MIRATIMI I DEMARKACIONIT ME MALIN E ZI, ME FORMA MASHTRUESE DO TË KETË PASOJA AFATGJATE

0
1283
Ramushi - Demarkacioni

Letër e hapur drejtuar Ambasadorëve të Vendeve të Quintit

(Ambasadorëve të ShBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Zyrës së BE në Kosovë)

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Të nderuar ambasadore dhe ambasador të vendeve mike,

Qasja juaj politike dhe diplomatike në Kosovë ka prodhuar një krizë të pashmangshme, pasojat e së cilës po i vuan, me izolim e prapambetje, qytetari i Kosovës, kurse në anën tjetër është duke u rrezikuar edhe projekti strategjik i Amerikës, BE dhe Vendeve të Quintit, për të ngadhënjyer demokracia edhe në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë ajo në Kosovë!

Gabimet strategjike, sidomos kur ato vijnë nga vendet mike dhe me ndikim do të kenë pasoja afatgjate për të cilat nuk duhet fajësuar vetëm shqiptarët, sepse populli i Kosovës nuk është fajtor i vetëm, pse në krye të Shtetit kanë ardhur struktura kriminale, të cilët vazhdimisht i shohim udhëheqës kryesor të vendit, por që takohen, priten e përcillen nga faktori ndërkombëtar në Kosovë, dhe po priten e përcillen edhe nëpër vende e konferenca ndërkombëtare. Ky avaz në Kosovë po lejohet qe 18 vite rresht?!

Edhe pse gjatë këtyre viteve Bashkësia Ndërkombëtare është zotuar, fillimisht UNMIK dhe tani EULEX, bashkë me mekanizma të tjerë të drejtësisë ndërkombëtare, se do të kapen “Peshqit e Mëdhenj”, se do të ndëshkohet “Koka e krimit në Kosovë”, por realiteti është tjetër.

Në Kosovë, për këto 18 vite, jo që nuk janë kapur “Peshqit e Mëdhenj”, por edhe ata që ishin dikur të vegjël tash janë bërë sa Balenat të Mëdhenj, prandaj “Deti i Krimit” është mbushur vetëm me “Peshq e Peshkaqenë”, të cilët për dominim në fushën e krimit e korrupsionit, janë duke ia hëngër kokën njëri tjetrit?! Po ashtu as “Koka e krimit”, deri më sot, as nuk u kap dhe as nuk u ndëshkua, ndërsa Kosova po akuzohet, kurse populli i saj është izoluar.

Në këto konflikte kompetencash, zakonisht faji është bartur, nga Ndërkombëtarët tek drejtësia kosovare, ndërsa Drejtësia Kosovare, vazhdimisht është justifikuar se nuk ka kompetenca të mjaftueshme dhe se po pengohet edhe nga faktori ndërkombëtar në Kosovë.

Ky vakum institucional ka krijuar një terren të përshtatshëm për të lulëzuar krimi, kriminaliteti dhe prostitucioni në Kosovë, prandaj si rrjedhojë, Bashkësia Ndërkombëtare, duhet të pranojë për gabimet e veta. Ka mundësi që në disa segmente, këto gabime të korrigjohen nëpërmes Gjykatës Speciale, e cila, siç thuhet, do të merret me Boss-ët e krimit politik, krimit ekonomik, krimit juridik, krimit kulturor e fetar që e ka ngulfatur zhvillimin ekonomik, zhvillimin kulturor dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë. Prandaj çdo marrëveshje politike e diplomatike në dëme të Kosovës dhe territorit të saj, me këtë kategori të kriminalizuar, është e papranueshme që do të prodhoj konflikte afatgjate.

Edhe pse në shtypin vendor dhe atë ndërkombëtar, si dhe në dokumente të shumta relevante, që dalin nga shërbime të fuqishme, përmenden e apostrofohen, personalitete me emër e mbiemër, iu përmenden afera korruptive, ua theksojnë krimin e bërë ata po lejohen të vazhdojnë udhëheqjen e Kosovës.

