GRANADA – poezi nga MIKHAIL SVETLOV

0
930

MIKHAIL ARKADYEVICH SVETLOV
1903-1964

Svetlov ka lindur në një familje të varfër çifute. Ka botuar që në vitin1917. Dy vjet më vonë, Svetlov botoi pëmbledhjen e tij të parë me poezi, “Binarët”. Tema kryesore e veprave të tij në 1920 ishte Lufta Civile ruse. Ndoshta poezia më e njohur e shkruar nga Svetlov, është “Grenada”, botuar në vitin 1926.

Granada është një qytet spanjoll, kryeqyteti i provincës së Andaluzisë. Ajo është shumë afër maleve të Sierra Nevadës, të vendosura në bashkimin e dy lumenjve: Darro, një kontribues i Genilit, dhe Genilit vetë.

GRANADA MAJÁ
(Granada ime)

Marshojnë, ecin,
Luftëtarët tanë,
Këngën Jabločkaja
Në zemër e kanë.

Ah, këtë këngë
E ruan, o stepë,
Vetë malakita
E barit të blertë.

Po një këngë tjetër
Të një toke valë
Dikush na e solli
Me vete mbi kalë.

Këndon ai dhe sheh
Këtu, atje, gjithҫka:
O Granada, ime,
Granada majà!

Këtë këngë djali
Bukur e këndon…
Po vuajtjet iberike
Vallë i kujton?

Hej Aleksandrovsk,
Kharkov më tregoni:
Në gjuhën spanjolle
Ka kohë që këndoni?

Ukrainë më thuaj,
Mbi grurin e verdhë
Poeti Shevҫenko
Shtrihet si njëherë?

Pse këndon o mik
Për qytetin, pra:
O Granada, ime,
Granada majà?»

Heziton djaloshi
Pastaj flet ngadalë:
Granadën – më thotë
Në libër e kam parë.

Granada në Spanjë
Qëkur e ndërtuar –
Ka emër të bukur
Emër të nderuar!

Shtëpinë e lashë
Që unë të luftoj
Tokat vëllezëve
Bujq t’u dhuroj.

Do shkoj tek të mitë,
Në dashtë Zotit pra !
O Granada, ime,
Granada majà!

Ne vraponim shpejt,
Mësonim dyfish
Gjuhën e gjaktë, –
Të luftës natyrisht.

Në agshol lindte dielli
Edhe perëndonte,
Edhe pse i lodhur
Kali vraponte,

Këngën Jabločko
Me harqe – rënkuese
E luanin të gjitha
Violat vajtuese…

Po kënga ҫ’u bë,
S’po këndohet më:
O Granada, ime,
Granada majà!

Goditur në gjoks
Shembur përtokë
Shoku yn’ i shtrenjtë
Shalën e la bosh.

Dhe trupin ia puthi
Krejt me rreze hëna,
Dhe buzëve i doli;
Vetëm fjala «Grana…»

Në tokë të largët,
Ku djali rri tani
Me vete ka marrë
Dhe këngën e tij.

Që aherë këngën
S’e dëgjojmë më:
«O Granada, ime,
Granada majà!».

Trimin të vrarë
Reparti s’e pa dot
Po këngën Jablločko
E këndon të plotë.

Vetëm nga qielli,
Në agun – kadifè,
Një re e vogël
Derdh lotët rrëke…

Por këngë të reja
Ngre jeta mëmë…
Djema, s’ia vlen,
Të qani për një këngë.

Nuk ia vlen, s’ia vlen,
S’do t’ia vlejë më, pra…
O Granada, ime,
Granada maja!

(1926)

* * *

Një ditë poeti Semyon Kirsanov lexoi poezinë Granada. Ai e pëlqeui shumë, shkoi menjëherë te Majakovski dhe i dha tekstin e poezisë Granada. Disa ditë më vonë u zhvillua një mbrëmje nga Majakovski në Muzeun e Politeknikut. Dhoma ishte e mbushur plot e përplot. “Unë qëndroja në këmbë – do të tregonte – në vitin 1957 Svetlovi – isha i lodhur dhe shkova në shtëpi, pa pritur fundin e mbrëmjes. Një fqinj im, i cili qëndroi deri në fund të mbrëmjes më tha: – Pse ike pa mbaruar mbrëmja? Majakovski recitoi përmendësh poezinë tënde Granada!

Më vonë ai e lexoi atë në shumë qytete. U bëmë miq. Një ditë Majakovski më tha me buzëqeshje: – Svetlov! Çfarëdo që shkruaj unë tani, nuk ka rëndësi, të gjithë më quanjnë “Re në pantallona”. Kam frikë se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me “Granadan” tuaj.

Ishin fjalë profetike. Secili nga të njohurit e mi të rinj, menjëherë më thotë: – Ah po, Svetlov! Granada! Nga njëra anë ndiej kënaqësi, por nga ana tjetër është për të ardhur keq, që pas 40 viteve të veprimtarisë sime letrare, unë identifikohem si autor i një poezie të vetme.

Shqipëroi: Faslli Haliti