NJË LIBËR I SHKRUAR ME FISNIKËRI DHE PASTËRTI SHPIRTI

0
778

Fetah Bahtiri, Recension

Bajram Muharremi – Bistrica: ”Vullkan i shpërthithur”, poezi, 2018

(Botues: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klmenti XI Albani”, Suedi)

Me kënaqësi pranova që ta bëj redaktinmin këtij libri të autorit Bajram Muharremi – Bistrica titulluar ”Vullkan i shpërthirur” dhe fillova punën i mbushur me entusiazëm. Papritmas hasa në vjershën ”Dritë e lapidar”, të cilën poeti (nuk është i vetmi) ma kishte kushtuar pikërisht mua. I telefonova autorit dhe e luta që për këtë arsye librin për redaktim t´ia japë ndokujt tjetër. Por, ai ishte këmbngulës që unë të jem redaktor i librit dhe vazhdova punën…

Kur kam parasysh një libër tjetër poezish të Bajram Muharremit – Bistricës, botuar më 2016 me titullin ”Vullkan i fjetur”, titulli i këtij libri poezish që është ”Vullkan i shpërthithur”, ky fakt vetvetiu korrespondon me vullkanin e shpirtit dhe të ndjenjave të poetit i cili është vullkan i njëmendtë. Praktikisht me këtë titull poeti ia bën me dije lexuesit se është vullkan i gjallë nga i cili del llava e grumbulluar në zemrën dhe shpirtin e tij për më shumë se 6 dekada (Poeti është i lindur më 25 gusht 1955).

Vullkani i tij, i gjallë gjithnjë, para pak vitesh ka filluar të nxjerrë llavë – poezi që prekin çaste dhe periudha të ndryshme të historisë tonë kombëtare, por edhe reflektime nga përditshmëria. Kryetemat e librit janë gëzimet, hidhërimet, sukseset, vuajtjet, kujtimet, heroizmat, e mbi të gjitha dashuria për atdheun, për Kosovën e Dardaninë, për kombin, për heronjtë e dëshmorët e kombit, për njerëzit e zakonshëm. Të gjitha këto ndjenja poeti i ka derdhur në 6 ciklet e librit, e që janë këto:

1. FLAKADANËT,
2. SHPËRTHITHJE AFSHI,
3. KËTU MË RRITET ZEMRA,
4. E RËNDË PESHA E MËRGIMIT,
5. RECENSA, dhe
6. XHEVAHIRE NGA FOLKLORI YNË.

Nga kjo ndarje e librit në cikle shihet boshti kryesor i frymëzimeve të poetit, e ky bosht është Kosova/Dardania, atdheu dhe dashuria për te, dashuria për kombin, familja e pasardhësit, mërgimi të cilin poeti e shijon mbi lëkurtën e vet, vuajtjet e meditimet larg atdheut, por edhe ndonjë porosi e këshillë për gjeneratat e tanishme e në veçanti për të ardhshmet. Madje hasim edhe testamente për kohën që do të vijë pas tij, ”se jeta është shumë e shkurtër – ikën shumë shpejt”. Në një jetë të këtillë, poetin e kanë goditur shumë furtuna e stuhi, por këto i ka përballuar duke qëndruar gjithmonë vertikalisht, i pathyeshëm e i palëkundur, edhe pse i shkaktojnë plagë të rënda.

Nëse përmendim territorin të cilin e mbulon autori me shkrimet në këtë libër, atëherë duhet të theksojmë se ai shpesh përdor termin “shqiptari”, gjë që nënkupton se në libër mbulohet e tërë gjeografia shqiptare, por në mënyrë të veçantë dhe kryefjalë është Shala e Bajgorës (një trevë e Kosovës nga vjen Bajram Muharremi – Bistrica), Kosova, Dardania dhe Nëna Shqipëri. Pra, kjo është hapësira e theksuar në shkrime, ndërsa sa i përket kohës, poeti i këndon të kaluarës sonë të afërt nën robërinë sllave dhe të tashmes – flakadanëve të Shalës së Bajgorës, heronjve e dëshmorëve të kombit që luftuan heroikisht për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Poeti lartëson heroizmat e Komandant Shemsi Ahmetit, Komandant Ajet Bajramit – Dedisë, të Dëshmores së Kombit – Fatime Hetemi, të Dëshmorit Avni Shabani, të Minatorëve të Trepçës dhe të ndonjë individi të shquar në fushat e betejave me okupatorët serbë.

