KIRURGU SKENDER HOXHA (që i preu rrugën vdekjes me bisturinë e tij)

0
959

KIRURGU SKËNDER HOXHA NË KONSULT ME KOLEGËT

ESE

nga Faslli Haliti

Për tridhjetë vjet rresht e kam parë doktor Skënderin të kthehet në këmbë ose me biçikletë nga spitali, gjithmonë i pastër, i veshur bukur. Ecën me një hap pupël. Duket sikur nuk po kthehet nga puna, por nga shëtitja. S’e kam parë as të lodhur e as të dëshpëruar, as të mërzitur. Të revoltuar po. S’e kam dëgjuar të qahet.

Kam një mik të vjetër në Vlorë, piktorin Skënder Kamberi. E përbashkëta e të dy Skënderëve është të qënit të talentuar dhe laboriozë. Të jetë një koinçidiencë Skënderësh kjo?

Dyzet vjet miqësi me Skënder Kamberin dhe s’e pashë një herë të dëshpëruar. Të revoltuar po. Qaraman kurrë. Po kështu, dhe Skënder Hoxhën gjatë 30 viteve s’e kam parë dëshpëruar qoftë dhe një herë të vetme. Të revoltuar po. Qaraman kurrë.

Të jetë dhe kjo një koençidiencë Skënderësh apo karakteristikë e të ndershmëve?!
Në vitet ’70, m’u dha rasti të njihem nga afër me doktor Skënder Hoxhën në Gjinar të Elbasanit. Ishim në zbor. Ai mjek, unë piktor. Rruga për Gjinar qe shumë e vështirë, ose më thënë ndryshe ishte shumë e rrezikshme se sa e vështirë. Flitej për rrëzime makinash, mushkash me gjithë mortaja në humnerë. Mbi rrugën e rrezikshme qëndronte pezull frika si skifter. Paniku ishte kudo i pranishëm. Flitej sikur kishin vdekur katër-pesë zboristë.

Paniku, vepra e armikut, – thoshin komisarët…

Budallallëqe, thoshte doktori. Dëgjomëni mua. Askush nuk ka rënë në humnerë, thoshte ai me revoltë.
Diku rruga bënte një kthesë të fortë. Aty, ujvara kishte ngrirë e dukej si ujë xhami. Flitej se te kthesa nuk kalohej pa kokë njeriu.
Fjalë armiku…, – thoshnin komisarët.

Fjalë injorantësh. Bestytnira, – thoshte doktor Skënderi.

Çadrat e spitalit të brigadës u ngritën buzë fushës së druve. Gjithë natën ra shumë borë. Era të gërricte me thonj si mace. Por çështja e të ftohtit u zgjidh fare thjesht. Zboristët bënë një mullar të vertetë me dru të prera, krickë të thata. Natën e kalova pranë zjarrit së bashku me doktor Skënderin. Biseduam për letërsinë, pikturën, muzikën, sportin, historinë, luftrat etj… Mbaj mënd se doktori citoi shumë herë fraza nga romani “Doktor Zhivago” i nobelistit Pastërnakut…

Flaka e zjarrtë ra, u mek, u shua. Ne qëndronim në errësirë, para një prushi të bukur. Dukej sikur ishin çarë mijra kokrra shegë dhe kokërizat e tyre të kuqe ishin grumbulluar kapul. Prushi e largonte borën nga ne, duke e shkrirë. Bisedat tona s’kishin të mbaruar. Diçka digjej dhe brenda nesh.

Sa shumë shpenzon ushtria, – tha fare natyrshëm dhe jo pa dhimbje, jo pa keqardhje doktor Skënderi.

“Mbrojtja e Atdheut, detyrë mbi detyrat”, doktor, foli dikush që ne e dinim në gjumë.
Na u bë gjumi harram. Fjetëm të shqetësuar ose më mirë të them, fjetëm të frikësuar, pamë ëndrra me Dostojevskë, Pasternakë. Në mëngjez doktori iku. Kërkohej kudo dhe ai gjendej kudo atje ku kishte urgjencë.

Një mëngjez qarkulloi fjala se e gjithë zboristët e brigadës kishin temperaturë të lartë. Zboristët ishin me bajame të infektuara.
Armiku punon, nuk fle, kërkon të ngjallë panik në ushtrinë e popullit ushtar, – thoshin komisarët.

Mos u shqetësoni, të gjithë i kemi nga pak të acaruar grykët. Por pak ujë me pak kripë dhe me një shplarje të fytit, çdo gjë kalon, – këshillonte doktor Skënder Hoxha.
Një infermiere e brishtë, bjonde me vetulla të zeza, me buzë të fryra bënte roje te çadrat e spitalit të repartit. Dukej si një luledielli mbi atë masë të madhe dëbore të bardhë.
– Ah nuk je për pushkë ti moj lule, t’i je për të lozur me kukulla…, – bëri shaka doktori me rojan bjondine.

Po flet si ballistët, doktor. Ballistët flisnin kështu për partizanët e malit.
Shaka po bëj shoku shoku komisar…
S’ka shaka me mbrojtjen e atdheut. Zboristja bionde është vertet si lule, por është si lule që bie era barut, siç e sheh, nuk luan me kukulla, por shtrëngon pushkën në roje të atdheut…

Çudi me këta, – tha doktori, – punën ma vlerësojnë, por për të më besuar, s’mëbesojnë, sikur edhe malet të lë lëviz unë, nuk ma vendosin kurrën e kurrës fotografinë si të dalluar, në tabelën e emulacionit socialist…

Pas zborit u bëra disi më intim me doktorin, pas një keqkuptimi, keqkuptim ky që u zgjidh ato ditë e në ato net zbori mbi borë. Tani ai më pyeste dhe unë e pyesja për punët, fëmijët, hallet. U ringjall përsëri respekti dhe vlerësimi i dikurshëm.

Pas 20 e ca vitesh m’u dha rasti ta njoh akoma më nga afër doktorin. Në fillim të qershorit, vajzën time e zenë ca dhimbje të tmerrshme. Apendesit akut. Vajza duhej operuar urgjent. Takoj doktor Skënder Hozhën, kirurgun e famshëm të spitalit të qytetit tonë. I them…
-Mos u mërzit, – më thotë, – do ta operoj unë vetë… Mbylli derën e sallës së operacionit dhe u largua.

E kisha parë vazhdimisht të pastër doktorin rrugës, në kafene, kurse aty te dera e sallës së operimit e pashë me pika gjaku në kapuçin e bardhë, në bendat e gojës dhe me bluzën të spërkatur me gjak në pjesën e torsit. U tmerrova. M’u duk sikur bisedova me një kasap. O zot, – thashë si ecën i qetë, i qeshur rrugës ky njeri? Si i pihet e i hahet bukë?! Natyrisht unë nuk kisha parasysh pasionin e madh të kirurgut, mrekullinë e duarrëve dhe bisturisë së tij; kthimin në jetë të dhjetra, qindra njerëzve.

Pas operimit me sukses të vajzës, kuptova esencën e qetësisë dhe të buzëqeshjes së doktorit në rrugë, në kafe, kudo…
Vetëm tani e kam bindjen se kirurgu as paguhet dot, as shpërblehet dot. Shpërblim më i madh për të është floriri, diamanti i mirënjohjes. Shekspiri thotë se “Ç’përbindësh duket njeriu kur merr fytyrën e mosmirënjohjes
Të jam mirënjohës, doktor Skënderi!

Lushnjë, 1995