VARGJE TË RRËFYERA LIRSHËM DHE ME NDJESI TË VEÇANTË

0
1296

Minire Rukovci – Hyseni “Agime të vonuara”, botues KLI “Arif Shala”-Prishtinë, 2018

Milazim F. KADRIU

Autorja Minire Rukovci-Hyseni vjen me librin e dytë të sajë të titulluar “Agime të vonuara” që ka 50 vjersha të bukura për fëmijë që me ëndje do ti lexojnë ata. Këto vjersha bëjnë fjalë për shkollën, mësuesin, nxënësin, gjyshërit, prindërit, vëllezërit, motrat, mbesat, nipat, natyrën, fshatin, diellin, hënën, lulet, zogjtë, etj, dhe janë të kuptueshme e me rimë ashtu si kanë dëshirë fëmijët. Ata do ti lexojnë me ëndje po ashtu si i mbledhin lulet nëpër luadhe gjatë ditëve të pranverës. Këto vjersha burojnë nga shpirti krijues i autores dhe i ka shkruar me shumë dashuri sepse ato u dedikohen pasardhësve, fëmijëve tanë. Autorja në këtë libër nëpërmes vargjeve të kësaj përmbledhjeje bashkëbisedon me lexuesin, duke shpreh përjetimit e fëmijëve.

Inspirimin për krijimin e vjershës për fëmijë e merr përgjithësisht nga jeta e përditshme po edhe nga e kaluara edhe kur ishte nxënëse, kur ishte në moshën e këtyre për të cilët shkruan tash dhe i këshillon fëmijët që çdo herë të ecin rrugës së drejtë dhe të mos rrëshqasin e të bien në rrugët jo të mira, të ecin drejtë rrugës së dritës e diturisë.

Në këto poezi autorja shpreh respektin dhe dashurinë që ka për familjarët, për mësuesin, për vendlindjen, për stinët e vitit ….
Në çdo vjershë ka art dhe lulëzim me një metaforë të lehtë dhe me një rimë të mirë të përdorur në vargun artistik.

Autorja Minire Rukovci- Hyseni përmbledhjen me vjersha për fëmijë “Agime të vonuara” e ka konceptuar dhe ndarë në tri cikle ( Agime të vonuara, Gjyshja prêt mbesën e dytë dhe Mbolla një lule ).
Siç shihet edhe nga titujt e cikleve të këtij libri autorja preokupim kryesor ka arsimimin, bukurit e natyrës nëpër stinët e vitit si dhe dashurinë e familjarëve ku paraqet dashurinë e gjyshërve për mbesa e nipa po edhe të nënës dhe fëmijës dhe të tjerëve.

Unë pres në terr,
me shpresë se do zbardhë,
e kur mbyllë sytë,
sikur shoh nxënësit e mi.
Ah, si vraponin nga gëzimi,
erdhi mësuesi, erdhi mësuesi!

Me këto vargje të poezisë “Agime të vonuara” autorja e nisë ciklin e parë me po të njëjtin titull që i ka dhënë edhe librit. Në këtë cikël janë trajtuar motive nga jeta shkollore. Janë të bukura vargjet e kësaj pjese ngase në to mbretëron atmosfera e shkollës, mësimit, dijes, flitet me respekt të lartë për mësuesin, për nxënësit, përgjithësisht për fëmijët shkollar dhe ata këshillohen që të ecin sigurt rrugës së dritës dhe diturisë.
Që fëmijët të jenë më të sigurt për veprimet e tyre dhe që ta duanë shkollën dhe mësuesin ashtu si i donë ai e i deshi edhe në kohën e vështirë nëpër të cilën kaloi vendi ynë por me një optimizëm për një kohë më të mirë e që ky optimizëm u tregua i drejtë ndër tjera thotë :

Atje agimet nuk vonohen,
po nuk vijnë asnjëherë.
Por, fytyra e Yllkës do më bëhet hënë,
buzëqesh Lirimi dhe më bëhet diell.
E mësuesi, i ka mësuesi agimet e veta!/

Të shkruash për fëmijët do të thotë të hysh në një botë të madhe dhe me vlerë, në një botë lozonjare dhe të brishtë që është aq e largët dhe aq e afërt. Në një botë që duhet dashur dhe assesi qortuar, në një botë që është e pasur. Për poetët kjo nuk është lehtë por përkundrazi është një mundim që sjell kënaqësi, por që njëherësh është edhe përgjegjësi të thurësh vargje që u dedikon fëmijëve. Ashtu siç është e veçantë bota e fëmijëve, është e veçantë edhe letërsia për fëmijë si zhanër letrar. Për ta ‘kultivuar’ këtë lloj shkrimi për fëmijë, duhet njohur mirë botën e fëmijës dhe shpirtin e tyre të çiltër…


