MUHAMET SHATRI
Me rastin e përvjetorit të 80 të ditëlindjes (28 janar) së prof. dr. Xhevat Lloshit, Dr. DAVID HOSAFLOOK, drejtor i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante me kërkoj të bëja një shkrim për këtë personalitet të shquar dhe shumë të veçantë të gjuhësis dhe të kulturës shqiptare. Unë këtë e bëra me shumë kënaqësi në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për gjithë atë që ka bërë ai për mua.
Kush është Xhevat Lloshi dhe çka paraqet ai për gjuhësinë dhe disiplinat e saj sigurisht se do ta thonë ata që janë të kualifikuar për këtë. Por unë do përpiqem të them atë që ka të bëjë me konktatet dhe miqësinë me të e që ka qenë shumë dobipruese për mua.
Profesor Xhevatin e kam njoftë me rastin e përgatitjes për botim të librit tim Kosova në Luftën e Dytë Botërore 1941-1945, i cili u ribotua nga Toena në Tiranë më 1997, me sugjerimin e prof. Xhevatit. Pra ai edhe si njohës edhe i ngjarjeve të kësaj periudhe, kishte vlerësuar se libri ia vlente të ribotohej. Kjo për mua ishte jo vetëm ndihmesë, por edhe inkurajim për të vazhduar më tej me punën kërkimore shkencore, ndonëse isha me banim në Suedi dhe kjo ma vështirësonte shumë punën. Më bëri shumë përshtypje edhe motivi i prof. Xhevatit për të ndihmuar në aspektin gjuhësor autorët nga Kosova, por sidomos ata nga Maqedonia dhe trevat e tjera shqiptare, ku gjuha ka pasur pengesa e ngecje.
Kjo, me thoshte ai, me shtyn që këtyre njerëzve t’u ndihmoj për aq sa mundem e ai kishte mundësi, mjeshtëri e vullnet më të madh se askush tjetër. Nuk është në mundësinë time të vlerësoj gjithanshmërinë dhe thellësinë e njohjes së problemeve gjuhësore dhe të ngjashme si prof. Xhevati. Unë kisha nevojë sidomos për përkthimin e dokumenteve, të cilat i përgatisja për botim, nga disa gjuhë, si anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht etj. Kisha drojë, se kur do të vinte puna për dokumentet ruse, do të çëshjta do të ndryshonte sepse nuk ma merrte mendja se prof. Xhevati e njeh edhe këtë gjuhë.
Por ai më tha se kjo do të shkonte më se miri, sepse ai ketë gjuhë e kishte shumë të njohur pasi kishte studiuar në atë kohë në Bashkimin Sovjetik. Për mua kishte edhe një problem, sepse dokumentet ruse ishin të vitit 1912, kurse në Rusi ishte bërë një reformë gjuhësore pas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917 dhe janë të paktë ata që mund të përkthejnë gjuhën e para asaj kohe. Xhevati e përballoi edhe këtë sfidë, ndonëse pata vështirësi të mëdha në deshifrimin e dokumenteve të cilat ishin fokopjuar shumë dobët. Pasi u rregullua kjo punë, i kisha dërguar prof. Xhevatit edhe disa zëra që duhej të përktheshin si shënime sqaruese nga disa gjuhë. Gjatë kësaj procedure në disa raste kishte qëlluar që i kisha dërguar gabimisht edhe disa zëra në gjuhën suedeze dhe serbe, kurse prof. Xhevati edhe ato i kishte rregulluar dhe më tregonte se duhej të isha i sigurt për saktësinë e përkthimit.
Në këtë mënyrë edhe vetë ia pashë hajrin prof. Xhevatit si poliglot. Por këtu dua të shtoj se ai edhe me këtë rast u dëshmua si dashamirës i madh i dokumentacionit dhe njohës i shkël¬qyer i ngjarjeve në botën shqiptare fillim shek. XX. Është e njohur se stili dhe gjuha e diplomatëve është krejt e veçantë dhe bukur ezopike. Edhe me këtë sfidë profesor Xhevati kishte mundësi jo vetëm për të përkthyer, por edhe për të gjetur sqarime për shumë terma dhe formulime mjaft delikate. Kështu, në një dokument, përkatësisht në një Intervistë të Dervish Himës për gazetën ”L’indipendent”, që botohej në Selanik, të dt. 7 mars 1912, thuhej veç tjerash se ”politika e Serbisë ishte mjaft kimerike”.
