SHIU I KOSOVËS

0
965
Faslli Haliti - vizatim nga Helidoni

Viz. Helidon Haliti

FASLLI HALITI

SHIU I KOSOVËS

Çdo pikë shiu kosove
Ka përbrenda
Projektim
Blerimi.
Shiu
I Kosovës
Bleron edhe Saharën,
Bën që të vërshojnë dhe lumenjtë e hënës,
Rimbush detet e vdekura hënore.
Shirat kosovarë
Janë shoshitje gruri
Grurë
Që e shoshit qielli,
Spërkatur me dritë floriri hënor,
Me dritë dielli.
Shiu
I kosovës
Bleron edhe pyjet e defoljuar nga napalmi
Bleron bokërimat,
U lag buzët përrenjve të shterur,
Kaltëron syrin e burimit të tharë.
Unë
Do të thahem si shelg
Po s’më lagu gjer në palcë shiu kosovar!

1997

RRUGËVE TË KOSOVËS

Edhe i paralizuar të jetë njeriu,
Ecën rrugëve të Kosovës.
Çalokut
S’i çalon këmba.
I verbëri ecën pa shkop.
Rrugët e Kosovës kanë sy,
S’kam ecur me këmbë rrugëve kosovare,
Kam ecur vetëm me sy,
Kam bredhur
Vetëm
Me
Sy,
Kam vrapuar vetëm me mend…
Më mbillmëni mua
Bri rrugëve kosovare
Si rrap,
Si lis.
Mbështetur në trungun tim,
Kosovarët do të bisedojnë
Për Lirinë…

1997