Shkatërrimtarët e Shqipërisë

0
710

Prof. Dr. Ago Nezhazgjohushqiptar.info

DJE…

Shkatërrimi, kjo dukuri e kancerit organik të pushtetit, u shfaq si apoteozë e lajthitjes qysh në fillimet e para të qeverisjes së Partisë Demokratike me teorinë zero, me një qëndrim adhurues ndaj utopisë iluzore të shfarosjes së komunizmit. Polaku i mënçur e i trishtë Zhozef Koradi e shpjegon mjaftë qartë në romanin e tij “Në syrin e Perëndimit”, se si në çdo kthesë të shoqërisë njerëzore pushteti bie në duart e : “fanatikëve mendjengushtë dhe hipokritëve tiranë. Pas tyre u vjen radha gjithë dështakëve intelektualë mëndjerritur. Këta do të jenë prijësit dhe udhëheqësit e kohës. Siç e shihni kam lënë jashtë loje batakçinjtë. Të ndërgjegjshmit e të drejtët, fisnikët, humanët e besnikët, vetëmohuesit e të zgjuarit edhe mund të fillojnë një lëvizje të tyre por u ikën nga duart…” Dhe kjo odise e pushtetit, edhe pas 20 vjetësh nën siglën “demokraci,” provon mentalitetin shkatërrues të vlerave që janë arritur me mundin e djersën 50 vjeçare, të një populli të shumëvuajtur dhe të vetësakrifikuar. Po të kthesh kokën prapa e të shohësh autorët në fillimet e demokracisë, flamurtarët e shkatërrimeve të uzinave, fabrikave, plantacioneve frutore, institucioneve historiko-kulturore, janë komunistët – antikomunistë, spiunët e sigurimit të shtetit dhe bijtë e kuadrove të sistemit që u shëmb.

Të vuajturit, të persekutuarit, të privuarit e sistemit, kanë treguar maturi, mençuri dhe vetëpërmbajtje, me divizën: të ndërtojmë, e jo të shkatërrojmë. Etja për pushtet është një ves që e kafshëron njeriun dhe që e mbërthen fort pas tij, duke e bërë një sëmundje organike. Shumë pushtetarë të sotëm kanë humbur dinjitetin njerëzor,duke provuar mësëmiri se gjaku dhe pushteti janë dehës. Ata për të mbrojtur piramidën e pushtetit të tyre pasuror, mohojnë çdo ndjenjë njerëzore dhe kryejnë akte që shëmtojnë jo vetëm mjedisin politik, por edhe atë shoqëror e kombëtar. Shqipëria trashëgoi një pasuri të lakmueshme, që po të administrohej dhe të shfrytëzohej me efektivitet, nuk do ndodhte tragjedia e asfikësimit të ekonomisë në tërë segmentet e saj. Teoria famëkeqe për ta çuar çdo gjë në zero, shkatërroi e rafshoi uzina bashkëkohore si “Azotikun” në Fier, “Uzina e Preçizionit” në Korçë, uzina e “Telave” në Shkodër, fabrika e “Llampave” në Vlorë, kombinate tekstilesh në Tiranë e Berat, si dhe katër fabrika çimentosh, në Shkodër, Fushë-Krujë, Elbasan dhe Vlorë,(sot ndërtojmë fabrika të reja çimentosh për afera korruptive) e shumë e shumë fabrika të tjera, që ishin rentabël jo vetëm për nevojat e vëndit, por edhe për eksport dhe zinin fuqinë punëtore në punë.

Strategjia e shkatërrimit kishte synime të largëta, që vazhdojnë edhe sot, e do vazhdojnë edhe në të ardhmen. Me shkatërrimin e uzinave e fabrikave të vëndit, nevojat e popullsisë u plotësuan duke marrë mbeturinat e Europës, që kishin mbushur magazinat me stoqe disa vjeçare. Ky profil u ndoq edhe në sektorin e bujqësisë, që kishte arritur në shumë kultura, rendimente në parametrat e vëndeve më të zhvilluar perëndimore. Mjafton të sjellim në kujtesën vizuale plantacionet me agrume e ullinj të Lukovës prej 1000 ha, një vepër unikale, monumentale, që befasonte çdo vizitor të huaj, Jonufrin e Vlorës, bllokun e fiqve në Berat prej 800 ha, më i madhi në Ballkan, vreshtin në Shtoj të Shkodrës 750 ha, blloqet me mollë në Korçë e Dibër, e shembuj të tjerë pambarim. Të gjitha këto vepra gjigande u kryen me punën e pa paguar të rinisë, një punë prej skllevërish, por një pasuri kombëtare. Ato u shkatërruan jo rastësisht. Ishin interesat e fqinjëve, që agrumet të vijnë nga Greqia, molla e rrushi nga Maqedonia, por nuk mbahet me miell hua shtëpia. Kjo masakër ndaj natyrës, me dorën e njeriut “demokrat” duke prerë pemët frutore, se degët e tyre ishin të ngarkuara me fruta ” me ideologji komuniste”, është një parodi e radhës, në sytë e njerëzve të qytetëruar.