Është veçanërisht emocionuese vjersha kushtuar ish kryeministrit të Kosovës, Dr. Bajram Rexhepit, jeta e të cilit u shua në verën e vitit 2017. Fikjen e yllit të tij poeti e përjeton rëndë:

“Kishim nevojë për fjalën e zërin tënd,
Në tërë Kosovën, në çdo kënd,
Për buzëqeshjen tënde të zjarrtë e të lirë,
Për shpirtin e zemrën tënde të mirë.

Zemra ime fort më dridhet,
Trupi im prush më digjet.
Nuk do ta besoj këtë të vërtetë
Se ti shkove në qiell, medet,
Këtë nuk e deshti askush përjetë.”
(Nga vjersha ”Miku im”)

Një kapitull i veçantë i vuajtjeve e brengave jetësore është pesha e mërgimit, i cili poetin e ka zënë, nuk e lëshon dhe ai ”nuk e di se si t´ia dal”.

Në kapitullin ”Shpërthithje afshi” hasim shumë meditime e reflektime të autorit por, e zbulojmë edhe thjeshtësinë dhe fisnikërinë e një shpirti të vërtetë poetik. Vjersha ”Jeta” të me tone bukur pesimiste na jep porosi se çfarë ishte dhe është jeta e njeriut.

Kur të vdes, s`do të jem më në jetë,
Ti do t`më sjellësh buqetë me lule,
Prania jote ç`kuptim do të ketë,
Kur isha gjallë kurrë s`u përkule?!
(Nga vjersha “Jeta”)

Përkundër kësaj, në këtë kapitull i hasim edhe gëzimet që jeta di të na i falë. Në të vërtetë në të gjithë librin vërejmë se poetin e emocionojnë dhe e frymëzojnë shumë ngjarjet e përditshme, qofshin ato edhe ngjarje apo ndodhi familjare a shoqërore. Për shkak të kësaj, pra përditshmërisë së thjeshtë, poeti në masë të madhe i nënshtrohet vargut tradicional tetë-, nën- apo dhjetërrokësh e të ngjashëm që zakonisht përdoret në këngët e ndryshme popullore, duke përdorur gati rregullisht rimë, e në disa raste edhe asonanca. Pra, kjo është një veçori karakteristike, të cilën e hasim gati në të gjitha poezitë e përmbledhjes. Si duket kjo formë e të shprehurit ka mundësuar që Bajram Muharremi – Bistrica në mënyrë më direkte, më të lehtë, t´i përcjellë mesazhet të cilat ua drejton me këtë vepër gjeneratave të sotme dhe të ardhshme për atë se si duhet ta duan atdheun, kombin, historinë kombëtare si dhe për vuajtjet e peripecitë e jetës.

Dhe fare në fund, thënë fare thjesht, mua më ka inspiruar pastërtia dhe fisnikëria e shpirtit të autorit, më kanë inspiruar porositë e tij dhe kështu Bajram Muharremi – Bistrica me këto vargje ma ka zgjuar muzën. Kjo muzë erdhi e hyri thellë në qenien time dhe foli kështu:

FLAKADANËT
E SHALËS SË BAJGORËS

Në vargjet e poetit Bajram Muharremi
I gjeta yjet më të reja të Shalës që i kemi
Duke lexuar vargjet e poetit
Më kaploi frymëzimi i devletit

Eu se q´ma zgjove muzën
Se q´ma dridhe buzën
Me flakadanët e Shalës së Bajgorës
Që mposhtën acarin e borës

Heroi i kombit Shemsi Ahmeti
Avni Shabani e Dr. Bajram Rexhepi
Fatime Hetemi e Ajet Bajrami
Minatorët e Trepçës atëherë dhe tani

Zbritën nga Qielli
Erdhën nga Dielli
U lëshuan si në shuplakë të dorës
Flakadanët e Shalës së Bajgorës

Kishin një synim
Patën një qëllim
Ta flijojnë vetveten
Për Kosovë u treten

Të gjithë ranë nga Qielli
Dritë e flakë nga Dielli
Në Kosovë e Shqipëri
Lanë një dhuratë – Liri

(Pas leximit të poezive më të reja të
Bajram Muharremit, Nëntor 2017
)

Për fund, dua të theksoj se është e vlefshme që një libër të këtillë ta kenë të gjitha familjet në bibliotekat e veta shtëpiake.
Duke pasur parasysh frymëzimet dhe dhuntitë natyrore të Bajram Muharremit – Bistricës për të shkruar poezi, prej tij presim edhe vepra të tjera të cilat mund të dalin në dritë shumë shpejt. Para një viti na e dhuroi Vullkanin e fjetur, tani na e fali Vullkanin e shpërthithur, e na mbetet të shohim se çfarë vullkani do të na dhurojë në vazhdim.
Urime, miku im Bajram Muharremi – Bistrica!