DERVISH AVDYL HASANI I GRISE DHE ENERGJIA E MENDIMIT QE E KTHEJ ATE NË MIT

0
693

Nga Shejh Hasan Selimi

Po të ngjitësh dhe të kthehesh nga cilido pikë horizonti në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) ka pikë takime me mite, që rrjedhin nga histori të vërteta. Më duhet të sqaroj, ose të komentoj diçka për termin ose fjalën (mit). Unë dhe shumë njerëz të tjerë e përmendim termin mit në kuptimin që kanë përdor studiues të ndryshëm të religjioneve. Unë termin mit nuk e kam si histori false. Mitin unë e kam të vërtetën si çdo fakt. Faktet vijnë, shkojnë sipas rrethanave të kohës dhe të momentit. Ato përsëriten gati në ngjashmëri, por kurrë në përputhshmëri. Faktet fshihen në interes të dikujt që gjithmonë i kanë thënë i fortë. E i forti bën edhe historinë. E nëse historia bëhet më ndryshim të fakteve do të thotë njëanshmëri, subjektivizëm ose fallsifikim. Kjo mos ndodhtë. Njerëzit në përgjithësi dhe shkenctarët në veçanti nuk e kapin natyrën themelore të mitit, nuk kanë bërë përpjekje të kuptojnë mësimet e tij. Nuk mund të nxjerrësh, të gjykosh të vërtetën e mitit nga faktet dhe ndodhitë historike.

Kurrë s`duhet të komplikojmë mendësin tonë iluzive për merakosjen e Zotit, se çka ndodhi e çka mund të ndodhë në kënaqësinë e një studiuesi materialist. Studiuesit, Mitin në kuptimin religjoz e barazojnë me një tregim historik. Kurrë kjo nuk i jep kuptimin mitit. Kuptimi i mitit në kuptimin religjoz pranohet dhe kuptohet me bëmet e tij mistike. Pra kemi mite historike, kemi mite false dhe kemi mite regjionale, që i përgjigjen religjonit tij dhe besimit në zot. Kategori të ndërvarura dhe me ndasi të pakuptueshme. Sipas mendimit tim miti religjoz ka marrëveshjen me shfaqjen hyjnore. Kjo nuk mund të jetë vetëm tregim, as histori. Kjo ka karakter mistik dhe energjie mendimi.

Ne kemi fakte që bashkohen në ndodhitë e hershme dhe të tashit. Këto fakte shpeshherë janë ndryshuar me keqbesim, ose me dashje. Por arkivi i mendores popull thotë të kundertën. Gjendja dhe qënia radhiten gati si forma me përmbajtjen. Aty njeriu gjënë një të vërtetë edhe për vete edhe për cilindo. Njerëzit qellimin e mirë nuk duhet ta kritikojnë, por me dashurinë prindërore duhet ta riparojnë atë. Në këtë mendore popull përmbledhtazi po përcjell energjinë mendore të një prej liderve të tarikatit në Malësi.

Tyrbja e Dervish Avdyl Hasan Lushajt në Gri të Tropojës

Ne supuzojmë objektivitetin e historianëve, por kemi edhe historian subjektiv. Ata nuk i shpjegojnë, apo nuk i thonë gjërat, faktet, ndodhitë, ngjarjet ekzaktësisht. Kur nuk ka fakte shkresore, apo siç thuhet në gjuhën juridike prova shkresore të nxjerra nga arkivat, duhet dhe jemi të detyruar ti referohemi arkivit mendores popull. Ndodh edhe tek ne, që në një bisedë që e flet me një mik, apo dashamir pas një ore nuk e prodhon, ashtu siç e ke thënë. E kështu ngjan me përcjelljen gojore të fakteve. Ata amator, apo tregimtar odash i thonë gjërat, ngjarjet siç i mendojnë vet. Nuk thellohen se po i bëjnë dëm njërit, apo tjetrit fakt të etapës historike. Bile ka edhe nga ata që për egon e vet personale i ndyshon faktet dhe ngjarjet marrin një kuptim tjetër. Librat biblik, profecia kanë një qëllim të shpëtojnë dhe të sigurojnë shpëtimin e njeriut.

Shpeshherë njerëzit kanë kënaqësin e ekzistencës tyre, por e vërteta varet nga aftësitë për të përmbushur këtë qëllim. Kurioziteti njerëzor për origjinën njerëzore, apo për një fakt historik për bindjen, për besimin në harmoni me natyrën, ose me pozitën gjeografike ku jetojnë përcjellë debate mes studiuesve dhe historianve me emër. Ky debat, kjo mendësi, dëshirë, përkushtim sjell gjithmonë keqkuptime deri aty sa mendohet me subjektivizëm për bashkëdebatuesin. Sidoqoftë këto debate kanë kuptim vetëm brenda botëve të krijuera nga shkenca dhe historiografia. Këtu flitet për mistikën, flitet për ndodhitë e mbetura në mendoren popull e pranuar me koshiencë të mirësisë.


Loading…


Unë mendoj për temën që sot po debatoj të shenoj mendjen time këtu, në këtë rresht, në këtë fletë. Nuk ka pretendime privilegjuese për të qënë universal. Objektiviteti, vërtetësia e siguruar nga gojëdhëna nuk kanë të bëjnë më sigurinë njerëzore, apo të një njeriu në veçanti. Privilegji i njerëzve për mitin në historinë tonë, si privilegj adekuat e kuptojnë e pranojnë vetëm objektivitetin. E nëse një tepri, apo mangësi në mitizimin e tyre sjell faljen, pasi Zoti di të fal. E miti njeri, detyrimisht fal. E kjo ndodh në favor të çeshtjes së besimit.

