President i përbashkët me Kosovën? Rexhep Qosja: Arsyet përse e mbështes Ramën

0
3702
Rexhep Qosja

“Pse Shqipëria dhe Kosova të mos kenë një kryetar të përbashkët, një Ministri të Politikës së Jashtme të përbashkët dhe ambasada të përbashkëta në shtete të ndryshme në botë”?

Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president si simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”. Ka qenë kjo deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të mbajtur në Parlamentin e Kosovës, me rastin e 10-vejtorit të pavarësisë. Prej asaj dite, marrëdhënia Shqipëri-Kosovë ka qenë në qendër të vëmendjes në arenën politike shqiptare e më gjerë. E ndërsa opinionet kundra propozimit të Ramës, qenë të panumërta, nga institucione dhe individë në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Serbi por edhe nga BE e SHBA, akademiku kosovar, Rexhep Qosja, i jep mbështetjen e tij të plotë.

Përmes një analize të përgatitur enkas për “Gazeta Shqiptare” profesori argumenton se pse deklarata e Ramës, është e drejtë. “Mendja historike, prandaj, këtë ardhmëri nuk e mohon në asnjë mënyrë dhe nën kurrfarë trysnish”, thotë profesori, duke nënvizuar se, kryeministri shqiptar nuk ka kërkuar ndryshim të gjendjes së shteteve. Teksa e vlerëson për paraqitjen dhe qëndrimin në politikën e jashtme, Qosja thotë se kryeministri i Shqipërisë është shtetari më i dinjitetshëm i vendit dhe se kjo deklaratë vjen në vazhdën e disa ideve të Ramës mbi Akademitë e Shkencave të të dy shteteve të shqiptarëve. Pas valës së reagimeve kundër deklaratës, kryeministri Rama, u tërhoq.

“Nuk bëra asnjë deklaratë. Një fjali e lirë u shkëput nga konteksti dhe kthye në një program politik. Në fjalën e atij rasti, i lejova vetes që të vrapoj me imagjinatë, se si mund të jetë 20-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Është sport kombëtar, por edhe ndërkombëtar, që shkëputet një fjali nga konteksti dhe pastaj bëhet një histori. Por besoj se askush nuk më ndalon të imagjinoj. Sa i përket pastaj artikulimit, se si kjo mund të ndodhë nga ana legjislative imagjinata ime nuk ka shkuar deri aty”, deklaroi kryeministri në një intervistë për “TCH”. Por, ndërsa debati nuk u ndal te deklarata e tij, por preku edhe një herë idenë e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, çështja, është ende e nxehtë.

Nga Prof. Rexhep Qosja

PRESIDENTI I PËRBASHKËT

Në fjalimin e tij në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës kushtuar 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 18 shkurt të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përpos të tjerash, tha se në shënimin e 20- vjetorit të pavarësisë së saj, Kosova mund të ketë një kryetar që do të jetë kryetar i përbashkët i Shqipërisë dhe i Kosovës dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

Dhe, ky do të jetë kryetar i unitetit kombëtar shqiptar. Kjo deklaratë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, u prit me gëzim prej numrit më të madh të shqiptarëve kudo që jetojnë ata sot, por u prit mosdurueshëm, refuzueshëm prej një numri të njerëzve politikë shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri.

Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për kryetarin e përbashkët Shqipëri – Kosovë u prit mospajtueshëm, por matur mospajtueshëm, prej Bashkimit Evropian dhe dëshpërueshëm prej Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri. Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për kryetarin e përbashkët Shqipëri-Kosovë u prit me bajoneta prej Serbisë dhe kritikisht prej Greqisë.

Qëndrimet e tilla, mospajtuese të BE-së dhe Ambasadës Amerikane me deklaratën në fjalë të kryeministrit Edi Rama janë të kuptueshme. SHBA-të dhe BE-ja janë faktorë të mëdhenj politikë, diplomatikë dhe ekonomikë, që bëjnë politikë botërore me të cilën vetvetiu ndiejnë obligim të kënaqin si thuhet, “krejt botën dhe babanë”.

Është i kuptueshëm edhe qëndrimi i Greqisë ndaj kësaj deklarate të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Greqia, mike historike e Serbisë, nuk do të vetëquhej e lumtur po u bënë shqiptarët faktor me rëndësi të veçantë politike dhe gjeostrategjike, çka do t’i bënte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë që ajo, si dikur, pa të drejtë, e quan Shqipëri e Madhe!

I kuptueshëm është edhe qëndrimi i vrazhdë, i egër, i Serbisë ndaj idesë për kryetarin e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Pse jo? Serbia vazhdon të jetojë me mitin mesjetar në kokë për Kosovën si krahinë të saj! I pakuptueshëm është, ndërkaq, qëndrimi i të parëve të Partisë Demokratike e të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shqipëri dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kosovë.

Nuk ka dyshim se ky qëndrim i tyre, i tri partive tona të përmendura, bie ndesh me interesat historike të popullit shqiptar. Dhe, nuk ka dyshim se ky qëndrim i tyre është shprehje e një botëkuptimi krahinorist prej të cilit ende nuk janë liruar disa subjekte politike dhe një numër i njerëzve politikë as në Shqipërinë shtetërore, as në Kosovë.
Ata që i kanë përcjellë dhe i përcjellin paraqitjet politike të Edi Ramës qoftë si kryeministër, qoftë si kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë ata e dinë se deklarata e tij për kryetarin e përbashkët Shqipëri – Kosovë nuk përfaqëson ide të re në veprimtarinë e tij politike. Jo.

