Leurina Mehmeti • 25 Prill 2016
Me rol në seri dhe filma hollivudianë, si “Boardwalk Empire” në filmin “Bridge of Spies” ku ka luajtur pranë Tom Hanks-it, film që ishte i nominuar për gjashtë Çmime “Oscar”, ndërsa aktori Mark Raylance fitoi “Oskar”-in për rolin mbështetës më të mirë, pastaj me Ben Affleck-un në “Batman & Superman”, me George Clooney-n e Julia Roberts në “Money Monster”, me Di Caprion e De Niron në “The Audition”, me Megan Fox në “Teenage Mutant Ninja Turtles”, me Bradley Cooper në “Limitless”, me Meryl Streep në “Ricky& Flash”, me James Belushin në “Show me a Hero”, filmi aksion “John Wick 2” me Keanu Reeves e shumë filma të tjerë, aktori shqiptar Marko Caka nuk po ka të ndalur me sukseset e tij, ku këtij suksesi së fundmi i është shtuar dhe pjesëmarrja e tij në filmin “Fast & Furious 8”, xhirimet e të cilit do të fillojnë në mesin e muajit maj, ndërsa lansimi i filmit do të bëhet më 14 prill 2017.
Marko Caka, i cili do të luajë në rolin e një operativi në operacione luftarake për “Furious 8”, ka thënë për “Zërin” se pasi është bërë pjesë e shumë serive dhe filmave të “Universal”-it, është rekomanduar nga agjencitë e tyre për të bërë kërkesë në audicionin e shkurtit, në rolet e operativit në operacione luftarake për “Furious 8”.
“Dhe konfirmimin e pranisë në kastën parapërgatitore e kam marrë një javë më parë nga produksioni duke qenë në Shqipëri”, ka thënë Caka, sipas të cilit përzgjedhja e kastës parapërgatitore është marrë nga regjisori Gary Gray dhe producent e aktor Vin Diesel. “Ndihem shumë i lumtur të jem në kastën e parë të aktorëve, i radhitur pas yjeve si: Vin Diesel, The Rock Johnson, Jason Statham, Eva Mendez, Kurt Russell, Cherlize Theron, por gjithnjë duhet pritur dita e xhirimeve, e cila fillon në mesin e majit dhe për të vazhduar edhe në qershor, ku është ëndërr të jesh vazhdimisht pjesë e filmave të mëdhenj të legjendës Paul Walker”, është shprehur Caka, i cili kohëve të fundit është kthyer në vendlindje, në Shqipëri. “Vendlindja për këdo është dashuria dhe qetësia shpirtërore, sado që realiteti i jetës së përditshme lë shumë për të dëshiruar”, ka thënë Marko Caka, i cili gjatë qëndrimit në Shqipëri ka luajtur në dy filma, një seri dhe një film të shkurtër pa asnjë kosto.
“Për të treguar se sado që vijmë nga një vend ku vlerësohet profesionalizmi, por kur vjen puna për të luajtur dhe kontribuuar për herë të parë nuk tregohemi zemërngushtë, por vijmë vullnetarisht”, ka thënë aktori, sipas të cilit aktorët në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të punësohen dhe të shpërblehen për aftësitë e tyre. “Për mua ishte një eksperiencë e veçantë se mësova edhe anën tjetër të medaljes, sesi të punoj në një kohë shumë të shkurtër përgatitjeje, por edhe në kushte pak të vështira sepse e dija se nuk isha në një sheshxhirim hollivudian”, ka treguar Caka, i cili thotë se është pritur shumë mirë nga i gjithë stafi, si Enver Petrovci, Krenar Belegu, Shkumbin Sopjani, Virus Shala, Vjosa Abazi. “Ata punojnë shumë sado që janë në kushte të vështira. Artistët shqiptarë kanë meritë të madhe se po i mbijetojnë një vorbulle të madhe ku lulëzon klientela dhe antivlera, duke degraduar meritokracinë.
Por shpresojmë se do të kthehemi në rrugë të mbarë”, ka thënë Caka, sipas të cilit kinematografia në Shqipëri është në gjendje të mjeruar. “Kudo që kam parë aktorë të gjithë më ankohen për problemet e tyre të papunësisë. Do të jap një detaj të një rrëfimi të një aktoreje humori, e cila më tha se ‘show’ ku ajo luan nuk e ka paguar që në dhjetor. Dhe ajo vazhdon të luajë dhe të bëjë humor për teleshikuesit. Nuk e di se ku e gjen gjithë atë kurajë të mbijetojë pa rrogë, por një gjë e tillë më thanë se ndodh tek të gjithë aktorët nëpër ‘show’ që punojnë vetëm për t’u dukur përpara ekranit”, ka treguar Caka, i cili thotë se kjo është sëmundja që shfaq realiteti i aktorëve në Shqipëri. Të krahasosh këtu me Hollwyood-in është e pamundur sepse është shumë më lehtë të jesh aktor në Hollywood sepse atje do të luash atë që të kërkojnë me anë të aftësisë. E kundërta besoj se ndodh në vendlindje”, është shprehur aktori.
Marko Caka, i cili ka plotësuar të gjitha kriteret për të fituar statusin e aktorit profesionist nga Sindikata e Aktorëve Hollivudianë (Union SAG-AFTRA), ka thënë për “Zërin” se planet e tij për të ardhmen janë që të debutojë në role protagoniste në filmat hollivudianë sado që është shumë e vështirë. “Por nuk është aspak nëse i përkushtohesh punës dhe praktikumeve të vazhdueshme. E rëndësishme për mua është se jam brenda në industrinë hollivudiane dhe me këmbë në tokë të bëj hapat e duhura me përkushtim të madh”, ka thënë Caka.