Pasiguria në sektorin privat, shqetësuese

0
878

20/01/2016

Flet Dr. Elvin Meka, Zv.Dekan i Fakultetit Ekonomik dhe Përgjegjës i Departamentit të Financës në UET…

Zhvillimet ekonomike të këtij viti janë të rrezikuara më së shumti nga pasiguria e sektorit privat, thotë Elvin Meka, profesor në Universitetin Europian të Tiranës. Sipas tij, ekonomia duhet të orientohet nga vlera e shtuar dhe qeveria duhet të ndihmojë në rrafshin politik, ligjor dhe institucional, për të lehtësuar një kalim të tillë sa më të natyrshëm dhe me sa më pak kosto ekonomike dhe sociale. Shqipëria ka probleme themelore dhe ekzistenciale në dy aspekte madhore: pronësinë mbi tokën dhe zbatueshmërinë e kontratës. Këto janë aspektet që frenojnë strukturalisht ekonominë e Shqipërisë të zhvillohet mbi themele të qenësishme dhe të sigurta ekonomike, konstaton Meka në një intervistë për “Monitor”.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për rritjen ekonomike në vitin 2016, cilat janë shanset dhe rreziqet?

Personalisht do të prisja një rritje ekonomike midis 2.5–3%, nisur nga efekti që japin masat dhe politikat e ndryshme në ekonomi, të cilat zakonisht fillojnë dhe shfaqen pas një periudhe 2-3-vjeçare. Rreziku kryesor në ekonomi vijon të mbetet një sektor privat flegmatik e i pasigurt, që nuk mund të projektojë ende një strategji të qartë zhvillimi dhe investimesh në të ardhmen e afërt dhe të largët. Nga ana tjetër, duket se ka një inerci dhe psikologji të stërzgjatur të të priturit të rrotullimit të çelësit të artë të ekonomisë nga qeveria qendrore, qasje kjo prej së cilës duhet të fillohet të largohemi gjithnjë e më shumë.

Për sa u përket mundësive, ato duhen kërkuar në sektorët që deri më sot ose janë nën kapacitetet optimale, ose nuk po arrihet të shfrytëzohen maksimalisht, si: bujqësia, turizmi, transporti dhe energjetika. Natyrisht, në shumë prej tyre kërkohet pashmangshmërisht një angazhim domethënës nga ana e qeverisë, jo vetëm gjatë 2016-s, por edhe më tutje. Sigurisht që pesha e tyre nuk do të shënojë një rritje meteorike gjatë 2016-s, por do të duhet të punohet fort nga të gjithë grupet e interesit që këta sektorë të formatohen si motorët e ardhshëm të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Çfarë efekti prisni që të japin masat anti-informalitet në të ardhurat tatimore, gjithashtu dhe në ambientin për të bërë biznes dhe prirjet e konsumit?

Mendoj se masat anti-informalitet nuk duhen kuptuar thjesht si një sipërmarrje për të mbushur arkën e qeverisë, pavarësisht së në finale kanë këtë synim. Ashtu si e lexoj unë, ato duhen kuptuar fillimisht si një sipërmarrje për të formalizuar ekonominë, pra për një fiskalizim më të madh të ekonomisë kombëtare. Natyrisht që thelbi i një reforme të tillë, si për çdo lloj reforme, mbetet vijueshmëria dhe zbatimi sistematik dhe i pakompromis i saj, në të gjithë dimensionet e aplikimit të saj, që nga biznesi i vogël deri tek ai i madh, e cila ndryshon përfundimisht qasjen dhe kulturën e taksapaguesit, pavarësisht nga fakti nëse është biznes i vogël, i madh, në qytete kryesore apo më të vogla, në qendër apo në periferi.

Madhësia e të ardhurave në buxhet nuk varet tërësisht nga ky aksion, pavarësisht ndikimit që këto masa kanë, pasi lista e faktorëve ndikues është e gjatë, ndërkohë që nuk është shumë profesionale krijimi i stereotipit negativ të aksionit anti-informalitet. Sigurisht që nuk ka përsosmëri askund, por duhet lexuar më shumë midis rreshtave. Për sa i përket të bërit biznes, edhe këtu lista e faktorëve ndikues është e gjatë dhe në asnjë vend taksimi dhe niveli i taksave nuk përbën avantazhin kryesor apo dhe atë absolut për të përmirësuar thelbësisht klimën e biznesit, apo për të tërhequr dhe për të jetësuar investimet e huaja apo të brendshme.

