AV. XHABIR ZEJNUNI
Lajm i zi seç m’erdhi mue,
fb-ja m’paska bllokue,
për nji javë mos me publikue,
n’asnji faqe me komentue.
Dikush m’paska spijunue,
tek Zucku fjalën e ka çue,
“nderin” e tij fort tue kërkue,
i hueji përpik me ja zbatue.
Jena bâ me hângër njani-tjetrin,
veç tue u shá e u shilue,
mes nesh grindja edhe smira,
kurrë s’po dijnë me pushue.
Na ka hy n’mes politika e hyjnija,
vllau me vllan tue e anmiqsue,
thikën mas shpine tue kërkue,
sa ma fort o me ja ngulë.
Dhe i hueji po bân të veten,
n’sofrën tonë ai seç âsht shtrue,
me disa kacidhe tue na miklue,
vetëm ai tue fol e kuvendue.
Rrugën kah me ec me na tregue,
nji fjalë tue mos na lanë me e folë,
si fmi t’mitun tue na trajtue,
tue na “këshillue” veç me i ndigjue.
S’i shkon mendja askujt tek puna,
as tek librat edhe shkollimi,
n’rrjete sociale kohën tue e masakrue,
veç tue bubullue e tue gjimue.
Shpejt harrojmë ne historinë,
vuejtjet që i hueji na i ka shkaktue,
atdhenë tonë na e ka coptue,
njani-tjetrin tuj e dëshirue.
Vllau mishin edhe po ta hangri,
disa koca prap ka me t’i pshtue,
sepse gjaku kollaj nuk prishet,
që t’parët tonë na e kanë trashigue.
Jena ba eksperta t’fjalës “lirë”,
sikur për oratorí t’kishim studjue,
tuj mos pá e mos kuptue,
se sa mrapa ne kena shkue.
Nuk shkohet përpara pa studjue,
diplomat n’treg t’zi tue i sigurue,
duhet ma shumë me studjue,
që edhe mundi me u shpërblye.
Mos me u marrë fort me politikë,
po ashtu edhe me hyjnitë,
sa ma shumë ne me u respektue,
dhe dashnija mos me na mungue.
T’i shtrohena punës edhe studimit,
ashtu siç ka bâ tanë njerëzimi,
vetem kështu kena me përparue,
dhe i hueji ma shumë ka me na respektue.
XH. Z.