SHOQATA “SALI ÇEKAJ” FESTOI 10-VJETORIN E SAJ

0
896

Pamja nga salla

IDRIZ ZEQIRAJ

Zakonisht, qëllimi parësor i krijimit të një Shoqate në Mërgatë, është ruajtja e identitetit kombëtar; i kulturës dhe traditave shqiptare; ruajtja e gjuhës shqipe; përfaqësimi shqiptar me fëmijtë dhe rininë, në organizimet e ndryshme, që bëjnë vendorët, shtetet pritëse, për komunitetet e të huajve, në kuadrin e integrimit në shoqërinë ku jetojnë. Të gjitha këto elemente i ka në programin e saj edhe Shoqata Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjerman “Sali Çekaj”, në Pfaffenhoffen të Bavarisë gjermane.

Ajo që e ka bërë të shquhet për të mirë këtë Shoqatë, është elementi shtesë – Humaniteti -, ndihma për skamnorët, madje, e shtrirë në të gjithë Etnikumin shqiptar. Këtë angazhim human, njerëzor e ka realizuar dhe vazhdon ta realizojë, falë shtrirjes në anëtarësi dhe donatorë fisnikë edhe jashtë zonës, ku jeton e punon anëtarësia bazë e saj. Ndoca nga donatorët janë qindra kilometra larg, madje edhe në shtetet fqinjë me Gjermaninë. Por, emri i Heroit “Sali Çekaj” i joshë, i afron shpirtërisht dhe mendërisht, me bindjen e ngulitur se çdo lekë i dhuruar, në emër të kësaj Shoqate, “shkon në veshë të Perëndisë”, shkon për nevoja akute, për skamnorë, të cilët lufta, plagët apo sëmundja, i ka pamundësuar, për ta siguruar mbijetesën me forcat vetanake. Dhe, bërja me shtëpi të re e disa skamnorëve, është ndihmë kulmore e kësaj Shoqate.

Shoqata “Sali Çekaj”, përkatësisht, Kryesia e saj e përbërë nga: Osman Ferizi-kryetar, Blerim Cakiqi-nënkryetar, Zymer Zeneli-arkatar, Mustafë Shala, Shemsi Haziri, Shaban Muli, Gazmend Dashi, Isuf Qetaj, Ermal Hoxha, Rafet Mehmeti, Maxhun Smajli-zëdhënës i Shoqatës, Ardian Ndreka, Naim Haxhijaj – anëtarë, si dhe anëtarësia e gjerë, janë ballëhapur e krenarë në ditëlindjen e 10-të të Shoqatës së tyre zëmirë. Ata sot festojnë me shumë miq e dashamirë shqiptarë, me motra dhe vëllezër, të ardhur nga Landët gjermane, shtetet fqinj si dhe Shqipëria dhe Kosova.

Ballorja e sallës ishte stolisur me flamuj shqiptarë dhe vendorë, si dhe portretet e binomit bashkëpunëtorë, dikur, tani Heronj të Kosovës: Presidenti Rugova dhe Komandanti Sali Çekaj. Në radhën e parë të sallës kishin zënë vend: Kryekonsulli i Republikës të Kosovës, për Bavari dhe Thüringen, zotëri Naser i Idrizi, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës të Shqipërisë, zotëri Artan Hanku, përfaqësuesit e Komunës të Pfaffenhofenit: Sepp Steinbüchter, Thomas Röder, gazetarja Elisabeth Steinbüchter, aktori i mirënjohur Mirush Kabashi, Nderi i Kombit, kantautori Esa Ruka, nga Tirana, ish-deputeti i CDU, Stafan Schwarz, kryetarja e Degës të LDK-së, në Gjemani, Donikë Gërvalla, sekretari i Shoqatës “Sali Çekaj”, në Zvicër, Lush Mulaj, ushtarët veprimtarë të Jusuf Gërvallës: Adem Thaçi, Xhafer Leci. Mehmet Kokaj, veprimtarët veteranë: Nikollë Skelaj, Halil Neziri, Isa Bilalli, Demë Çeta, Elez Shehu, Agim Kamberaj, Bashkim Leci, Naim Gashi, Smajl Çekaj, Brahim Ukëhaxhaj, Tahir Buçolli, Bedri Kryeziu, Emin Demaj, Hysen Bicaj, Emrush Tafa, Rashid Nikçi dhe të tjerë. Kishin ardhur përfaqësues të subjekteve politike, prfaqësues të shoqatave simotra dhe të klubeve sportive.

