PËRRALLA DHE TREGIME ME PLOTË FANTAZI, GJALLËRI, QARTËSI, MPREHTËSI…

0
2695

Izri Rexha “ Mbretëria e fluturave ” SHB –ADA-Tiranë, 2016

Milazim F. KADRIU

Poeti Izri Rexha pas prezantimit të suksesshëm të tij para lexuesve me pesë përmbledhje me poezi, tani vjen me librin e gjashtë por që kësaj radhe në prozë. Libri “ Mbretëria e fluturave ” është i ndarë në dy pjesë (Përralla dhe Tregime) ku në pjesën e parë janë përfshi 18 përralla ( Nuk më intereson, Ariu dhe gomari, Nora, Shtriga dhe magjistari, Mbretëria e fluturave, Karrocieri, Elefanti i ri dhe miu, Loja e elefantëve me minjtë, Ujku i tërbuar, Peshku dhe djali, Djali me fat, Treni nga Drenica, Pushimi në planetin Tokë, Pasuria e djalit të mbretit, Roni dhe rrëmbyesit e njerëzve, Babai i minjve, Dua të kthehem në vendlindje, Mbreti Bin ), ndërsa në pjesën e dytë janë katër tregime ( Ora e ndalur, Pushimet verore, Libri, Hajdari ).

Përralla siç dihet është njëra ndër format më të përhapura e më të njohura të prozës gojore. Origjinën e përrallave e gjejmë që nga koha e njeriut primitiv, kur ai jetonte nga gjahu dhe ishte në kontakt të vazhdueshëm me shtazët, shpezët dhe gjallesat tjera
Përrallat kohë të gjatë janë përcjell si tregime gojore brez pas brezi e më vonë kanë filluar të shkruhen e që janë atraktive dhe të dashura edhe sot e kësaj dite sidomos për fëmijët dhe gjeneratat e reja.

Përrallat e librit “Mbretëria e fluturave” të Izri Rexhës janë përplot fantazi dhe elemente të çuditshme ku përmes personazheve që në disa raste janë shtazë paraqet sjelljet e njerëzve në formë alegorike. Këto përralla kanë strukturë dhe elementet e tyre dhe kanë vlerat estetike dhe didaktike gjë që i bënë edhe shumë tërheqëse për lexuesit.

Kështu gjatë leximit shohim se këto përralla shquhen për larminë e fantazinë e tyre shumë të madhe. Ato rrëfejnë për jetën, për lumturinë, për të mirën dhe të keqen, për të bukurën dhe të shëmtuarën për ëndërrimet etj.

Rexha në përrallat e tij dinë shumë mirë të respekton traditën e krijimtarisë së zhanrit të përrallës ndonëse në këtë libër gjejmë edhe përralla që janë bashkëkohore si është përralla “Nuk më intereson” me të cilën e nisë edhe vargun e përrallave të tij në libër.
Përrallat e Rexhës janë të skalitura me një mjeshtri të madhe dhe çdo lexues e gjen veten në ato përralla apo në ndonjërën prej tyre ose përballet me situatat në të cilat gjenden personazhet e përrallave duke menduar edhe vetë një dalje nga ajo situatë e krijuar.

Se përrallat e Rexhës janë edukative e dëshmon edhe fakti se ai në këto përralla edhe kur personazhet gjenden në situatë të vështira ai sjell mundësinë e daljes nga ajo situatë. Pra të pamundurën e bënë të mundur, edhe pse në shumë situata ka shumë aksione të papritura.

Ndonëse personazhet e përrallave janë të njohur edhe në përralla të tjera këto personazhe si mbreti, mbretëresha, princesha, dragoi, ariu, gomari, ujku, korbi, shtriga, elefanti, dhelpra, miu, magjistari etj., Rexha na i sjell në kushte dhe rrethana të reja. Disa nga përrallat e Rexhës kanë për temë mbretin dhe sjelljen e tij, ku ata që duan të marrin bijën e mbretit duhet të kalojnë shumë sfida të rrezikshme por që në përrallat e Rexhës ata ia arrijnë dhe të pamundurën e bëjnë të mundur dhe dëshira e tyre dhe princeshës realizohen me sukses.

Përrallat e librit “ Mbretëria e fluturave ” janë shumë interesante dhe zgjojnë kureshtjen e secilit lexues ngase janë plotë imagjinatë. Aty ka përplot mesazhe edukative për të rinjtë që këshillohen për një sjellje më të mirë në jetën e përditshme dhe i udhëzojnë që fëmijët dhe të rinjtë po edhe të tjerët të punojnë dhe veprojnë drejtë dhe mos të merren me gjëra të pahijshme dhe të dëmshme për të tjerët.

Këtu lexuesit gjejnë fantazi, gjallëri, qartësi, mprehtësi…, por mbi të gjitha aty gjenden porosi edukative, me vlera të mira estetike, edukative dhe morale. Qëllimi është lufta për të mirën, të bukurën, drejtësinë, arsyen, lufta kundër të keqes, gënjeshtrës …

Edhe redaktori i librit Odise Plaku duke folur për përrallat dhe tregimet e këtij libri ndër tjera thotë: “Në këto përralla dhe tregime autori i është larguar gjuhës akademike. Gjuha e rrëfimit të tij është e thjeshtë, e kapshme për bashkatdhetarët tanë në mërgim. Le të jetë kjo një përpjekje dhe një rrugë e re e krijuesit Izri Rexha për të qenë i pranishëm te ne me krijime të tjera të gjinisë së prozës. Tregimet dhe përrallat e tij janë të tilla që nuk përton t’u kthehesh përsëri për ti lexuar. Janë plotë jetë dhe fantazi, plotë mesazhe dhe personazhe jetësore, që të bëjnë të ndihesh mirë mes tyre.”