Kur flet Robert Ndrenika, e ka një hall të fortë…

1
899

Nga Alma Nikolli, TemA

E pashë dy herë “fjalimin” që Robert Ndrenika mbajti në mbrojtje të artit. E dëgjova, por edhe e pashë me vëmendje çdo mimikë të aktorit të madh teksa “luante” një lloj të ri tragji-komedie para mikrofonëve të televizioneve që transmetojnë gjithçka, shpesh edhe broçkulla ministrish. Fjala e Robertit qe një shfaqje e vërtetë, reale.

Ngriti një shqetësim me nota humori dhe trishtimi njëkohësisht, na kujtoi se sa shumë nevojë kemi ne për të. Sa shumë nevojë kanë shqiptarët për artistë të talentuar që nuk ia kanë shitur shpirtin djallit. Për të ka gjithnjë interes, mjafton një fjali e cituar nga rolet e shumta të tij dhe të gjithë ne e ndalim pak ritmin e përditshmërisë për t’u bërë pak nostalgjikë, ndaj dhe mediat nuk ngurojnë t’ia drejtojnë mikrofonin, por ai shpesh zgjedh të mos flasë. Këtë herë që e bëri e ka një hall të fortë…

Ne shqiptarët, shpesh të dorëzuar para çdo politike që na nëpërkëmb e shohim çështjen e diskriminimit të artit si një “hall luksi” dhe nuk reagojmë fort, siç bëjmë me çdo gjë tjetër fundja.

E këtë na e bëjnë më të lehtë aktorët që i bashkohen politikës, ata që duhet të ishin opozita e përjetshme skenike e një klase sunduese, rebelët frymëzues, bëhen heshtja. Heshtja që hesht. Heshtja që nuk sheh atë që nuk shkon. Heshtja që blihet pa shumë zhurmë.

“Mos kini shpresë te analistët”, thotë Ndrenika në fjalën e tij, si për të përforëcuar edhe njëherë faktin se në çdo fushë veprimi në Shqipëri, jo pak njerëz paguhen të jenë dakord, paguhen të heshtin.

Është e vërtetë që shpesh artistët paguhen sa për të nxjerrë bukën e gojës dhe shpesh bëjnë kompromise që ta bëjnë së paku “bukë me djathë”, por a jetohet me kaq?

“Në fillimet e Revolucionit Francez Marati i shkruante Dëmulenit: ‘Ç’i hyn në punë liria politike atij që nuk ka bukë? Ajo u shërben vetëm teoricienëve dhe politikanëve ambiciozë.’

Pyetja ishte serioze, por përgjigjia e pasaktë. Dëmuleni do ta zbulonte në kurriz të vet, kur e gijotinuan. Që liria nuk jep bukë, është e vërtetë. Që nuk interesohet për ata që janë të uritur është thuajse po aq e vërtetë (jo plotësisht, sepse, të paktën, liria lejon të kërkohet bukë). Po, nëse buka është gjithçka për atë që s’e ka, bëhet hiç sapo sigurohet. Nuk jetohet – më falni për këtë thënie të rëndomtë – vetëm me bukë”, shkruan Giovanni Sartori.

Shpresoj që Ndrenika të ketë frymëzuar të mos ndalen ata artistë që nuk shesin heshtjen, ndaj dhe u duhet të vuajnë në mungesë të roleve që vështirë të gjenden.

Por akoma më shumë shpresoj, që kur tha “xhamia apo kisha e shqiptarëre është teatri”, t’i ketë bërë më të lirë të gjithë ata që jetojnë në pranga.

1 KOMENT

  1. E nderuara Alma,

    Shqiperia ka nevoje per nje teater kombetar per aktrim, por aktrimi nuk behet vetem ne teater… per shembull aktrimi me i mire me professional behet ne parlamentin e Shqiperise, ne te cilin ka drama, komedi, thriller-e fantastike… prandaj nuk eshte qe Shqiperia nuk ka teater… pastaj teatri ne qeverine Shqiptare, ku ka shum aktore qe aktrojne me mire se çdo aktor i teatrit kombetar, duke perfshi edhe Robert Ndreniken

    Pastaj ka teater edhe ne çdo television, ne çdo gazete, ku njerezit aktrojne dhe shtirren si gazetarë, analistë, banalistë… pra, mos u brengos per aktrimin sepse aktrimi eshte shume i perhapur ne çdo sfere te jetes ne Shqiperi …dhe Kosove…

    Pershendetje…

Komentet janë mbyllur.