FORCA E KRIJIMIT
– Poezi nga libri “NUSJA E ERËRAVE”
Kush po na e kthen diellin prapa
kush pa na e kthen ëndrren përmbys
pyesin mëmat, baballarët, gjyshërit
pyet gjaku i zemëruar i të rënëve
Në tëra qytet kolos të kombit tonë
Atdheu na thërret të bashkohemi
jam në kodër të të gjitha vetimave
ku koha rrjedh krejt e pafajshme
Në zemër të vetëdijes së popullit
mbizotëron bashkimi mbi ndarjen
guximi mbi frikën , krenaria mbi
ligësinë, dhe fitorja mbi të gjitha
Nuk ka një gjuhë tjetër perëndie, sa
shqipja jonë, sa gjaku i saj gjuhësor
sa dielli ynë dhe hëna shkëlqimtare
sa ( 4 ) elementet krijuese të natyrës
SOZI ME VETEN
Nëse unë s´do ta dehja veten time
me lexues që poezinë e duan me
shpirt, s´do shkruaja më vargje
vetes do t´i jepja dënim të rëndë
Tumës së Lotit, ku luaja si fëmijë
ai vend tani është i zënë me varre
aty ka disa të rënë të luftës sonë
dhe gropa ende të parregulluara
Poetët jo rrallë frikohen, jo nga
prangat, as nga luftat këtej rrotull
por nga shtirja e prijësëve tanë
dhe shndërrimi tyre n´mashtrues
Njeri, kurrë mos e rrëfe dashurinë
as trishtimin që e ke në zemër
eh, sa gjëra sot i ngjajnë erërave
që koha jonë i hedhë jashtë vetes!..
MALL DASHURIE
Gruaja që erdhi pa trokitur te unë
në shpirt ma ndezi mua një qiri
jam shija e kësaj natyre më tha
dhe flakën e ndezur më la në gji
Ndarja me atë grua që e desha
më la flakë dëshpërimi, zbrazëti
gruaja e asaj mbrëmje ishte e
veçantë, një e lindur për dashuri
Me atë grua unë e treta një natë
ta dëboja s´merrja dot vendim
vetes unë i flisnja me ngadalë
por ajo grua kishte hyrë në mua
Gruas së asaj mbrëmje buzët i
këndonin. Mishi i saj qé i butë
ajo i ngjante një ylli të argjendtë
që vetëm bio e jetës di ta krijojë!..
Rrustem Geci – Dortmund, 2016