Elahme Gjyrevci: ”MERI PRINCESHA E FSHATIT”

0
820

Mone Juniku

(Recension)

Romani “PRINCESHA MERI” e autores ELHAME GJYREVCI është një pasqyrë e të rrëfyerit për jetën, tragjedinë familjare, vuajtjet, dhimbjen dhe sfidat që sjell furtuna e jetës së fëmijëve të mbetur jetimë. Në të njëjtën kohë, pasqyron forcën, besimin në vetvete, dashurinë e pakompromis ndaj familjes, përkushtimin si një vizion për mbijetesën, për ta mundur dhimbjen, vuajtjen, varfërinë – duke i qëndruar besnike fjalës së dhënë.

Në shumë raste, emocionalisht, autorja përshkruan gjendjen shpirtërore të jetës së Merit, e cila, në moshë shumë të re, mbetet pa nënën e saj të dashur dhe, më vonë, edhe pa babain e saj. Krah dhimbjes së madhe për humbjen e personave më të dashur, kjo vajzë e vogël detyrohet të ballafaqohet me luftën për mbijetesë.

Jeta e dhimbshme e Merit, vuajtjet, mungesa e dy prindërve, dashuria ndaj motrës, vëllait, gjyshërve, përkushtimi për të bërë edhe të pamundshmen, për kujdesin e mbikëqyrjes si një motër që tashmë detyrohet të ushtrojë rolin e një nëne amvise, edukatoreje dhe kryefamiljareje.

Romani “PRINCESHA MERI” sjell para lexuesit momente të realitetit të zymtë të një tragjedie familjare. Sjell lot, dhimbje, trishtim, sfida, e mbi të gjitha – dashuri, përkushtim, besnikëri e bujari.
Lexuesi do ta ketë të vështirë që gjatë leximit të këtij romani t’i përmbajë lotët.

Në romanin “PRINCESHA MERI” autorja, Elhame Gjyrevci trajton një tregim delikat, siç është jeta e fëmijëve bonjakë; autorja e përshkruan me dhembshuri tragjedinë, vuajtjen, përjetimet, rrëmujat e dhimbshme që sjell furtuna e jetës, duke dhënë hollësira të bollshme mbi botën shpirtërore të vajzës së vogël, Merit, ndjenjat e saj, dhimbjen, ëndrrat, dëlirësinë shpirtërore të një vajze, e cila, gjithashtu ka një kulturë, edukatë dhe zemërgjerësi që, në momentet më të vështira të jetës së saj, tregohet e zgjuar, e përkushtuar, me një dashuri dhe vizion të rrallë. Ajo ishte përbetuar të ruante karakterin, besnikërinë, të kujdesej për familjen e saj, duke mos harruar fshatin ku ishte lindur dhe mësuesen e saj të parë. Rikthimin e saj në fshatin e lindjes si një mësuese e mrekullueshme, për ta mbajtur amanetin e mësueses së saj, tashmë të ndjerë.

Meqë kemi të bëjmë me një roman realist, atëherë doemos do to të konstatojmë se romani “PRINCESHA MERI” ka për të ndikuar në ndjenjat e lexuesve si një roman shumë i vlefshëm, sepse autorja ka arritur të përshkruajë përjetimet, tragjeditë, dhimbjen, dashurinë, sakrificat dhe mbijetesën. Në të njëjtën kohë, të bën të kuptosh se e keqja që nuk të mbyt – të bën më të fortë. Karakterin, dashurinë për familjen, dëlirësinë shpirtërore për njeriun nuk arrin t’i zbeh furtuna e kohës (jetës). Ajo mbijeton me forcën e pamposhtur në brendësinë e vetvetes, e përkushtuar që t’i mbetet besnike fjalës së dhënë – si synim për ta mposhtur dhimbjen, vuajtjen dhe varfërinë; ku e gjitha pati një fund të bukur.