AV. XHABIR ZEJNUNI
Sot, falë internetit janë lehtësuar shumë komunikimet mes personave, të cilët i përkasin klasave, shtresave, kulturave, besimeve fetare dhe interesave të ndryshme.
Është bërë e modës edhe krijimi i faqeve apo portaleve virtuale të HAPURA, ku adminat e tyre hedhin argumente të ndryshme për t’u diskutuar. Komentuesit, flasin me profile fallco ose edhe me profile reale. Arsyet i dinë vetëm të interesuarit!
Si rregull, gjatë diskutimeve, nuk përzihen fare adminët e këtyre faqeve, apo portaleve.
Me ndonjë përjashtim!
MONElla(i) VAGABONDa(i).
Në këtë faqe, shtrohen probleme të ndryshme, shumica e të cilëve kanë lidhje me qytetin e Shkodrës. Adminët e kësaj faqeje, janë kaq pasionalë, sa nuk mund të mos japin mendimet e tyre në këtë faqe. Më shumë aktivë, ata janë ndaj OPOZITARËVE REALË (me profile reale). Këta adminë, preferojnë që përveç profileve të tyre reale, të flasin edhe nga profilet e tyre fallco. Nga profilet reale, ata janë të “moderuar”. Por, kur ata flasin nga profilet e tyre fallco, atëherë ky “moderacion” nuk ekziston më.
Pasi ata shigjetojnë menjëherë personat që shtrojnë ndonjë argument për diskutim dhe nuk merren fare me argumentet e shtruara. Kalohet deri në atë pikë, sa personat e shigjetuar ofendohen personalisht, me familje, me problemet e tyre shëndetësore dhe me privatësinë e tyre. Madje, ata edhe kërcënohen dhe bëhet thirrje që të pështyhen nga publiku. Për hir të harmonisë fetare të vënë në diskutim nga personat për t’u pështyrë (13.09.2017)!
Dhe personat e sulmuar, detyrohen të reagojnë. Deri sa ata bllokohen nga GURUJA i kësaj faqeje (ose bashkë-gurutë!). Pastaj, personat e bllokuar, nuk reagojnë më!
Për misionin e kësaj faqeje, ka mendime të ndryshme në lidhje me ANONIMITETIN e saj dhe shërbimin që i sjell shoqërisë ky anonimat. Dikush, thotë se kjo faqe bën shumë mirë që është anonim, pasi kështu ajo e pasqyron më qartë realitetin e jetës në Shkodër, duke sjellë si rrjedhojë edhe legjitimitetin e shërbimit publik të kësaj faqeje.
Do ishte e vërtetë nëse kjo faqe do kishte vetëm karakter publik, ku vetë publiku të shprehej siç e mendon, pa u censuruar dhe denigruar. Por, realiteti është ndryshe. Pasi kjo faqe është e njëanshme dhe klienteliste dhe nuk ka gjithmonë karakter publik, por ka edhe karakter privat, përderisa merret edhe me problemet private dhe delikate të personave të sulmuar. Kalohet në këtë mënyrë KUFIRI që ndan publiken me privaten, publicitetin me privatësinë. Pasojat, në këtë rast, i paguajnë vetëm profilet reale dhe jo ato fallco.
Shkrimet që sjellë kjo faqe nga bashkëpunëtorët e saj, në shumicën e rasteve janë të njëanshme dhe nuk kalojnë në asnjë FILTËR VERIFIKIMI, për arsyen e thjeshte se ato konsiderohen shumëtë besueshëm.
Një shembull konkret. U hodh kohë më parë në këtë faqe një shkrim ku bëhej fjalë për një festë private në një institucion publik shtetëror(….)! Të shoqëruar edhe me disa foto sa për provë. Probleme. Një problem, ishte se jo të gjitha fotot i përkisnin kësaj feste. Disa foto, i përkisnin një feste familjare të bërë disa kohë më parë në një mjedis privat. Problem tjetër, është se kush ka të drejtë që disa foto të një feste private (edhe pse në një institucion publik shtetëror!), t’i publikojë në rrjetet sociale? Edhe nëse fotot e veta i hedh dikush në profilin e tij privat, akush nuk ka të drejtë që ato foto t’i publikojë në rrjetet sociale. Këto publikime të paautorizuara, janë vepra penale të dënueshme edhe nga Kodi Penal. Jo vetëm i Shqipërisë. Si për çudi, kjo histori u harrua menjëherë. Helbete, pasi çudia më e madhe zgjat vetëm tre ditë. Me përjashtim të Shkodrës, ku çudia (pavarësisht nga madhësia e saj!) zgjat deri në një javë!
Duhet denoncuar korrupsioni i ZI, por duke qenë vetë i BARDHË. Nuk ka kuptim që të denoncohet kurrupsioni BLU apo i KUQ, duke qenë vetë i kuq apo blu (apo i sponsorizuar nga njëra nga këto dy ngjyra!).
Denoncohet korrupsioni në Shkodër dhe nuk denoncohen RRËNJËT e këtij korrupsioni në Tiranën e KUQE!Pse?
Sulmohet i dobëti dhe heshtet ndaj tëfortit. Pse?
Të gjithë duam të jemi Monella, por realë dhe jo fallco. Kurrë denoncimet nga profilet fallco nuk kanë sjellur rezultate konkrete. Përveç “zhurmës” fillestare mediatike dhe vetëm kaq.
Ka bërë ndonjëherë kjo faqe ndonjë bilanc krahasues se sa denoncime të saj kanë qenë publike dhe sa private? Pse?
Ka bërë ndonjëherë kjo faqe ndonjë bilanc se sa prej denoncimeve të saja kanë dhënë rezultatin e dëshiruar dhe cilët kanë qenë ato? Pse?
Ka bërë ndonjëherë kjo faqe ndonjë denoncim në Prokurori kur shkeljet kanë qenë flagrante dhe të dënueshme nga ligjet në fuqi? Pse?
Ka bërë ndonjëherë kjo faqe BILANC TOTAL të punës së saj? Rezultatet?!
Kur bëhen KËRCËNIME nga “titullari” i kësaj faqeje ndaj personave REALË, atëherë do thotë se ka diçka që nuk shkon dhe se misioni i kësaj faqeje tashmë ka mbaruar. Pasi nga misioni publik, nuk mund të kalosh në atë privat. Problemet mes privatëve mund të zgjidhen fare lehtë mes tyre, pa qenë nevoja e abuzimit publik të çdo faqeje apo portali.
Kur kjo faqe kërkon të shkaktojë grindje fetare mes personave, atëherë ka diçka që nuk shkon.
Kur kjo faqe kërkon të shkatojë grindje mes krahinave, atëherë ka diçka që nuk shkon.
Kur kjo faqe kriminalizon një krahinë të tërë për probleme të kaluara, atëherë ka diçka që nuk shkon.
Kur kjo faqe nuk kap thelbin e reagimit të një krahine ndaj një fenomeni me rezonanca nga e kaluara, atëherë ka diçka që nuk shkon.
Kur kjo faqe kanibalizon apo hienizon profilet reale, atëherë ka diçka që nuk shkon.
Kur (……..).
Kur një faqe ka pak klikime, pëlqime apo komente, atëherë ka shumë gjëra që nuk shkojnë.
JESUIS MoneL.L.i?
Jo, faleminderit shumë.
Më mirë kështu, siç jam.
REAL.