Hi syve! Ja pse na duhen dekoratat e pavlera të Hashim Thaçit

0
469
Thaçi - Haradinaj - Veseli

Të gjithë politikanëve tanë po u intereson vetëm si do të duken pas miratimit të demarkacionit – si do të shkruhet historia e rrejshme për ta! Dhe, po – a kanë për të mbetur apo s’kanë për të mbetur në pushtet!

Nga Dush Gashi

A mund ta shihni tash, situatën kristal të pastër në të cilën jemi? A nuk po vëreni se asnjëri prej udhëheqësve tanë s’ka asnjë pikë rëndësie se ku dreqin është duke u vënë ai kufi? As udhëtimi pa viza në Europë, as pse u bëmë horë duke u vënë kundër krejt botës?

A po e shihni se kur mendojnë se do të jenë të detyruar ta miratojnë demarkacionin – për të shmangur sadopak përgjegjësinë të cilën duhet ta marrin mbi vete, janë në gjendje të na qesin hi syve në të gjitha mënyrat e mundshme – të arsyetojnë të pa arsyetueshmen, të organizojnë protesta të rrejshme, të kurdisin pamje para ambasadave…?

Ndërsa e kundërshtojnë fuqishëm demarkacionin kur ndjejnë se, në rast të miratimit, pozita e tyre do të luhatet pak. A nuk mund të thonë se demarkacioni është – më falni në shprehje – një mut?

Dhe është një mut, të cilin duhet ta hamë, sepse nuk kemi parë përtej hundës sonë, nuk kemi parë përtej pushtetit, sepse nuk mund të heqim dorë nga pamja e vetvetes si njerëz «të mëdhenj»?

Të gjithëve po u intereson vetëm si do të duken pas miratimit të demarkacionit – si do të shkruhet historia e rrejshme për ta! Dhe, po – a kanë për të mbetur apo s’kanë për të mbetur në pushtet! Sepse, asnjë dokument shtesë, asnjë deklaratë, as kurrgjë tjetër nuk e ndryshon për asnjë milimetër vijën e kufirit nga atje ku është vënë! Vetëm mund ta ndryshojë mashtrueshëm perceptimin për «heronjtë» tanë! Sepse na udhëheqin narcisoidët.

«Personi narcisoid shpesh e arrin ndjenjën e sigurisë në bindjen krejtësisht subjektive mbi përsosmërinë e tij, në epërsinë e tij ndaj të tjerëve, mbi cilësitë e tij të jashtëzakonshme, e jo me anë të marrëdhënieve ndaj të tjerëve, apo me anë të çfarëdo pune të tij apo të arriturave».

A më lexuat mirë? Jo me anë të çfarëdo pune të tij apo të arriturave. Pos atyre, më së shpeshti të rrejshme në luftë! Apo me diploma e doktorata të rrejshme fakultetesh!

A e kuptoni tash, meqë ra fjala, pse na duhen dekoratat e pavlerë të Hashim Thaçit? A po e kuptoni pse zoti president ka paguar kushedi sa para për një biografi të rrejshme për të? E i cili, pos vetes, po mendon se, me ato dekorata mund t’ua krijojë biografitë njerëzve ashtu si do ai, madje krejt historinë, realitetin e tërë… Sepse në tërë kohën sillemi në zonën e muzgut të patologjisë politike!