Me urdhër të ministrit, lirohet shqiponja e robëruar (detaje nga një operacion i rrallë)

0
756

Dita, 18 shkurt 2018

Shqiponja e ka folenë në male, ndërsa në mënyrë simbolike në…flamur. Por duket se pavarësisht zhdërvjelltësisë së saj këtë herë pati nevojë për ndihmë. Një kronikë e pazakontë u transmetua sot në televizionet shqiptare ku thuhej se Policia e Pukës ishte angazhuar në një aksion të rrallë në fshatin Berishaj të këtij rrethi.

Bëhet fjalë për një operacion jo për të kapur ndonjë të kërkuar, por për të liruar një… shqiponjë.

Aksioni policor mori shkas nga denoncimet në rrjetet sociale të ambientalistëve, të cilët kishin nxjerrë një video të një shqiponje të lidhur nga këmbët.

Pas këtij denoncimi, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, urdhëroi një grup të gatshëm të komisariatit të Pukës, që të verifikonte rastin në fjalë.

Pas mbërritjes së efektivëve në fshatin Berishaj u bë i mundur lirimi i shqiponjës. Ajo u la e lirë në fluturim, ashtu siç i ka hije një shqiponje. e.r/dita