Ajo në të vërtetë është vazhdim, është përthellim, është qartësim përmbajtësor i politikës së tij kombëtare me përbërës mbarëkombëtarë. Propozimeve të tij për zhvillimin e disa veprimtarive të përbashkëta Shqipëri-Kosovë në një varg fushash politike, diplomatike, ekonomike, arsimore, shëndetësore, shkencore, kulturore e të tjera tani u është shtuar edhe propozimi për kryetarin e përbashkët të Shqipërisë-Kosovës pas njëzet vjetësh.

Propozimit të tij për krijimin e Akademisë së Shkencave, në të vërtetë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Shqipërisë dhe Kosovës, e cila, natyrisht, do të kishte një kryetar të përbashkët tani i është shtuar propozimi për kryetarin e përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Nuk është e nevojshme të theksohet veçmas se disa prej këtyre propozimeve e, sidomos, propozimi për krijimin e një Akademie Mbarëkombëtare të Shkencave dhe të Arteve me kryetar të përbashkët nuk është propozim i shqiptuar vetëm prej kryeministrit Edi Rama, por edhe prej disa intelektualëve të tjerë. Por të gjitha këto propozime njësuese kombëtare kryeministri Edi Rama i ka përtashësuar duke e shtuar interesimin e opinionit jo vetëm kombëtar por edhe mbarëkombëtar, në radhë të parë evropian dhe ballkanik, për to.

Le ta themi më në fund atë që e kam thënë edhe një herë: kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Edi Rama, është politikani i parë shqiptar, i cili në takimet, në bisedat e në bisedimet me politikanë, diplomatë e shtetarë para së gjithash ballkanikë dhe evropianë, ka sjellë qëndrime shqiptare në të vërtetë mbarëshqiptare më të drejtpërdrejta, më të hapëta, më të dinjitetshme se asnjëherë më parë në historinë e politikës shqiptare, duke i liruar ato prej ngurrimeve, tkurrjeve, paragjykimeve, servilizmeve prej të cilave gjuha jonë politike e diplomatike nuk ishte gjithnjë e liruar dhe as nuk po mund të lirohet.

Ç’është e vërteta, me deklaratën në fjalë prej kundërshtarëve dhe mediokriteteve të nxjerrë prej kontekstit kuptimor të fjalimit të tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk e ka kërkuar ndryshimin e gjendjes shtetërore të përtashme të Shqipërisë dhe të Kosovës, por deshi s’deshi vetë ai dhe deshën s’deshën kundërshtarët e tij, e ka parathënë një ardhmëri të këtyre dy shteteve që në perspektivën historike është e pashmangshme.

Mendja historike, prandaj, këtë ardhmëri nuk e mohon në asnjë mënyrë dhe nën kurrfarë trysnish.

Nuk ka dyshim se kundërshtia e të parëve të partive të sipërtheksuara shqiptare ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, është e pakuptueshme dhe e palejueshme jo vetëm pse me të interesin historik mbarëshqiptar ata ua flijojnë interesave të tyre të ngushta të përtashme partiake, por edhe pse është kundërdemokratike, anakronike dhe dogmatike.

Ata janë shprehur ashtu kundërshtueshëm thuajse jetojmë ende në vitet tetëdhjetë a nëntëdhjetë të shekullit të kaluar! Ata janë shprehur ashtu kundërshtueshëm thuajse s’e shohin dhe s’e kuptojnë njëmendësinë e sotme organizuese evropiane! Bashkimin Evropian sot e përbëjnë 26 shtete. Të gjitha shtetet që e përbëjnë BE-në janë shtete të pavarura, me kryetar të tyre, me ushtri të tyre, me polici të tyre, me ministri të jashtme të tyre e me të gjitha institucionet e tjera që përbëjnë shtetin e pavarur. Por, Bashkimi Evropian ka sot edhe kryetarin e përbashkët, që quhet, Zhan-Klod Junker, ka edhe ministren e Jashtme të përbashkët, që quhet Federika Mogerini, kurse tani e sa kohë po bisedohet që të ketë edhe një forcë të përbashkët ushtarake, që nuk do të mohojë ushtritë e shteteve të veçanta.

Në qoftë se Bashkimi Evropian paska një kryetar të përbashkët për të gjitha shtetet që e përbëjnë këtë Bashkim dhe një Ministri të përbashkët të Politikës së Jashtme për të gjitha këto vende, pse Shqipëria dhe Kosova të mos kenë një kryetar të përbashkët, një Ministri të Politikës së Jashtme të përbashkët dhe ambasada të përbashkëta në shtete të ndryshme në Botë?

Shqipëria e Kosova nuk u dashka të kenë as pas njëzet vjetësh e as kurrë, as kryetar të përbashkët, as Ministri të Jashtme të përbashkët e as ambasada të përbashkëta për hir të feudalizmit dhe të feudalëve tonë, për shkak të mungesës së qartëpamjes dhe për shkak të mungesës së vizionit largpamës të tyre e më së shumti për shkak të servilizmit ndaj vartëseve!

Një të ardhme të tillë të Shqipërisë e të Kosovës shqiptarët jo vetëm se nuk u dashka të kenë, por as ta ëndërrojnë për arsye se një ardhmëri të tillë nuk e pranojnë, nuk e duan feudalët tonë, që po bëjnë dhe që do të vazhdojnë të bëjnë politikë feudale! Por, feudalizmin dhe feudalët populli shqiptar qe shumë vjet i ka çuar në arkivin e terratisur të historisë. Dhe do t’i çojë në atë arkiv sa herë të paraqiten në jetën tonë politike, kulturore e shoqërore në përgjithësi.