Duhet të jetë e qartë se Shqipëria ka ende shumë mangësi dhe realitete të ndërtuara keq, roli dhe ndikimi i të cilave është primordal dhe shumë herë më i fortë dhe keqndikues, në raport me taksat dhe regjimin fiskal. Shqipëria ka probleme themelore dhe ekzistenciale në dy aspekte madhore: pronësinë mbi tokën dhe zbatueshmërinë e kontratës. Këto janë aspektet që frenojnë strukturalisht ekonominë e Shqipërisë të zhvillohet mbi themele të qenësishme dhe të sigurta ekonomike; gjithë elementet, treguesit dhe faktorët e tjerë vijnë pas tyre, natyrisht shumë shkallë bosh më poshtë, sesa këto të dyja.

Gjithnjë e më shumë po flitet për nevojën e një modeli të ri ekonomik, teksa burimet e deritanishme të rritjes po shterojnë. Cili është rekomandimi juaj, ku dhe si duhet të përqendrohet qeveria?

Personalisht e kam theksuar se modeli aktual ekonomik shqiptar, i tipit tregtaro-rentiero-remitanco-konsumerist i ka shteruar thuajse krejtësisht potencialet dhe vijueshmëria e tij thjesht e zvarrit ekonominë drejt anemisë dhe agonisë. Shqipëria duhet dora-dorës të heqë dorë nga ky model, pra modeli i shtimit mekanik të vlerës, duke iu drejtuar modelit të krijimit të vlerës së shtuar. Qeveria mund dhe duhet të ndihmojë në rrafshin politik, ligjor dhe institucional, për të lehtësuar një kalim të tillë sa më natyrshëm dhe me sa më pak kosto ekonomike dhe sociale.

Më tej, ekonomia ka nevojë për një thellim të sistemit financiar, shtim dhe diversifikim të ofertës së letrave me vlerë, përtej atyre qeveritare dhe shtetërore, si një mënyrë që siguron më shumë mundësi dhe alternativa financimi për sipërmarrjen, investimi për investuesit e ndryshëm dhe në një shkallë më të gjerë, të menaxhimit efektiv të rreziqeve që mbart ekonomia, biznesi dhe vetë sipërmarrja. Ky model ekzistues ekonomik me tregje të munguara, të mangëta dhe të paplota patjetër që do të shfaqë problematika dhe kosto në ekonomi.

Qeveria parashikon të dalë në vitin 2016 me balance primare pozitive. Sa të arritshëm e shikoni këtë objektiv dhe planet e qeverisë për konsolidimin fiskal afatmesëm (duke pasur parasysh se në 2015, financat dështuan dy herë në parashikimin për rritjen e të ardhurave dhe e përqendruan konsolidimin te shkurtimi i shpenzimeve)?

Arritja e balancës primare pozitive nuk është ndonjë tabu, ose sipërmarrje e parealizueshme; çështja është se me çfarë kostoje arrihet ajo. Në mozaikun e buxhetit të shtetit, pjesët më të njohura e më të lehta janë gjithnjë në krahun e shpenzimeve dhe pjesët më të vështira bien përherë në atë të të ardhurave.

Cilat mendoni se janë sfidat për sektorin bankar në Shqipëri gjatë 2016-s?

Nisur nga situata rajonale dhe europiane, ritmi i zhvillimit të ekonomisë kombëtare, reduktimi i borxhit publik gjatë viteve në vijim dhe disponueshmërisë së letrave me vlerë të qeverisë (që automatikisht përkthehet dhe në një rënie të përfitueshmërisë prej tyre), ndoshta mund të ballafaqohemi me fillimin e ndonjë bashkimi apo konsolidimi të veprimtarisë së bankave në vend.

Për vitin 2016, sfidat për sistemin bankar do të vijojnë të mbeten pak a shumë ato të dy viteve të fundit: sigurimi i një rritje të rëndësishme të huadhënies së re dhe uljes së mëtejshme të huave me probleme. Sigurisht që këto dy sfida, në kushtet e vijimit të një rritje tejet të moderuar ekonomike, mbeten jo pak të vështira.

Së fundi, mendoj se shumë shpejt do të fillohet të mendohet dhe për zhvillime institucionale drejt veprimtarisë jobankare, çka mendohet se rrisin konkurrencën, ndihmojnë në menaxhimin më të mirë të rreziqeve, si dhe ofrimin e më shumë alternativave për investime dhe përdorim më efikas të fondeve të lira në ekonomi.