Ç’po ndodh në LSI?

0
879
Monika proteston me PD

Monika Kryemadhi mbahet për krahësh nga protestuesit e PD-së…

Nga Roland QafokuTemA, 23 janar 2013

Vera e re në fuçinë e vjetër

Nuk ka më “qetësi dhe dashuri”. Nuk ka as teza të tipit: “Integrimi është i pari”. As aleanca politike: “Për të mos e çuar vendin në kaos”. Politika e ditës mbështetet në teza të thjeshta të tipit: “Luftojmë që fëmijët shqiptarë të mos bëhen shpërndarës droge”. Targeti politik, por edhe fizik, është vetëm kryeministri, Edi Rama, dhe çizmja e hedhur në drejtim të tij, është futur në histori. Lëvizja Socialiste për Integrim aktualisht, duket sikur është rithemeluar. Ilir Meta, president, duket gjithnjë e më larg partisë që e themeloi dhe e drejtoi për 13 vjet dhe LSI-ja tani, po merr trajtën dhe formën e Monika Kryemadhit. Ka pak më shumë se 6 muaj kryetare dhe në fakt, i ka dhënë partisë një pamje tjetër. Gjuha e drunjtë dhe me nënkuptime, ia ka lënë vendin gjuhës popullore dhe të drejtpërdrejtë që masa e njerëzve nuk lodhet shumë për ta kuptuar.

Tashmë, Monika Kryemadhi nuk është thjesht gruaja a parë në historinë e shtetit shqiptar, në krye të një partie politike. Nëna e tre fëmijëve, që më 9 prill do të mbushë 44 vjeç, nuk është as thjesht gruaja e cila tashmë po bën opozitën e fortë, duke lënë në hije PD-në. Ajo është kthyer realisht, në makthin e parë dhe pothuajse të vetëm të qeverisë Rama.

Larg patetizmave, e drejtpërdrejtë dhe në krye të aksioneve, zonja që tashmë ka një përvojë 27-vjeçare në politikë, ka lënë Lulzim Bashën shumë poshtë me kuota. Bashkëpunon, por nuk ka bërë aleancë politike me të, duke bërë që LSI-ja të ketë marrëdhënien më të çuditshme me PD-në. Pyetjes time se si i beson Bashës, kur bashkëshorti juaj tha se ai gënjen edhe për orën, Kryemadhi iu përgjigj:

“Për orën unë nuk pyes as tim shoq e as Lulzim Bashën”.

Por kjo nuk është e vetmja frazë e dalë nga goja e Kryemadhit, që ka bërë lajm për median. Sa herë që flet në takime dhe jep intervista ajo bën lajm të parë për median. Vetëm në një kohë shumë të shkurtër, ligjërimi politik i saj është tejet i ndryshëm nga politikanët e tjerë. E drejtpërdrejtë, me fjalë të thjeshta dhe plot reaguese për veprimet e kryeministrit, Monika Kryemadhi “nuk ia përton” Ramës, në të gjitha daljet që bën. Aq e theksuar është kjo, sa të gjithë e kuptojmë nga anon përgjigja e pyetjes: Kë ka më shumë frikë Edi Rama, Lulzim Bashën apo Monika Kryemadhin?

Për ta konfirmuar edhe më shumë përgjigjen, mjafton të analizojmë katër deklarimet e saj më të forta, në këto 6 muaj, për të kuptuar këtë konkluzion.

Deklarimi i parë i fortë, i Monika Kryemadhit:

“Rama ta harrojë se, gjaku i Floida Kërpaçit do të lahet nga bluza e saj. Unë jam këtu për t’i deklaruar se, me dhunën ndaj vajzave dhe të rinjve, Edi Rama ka hyrë në gjak me rininë shqiptare dhe nuk do të pijë kafe apo nuk do të shëtisë i qetë në rrugët e Tiranës, sikundër ka bërë deri më sot!”

Deklarimi i dytë i fortë, i Monika Kryemadhit.

“Koka e krimit në Shqipëri, ka vetëm një emër, që është Edi Rama. Pse ka frikë Edi Rama nga Saimir Tahiri? Në fillim e lëshoi, pastaj e mbajti. Sepse Tahiri e kërcënoi. Ku është sot drejtori i policisë? Po familja e tij? Situata nuk është aq rozë”.

Deklarimi i tretë i fortë, i Monika Kryemadhit.

“Nuk mund të ketë një shtet, kur sheh të rinjtë që largohen nga vendi. Të rinjtë janë e ardhmja e vendit. Ne ndjeheni të lodhur dhe nuk shohim asnjë shpresë dhe asnjë të ardhme. Kjo nuk është e rastësishme. Pasi politikanë shqiptarë duan që shqiptarët të jenë më të varfër dhe më pak të ditur, sepse mund të mbahen më lehtë nën kontroll. Por ne nuk mund ta pranojmë këtë, që fëmijët tanë të jenë argatë në fushat e drogës së Edi Ramës dhe Saimir Tahirit. Prandaj, në 27 janar do të protestojmë bindshëm. Sepse qytetarët kanë nevojë të ndihen të barabartë”, – deklaroi Kryemadhi.