Edhe pse publikisht disa deputet e zyrtar të lartë kërcënojnë e shantazhojnë secilin individ që guxon të ballafaqohet me ta, ata përsëri vazhdojnë avazin e tyre kërcënues duke mbetur deputet e udhëheqës të vendit. Në anën tjetër Zyrtarët Ndërkombëtar po rrinë, po takohen e po pinë kafe me ta, por rrallë, për të mos thënë në asnjë mënyrë me intelektual të ndërgjegjshëm dhe ata që kanë vullnet për t’i demaskuar devijimet e shumta. E kjo si duket po ndodhë për shkak të dosjeve të falsifikuara nga struktura të nëntokës, dhe zyrtar të sistemit të kaluar, të cilët kryesisht janë sistemuar si përkthyes, këshilltar dhe punonjës nëpër misionin e Bashkësisë Ndërkombëtare në Kosovë, të cilët kanë arritur t’i bëjnë një shantazhim të madh Kosovës, sikurse mediat dhe Organizatat Joqeveritare që janë produkt i atij mentaliteti të cilët kanë krijuar defetizëm dhe pa perspektivë në Kosovë.

Qytetari i Kosovës për çdo ditë po i sheh, po i dëgjon dhe po i takon ata në Presidencë, në Parlament, në Qeveri, dhe i po sheh si zyrtar të lartë e me ndikim nëpër institucionet ma delikate që i ka drejtësia e siguria e një vend. Por paradoksi i gjithë kësaj është se kjo kastë e kriminelëve të apostrofuar, për çdo ditë shihet në takime me Juve, madje të buzëqeshur e ngazëllyer, duke u çjerrë pastaj se ata kanë përkrahjen Tuaj, prandaj çdo kundërshtim ndaj tyre po interpretohet si kundërshtim kundër Amerikës, vendeve të Quintit dhe kundër Bashkimit Evropian. Çdo kundërshtim shkencor dhe me argumente, siç është edhe rasti me Demarkacionin, po pengohen nga mediat që kontrollohen nga kjo kastë e kriminalizuar duke i kualifikuar si veprime antiamerikane, dhe si përpjekje për ta penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Edhe ju vet personalisht e dini se pothuajse të gjitha personalitetet politike në Kosovë janë të zgjedhur në mënyrë antidemoratike, duke i shkelur të gjitha rregullat e avancimit të brendshëm partiak. Shtrohet pyetja çfarë rregullash shtetërore e çfarë demokracie zbatojnë ata që janë avancuar në funksione të larta politike duke i shkelur vet parimet e brendshme partiake për avancim dhe përfaqësim adekuat dhe të rregullt politik.

Autori i kësaj letre publike, në vazhdimësi ka bërë thirrje dhe ka trokitur edhe në Zyrat tuaja, për të shpjeguar se si po lëndohen procesi zgjedhor dhe për t’ua shpjeguar format e mundshme për dosje të falsifikuara kundër Elitës Intelektuale e cila është futur në karantinë, dhe për t’ua qartësuar se si po bëhet rreshtimi i strukturave kriminale brenda sojit politik, të cilët pastaj avancohen në poste udhëheqëse, duke lënduar procesin e brendshëm zgjedhor. Në të gjitha sistemet, partitë janë gjenerator i prodhimit të krizave për ta ruajtur influencën dhe ndikimin e zyrtarëve politik në gjendjen e tanishme në Kosovë.

Kosova mund të del nga kriza vetëm me vullnetin tuaj, të vendeve tuaja që përfaqësoni demokraci, dhe pa presionin tuaj, asgjë nuk mund të zgjidhet, ngase të gjithë vuajnë nga sidromi i frikës së ndëshkimit nga Gjykata Speciale.

Por të kthehemi tek Demarkacioni me Malin e Zi, për të cilin ka një qasje të gabuar që nga marrëveshja e datës 26 gushtit 2015, e cila ka prodhuar kundërshtime dhe paqartësi të mëdha, prandaj me kohë është dashur që strategjia për ratifikimin e Demarkacionit të ndryshohet, pikërisht me ndërhyrjen profesionale të SHBA-s dhe BE, por je përmes presioneve diplomatike vetëm kundër njërës palë. Raporti për Demarkacionin me Malin e Zi, tashmë është dëshmuar se ka gabime të dukshme të cilat i kanë pranuar edhe dy presidentët e vendeve respektive.

Edhe nga takimi i fshehtë në Podgoricë, me një deklaratë të përbashkët të datës 16 shkurt 2018, u tha se të gjitha çështjet kontestuese dhe gabimet do të korrigjohen, por nuk pat vullnet të mirë, që këto gabime fillimisht të korrigjohen dhe pastaj Demarkacioni me Malin e Zi, të miratohej si i duhet edhe në Parlamentin e Kosovës.