Loading…


Fëmijët janë si lulet, janë zbukurim i jetës së njeriut dhe shoqërisë. Janë zbukurim i familjes dhe shkollës, zbukurim i përditshmërisë….Ja si e thotë autorja në poezinë “Yllka dhe Agoni” :

Yllka shkon në çerdhe,
Goni në shkollë.
Janë të shëndetshëm,
faqet kuq, si mollë.
Prindërve, nga gëzimi,
fytyra ju shndritë,
kur i shohin fëmijët,
që përparojnë çdo ditë.

Përmbajtjen e secilës poezi e gjejmë tek titulli i saj, ashtu sikur edhe poezitë e përmbledhura në cikle e ciklet në përmbledhje.
Në ciklin e dytë autorja në poezitë e saja prezanton dashurinë e familjarëve mes vete e posaçërisht të gjyshërve ndaj nipave dhe mbesave. Në poezinë “Gjyshja pret mbesën e dytë” sipas së cilës është titulluar ky cikël ndër tjera thotë:

Tërë familja u lumturua,
nga gëzimi na shkëlqejnë sytë.
Sot na erdhi një lajm i bukur,
po pret gjyshja mbesën e dytë!

Po ashtu ajo prek edhe temën e kurbetit që është një plagë e rëndë e shoqërisë që ende po vazhdon. Poeten e djeg malli për mërgimtarët, andaj ka edhe disa poezi me këtë temë.
Në poezinë “Gjyshja dhe nipi mërgimtar” ndër tjera thotë:

E gjatë më duket nata,
në këto ditë pushimi.
Për nipin tim të ëmbël,
ka ardhur nga mërgimi!
…………………………….
…………………………….
Të kthehen mërgimtarët
të mos shkojnë askund.
Shpërndarjet e familjeve
le të marrin fund!

Minire Rukovci-Hyseni ka një botë poetike mjaft të pasur, ajo futet thellë në shpirtin e fëmijës dhe ka një imagjinatë të pasur. Ajo madje krijon edhe poezi që imiton gjuhën e fëmijëve që ende nuk arrijnë të shqiptojnë mirë fjalët si është rasti tek poezia ”Mërgimtarja e vogël” :

Ç’po mendon Amina?
Na thuaj që t’a dimë!
Unë po e dua Kosovën,
e jo Gjelmaninë!
Pa siko o mami,
sa bukul këtu!
Ju në daqi skoni,
unë do li këtu!

Në këtë përmbledhje,përkatësisht në ciklin e tretë gjejmë edhe poezi për të gjitha stinët e vitit dhe në to përshkruan bukuritë natyrore që sjell secila stinë veç e veç. Ndonëse natyra nga stina në stinë ndryshon, por të gjitha këto ndryshime fëmijët i duan dhe ato bukur ua paraqet autorja në vargjet që i thurë në këtë libër. Vargje të lehta, të kuptueshme nga çdo lexues e sidomos nga fëmijët për të cilët shkruhen ato.
Në vjershën “Pranvera” autorja shkruan:

Shikoni –shikoni,
si buzëqesh natyra!
Vallë, kush ia solli,
këtë fustan me ngjyra?!

Autorja ka një ndjenjë të veçantë për fëmijët ku për këtë ka ndikuar edhe puna e saj një kohë me fëmijët me nevoja të veçanta, po edhe angazhimet e saj me fëmijët e vetë dhe të vëllezërve e motrave dhe të afërmve tjerë.

Poetja Minire Rukovci-Hyseni në përmbledhjen e sajë “Agime të vonuara” mendojmë se del e suksesshme duke treguar ndjesinë e veçantë, duke u rrëfyer lirshëm dhe bindshëm, duke ofruar vargje të lehta dhe të kapshme për fëmijë. Ajo ka një botë të pasur dhe të veçantë poetike, ajo ka një zë të veçantë dhe origjinal. Andaj me këto vargje ajo e ka pasuruar poezinë shqipe për fëmijë dhe me të drejtë presim sa më shpejtë nga ajo edhe libra të tjerë