Kjo barbari shkatërruese, solli për rrjedhojë emoragjinë e rinisë rrugëve të Europës e botës, ( në masën 50% ) shtresës më vitale të kombit, duke e kthyer vëndin në një plakje të parakoshme. Kjo është një humbje e pallogaritshme.
Pseudodemokratët e plaçkitën dhe e shitën Shqipërinë, e varfëruan, e vranë, dhe po e varrosin si një kufomë të gjallë, duke lënë pas tymin e zi të “ demokracisë “ të ujkokratëve.

SOT…

Në kuadrin e kësaj epidemie janë shkatërruar e vazhdojnë të priten pyjet e larta në Lurë, që është një mrekulli e bukurisë së natyrës shqiptare, si dhe në Pukë, e Tropojë. Pushtetarët komunar janë pronarët e administrimit të pyjeve dhe njëkohësisht autorët e shkatërrimit të tyre. Në çdo vënd të botës, dënohesh me gjobë të rëndë po të presësh një pemë, pa le më të shfarosësh masive të tëra me pyje. Në vazhdën e aventurave të radhës ishte prishja e 400 ha të pyllit të Sodës, për ta kthyer zonën bregdetare në zonë industriale. Por nuk mjafton me kaq, herë pas here na shfaqet si fantazmë VKM Nr. 1146. datë05.08.2008, ku nën përdorimin e “ Enpoëer Albania”, është vendosur kalimi i një sipërfaqe pyjore prej rreth 100 mijë ha. që fillon në Karaburun e mbaron në Shashicë, prej sipërfaqeve të pyjeve nga fondi pyjor-kullosor kombëtar për ndërtimin e parkut energjitik. Dhe kjo odise vazhdon të jetë prezent edhe sot në kalvarin e shkatërrimeve të pasurisë kombëtare. Karaburuni dhe Llogoraja, janë një thesar e natyrës Shqiptare që vizitorë të huajt i kanë quajtur perla të Europës dhe kanë lëshuar mesazhe gjatë kalimit të tyre në shekullin e 14-të”Ruajeni Llogoranë, se po i shkatërruat nuk do t’ua falin brezat.” Por ato po masakrohen sot, nga një vendim i papërgjegjshëm i qeverisë Berisha. Kjo është një tragjedi dhe përbën një temë më vete. Krimet ndaj njerëzve nuk zbulohen se ikin në drejtim të pa ditur, po krimet ndaj pasurisë kombëtare në mes të ditës si i motivon pushteti vendor e qëndror ?!…


Loading…


Shkatërrimtarët, nuk kanë limite e profil politik. Ata shkatërrojnë të gjallët dhe të vdekurit. Nuk na është shuajtur nga kujtesa dhe i sjellim ndër mënd ato pamje makabër si shvarrosja e varrezave në Kosinjë të Përmetit, me ndërhyrje të segmenteve të caktuara greke. Papritmas na u shfaq një tabllo e ngjashme në Boboshticë të Korçës. Shkatërrohen vorrezat 200 vjeçare të fshatit nga shtetas grek. Nxiren eshtrat e gjyshërve dhe baballarëve nga nëntoka, si të jenë minerale. Shtetasit grek, për një ushtar që ka rënë gjatë luftës së dytë botërore, prishin vorrezat, ndërtojnë memorial, mbajnë edhe meshën greqisht si të jenë në shtëpinë e tyre. Pushteti vendor heshti, pushteti qëndror bëri sehir. Jo vetëm Boboshticarët që po se po, por çdo qytetar me moral shqiptar ndihet i fyer, i përbuzur dhe i përçmuar për identitetin e tij. Shnderohet një fshat i tërë, injorohet si të jetë pagan, për një ushtar grek.