Unë vetë nuk mund t’i bija në fije domethënies së këtij termi, pyeta kokat me të nditura të gjuhësisë dhe të diplomacisë në Kosovë por nuk i ranë në fije, atëherë iu drejtova mikut tim, profesor Xhevatit dhe ai po ata ditë më ktheu sqarimin dhe përmajtjen e këtij terrmi, nga ku doli ai vjen nga emri i Kimerës që në mitologjinë greke ishte një kuçedër femër me kokë luani, trup dhie dhe bisht gjarpri që nxirrte zjarr nga goja. Me kuptim figurativ do të thotë: prodhim imagjinar fantastik dhe grotesk. Thuhet se edhe emri i Himarës vjen nga kjo monstër, sepse nga deti dukej vend i frikshëm. Pra është fjala për kërkesa të përbindshme, groteske dhe të fryra, jo reale të Serbisë ndaj trojeve shqiptare atëherë dhe po vazhdojnë edhe në ditët tona. Por shyqyr Zotit se kjo kuçedër është femër dhe trupin e ka të dhisë, (bishti sikur po trembë ngapak, por ishalla nuk mund të dalë në krye të vendit), se ndryshe na mori lumi. Ka edhe shumë shembuj të tjerë por ndoshta këtu po zgjerohem shumë.
Prof. Xhevati është dashamirës i librit përgjithësisht, por sidomos i atij me dokumente nga e kaluara jonë, të cilën e ka dëshmua edhe me hulumtimin dhe përzgjedhjen e dokumenteve për Kristoforishin dhe botimin e veprës së tij në dhjetë vëllime etj. Kam shumë për të thënë për mikun tim të shtrenjtë, prof. Xhevatin, por mundësitë e mia nuk më lejojnë të them gjithë që është profesor Xhevat Lloshi si njeri, si mik dhe si misionar i kultivimit dhe përparimit të gjuhës së sotme shqipe, Ai ështe institucion në vete dhe gjuhësia e përgjithësisht kultura shqiptare nuk do të ishin në nivelin e sotëm pa profesorin tonë të nderuar.
Rrallë ka ndonjë personalitet që ka bërë aq shumë për kultivimin e gjuhës, për përparimin e saj jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare. Unë e konsiderroj si fat dhe privilegj të veçantë që pata rastin të njihem dhe të kem mik dhe të gëzoj ndihmën e pakursyeshme të tij. Në mënyrë të veçantë dua të theksoj se miku im, prof. Xhevati, është edhe njëri modest dhe i afërt sidomos për ata që kanë nevojën për ndihmën e tij. Kjo dëshmohet edhe me faktin se ai ka këmbëngulur që të hiqen titujt e tij profesional e shkencor nga përmbledhjet e dokumenteve të botura nga unë dhe një në bashkautorësi me Ramiz Abdylin.Këtu në vazhdim po jap listën e Përmbledhjeve me dokumente, të cilat i ka përkthyer profesor Xhevati, të cilat po i evidentoj sikur në origjinal:
Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912. Përgatiti Muhamet Shatri, përktheu Xhevat Lloshi, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2005. Dokumente ruse për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare më 1912. Përgatitur nga Muhamet Shatri & Ramiz Abdyli, përktheu Xhevat Lloshi, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2006. Dokumente italiane për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (janar-shtator) 1912. Përgatitur nga Ramiz Abdyli & Muhamet Shatri, përktheu Xhevat Lloshi, Shkup, 2008.
Dokumente britanike për çështjen shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1912-1913. Përgatitja dhe redaktimi: Muhamet Shatri, përktheu Xhevat Lloshi, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Tiranë, 2012.
British Documents on the Origins of the War, 1898-1914. Volume IX. The Balkan Wars. Part I. The Prelude; the Tripoli War, Edited by G. P. Gochand Harold Temperle, London: 1926. (Përktheu në gjuhën shqipe Xhevat Lloshi, për nevojat interne të autorit të këtij shkrimi, përkatësisht për hartimin e monografisë: Kryengritja e Përgjithshme Kundërosmane e vitit 1912, botoi, Libri Shkollor, Prishtinë, 2017.)
Redaktime gjuhësore:
Shatri, Muhamet, Kosova në Luftën e Dytë Botërore (1941-1945), Instituti i Historisë, Prishtinë, Shtëpia botuese, Dukagjini, Pejë, 1997, ribotoi Toena, Tiranë, 1997 dhe punime tjera të veçanta. Prandaj pajtohem plotësisht me ata, të cilët e kanë vlerësuar profesor Xhevatin si një nga mendjet më të ndritura dhe një nga mjeshtrit më të vyer të krijimtarisë shkencore që njihen deri në ditët tona. Se veprimtaria e tij ndonëse në thelbin e saj ka gjuhësinë, ka një gjerësi jashtëzakonisht të madhe dhe se, po të mos ishte marrë me gjuhësi, profesor Xhevat Lloshi do të ishte një nga shkrimtarët më të mirë në vend. Këtë ata e argumentojnë me stilin e tij të të shkruarit, te mjeteve që përdor për të shprehur një mendim apo situatë, te portretizimet që u bën personazheve që në të vërtetë janë personalitete kulturore, gjuhëtarë, studiues, albanologë, shkrimtarë etj.
Malmö, Suedi, 27 janar 2018.