Avioni me energji diellore

0
900

Dita, 24 prill 2016

Avioni eksperimental “Solar Impulse 2”, i cili ka fluturuar pa asnjë pikë të vetme karburanti por me enegji diellore, bëri uljen në Kaliforni pasi kishte fluturuar gati 3 ditë mbi Oqeanin Paqësor. Erërat e forta e kishin vonuar uljen e tij në “Mountain View”.

Nën drejtimin e pilotit zviceran, Bertrand Piccard, njëkohësisht edhe psikolog, avioni i rrallë përgjithësisht e kaloi provën me sukses. Piloti u prit me ovacione në aeroport. Për të, kjo ishte një eksperiencë e papërshkrueshme.

“Kisha një moment gjatë natës, kur po shihja reflektimin e hënës në oqean dhe po mendoja ‘Jam plotësisht vetëm në këtë kabinë të vogël dhe ndihem kaq i sigurtë’. I jam shumë mirënjohës jetës, që më ofroi një eksperiencë të tillë, ndoshta më e bukura që kam kaluar ndonjëherë”, tha piloti.

Ndërsa për ekipin krijues të këtij projekti, kjo përbën dëshminë se teknologjia është e besueshme. Kjo ishte etapa e 9 e provës për “Solar Impulse 2”, i cili e ka nisur rrugëtimin e tij në marsin e vitit të kaluar, në Abu Dhabi. Të gjithë energjinë avioni e merr nga dielli dhe ka rreth 17 mijë qeliza diellore në sipërfaqen e tij, ndërsa fluturon me shpejtësi jo shumë të madhe.