Përfaqësuesi i pushtetit në Korçë, Prefekti “profet”, bëri të pa diturin dhe nuk u indinjua për atë veprim çnjerëzor të nxjerrjes së kockave të të vdekurve, por u i indinjua për djegjen e kurorave që kishin vendosur qytetarët grek te memoriali. Me të drejtë Presidenti i Republikës Prof. Dr. Bamir Topi, atë pamje të shëmtuar dhe të dhimbshme, e quajti një pamje makabër në sytë e opinionit publik. Sjellja shtetare është përdhosur në kufijtë ekstrem të së keqes. Morali i pushtetarëve tanë ka nevojë për remont kapital. Këtë inferioritet të pushtetit të shitur, e përjetojmë me qëndrimet superiore deri në denigruese siç ishte edhe rasti i Vangjel Dules, që na u shfaq ditët e fundit me një mesazh monstruoz, se nuk ekziston çështja Çame në Greqi. Sipas filozofisë së tij, suprizohemi kur deklaron se nuk ka komunitet Çam në Greqi, kur dihet se nuk ishte e largët dita, që ata u përzunë nga trojet e tyre dhe aty kanë jo vetëm pronat, pasurinë, por edhe varret e të parëve të tyre. Kurajua, për një mohim të tillë e ka burimin te mungesa e identitetit të shtetit Shqiptar.

Në kujtesën tonë, teoria e shkatërrimit, është bërë leitmotivi i jetës sonë. Nuk mund të harrohet prishja e mbikalimit te Zogu i Zi, për motive klienteliste të pushtetit. Por nuk u ndal me kaq. U gjënd një profeci e re për të prishur piramidën, se na paska qënë Muzeu i Enverit dhe në pllakat e tij të mermerta fshihet ideologjia komuniste. Ironi therëse. Sarkazëm provinciale, primitive. Korrupsion mediatik. Shpërdorim i djersës së shqiptarëve të përvuajtur, në skamje dhe varfëri proverbiale. Kaq deri sot. Jo! Kanë ngelur pa u shitur e plaçkitur dhe disa thërrime të pasurisë 50 vjeçare. Qeveria në ikje, ka teorinë e tokës së djegur. Nafta e Patosit, është një burim tjetër korrupsioni që nuk e lenë ti shpëtojë nga dora qeveria në ikje. Githçka u shit. U shit pasuria kombëtare, trupi i femrës Shqiptare, që se ka njohur historia në shekuj, u kthye në mall rrugëve të Europës, fëmijët u shitën për “ vegla këmbimi.” Shqipëria nesër, nuk ka më tokë as për vënd varri. Mentaliteti i të përkohshmit, është mentalitet shkatërrues dhe denigrues. Nuk dihet ç’dimër vjen prapa. Po të ishte vetëm kaq teoria e shkatërrimit, do gjenim ritin e ngushëllimit. Por ajo që nuk riparohet dhe rindërtohet, është shkatërrimi i shkollës, që merren diploma pa qënë në auditor, i spitalit shtetëror, që vdes po nuk pagove që nga dera e hyrjes deri te shtrati i shtrimit. Çdo gjë është kthyer në biznes. Edhe morali, ka humbur fermentin kombëtar. Jemi deformuar në çdo qelizë të genit Shqiptar.
PO NESER?…

Shkatërrimtarët, nuk e ndalin veprën e tyre deri ç’kanë bërë, por mendojnë çfarë do bëjnë. Filozofia e tyre shkatërruese do zbuloi vepra të tjera të komunizmit. Ato janë të shumta. Atje ku ka punuar e drejtuar Enveri, është vëndi, ku punon kuvendi dhe kryetarja e saj Topalli dhe përkarshi kryeministri i vëndit Berisha. Me këtë filozofi që ka pushteti i sotëm, është normale që të shkatërrojë edhe hidrocentralet, se i ka bërë socializmi dhe të na lerë në terrin demokratik. Me këtë strategji, edhe ato duhen zhdukur nga kujtesa historike. Strategjia e shkatërrimit do vazhdojë e s’do pushojë kurrë, se kjo është strategjia e tutorëve të pushtetit, sot dhe nesër, për të qëndruar në këmbë me patericat e patricëve të tyre. Shqipëria është shkatërruar ekonomikisht, intelektualisht, shëndetërisht dhe psikologjikisht. Kjo qeveri, që funksionon me filozofinë e njohur: “ha, merr dhe ik” nuk ka frikë dhe plaçkitë si ta ketë Shqipërinë çiflik. Veprat e komunizmit s’kanë të mbaruar. Do vijë një ditë që shkatërrimtarët ish komunistë, do shkatërrojnë vetveten. Aty mbaron dhe paradoksi i shkatërrimtarëve.

Dërguar për publikim nga Fahri Xharra, studiues