Nën tingujt e këngës “Po të ishte gjallë Rugova….”, në skenë moderatori mjeshtër, Hajriz Mamaj, i ardhur enkas nga Berlini i largët, për ta udhëhequr programin jubilar festiv, të organizuar nga Kryesia dhe anëtarësia e Shoqatës “Sali Çekaj”, në qytetin e Pfaffenhofenit. Pas përshëndetjes të të pranishmëve, ai lexoi disa radhë sentenca, urtësi të Nënës Tereze, e cila, tashmë, është bërë banore shpirtërore, me shtatorën e saj, të ngritur nga Shoqata “Sali Çekaj”, në këtë qytet, duke i motivuar shqiptarët dhe të tjerët, për humanizëm, mirësi e shpresë për ditë më të mira:

“Gjëja më e bukur në botë është dashuria për atdhe dhe sakrifica për të.
Pritja më e mirë është Buzëqeshja.
Ilaqi më i mirë është Optimizmi.
Forca më e madhe është Besimi”.

Eshtë nder dhe privilegjë, për secilin anëtar të Shoqatës, të nisë një aktivitet me emrin e Sali Cekajt dhe më këtë emër të krenohen, për ndihmën që i ofrojnë njerëzve në nevojë. Andaj, krenarinë për Sali Çekajn, sot, do ta ndajmë të gjithë së bashku. Secili nga ne sot do e merr atë pjesë që i takon: të bashkëshortit, të prindit, të shokut të shkollës, të bashkëpunëtorit, të bashkëluftëtarit, por, nuk mund ta ndajmë atë më sublimen – dhënien e jetës për atdhe”.

Drejtuesi i programit festiv jubilar, Hajriz Mamaj, fton në skenë, anëtarin e Kryesisë, Gazmend Dashi, i cili, uroi për mirëseardhje,
duke i përshëndetur të pranishmit, në emër të Kryesisë dhe të anëtarësisë të Shoqatës “Sali Çekaj”, veçoi me emër disa nga mysafirët e shumtë, përfaqësues të institucioneve, të subjekteve politike, të shoqatave e klubeve të Mërgatës:

Kryesia e Shoqatës “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen, Bavari

“Përshëndes Familjet e Dëshmorëve dhe luftëtarët e djeshëm, të pranishëm këtu; Kryekonsullin e Republikës së Kosovës, për Mynih dhe Thüringen, zotëri Naser Idrizin; Konsullin e Republikës së Shqipërisë, në Mynih, zotëri Artan Hanku; ish-deputetin e CDU-së, mikun e madh të shqiptarëve, Stefan Schwarz; zyrtarët e lartë të qytetit të Pfaffenhofen-it: Sepp Steinbüchter, Thomas Röder dhe gazetarën Elisabeth Steinbüchter; Lush Mulaj, Din Gashi, përfaqësues të Shoqatës “Sali Çekaj”, në Zyrih të Zvicrës; Misionin Katolik Shqiptar në Mynih, i përfaqësuar nga Luigj Gjergji; Donikë Gërvallën, kryetare e Degës të LDK-së, në Gjermani; Idriz Zeqiraj, kryetar i LDK-së për Bavari dhe anëtar Nderi i Shoqatës “Salih Çekaj; Fazli Hajdaraj, kryetar i Nëndegës të LDK-së, në Rheinland Pfalz; Abaz Imerin, kryetar i Nëndegës të LDK-së, të Baden Würtembergut; Isa Shabanin, kryetar i Nëndegës të LDK-së, në Niedersaksen; Jakup Gërgurin, kryetar i Nëndegës të LDK-së, në Nordheim Westfallen; Xhafer Lecin, kryetar Nderi i Shoqatës “Kadri Zeka”, në Kichheim Tech; Maxhun Smajlin, udhëheqës i Bibliotekës Popullore “Mark Krasniqi”, në Pilsten të Bavarisë; Hasan Qyqallën, kryetar i Krijuesëve Shqiptarë në Mërgatë; Naser Hoxhën, kryetar i Shoqatës “Dardania”, në Mannheim; Bekim Gërvallën, kryetar i Shoqatës Rilindja”, në Mynih; Milaim Krasniqin, kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Bavareze, në Mynih; Eshref Januzaj, kryetar i Shoqatës të Intelektualëve “Dija”, në Mynih; Xhemajl Hoxhën, kryetar i Shoqatës “Abeja”, në Moosburg; Shaip Buleshkaj, kryetar i Shoqatës “Rrufeja”, në Moosburg; Laura Lajqi, kryetare e Shoqatës “Iliria”, në Mynih; Arben Kelmendin, kryetar i Klubit Futbollistik “Kosova”, në Mynih; Tefik Jahën e Muhamet Berishën, përfaqësues të Shoqatës “Ilirida”, në Landau an der Isar; Marash Gojanin, nënkryetar i Shoqatës “Rinia”, në Singen; Naser Shala, kryetar i Klubit “Isa Boletini” në Sindilfingen; Jahja Gashin, kryetar i Shoqatës “Nëna Tereze”, në Göppingen; ushtarakët e Bedri Manxholli, komandant kompanie, Dan Llapi e Milazim Gashi; Deli Balidemaj, zyrtar i arsimit në qytetin e Mynihut.