Po ashtu nga ana juaj, nga Vendet e Quintit, nga BE, nga SHBA dhe vendet tjera mike, nuk u pa një gatishmëri për të bërë presion edhe mbi Podgoricën zyrtare, që në mënyrë të ngutshme, të ulen të dy palët profesionale, dhe t’i zgjidhin problemet kontestuese, pasi tashmë ka mjaftë dokumente valide që flasin për gabime e lëshime të dukshme, dhe t’i jepet epilogu këtij konflikti, i cili nuk duhet në asnjë rast të kushtëzohet me Liberalizimin e Vizave, sepse më nuk flitet për parime por për pazare në dëme të territorit të Kosovës.

Po ashtu, ardhja e zyrtarëve të Lartë nga Brukseli dhe BE-ja është një presion i hapur dhe një shantazh publik mbi deputetët për t’i pranuar MARRËVESHJET e atyre që nesër do t’i ndiqni penalisht nga Gjykata Speciale. Në anën tjetër ajo që u tha nga zyrtarët e lartë të BE-së, se miratimi i Demarkacionit me Malin e Zi, është kushtëzim por jo standard juridik, për liberalizim të vizave, automatikisht po e kategorizon Kosovën në një vend të diskriminuar edhe në aspektin juridik.

Se po bëhet një preson nga Bashkësia Ndërkombëtare, këtë e dëshmon edhe heqja dorë nga Raporti i Komisionit Shtetëror të kryesuar nga prof. dr. Shpejtim Bulliqi, që e bëri kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Por se ka edhe diletantizëm politik, në nivelin e qërim hesapesh politike brenda LDK-së, e dëshmoi qëndrimi i kryetares së Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, deputetes nga LDK-ja, Vjosa Osmani, e cila personalisht, sikurse edhe z. Haradinaj, dikur ishte kundër Raportit për Demarkim nga Viti 2015.

Të nderuara përfaqësuese e përfaqësues diplomatik,
Raporti për Demarkacionin me Malin e Zi, në asnjë mënyrë nuk duhet të miratohet nga ata deputet të cilët i kanë dosjet e hapura nga Gjykata Speciale, sepse është e papranueshme. Parimisht për Kosovën janë të papranueshme të gjitha marrëveshje në dëme të vendit, të cilat janë nënshkruar nga përfaqësuesit politik të cilët do të ndiçen penalisht nga Gjykata Speciale, sepse qëndrimi i tyre llogaritet si qëndrim i shantazhuar ose pazare me kriminelet me të cilët ka mundësi të manipulojë vet Bashkësia Ndërkombëtare.

Bota demokratike është kundër diktatorëve dhe kundër kriminelëve, prandaj në të gjitha periudhat kur kanë rënë diktatorët dhe kur janë prangosur kriminelet, të gjitha marrëveshjet bien bashkë me ta. Janë këto arsye pse apelojmë të mos votohet demarkacioni nga ata që kanë dosje të hapura në Gjykatën Speciale, as nga ata deputet që janë intervistuar nga ajo gjykatë, sepse në demokracitë e avancuara nuk mund të pranohen si çështje e mbyllur ato marrëveshje që mund t’i kenë bërë udhëheqësit e një vendi, kundër të cilëve dihet se ka dosje të hapura nga Gjykata Speciale.

Të nderuara diplomate dhe diplomat,
Kosova është në krizë të thellë, vetëm në mungesën e vullnetit të Bashkësisë Ndërkombëtare, për ta nxjerr këtë vend nga kriza, në të cilën është futur jo gjithmonë e gjithherë vetëm me fajin e saj?! Prandaj ju bëjë thirrje publike për ndryshimin e kursit politik ndaj strukturave të kriminalizuara, dhe të mos bëni asnjë marrveshje në dëme të Kosovës, sepse vendimet e tilla janë të papranueshme.

Nëse dëshironi të jepni sinjalin e mirë, se Vendet e Quintit, BE dhe sidomos SHBA-ja, do ta demokratizoni si duhet Kosovën, duhet të nisin reformat zgjedhore nën kontrollin e një Task Force Ndërkombëtare, ato reforma duhet të shtrihen nëpër partitë politike, duke filluar nëpër degët dhe seksionet e tyre, në të kundërtën do të bëhen vetëm imitime që riciklon kaos, përvoja që na është e njohur në këto dy dekadat e fundit!

St. Gallen, 01.03.2018