Një sugjerim, që festimi i 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit të bëhet më mirë

0
672

Nga Ndriçim Kulla6 shkurt 2018Mapo.al

Rrethanat historike dhe sociale, trualli kulturor dhe zakonor, administrimi shtetëror dhe marrëdhëniet veneciane, funksionimi i shtetit dhe aftësia qeverisëse e shqiptarëve në kohën e Skënderbeut dhe të tjera përshkrime që karakterizojnë atë kohë do na mundësonin neve, brezit tonë, që ta kuptonim dhe ta përjetësonim më mirë Gjergj Kastriotin si hero kombëtar sidomos në këtë 550-vjetor. Trajtimi i këtyre temave sot, kanë një aktualitet të jashtëzakonshëm. Si një dhuratë për ta kuptuar më mirë në ndihmë na vijnë veprat e albanologut me famë ndërkombëtare, jezuitit, profesor At Giuseppe Valentini. Ato janë rreth 32 vepra që janë botuar deri më sot dhe qëndrojnë si risia më e madhe kulturore dhe shkencore e viteve të postkomunizmit, në shumicën e të cilave shqyrtohet historia e Shqipërisë, Skënderbeu dhe koha e tij.

Edhe pse nuk është thënë asgjë publikisht sot në Shqipëri dhe që dyshoj se disave mund t’iu interesojë të mos thuhet, ishte pikërisht kulturologu dhe albanologu At Valentini, i cili nga një prej vilave të San Lorenzo di Rovetta, Bergamos në Itali punoi për plot dy vjet në përgatitjen e Kongresit Ndërkombëtar me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, që u festua me madhështi në Romë në 25 Prill të 1968.Theksimi i identitetit kombëtar përballë sfidave të zhvillimeve kulturore dhe postnacionale në epokën e sotme të globalizmit, forcimi dhe përhapja e prurjeve tona historike përballë sfidave të sotme albanologjike dhe kulturore, të shtruara posaçërisht për Epokën e Skënderbeut e bëjnë të nevojshme dhe shumë të përshtatshme trajtimin e disa temave të shtjelluara, sipas disave nga veprat e Valentinit, që kanë të bëjnë me kohën e Skënderbeut dhe Skënderbeun.

Në këtë kontekst unë propozoj se mund të kishim katër aktivitete vetëm gjatë muajit maj të këtij viti, me temë “Skënderbeu dhe Europa”, “Skënderbeu dhe Papati”, “Skënderbeu dhe Venediku”, “Skënderbeu dhe Papa Kalisti III”, “Statusi i shqiptarëve në Epokën e Skënderbeut” etj. etj., ku të vihet në dukje roli i Skënderbeut në lidhje me Europën dhe marrëdhëniet e tij me Venedikun dhe Papatin, të cilat janë kuitanca të qarta gjeopolitike me vlera të rralla aktuale. Ashtu siç ka thënë edhe vetë At Valentini, si një prej studiuesve më të thelluar të Skënderbeut: “Edhe mos të kishte qênë Skanderbegu ngadhnjyes në nji serí luftimesh të vishtira, por gjithmonë i thyem në 25 vjet qindresë kundra Turqvet, prap se prap admirimi i em e i çdo Europjani të ndritun do t’ishte ai qi âsht; Skanderbegu e Shqiptarët u flîjuen për qytetnimin europjan”.

Ky cikël aktivitetesh i konceptuar me biseda ose me kumtesa të veçanta (ligjërime) para nxënësve të shollave të mesme, si p.sh. shkolla “Sami Frashëri” Tiranë, kolegji “Don Bosko” Tiranë ose studentëve, si p.sh. Universiteti i Tiranës “Fakulteti i shkencave sociale”, Universiteti Mesdhetar Tiranë etj., do na japë një informacion dhe një vlerësim për kontekstin europian të Epokës së Skënderbeut.


Loading…


Dhe kjo p.sh. mund të bëhet edhe në një afat njëmujor që korrespondon dhe me muajin maj që është muaji i Europës. Do divulgohej kështu më mirë Epoka e Skënderbeut te brezi i ri, te nxënësit dhe studentët, por kjo, meqenëse jemi në prag të nisjes së negociatave me BE për t’u bërë anëtarë të këtij komuniteti, do shërbente edhe si instrument prestigji, sepse do të shprehej një natyrshmëri e pastër historike për aspirimin tonë në BE, si një nga popujt më të lashtë që ka kontribute të shquara për Europën . Dhe meqenëse At Valentini me veprën e tij shumë vëllimshme është realisht kulturologu, studiuesi dhe shkencëtari më i madh që ka promovuar rrënjët europiane dhe shpirtin europian të shqiptarëve, në këtë kontekst, muaji Maj si muaji i Europës do të jepte një mesazh të madh kulturor dhe politik të nivelit elitar.

Por përtej këtij shembulli mund të vazhdojë edhe në muaj të tjerë të këtij viti deri në janarin që vjen. Në këtë mënyrë do krijonim një atmosferë shumë të qartë për heroin tonë kombëtar dhe kohën e tij, do kishim një rast të artë për të promovuar rrënjët europiane të shqiptarëve, por ndërkohë do kontribuonim për përhapjen e universit valentinian të ndaluar për rreth 50 vjet nga regjimi komunist. Edhe unë vetë, si përgatitësi i tërë veprës se tij, duke shfrytëzuar dhe përvojën time si botues, studiues, publicist dhe njohës i çdo detaji të kësaj vepre, që e kam përgatitur për botim me ndihmën e miqve të mi, prof. Ksenofon Krisafi, prof. Sherif Delvina, prof. Përparim Kabo, i ndjeri profesor Nestor Nepravishta dhe mikun tim, prof. Gjergj Sinani, do ta kisha lehtësisht të mundur, që të isha me përvojën time në mënyrë modeste pjesë e këtij projekti, në shkollë, universitet, bashki dhe në çfarëdo auditori tjetër. Mendoj se përtej festës rutinore të sallave përkujtimore, kjo mënyrë të përkujtuari do t’i bënte më mbresëlënëse festimet e këtij 550-vjetori. Mbetem me shpresë se kjo iniciativë do të bëhet një dëshmi e madhe kulturore dhe shkencore e një niveli shumë të lartë.