Kryetari i Shoqatës “Sali Çekaj”, Osman Ferizi

Moderatori Hajriz Mamaj, fton në foltore bashkëluftëtarin e Heroit Sali Çekaj dje, tani kryetar i Shoqatës Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjermane, “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen, Osman Ferizin, i cili referon për veprimtarinë 10-vjeçare të kësaj Shoqate të zëshme:

“Kam nderin dhe kënaqësinë t`ju përshëndes përzemërsisht dhe t`ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë 10-vjetor të veprimtarisë të suksesshme të Shoqarës tonë, e cila krenarisht mban emrin e Heroit të Kombit Sali Çekaj. Kryetari Osman Ferizi, në mënyrë kronologjike, shpalosi aktivitetet e kësaj Shoqate dhe kontributin e madh, që mërgimtarët kanë dhënë për Kosovën dhe Etnikumin shqiptar, qoftë në ndihma materiale, për mbijetësë të popullatës, funksionimin e institucioneve paralele, të krijuara nga Presidenti Rugova me shokë, qoftë në logjistikën për luftën, deri me pjesëmarrjen fizike në luftën për liri.

Për një fjalë rasti e përshëndetje, është ftuar në skenë Kryekonsulli i Republikës së Kosovës, për Bavari dhe Thüringen, zotëri Naser Idrizi, i cili, pasi përshëndeti të pranishmit, veç tjerash, tha se organizimi në Shoqata i mërgimtarëve, është i nevojshëm, sepse aktiviteti është gjithëpërfshirës, në veçanti, aktivitetet me fëmijtë, janë në shërbim të ruajtjes të gjuhës dhe të kulturës kombëtare. Ju përgëzoj për punën e mirë që ka bërë dhe vazhdon të bëjë Shoqata “Sali Çekaj”. Pastaj, Kryekonsulli Naser Idrizi foli për punën voluminoze që bënë stafi diplomatik, në përmbushjen e kërkesave të shtetasëve të Kosovës si dhe më palën vendore, gjermane, qoftë në aspektin politik dhe atë ekonomik. Ai foli edhe për Kosovën, në kuadri e 10-vjetorit të pavarësisë, duke i uruar të pranishmit për këtë festë të shenjtë historike.

Vërtet, hapja e Konsullatës në Mynih, ka qenë një zgjidhje e duhur, duke i kursyer mërgimtarët tanë në kohë dhe shpenzime të udhëtimit gjetkë. Vlen të theksohet se shërbimi është i shpejt dhe cilësor. Jemi dëshmitarë okular se stafi i kësaj Konsullate, është maksimalisht i përkushtuar, të mos lejojë pritje dhe as zvarritje të qytetarëve. Shpjegimet janë të qarta dhe pritja e përcjellja është gjithë kulturë e korrektësi.

