GAZETAEXPRESS, 08 Shkurt 2018
Ikona e skenës shqiptare Robert Ndrenika ishte një nga zërat më të fortë gjatë ditës së sotme, në mbledhjen kundër vendimit të Ministrisë së Kulturës për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar.
Ai u shpreh se ishte i lumtur që më fund u formua një sindikatë aktorësh për të cilën ai ishte mjaft skeptik.
Gjithashtu Ndrenika theksoi se në çdo vend evropian ekzistonte një teatër 500-600 vjeçar dhe se një i tillë duhet të jetë edhe në vendin tonë. Sipas ikonës së artit shqiptar teatri ishte “kisha apo xhamia” e shqiptarëve.
“Jam shumë i gëzuar që shoh një mbledhje serioze të një sindikate se e kam pas menduar se e kanë të vështirë aktorët të krijojnë një sindikatë dhe deri diku kështu ka qenë. 99% jam plotësisht dakord me këto që u thanë, do mundohem të përqëndrohem pak tek ndërtesa. Plot shumë vite më parë edhe Partia e Punës thoshte se do të bënte një teatër, ky teatër nuk u bë edhe në këto 27 vite siç jemi edhe dëshmitarë pavarësisht se kemi qenë më të vegjël është folur se do të bëhet një teatër dhe sërish nuk ka patur pikë transparence di që pronë e juaja është një sipërfaqe prej 600 që është teatri ekzistues sot, ajo është pronë e jona, e juaja dhe e të vjetërve ,”- u shpreh Ndrenika gjatë mbledhjes së artistëve.
Gjithashtu ai theksoi se vit pas vitit për shkak të ndërtimeve rreth teatrit, këtij institucioni i është vjedhur sipërfaqe.
“Kjo pronë gjatë shumë viteve të demokracisë është vjedhur pjesërisht të gjitha dyqanet që janë pas teatrit kanë pronar e teatrit gjatë këtyre viteve pak nga pak ato janë privatizuar.”
Ndrenika kishte vizituar edhe punimet e “Turbinës” vend i cili është menduar të ngrihet Teatri i ri Kombëtar. “
Atë “Turbinën” unë vajtja e pashë edhe me shokë ajo ishte qesharake për teatër ajo nuk bën. Ishte vetëm për ndonjë fushatë elektorale në fund prandaj ajo fjala që i paskam thënë ministreshës që do shtrihem tek teatri dhe ajo që ka thënë le të vijë të interpretojë të shtrihet tek “Turbina” që ma ironizoi ajo paska qenë me vend. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër pa marrë vesh se çfarë do të bëhet në të,”-përfundoi Ndrenika.
Mbi 70 artistë shqiptar të teatrit dhe kinematografisë kanë firmosur gjatë ditës së sotme peticionin kundër zhvendosjes së godinës së Teatrit Kombëtar. /Gazeta Express/