Izet Haxhia rrëfen dritë-hijet e vrasjes së Hajdarit

0
550

E vërteta e telefonatës që e nxorri nga zyra dhe biseda e fundit mes Berishës dhe Azemit

Izet Haxhia ka treguar disa detaje të reja lidhur me të ashtëquajturën “vrasja e shekullit”.

I cilësuar nga drejtësia si një nga pjestarët e grupit të akuzuar si ekzekutorë të vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari, ai ka treguar edhe njëherë skenën përpara ekzekutimit të tij.

Pas vendimit të gjykatës së lartë turke për ta ekstraduar në Shqipëri, tha në News 24 se janë dënuar vetëm ekzekutorët, por jo organizatorët e saj duke nënkuptuar drejtpërdrejt ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Është zbardhur vetëm ekzekutori. Janë përfshirë shumë segmente. Ka qenë shërbimi sekret shqiptar i përfshirë. Ka qenë “grupi i Rognerit”. Kanë pasur dijeni edhe shërbimet e huaja sekrete. Ajo nuk ka qenë një vrasje e momentit, por një vrasje e mirëmenduar.

Duhen zbardhur tabulatet e telefonatave para vrasjes nëpërmjet Berishës dhe Azemit. Nuk janë zbardhur ato telefonata të orëve të fundit. Janë të gjitha të regjistruara.

Ka pasur një telefonatë të Azemit me Berishën që nuk është zbardhur.
Është thënë që telefonata që e ka nxjerrë atë nga selia e PD-së kam qenë unë, bujrum dhe le ta vërtetojnë.
Ka pasur disa telefonata të tjera Berishës me Azemin.
Edhe ato nuk janë zbardhur.

Që nga vitet 97 – 98 nuk kam pasur asnjë lloj kontakti me politikanë.
Para disa muajsh më ka marrë në telefon një emër shumë i njohur i politikës nga radhët e mazhorancës së sotme.
Më ka kontaktuar duke thënë se ndodhej në Stamboll për arsye shëndetësore, por nuk e kam takuar,” tha Haxhia, ish-badigard i Sali Berishës.

Izet Haxhia deklaroi se ai disponon disa tabulate telefonike të cilat tregojnë se nuk është ai që ka folur me Azem Hajdarin në pritë, ku më pas u vra.
Ai deklaroi se ka qenë Berisha që ka kryer më shumë se 10 telefonata me Hajdarin.

Janë tabulatet e telefonave që nuk janë paraqitur deri më sot në Gjykatë. Telefonave të Berishës, dhe Hajdarit, të cilët kanë qenë të regjistruara me emra të ndryshëm. Ato tabulate ekzistojnë. Po, për ditën e vrasjes dhe për orët e fundit.

Ato që nga ora 3 pasdite, deri në momentin që ka arritur në Tiranë. Edhe telefonata e fundit që i është bërë atij. Janë të gjitha të regjistruara, nga kush është marrë, nga cilët numra telefoni. Janë këto telefonata që do të çojnë tek zgjidhja e këtij rrjeti të komplikuar”, ka deklaruar Haxhia. (TemA)