BOTOI SH B “PROKULTPRESS”, Prishtinë, 2018
Shkruan Prof. Zymer Mehani
Në poezinë e autorit Ramiz Havolli (pseudonimi i tij Loti i Heshtur) shohim se mundësitë për të krijuar art të mirëfilltë janë të mëdha dhe tanimë ky autor është duke hapëruar rrugës së përmbajtjeve dhe të trajtave të vërteta artistike. Havolli në poezinë e tij, ka manifestuar vullnetin e madh dhe aftësinë krijuese, talentin dhe origjinalitetin, gjëra këto që dëshmojnë nivelin e kënaqshëm të këtij autori në fushën e poezisë.
Poezia e autorit Ramiz Havolli-Loti i Heshtur është e mbarështruar dhe e përshkruar me melankoli dhe sentimentalitet, që i jep ngjyrim të shprehurit poetik të tij. Në pikëpamje të formës kjo poezi shpesh është precize dhe e ndërtuar mirë, por herë-herë edhe e çekuilibrueme dhe në disporpocion me ritmin dhe rimën.
Shprehim bindjen tonë se poezia e autorit Havolli ruan trajtat thelbësore dhe ka elemente pozitive gjithnjë në rritje dhe dëshmon për vlerat e saj. Reagimet e veta në jetë dhe ndaj jetës autori Ramiz Havolli-Loti i Heshtur i ka shprehur nëpërmjet trajtave poetike pak a shumë të nivelizuara, por, sidoqoftë, interesante dhe premtuese. Ndonjëherë është tepër i qetë dhe i butë, si dhe i “dobët” në ndjenja, në paraqitjen e botës dhe të preokupimit të vet emotiv, mendor dhe në elementet që përbëjnë qenësinë e rëndësishme jetësore, por na paraqitet edhe si poet që di për t’u thelluar edhe më shumë në valët e jetës dhe s’heziton për t’u ballafaquar me peripecitë e saj me aftësi krijuese dhe gjeturi artistike.
Prandaj konstatojmë se poezia e Havollit është realizim i dukshëm dhe e arritur e këndshme, por parasegjithash e mbi të gjitha është premtuese. Përkah plotsueshmëria dhe fuqia e ndjenjës, përkah qartësia dhe porosia poetike, poezitë e Havollit janë në nivel, ngase pas leximit të tyre, motivet dhe mesazhi do të na mbeten në kujtesë, si ato që shprehin njëfarë brengosjeje të përgjithshme e të përhershme njerëzore.
Në vëllimin poetik “Ndjenja të shkruara” të Havollit do të gjejmë fuqi e bukuri fjale, ngazëllim e ngrohtësi lirike, ndjenjë e përjetim të sinqertë dhe rrjedhshmëri të vargut e të mendimit, të cilat do t’i gjejmë në poezitë: “Bukuri”, “Një fjalë e pathënë”, “Roman i palexuar” etj. Të bukura dhe të përshkuara me elemente të mjaftueshme që i kërkon një lirikë e vërtetë, janë edhe poezitë “Vijnë e shkojnë”, “Ndoshta gabova”, “Më mjafton ti” e ndonjë tjetër, të thurura me fjalorin e përditshëm të vërejtjeve ndaj dukurive negative, siç janë gënjeshtra, shpifja, nënvlerësimi, injorimi etj. etj. , dhe si e tillë poezia e Havollit arrin të depërtojë në ndjenjat tona dhe mbetet impresive, me ngjyrim të vërtetë artistik e bukuri shtjellimi.
Gjuha poetike e autorit Ramiz Havolli-Loti i Heshtur është e pasur me figuracion të mjaftueshëm. Fjalori është modest dhe i pastër, pa ngarkesa shprehjesh dialektore a krahinore. Lloji i strofave është katërvargëshi (katrena). Vargjet janë metrash të ndryshëm, kryesisht të rimuara (me lloje të ndryshme rimash).