Të pranishmit në festën e Shoqatës i përshëndeti edhe Konsulli i Republikës të Shqipërisë, zotëri Artan Hanku. Në mes tjerash, ai tha se të dy shtetet shqiptare janë në rrugë të mbarë. Bashkëpunimi është vëllazëror. Deri tani kemi hapur 11 përfaqësi diplomatike të përbashkëta. Do të vazhdohet edhe më tej në këtë nismë. Ky bashkëpunim po funksionon suksesshëm edhe me pikat kufitare, ku janë shmangur pritjet dhe vanesat e panevojshme. Synohet edhe koordinimi, bashkimi doganor dhe tregëtia e shtuar dhe pa pengesa burokratike.

Një fjalë rasti dhe përshëndetje bëri edhe zyrtari Sepp Steinbüchter. Ai rrëfeu për njohjen fillestare, 10 vjet më parë, që ka pasur me anëtarët e Kryesisë të Shoqatës: Mustafë Shalën, kryetar i parë, Osman Ferizin, Shemsi Hazirin e Gazmend Dashin dhe të tjerët. Ai foli për bashkëpunimin e frytshëm të Shoqatës “Sali Çekaj”, me Shoqatën Internacionale, që ai drejton. Fëmijtë shqiptarë të Pfaffenhofenit me rrethinë, janë shquar në të gjitha organizimet e bëra, nga seksioni i kulturës pranë komunës tonë.

Zotëri Thomas Röder, përgjegjës për siguri, lavdëroi komunitetin shqiptar, për sjellje të mira dhe bashkëpunimin që ka Shoqata me organizmat e qytetit. Konsideroj se Shoqata juaj ka pjesën e meritës në marrëdhëniet korrekte, që shqiptarët kanë me qytetarët vendorë, lindakë gjerman dhe komunitetet tjera, bashkëjetuese në qytetin e Pfaffenhofenit.

Kryetarja e Degës të LDK-së, në Gjermani, Donikë Gërvalla përshëndeti kryetarin Osman Ferizi, Kryesinë e Shoqatës “Sali Çekaj” dhe i përgëzoi për punën e shkëlqyer, që kanë bërë përgjatë këtyre 10 viteve. Ju kam përcjellur, në vijimësi, dhe raporti i punës tuaj, i prezantuar nga kryetari, është dëshmi vetëfolëse e përkushimit tuaj fisnik, në përfaqësimin e Kosovës në shtetin mirkpritës gjerman dhe lidhjen, marrëdhëniet e ndihmën e pakursyer, që keni dhënë dhe vazhdoni të jipni për Atdheun tuaj, Kosovën tonë, gjithnjë në nevojë dhe pritje për ndihmë nga bijtë e saj mërgimtarë, dikur të quajtur “të përkohshëm”, por, mjerisht, rezultoi të jenë mërgimtarë të përjetshëm!

Ish-deputeti i CDU, Stefan Schwarz, përshëndeti organizatorin dhe të pranishmit. Në mes tjerash, ai tha se jam i mrekulluar me raportin e punës 10 vjeçare, të paraqitur nga kryetari i Shoqatës, Osman Ferizi. Jam shumë mirë i informuar për Kosovën, sepse sektori ku unë kam shërbyer, më ka favorizuar në njohjen më të mirë të problemeve të saj. E njoh edhe Diasporën shqiptare, pa kontributin e së cilës, nuk do të kishte as intervenim ushtarak të NATO-s. Ata që nuk e dinë këtë, duhet ta mësojnë.

Kryetari i Krijuesëve shqiptarë në Mërgatë, Hasan Qyqalla, në fjalën e tij, tërhoqi një paralele në mes të Ismail Bej Vlorës dhe Sali Çekaj, se si i pari u dënua në mungesë, për prishjen e gjeografisë të sundimit të Perandorisë dhe “të këmbënguljes të Sali Çekaj, t`ia prishë gjeografinë Serbisë, gjë që edhe e bëri, bashkë me bashkëluftëtarët e UÇK-së, deri në flijim! Imazhi i Sali Çekajt u bë motiv, frymëzim, mbase edhe lajtmotiv i krijuesëve, sidomos neve në emigracion, i të gjitha gjinive letrare, artistike e pamore; sikur edhe veprimtaria humanitare, që bëni ju, të dashur bashkëveprimtarë të Heroi Çekaj, gjithnjë në ngritjen, jetësimin e dritëzimit të jetës meritore në Liri, të shtresës më të ndieshme sociale gjithandej”.

