulur si të kërkonte diçka në thellësirat e tokës e gjej të ngjashëm me djalin e tij të dytë, Petritin. Bëmë baba të të ngjaj, thotë populli, dhe vërtet dy djemtë i ngjanë babait të tyre, jo vetëm në aparencë, por edhe në karakter, dinjitet, fisnikëri, si intelektualë me performacë të çmuar në fushën e arsimit; urtan si babai, e të vlerësuar si ai në qytetin e tyre e më gjerë.

Unë ruaj edhe sot librin Aleksandri i madh, shishen me bojë të jeshile, penën dhe një fletore shkrimi që m’u dhanë nga mësuesi në mbarim të vitit të katër të shkollës fillore, së bashku me dëftesën e lirimit, të shoqëruar me një fletëlavdërimi.
Por ajo që nuk do të harroja kurë ishte çasti i ndarjes, kur në dallim nga disa kolegë mësues, në mbarim të shkollës ndaheshin me nxënësit duke iu thënë me cinizëm: hajt tani shkoni, të ruani lopët, dhentë, kurse mësues Abazi urtan e diellor u nda me ne, nxënësit e tij duke na thënë:

Suksese tani e tutje, në shkollën shtatëvjeçare e, na nderofshi si ç’na nderuat në fillore.
Pastaj duke qeshur më tha mua: besoj se ti, “piktori” i klasës, do t’i zmadhosh një fotografi mësuesit tënd e t’ia dhurosh, apo jo? dhe më përqafoi me mall.

2015-2018