Nga Mero Baze – TemA
Dhjetë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia dhe po ja del të njihet si shtet i pavarur, ajo ka një bilanc aspak optimist sa i përket garës me Serbinë dhe shkëputjes reale prej saj, ndërkohë që ka ndihmuar që Serbia të avancojë në pozitat e saj në Perëndim.
Përtej problemeve etnike të mbajtura gjallë nga nacionalizmi, Serbia dhe Kosova janë sërisht një treg më i bashkuar se Shqipëria dhe Kosova.
Serbia ka një politikë shumë më të qartë se Shqipëria për të ruajtur tregun e Kosovës dhe ajo subvencionon kompanitë që kanë bilanc të ndjeshëm tregtar me Kosovën, duke qenë kështu konkurruese me mallrat e saj në tregun shqiptar. Shumica e mallrave të konsumit të gjerë me bazë miellin dhe produktet e tjera ushqimore, Kosova i ka nga tregu serb, ndërsa komunikimi tregtar me Shqipërinë është plot barriera dhe aspak fleksibël.
Edhe një përpjekje e bërë në takimin e fundit për heqjen e barrierave doganore, u kundërshtua nën zë nga biznese të fuqishme monopoliste në Kosovë, që janë të lidhura me tregun serb, dhe dështoi.
Edhe pse Shqipëria ka leverdi të madhe të eksportojë perime dhe fruta në Kosovë, është ende larg të fituarit të garës.
As në Shqipëri, e as në Kosovë, duket se nuk ka një plan të qartë për të krijuar një treg ekonomik funksional me njëri- tjetrin.
Tregu energjitik, po ashtu vuan pasojat e varësisë së Serbisë mbi tregun energjitik të Kosovës dhe linja e interkonjeksionit që u financua vitin që shkoi, është ende jashtë funksionit.
Nga pikëpamja diplomatike, Shqipëria është lavdëruar që nuk ka përdorur Kosovën për problemet e veta të brendshme dhe problemet në integrimin europian, por nga ana tjetër Serbia ka mundur ta përdorë avancimin e bisedimeve me Kosovën për të hedhur hapa para në integrimin europian. Serbia ka dy vjet që ka marrë hapjen e negociatave për anëtarësim, falë fillimit të dialogut me Kosovën dhe avancimit të çështjeve të në bisedimet mes tyre, ndërsa Kosova vetëm sa i ka dhënë pikë Serbisë dhe Malit të Zi, dhe është konfliktuar me Perëndimin për halle të udhëheqësve të saj politik, duke u kthyer në një vend që bën ndere për të tjerë dhe izolohet për vete.
Sot Kosova ka lëshuar gjithçka që duhet të lëshonte, kufirin me Malin e Zi, marrëveshjen e dhimbshme me Serbinë, Gjykatën Speciale dhe çfarë tjetër i është kërkuar, dhe ajo parimisht duhet të ishte e përkëdhelura e Perëndimit në Ballkan. Ndërkohë, ajo është e izoluara e Perëndimit, pasi udhëheqësit politikë në Kosovë, nuk kanë ditur t’i bëjnë lëshimet për Kosovën, por i kanë bërë lëshimet në minutat e fundit duke negociuar hallet e tyre me Perëndimin.
Kështu, Kosova edhe pse ka ofruar gjithçka, nuk ka fituar asgjë, duke mos ndihmuar as pozitën e saj dhe as të Shqipërisë.
Kosova do të duhej të ishte stimuluar për shtrirjen e dorës ndaj Serbisë dhe ngritjen e saj mbi një kujtesë të freskët të krimeve të luftës, por përkundër kësaj, ylli në ngritje në Bruskel janë serbët që po pranojnë të bashkohen me Europën, dhe jo shqiptarët të cilët janë çliruar nga Europa.
Dhe kjo vjen nga fakti se shqiptarët këto dhjetë vjet i kanë dhënë përparësi luftës politike për të përdorur Kosovën për hallet e tyre, ndërsa serbët kanë përdorur politikanët për të zgjidhur hallet e Serbisë.
Prej kur është çliruar Kosova e deri më sot, Serbia ka ndryshuar katër presidentë dhe tre elita politike në pushtet, duke e bërë lojën siç i intereson Perëndimit, dhe duke u kthyer nga një vend i bombarduar nga Perëndimi, në një aleat të tij.
Ndryshe nga Serbia, Kosova ka 20 vjet të njëjtat fytyra politike, po ata që zbritën nga mali, dhe po e mbajnë pushtetin qoftë dhe me armë, duke ja kthyer ato herë pas here dhe SHBA e BE, për hallet e tyre.
Dhjetë vjet pas pavarësisë, Kosova e ka bërë Serbinë të duket më e mirë në sytë e Perëndimit dhe më demokratike, ndërsa veten e saj më primitive dhe me simpotma anti-perëndimore.
Dhe kjo, e gjitha vetëm nga fakti se Kosova po përdoret për të mbajtur në pushtet një klasë politike, ndërsa Serbia po përdor klasën politike për të forcuar pozitat e saj në Perëndim.