Fëmijtë në skenë: Përcjellja e nuses

Të përcjellim së bashku letrën e Shpresës, se çfarë na ka shkruar ajo, – thotë mederatori Mamaj.
Në vijim, të pranishmit dëgjojnë pjesë të një letre, të dërguar nga vajza me emrin Shpresa, familjen e të cilës Shoqata “Sali Çekaj” e bëri me shtëpi të re.

“Mirëdita të dashur mërgimtarë dhe ju anëtarë të Shoqatës së bekuar “Sali Cekaj”,
Unë jam Shpresa. Jam 10-vjeçare, sa edhe Shoqata juaj “Sali Cekaj” dhe sa vetë Pavarësia e Dardanisë! Të trija kemi ditëlindjen në muajin shkurt.

Jam ajo Shpresa që ju sillesha përrreth atë ditë kur ju të Shoqatës na i dhuruat çilsat dhe na bëtë me shtëpi. Nga gëzimi i harrova për një moment vuajtjet dhe i drejtova sytë nga ai grup njerëzish që kishin ardhë nga Gjermania, për të na kthyer shpresën për jetë neve fëmijëve, e nënës largimin e lotëve, që për çdo mbrëmje sytë i rrinin të përlotur.

Jam vajza e një luftëtari invalid, i plagosur në një nga betejat tona të lavdishme. Jam motra e Shqipes, Çamërisë dhe Dardanit, fëmijëve që ju iu dhuruat shtëpi, dashuri dhe shpresën, për të jetuar të lumtur, si krejt fëmijët e botës. Vetëm ju na e kuptuat hallin tonë se në çfarë kushte jetonim. Këtë e bëjnë vetëm ata me shpirt human dhe ndjenja për bamirësi.

Ju jeni ata që na kthyet pranverën në shpirtërat tanë të ftohtë akull, nga skamja dhe mjerimi. Për herë të parë atë ditë, babait ia pashë lotin tek i rrëshqiste faqeve nga gëzimi dhe përmallimi. Ndoshta babi ka lotuar edhe herave tjera fshehurazi, por, sigurisht nga dhimbja dhe mjerimi, ndërsa sot qanë nga gëzimi.

Uroj që ju dhe fëmijtë tuaj kurrë të mos përballën me fatin tonë. Të gjithë ata që kanë dhënë për shtëpinë tonë, Zoti i bekoftë! Më këtë uratë për ju, nëna ime e fillon ditën.
Letra është nga unë, ndjenjat janë të mijat, por në shkrimin e saj më ndihmuan motrat Shqipja e Çamëria dhe vëllai Dardani.

Ju dua shumë, e juaja Shpresa

Kryetari Osman Ferizi ka një nostalgji dhe dashuri të veçantë për Tiranën, Shqipërinë. Dhe, kjo ka një arsye, një shpjegim. Në Vitin e largët 1991, në rininë e tij, kishte bërë stërvitjen ushtarake në Surel të Tiranës, së bashku me Sali Çekaj me shokë, nga oficerët e Akademisë Ushtarake Shqiptare. Dhe, prej andej, grupi i tij kishte hyrë i armatosur në Kosovë. Në konsultim me Kryesinë e Shoqatës, ai solli në festën jubilare në Pfaffenhofen aktorin me nam, Mirush Kabashin, Nderi i Kombit; kantautorin e mirënjohur, Esat Ruka; Televizionin Shqiptar, të përfaqësuar nga Agim Kuri dhe Kliton Nesturi.