Deklarimi i katërt i fortë, i Monika Kryemadhit:

“Do jetë një nga protestat më të mëdha në historinë e opozitave. Nuk ka flamuj politikë, por angazhimin e qytetarëve”.

Rreth vetes ka afruar djem dhe vajza në moshë të re dhe në një pikëvështrim, duket se kemi të bëjmë me një LSI tjetër. Në podiumin e LSI-së nuk shikojmë më figurat e saj më kryesore. Edhe në studio televizive, të “preferuar” janë ata që media i quan nën zë, U17-ta e LSI. Tashmë skalioni i parë i vërtetë, janë Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaçi, Endrit Brahimllari, Klajda Gjosha që edhe këta kanë për sfond djem dhe vajza që nuk i kalojnë më shumë se 20 vjeç. Janë plot energji dhe dëshirë për të bërë protagonistin dhe duket hapur që ndjehen mirë, kur Monika Kryemadhi i mbështet dhe, në një farë mënyre, pikërisht ajo është edhe modeli i tyre. Por këtu mbaron mjalti i LSI-së së re.


Loading…


Menjëherë, me këta të rinj, këtu nis një problem jo i vogël. Monika Kryemadhi zë figurë qendrore në politikë, jo duke u marrë prej dore nga Fatos Nano apo dikush tjetër, po vetë dhe vetëm vetë. Ndërsa të rinjtë e LSI-së nuk janë thjeshtë të rinj që kanë ideale dhe vizionin e Monikës dhe Metës në 1991. Ata thjeshtë janë si futbollistët e kombëtares U 17, që kanë dëshirë të luajnë me kombëtaren A, por deri tani thjesht e kanë mirë me trajnerin dhe jo se po shfaqin talent dhe po luajnë mirë. Vetëm pak muaj kishte Kryemadhi, Meta dhe Majko në FRESH, dhe u bënë të njohur për aksionet ndryshe të të vjetërve.

Por çfarë të reje kanë të rinjtë e LSI-së? Pyetja e madhe për ta është: A kanë ndërmarrë ata ndonjë aksion politik, pa frymëzimin e Kryemadhit? Ata që janë në brendësi të situatës, thonë jo. Pikërisht, kjo ka sjellë përplasje brezash në LSI, duke sjellë edhe anën e vetë negative. Pas 8 viteve në pushtet, sipas rregullit të pashkruar të politikës shqiptare, LSI-ja tashmë është në opozitë. Por në këto 4 vite në aleancë me PD dhe po 4 vjet me PS, ajo prodhoi figura të rëndësishme qendrore në politikëbërje. Prodhoi një president me kryetarin e saj, Ilir Meta, një kryetar kuvendi, po me Ilir Metën, 2 nënkryetarë kuvendi me Nasip Naçon dhe Vangjel Tavon. Prodhoi 2 zv/kryeministra, Ilir Meta dhe Edmond Haxhinasto.

Por prodhoi, mbi të gjitha, edhe 11 ministra që ishin Ilir Meta, Dritan Prifti, Nasip Naço, Ylli Manjani, Petrit Vasili, Vangjel Tavo, Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti, Lefter Koka, Sokol Dervishi dhe Klajda Gjosha. Këta personazhe nuk kanë mbajtur thjesht poste, por në këto 8 vjet, u kthyen në figura të rëndësishme politike të dalë ekskluzivisht nga partia e tretë më e madhe në vend. Juristë, mjekë, agronomë dhe specialistë të spikatur në disa fusha, profesorë dhe biznesmenë, ata u bënë konkurrenca brenda shumicës së PD-së dhe PS-së. Por çudia është se, tashmë që LSI-ja është në opozitë, një pjesë e tyre që janë ende deputetë, nuk i shikojmë të jenë protagonistë.

A është thjeshtë një zgjidhje e tyre, apo nuk janë më të preferuarit e kryetares së re, Monika Kryemadhi? Këtë nuk dimë ta themi me saktësi. Me siguri ,mund të themi se, në LSI ka një luftë të heshtur, që për disa është luftë brezash dhe për të tjerë luftë mes të preferuarve të LSI-së së re dhe LSI-së së vjetër. Në LSI ,këtë përplasje, e shikojnë me frikën se partia po dëmtohet.

Por ajo që fërkon duart, është PS-ja dhe kryetari i saj, Edi Rama. Në korridoret e Kuvendit, pyetja e hedhur është: Ku janë njerëzit e Metës? Përse janë zëvendësuar nga të besuarit e Monikës? Kjo thashethemnajë politike e formuluar me pikëçuditëse në fund, mund të jetë edhe taktikë e vetë Ramës, sepse ai e di mirë që kompromis mund të bëjë shumë më lehtë me Ilir Metën, se sa me “motrën” Monika Kryemadhin. E vërtetë ose jo. E pritshme ose jo. E sakta në këtë situatë është që, pas 6 muajve në krye të partisë, LSI-ja është parti e zotëruar tashmë nga Monika Kryemadhi. Duhet të presim, nëse ajo do të ketë apo jo të drejtë. Si atë nëntor të vitit 1991, kur ishte vetëm 17 vjeç dhe bashkë me disa moshatarë të tjerë, themeloi FRESH-in. (AFP.al)