Historiania Vickers: Enver Hoxha do vritej në nëntor 1944, ja kush e shpëtoi

0
604

Fundi i luftës antifashiste nacionalçlirimtare në Shqipëri është shoqëruar me një betejë të fortë politike në prapaskenë për pushtetin e pas luftës, midis partizanëve komunistë në njërin krah, dhe midis ballistëve dhe zogistëve në krahun tjetër.

Por edhe aleatët dhe fqinjët ishin të shqetësuar se kush do ta sundonte Shqipërinë më pas.

Në një intervistë të gazetarit Xhevdet Shehu me historianen angleze Miranda Vickers botuar në DITA, citohen disa dokumente të pabotuar më parë mbi atë periudhë.

“Kongresi i Përmetit më 24 maj 1944 u mblodh sipas modelit të AVNOJ-it, Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë. Konferenca e Pezës sa i skicoi themelet e pushtetit të ri; Konferenca e Labinotit autorizoi dhe e qendërsoi këtë pushtet, Kongresi i Përmetit hodhi bazat kushtetuese të shtetit shqiptar të pasluftës – thotë Vickers

Historiania thotë se ka pasur një komplot për eliminimin e Enver Hoxhës para se të mbaronte lufta.

“…Ka ekzistuar dhe unë kam dokumente për këtë. Që nga 1944 trysnia e jugosllavëve mbi LNÇ-në u shtua në mënyrë të konsiderueshme. Nga fundi i gushtit, jugosllavët caktuan një shef të ri të misionit të tyre ushtarak pranë shtabit të Hoxhës, kolonel Velimir Stojniçin. Miladin Popoviçi (i cili më vonë do të vdiste parakohe në mënyrë të dyshimtë) ishte tërhequr, pasi ishte konsideruar si tepër miqësor me Hoxhën…”

Ajo shton se udhëzimet e Titos ishin që Shqipëria të bashkohej me Jugosllavinë.

“…Velimir Stojniçi veproi sipas udhëzimeve të Titos, duke argumentuar se Shqipëria ishte mjaft e vogël dhe e dobët për të mbetur e pavarur pas luftës. Ndaj, sipas tij, e ardhmja e Shqipërisë do të ishte më e sigurt të bashkohej me Jugosllavinë, duke u bërë republikë e shtatë e saj. Ndihmësi kryesor i Stojniçit, Nijaz Dizdareviçi, u soll jo vetëm si një udhëheqës organizativ ndaj PKSH-së, por ndërsa lufta po shkonte drejt fundit të saj, edhe po punonte për përfshirjen e Shqipërisë në Jugosllavi. Hoxha dha shenja se nuk e duronte qëndrimin arrogant të jugosllavëve…”


Loading…


Në vjeshtë të vitit 1944 jugosllavët për pak ia dolën që t’ia merrnin pushtetin Hoxhës. Bëhet fjalë për plenumin e PKSH-së në Berat. Vickers tregon:

“… Në nëntor 1944, pak javë para tërheqjes së përgjithshme të gjermanëve nga Shqipëria, Komiteti Qendror i PKSH mbajti një plenum në Berat. Mbledhja e Beratit përkoi me sesionin e dytë të AVNOJ-it që mbahej në qytetin boshnjak të Jajcës, i cili krijoi Komitetin Kombëtar Jugosllav. Në plenumin e Beratit, përfaqësuesi jugosllav, kolonel Velimir Stojniçi, i mbështetur nga Koçi Xoxe dhe të tjerë, kritikoi udhëheqjen e Hoxhës dhe bënë një përpjekje serioze për ta hequr Hoxhën.

Pas një autokritike të mjerë, Hoxha u lejua të mbetej udhëheqës formal i partisë, por pushteti real iu ngarkua Xoxes. Megjithëse Hoxha u ndje i tradhtuar, në atë kohë ai nuk ishte i vetëdijshëm për komplotin e organizuar kundër tij. Ndihmësi i Stojniçit, Dizdareviçi këtu ka shkruar: Para Plenumit të Beratit, Nako Spiru dhe një grup donin ta eliminonin Hoxhën, por misioni ynë e kundërshtoi këtë mendim dhe arriti ta mbronte atë. Ne e shpëtuam, por nuk duhet të mburremi tani për këtë veprim…” – citon Vickers në Dita dokumentet arkivore që posedon.

P.S: Foto kryesore: Përmet, 24 maj 1944. Nga e majta në të djathtë: Mustafa Gjinishi, Spiro Moisiu, Omer Nishani, Enver Hoxha, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Sejfulla Malëshova, Hysni Kapo, Liri Gega dhe Ramadan Çitaku.