Lumturisht e papunë !

0
603
Leonora Laçi

Leonora Laçi /2018

Ndodh që puna ta jep lumturinë, në rrethanat tona, puna ta kufizon atë, ta bjerrë, ta pengon aty produktivitetin.
Është groteske ta thuash, se s’ka të papunë e të lumtur, por duke pasur parasysh që nëse je në punë në shtet duhet të mbyllësh gojën për pazarllëqet që bëhen, duhet të rrudhësh gojën dhe shefit ti japësh të drejtë dhe kur nuk ka, duhet të pajtohesh me të keqën.

Për hatër të Zotit, jo zotërinjve me kollare që duhet t’i quash të tillë por Zotit qiellor, më mirë lumturisht e papunë se në punë dhe pa za.
Askujt nuk i pëlqen e vërteta sidomos kur ajo është e hidhur, por dikush duhet ta thotë dhe atë.

Lumturisht e pa punë, do të thotë të jesh lirisht e lirë, sepse liria në punë është me pikatore sidomos në institucionet tona, por jo vetëm ato.

Lumturinë ta japin gjërat që ti bën, ta jep e vërteta jote, liria jote, veprimtaria jote. Po kthehem pak tek Metamorfoza e Kafkës ku thotë se – “Kam frikë nga bashkimi, nga shkrirja me shumicën. Po të ndodhë kjo atëherë unë nuk do të jem kurrë i vetëm, pra do të jem si të tjerët dhe nuk do të nxjerrë asgjë”. Kësaj duhet t’i druhemi, unë s’jam si të tjerët, unë nuk pretendoj të jem “ata”, nuk jam “ata”, mos më ngatërroni me veten. Liria ime s’të cenon as të dëmton.

I druhem shkrirjes me turmat, sepse shpesh gabojnë dhe gjykojnë pa e ditur të vërtetën.
Preferoj të vërtetën time dhe e gabuar qoftë, preferoj lirinë time, lumturinë time, dua të merrem me veten, sepse nëse merrem me ju, unë humb…

E papunë, mund të jesh zyrtarisht, por më punon truri e shkruan dora, preferoj këtë lloj papunësie, sepse këtu s’të cenon dot kush lirinë, lumturinë, të vërtetën. Preferoj të punoj kot se sa të rri kot, të mos iki pa lenë gjurmë, qoftë dhe gjurmë të budallallëkut askush nuk ka një përcaktim për të, ku fillon e ku mbaron ai, sesa pa gjurmë fare të vdes…

Kur të gjithë të ndjehen të lirë për të thënë e shkruar, çfarë ato vërtetë janë, atëherë ka nxjerrë kryet demokracia në Shqipëri.
Shkrimi i fundit i imi për nga radha, sepse fundin tim nuk e di, titullohej “Procesi” i Kafkës në kontekstin shqiptar”, e ky është një vazhdim i tij, një “Proces i dytë”. Ky shkrim është për procesin mjeran shqiptar, me peshq e pa peshq, të vegjël e të mëdhenj, e me njerëz tru-peshk.

Proces i pazhurmë, pa formë, pa emër. Procesi i papunësisë duke punuar, procesi i varfërimit të trurit apo trupit, i madh e i vogël.
Atje, atje matanë detit, matanë malit, matanë pa anë, nëpër hanë. Po shoh procesin real të çorbës sime, tënde, që gatuhet, gëlltisë ëndrrën, shpresën, etjen, urinë, dashurinë, ndjenjën, mallin, jetën…

Pyetjes sime: – deri kur kështu?!- i jep përgjigje shoqëria në ikje e sipër. – Ik edhe ti. Do të rri, lumturisht e papunë deri sa të gjithë të ikin pastaj ndoshta s’do të kem nevojë as për “punë” se do të jem plakur nga pritja, nga mendimet, nga vetja…
Nëse punon aty ku beson se e meriton, as mos beso…e kanë zënë të tjerët me bërryla.

Për bërryla kam edhe unë, po fortësia e tyre është e brishtë dhe nuk qëndrojnë shumë… po pastaj?!

Nëse mendimin dikush ta kërkon, mos e jep ose do të të vjedh idenë ose mendimi yt as që i intereson, frymë mos harxho.
Vetëm bërryli i intereson, e ndoshta dhe ndonjë shuk nën dorë, as mos e provo, nuk e njeh sistemin, ai luhet bukur, mjeshtërisht, ti as që e ke kuptuar që të kanë futur ujin nën rrogoz…

Procesi i ka të vetët, i ndërron kur nuk i duhen, i përdor ata që i duhen, i hedh ata që si shërbejnë më… Ti?! Gjeji vendin vetës, me ne, ose me ata… kush ata?! Hem më dhemb hem më djeg, me ta s’kam sesi, se kam traditë familjare, me ju, s’ju njoh më, keni ndërruar role.

Atëherë, vetëm, pa sistem, pa bukë, pa falënderim, vetëm, por me ballë lartë.

Rri, sodis eksodin e disatë, le të mbushin vaporët, ca me lekë, ca me drogë, e ca me njerëz, nga ajri, deti e toka, veç ikje.
Ti rri, duhet dikush të dëshmojë ikjen, nëse ikën dhe ti, kush do t’ia kujtojë “këngën” apo t’ia këndojë atë. Po unë s’di as të këndoj, as të vajtoj…

Sistem pa sistem, pa motor, pa shofer, pa pasagjer, makinë pa rrota. Rrotë.