Nga Mira Kazhani – TemA
Një 10-vjetor pa shkëlqim, sepse:
sot, Kosova mbushi 10 vjet pavarësi.
Nga nevoja për mëvetësi, një kompleks edhe i përligjur, nga rrugët e Kosovës u hoq flamuri shqiptar. Doja të shkruaja dy rreshta ditën që ndodhi, por flamuri nuk duhet ta në fusë më në sherre. Edhe pse e duam të gjithë atë të kuqin flakë e gjak! Edhe pse dy flamuj nuk i binin rëndë rrugëve të Prishtinës. Kosova ka flamurin e saj dhe pikë! Dhe në këtë gjykim nuk kish vlerë debati.
Ndryshimi i flamurit-komb me flamurin-shtet ndodhi veç për një kompleks (burrash zakonisht), i cilin s’e fshin dot të vërtetën e madhe se ai i kuqi, me shqiponjë, ngjeth çdo shqiptar! Për më tepër që nuk dukesh shtet nga flamujt që valëviten në rrugë. Bota nuk sheh flamujt kur vjen, por njerëzit: si ecin, si flasin, si shkollohen, si punojnë, si shërohen edhe si vdesin.
Por, sidomos, bota sheh si qeverisin. Kosova nuk po qeveris dot! Problemet janë zmadhuar dhe sikur dikush e mori mësysh, sepse, ironikisht, kjo ditëlindje nuk e gjen të qeverisur më mirë por më keq sesa kur mbushi pesë, shtatë apo edhe tetë vjet.
Korrupsioni, kaosi i krijuar nga efektet e Gjykatës Speciale apo dhe demarkacioni me Malin e Zi, i dhanë vendit depresion. Shpresa e bjerrur tek qytetarët e vetëm të rajonit që nuk lëvizin dot lirshëm në Europë, papunësia, por sidomos mungesa e shpresës, janë fytyra e saj, bashkë me të gjithë burrat që ia dalin sa herë ia fusin njëri-tjetrit!
Falë Zotit, janë disa gra në Kosovë e nga Kosova, që po mbulojnë paaftësinë e burrave me talentin dhe bukurinë e tyre. Rita Ora sot nuk kishte të paguar në Prishtinë, bashkë me kaçurrelat e saj të verdhë, që ngjajnë me yjet e flamurit. Krenare Rugova është një tjetër grua e talentuar, që me stilimet e saj po e çon Kosovën lart. Agnesa Vuthaj, me çantat e saj. Era Istrefi! Dhe jo e fundit për nga rëndësia, por si qërshia, Majlinda Kelmendi, e mira, e përulura kampione. Këto janë gra që dimë, por besoj janë pa fund të tjerat.
Kështu, në këtë 10-vjetor, ka dy Kosova:
Njëra, e burrave që tokin gota e hedhin kunja në Facebook. Që pasi e fituam me gjak atë Kosovë, tani kanë filluar ta vrasin vetë.
Tjetra është Kosova e Ritës, Agnesës, Duas, Majlindës dhe e të gjithë grave që mbajtëm luftën në shpinë, u sulmuan më pas politikisht, shoqërisht, herë duke shkatërruar karriera e herë thjesht duke i lënë pa punë.
Kështu, varet se si e sheh e nga e sheh Kosovën. (Tiranapost.al)