Nga Shkëlzen Çika – TemA, 21 janar 2018
Rreth asaj çka ngjau më 21 janar 2011 në Tiranë, opinionit publik vendas dhe atij ndërkombëtar iu servirën dy opsione diametralisht të kundërta.
Opsioni i opozitës ishte ai i demonstratës ndaj një qeverisje antidemokratike dhe të korruptuar deri në palcë, e cila në mënyrë kriminale e gjakosi rëndë atë me armët e Gardës jo të Republikës, por të klikës në pushtet. Nga ana e saj, mazhoranca këmbëngulte për një grusht të pastër shteti.
Për të përligjur këtë opsion, e tërë makina propagandistike berishiste u hodh në një sulm të shfrenuar sugjestiv, shpifarak, dizinformues dhe poshtërues jo vetëm ndaj opozitës, por edhe ndaj krerëve të institucione më të larta të shtetit.
Ajo pjesë e medias neveritëse e tredhur politikisht i paraqiste si të mirëqena broçkullat e “doktorit pacient” për “çadra pistoletë”, “stilolapsa pistoletë”, “thika me helm” etj, pa administruar asnjë provë rreth tyre. Nga ana tjetër, doktor ”gjilpëra” u rrek t’i mbush mendjen miletit se “grushti i shtetit” më 21 janar ishte deduksion jo thjesht nga mendja e tij, por pasi kishte leçitur mbi 15 fjalorë enciklopedikë ndërkombëtar.
Nisur nga kjo logjikë, shtrojmë pyetjen e thjeshtë: Po fjalori i Gjuhës Shqipe a e trajton termin”grusht shteti”?!
Si për ironi të fatit berishjan, në faqet e këtij fjalori, hartuar nga gjuhëtarët më të shquar, gjejmë këtë përcaktim:”Grusht shteti(Puç) është ndërrimi i menjëhershëm me dhunë i qeverisë, a i formës së qeverisjes, që përgatitet fshehurazi dhe bëhet nga një grup i vogël njerëzish, pa u mbështetur në masat e popullit”.
Cilin nga këto elemente pati ngjarja tragjike e 21 janarit? Asnjë!! 21 janari qe një grusht në turinjtë e pushtetit ekzekutiv, por jo grusht kundër shtetit, pasi nuk u cënua as pushteti legjislativ, as ai i drejtësisë dhe as ai i medias publike.
Në fakt, ishte mendja paranojake e Berishës, që krahas kriminalizimit të opozitës, jargavitej të bënte lidhje të shkurtëra mes kësaj dhe Presidentit të Republikës, Prokurores së Përgjithshme, kreut të SHISH-it si dhe medias të pavarur. Po nga kush buronin këto akuza idioteske?
Memorja kolektive e ka shumë të qartë se karakteri i Berishës nuk u deformua më 21 janar 2011, por qysh atëherë kur ai shpalosi ambicjet e veta për t’u konvertuar nga një komunist ekstremist, në antikomunist të thekur.
Le të kujtojmë disa nga “xhevairet” e këtij sharlatani politik. Qysh sa u krijua PD, partia e parë opozitare, ky “trim i tërbuar”i drejtohet tubuesve që të “brohorisnin për Presidentin Alia, sepse siç drejtoi formacionet partizane në Jugosllavi, ashtu po drejton edhe proceset demokratike”.
Fishkëllimat atëhere nuk i bënin përshtypje. Reagoi pabesisht, kur pas një viti, u ul vet në karriken e kreut të shtetit dhe paraardhësin e tij jo vetëm e futi në burg, por i qethi edhe kokën zero.
Në fushatën elektorale të zgjedhjeve të pushtetit vendor në qershor 1992, kur një grup deputetësh opozitarë u masakruan nga bandat fashiste në Libofshë, doktori, si frymëzues i tyre, do të deklaronte se përgjakja e opozitarëve “ishte një nga lulet më të bukura të demokracisë”.
Ky përgjërues fallco i të përndjekurve politikë, nuk pati pikë turpi kur i nxorri me dhunë policore përfaqësuesit e tyre nga greva e urisë, të cilët kërkonin integrimin e plotë në shoqërinë demokratike.
Gjatë presidencës së tij, kur OKB-ja kishte shpallur embargo ndërkombëtare ndaj Serbisë, ky pseudoshtetar antikombëtar furnizoi me naftë makinën militare shoviniste serbomadhe.
Në zgjedhjet e 26 majit 1996 jo vetëm që nuk u ngop duke vjedhur votat e opozitës, por mbas dy ditësh e e gërdisi atë me hu në mes të sheshit “Skënderbej” dhe pa pikë turpi deklaronte se “zgjedhjet qenë të lira dhe të ndershme”.
Në vitin 1997 ju drejtua shqiptarëve se “paret e tyre ishin më të pastra në botë” dhe kur ato avulluan nga firmat piramidale, që i kishte bekuar vet, në vend që të shpallte dorëheqjen e qeverisë, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme duke tentuar që t’i shtyp protestat popullore me dhunë dhe të shkrumbojë median opozitare, ku nuk kurseu as tanket, avionët, flakëhedhësit dhe mercenarët bashibozukë.
Kjo situatë kaotike, që përfshiu gjithë vendin, ku qeni nuk njifte të zotin, i detyroi kancelaritë perëndimore për ta etiketuar me të drejtë pushtetin e tij”qeveri gangsterësh”, si rezultat i së cilës humbën jetën me mijra vet nga viti në vit.
Kur në oborrin e selisë të PD u organizua vrasja e liderit të lëvizjes studentore nga një grup tropojanësh, kryegangësteri deklaronte me tërsëllimë se “demokratët janë në gjak me Fatos Nanon”, duke u shëndruar realisht në nxitës dhe organizator i kryengritjes së së armatosur të 14 shtatorit të turpshëm.
Pafytyrësia e këtij sharlatani politik nuk ka të sosur. Kur ishte gjallë Azem Hajdari, nëpërmjet SHIK-ut të të Gazidedes, gjeneralit të padekretuar, i kishte çelur dosje përpunimi duke e koduar”BUFI”, ditën e varrimit e rivrau kurse me “gjaksorin Fatos Nano” kaloi më pas në muaj mjalti.
Gjatë periudhës së tranzicionit demokratik, ky lider pervers, në vend që të shfaqej si burrë i malësisë, u afishua si dhëndër i Serbisë.
Koha jote Sali Berisha ka perënduar. Qeveritari i ashpër,- thoshte Shileri,- nuk qeveris gjatë. Prandaj për ty nuk ka kuptim thirrja ik nga poltika, por shporru prej saj. Hapi rrugën popullit. Ai të urren si diktatorin e fundit të Europës post komuniste.
Vetingu po troket. Ai duhet të ketë parasysh filozofinë se shkallët e pallatit nuk fshihen nga poshtë-lartë, por nga lartë-poshtë. Prandaj fshesa e drejtësisë nuk mund të jetë rezultative nëse i shmanget Sali Berishës dhe kujtdo që i ka prurë dëme popullit dhe shtetit shqiptar.