Në skenë aktori, Mirush Kabashi. “Është hera e dytë që jam në mesin tuaj. U bëra i shtëpisë dhe sikur edhe unë jam pjesë e Shoqatës shumë simpatike, “Sali Çekaj”, emër ky, tashmë, i njohur në të gjithë Shqiptarinë. Herën e parë isha i dëmtuar këmbësh dhe erdha me paterica shkopinj. Nuk e refuzoja dot kërkesën njerëzore të kryetarit Osman Ferizi. Tani ndjehem mirë dhe kënaqëm që ju shoh kaq të bashkuar, -tha, në mes tjerash, mjeshtri i aktrimit, Nderi i Kombit, Mirush Kabashi, Artist i Popullit. Dhe, deklamoi vargje nga autorët e preferuar të tij: Gjergj Fishta, Mitrush Kuteli, Ali Asllani. Për çudë, ka kaluar, gadi, një shekull dhe shfrimi artistik i Ali Asllanit, gjithnjë aktual, madje, kudo që ka qeveri shqiptare:

“Hani, pini e rrëmbeni,
Mbushni xhepa, mbushni arka,
Të pabrekë ju gjeti dreka,
Miljonere ju zuri darka”.

Dhe, për ta zbutur sado pak këtë gjëmë shqiptare, moderatori Hajriz Mamaj, prezanton kantautorin, Esat Ruka, i cili vjen me këngën e re, me tekst të Jorgji Papinxhit, enkas për këtë 10-vjetor, kushtuar Heroit Sali Çekaj, duke vazhduar edhe me një këngë për Presidentin Rugova, të cilat u pëlqyen shumë nga të pranishmit.

Poeti Sylë Bajrami është anëtar i Shoqatës të Krijuesëve Shqiptar në Gjermani dhe ka botuar vëllime me poezi. Gjithashtu, ai është anëtar i Shoqatës “Sali Çekaj”. Këtë herë, ai lexoi krijimin e tij poetik, kushtuar Heroit Sali Çekaj.

Dekorohen: Familja Jashari, Familja Çekaj dhe Familja Pajaziti

Kryesia e Shoqatës ka nderuar Familjet e kryeçetanikëve të parë të Kosovës: Sali Çekaj, në Dukagjin; Hamëz dhe Adem Jasharit në Drenicë; Zahir Pajazitit në Llap. Dekoratat i dhanë, përkatësisht: Agim Kamberaj, Idriz Zeqiraj dhe Mehmet Kokaj.
Grupi artistik i fëmijëve të Shoqatës përformoi potpuri vallesh, të përgaditura nga Gazmend Dashi dhe Shemsi Haziri. Nxënësja Era Kolgeci, e lindur në Pfaffenhofen, recitoi vjershën kushtuar Heroit Sali Çekaj.

Organizimin për festimin e 10-vjetorit të themelimit të Shoqatës Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj”, e sponsorizuan këto firma, të cilat, Kryesia dhe anëtarësia e Shoqatës u është shumë mirënjohës dhe i falenderon me përzemërsi:

Ndërrmarrjen „Haziri“ me pronar Shemsi HAZIRI
Ndërrmarrjen Për Keramika „Jonuzi“ me pronar Sabri Jonuzi
Ndërrmarrjen „Shala“ me pronar Mustaf Shala
Ndërrmarrjen për ngjyrosje “Blerimi Mala“ – Blerim Cakiçi
Ndërrmarrjen „Muriqi“ pronar Bashkim Muriqi
Ndërrmarrjen „Rushiti“ – Adem Rushiti
Ndërrmarrjen „Bau AG“ – Adem Shoshi
Ndërrmarrjen „Ferizi“ – Jetullah Ferizi
Ndërrmarrjen „Bulliqi“ – Sami Bulliqi

Në fund u shfaq filmi dokumentar, Shoqata “Sali Çekaj” dhe veprimtaria e saj përgjatë 10-vjeçarit.
Si gjithëherë, edhe kësaj radhe, nuset, gratë e vyeshme dhe fisnike, të Shoqatës “Sali Çekaj”, kishin përgaditur ushqime të bollshme, për të gjithë pjesëmarrësit, në ditën festive të 10-vjetorit të themelimit të Shoqatës së tyre, sa të shquar në veprimtari kombëtare e humanitare, aq edhe të zëshme dhe emërmirë.