Në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) e thamë më lart ka shumë mite, ka shumë simbole, ka shumë ngjarje, ka shumë vuajtje, bile edhe gëzime që kanë pjell gëzime. Ka dyer të mëdha dhe çdo kullë, apo banesë ka derë dhe ka oxhak, çdo djalë, vajzë, burrë a grue ka historinë e vet. E këtë histori ia ka dedikuar derës nga vjen e ku shkon, ia ka dedikuar Malësisë, ia ka dedikuar mbarësisë Zotit.

Derisa pranojmë që Zoti krijoj qiell e tokë, lëshoi poshtë nga qielli ujin që linden të mirat materiale, Zoti lëshoi anijen që të përshkojmë detet, Zoti nënshtroi hanën, diellin, natën, ditën për në sherbimin e njeriut, Ai dha gjithçka që i kërkuem. Njeriun e pajisi me shembylltyrën e vet dhe i tha je tokësori e toka është në shërbimin tënd. Deri këtu ne pranojmë gjithçka. Çka na mbetet që të mos pranojmë. Unë mëndoj se nuk ka ndonjë gjë që nuk pranohet. Ai, Zoti ka krijuer njerëz të veçantë që shpesh unë i kam përcaktuar mbi-njeri. Dhe e vërteta kështu ka qënë. Këta njerëz me veti të ndryshme, me njerëzit e tjerë, tani janë mitë. Nuk janë mite në kuptimin historik, tregim imagjinar, apo fals. Janë mite dhe, bile legjëndë në kuptimin religjoz, atë fetar dhe biblik. Këta kanë lejuar dhe dhënë një seri faktesh që mbetën të tillë në mendjen e njerëzve, jo të atyre në nevojë, por edhe të atyre në vëzhgim të përditshëm.

Në vitin 1860 në fshatin Gri lindi një djalë. Në atë kohë lindja e një djali shoqërohej me krisma, me gostina dhe me urime. Kjo bëhej nga burra edhe nga gra. Të dy këto gjini zakoni u jepte të drejtën për urime të një qëllimi, por në forma të ndryshme. Lindi djali i Hasan Lushës. Tani kjo derë ka mbiemrin Lushaj. Ky djalë lindi me martesën e Hasan Lushës dhe Fazë Fetahes. Nana e re tani së pari po thërritet nanë e cila erdhi për martesë nga Lagjia Ahmataj i Epër i Gashit të Gurit. Faza, e bija e Fetah Hysës, i cili me martesë lindi vetëm dy vajza. Njëren e martoi në Gri dhe tjetrën në fshatin Tpla, fshatra të Malësisë Gjakovës e pikërisht në Krasniqe. Zakoni e thotë që emri i një djali duhet debatuar dhe cilësisht duhet të jetë i lehtë në përdorim. Burrat e Grisë e të tërë Krasniqes u mblodhen për të uruar, por edhe për të thirrë emrin, tash të Avdyl Hasanit. Me ngjitjen e emrit u kënduan këngë, u luajten lojrat tradicionale, u shti me pushkë dhe u bën urime për jetë e trashëgimni të mirë.

Jeta në kohë po ecën dhe gjendja e djalit të Hasan Lushajt po bëhet më prezente se sa pritej. Avdyli merrte pjesë në të gjitha ngjarjet e katundit Gri e më gjërë, merrte pjesë në tërë punët që kishte shtëpia, por edhe fshati. Ngrihej herët dhe flinte vonë për t’i përmbush detyrat që i donte shtëpia. Djalë i gojës dhe mjaft aktiv në oratori.

Në shumë biseda dhe tregime që i përkasin historisë reale dhe janë kthyer në mite edhe regjionale flitet për luftëra, besë dhe varre. Në fshatin Gri gjindet një vendvarrim që quhen varret e turqëve. Tani ka shumë kohë që thirren varret tek Blini i Grisë. Tregohet për një luftë të ashpër dhe ka patur shumë të vrarë. Lufta është bërë jo e barabartë. Në mes fshatit Gri dhe ushtrisë së rregullt turke. Megjithë kushtet e pabarabarta burrat të ndihmuar edhe nga gra e vajza fituan dhe në beteja mbeten të vrarë shumë ushtarë turq. Nga ata pati edhe të plagosur. Kufomat i varrosen me nderime dhe me kushtet e religjionit, ku ata ushtarë besonin. Të plagosurit i morën në shtëpitë e tyre iu dhanë ndihmën e nevojshme. Kjo përkujdesje nuk bëhet as sot. Por tek ne ishte detyrim i kodit moral dhe zakonor, i cili ka përcaktuar nderimin e kufomës dhe ndihmën e të plagosurit.

Flitet që ky konflikt erdhi, sepse popullata e këtij fshati nuk pranoi të ndryshoj fenë. Të plagosurit turq iu besuan këtyre malësorve dhe iu treguan se në rrugën Gri-Geghysen ka një prift të vrarë. Prifti donte të vinte në ndihmë për të pushuar konfliktin, që të ruante bashkëbesimtarët e tij nga ky luftim. Forcat turke e kanë zënë. Kanë marrë të dhënat që ky është prift, e kanë ekzekutuar. Populli i Grisë e varrosi mbi rrugë në Shkallën e Grisë. Legjënda flet gjatë. Prifti nuk lëvizi nga vendi. Popullata u përpoq që ta çvendosin kufomën për në fshat, për tek Kisha, për tek një vend i dukshëm. Vetëm atëherë, kur drejtimi dhe vendimi është marrë që të varroset mbi rrugë aty në vendngjarje fshatarët kanë mundur ta lëvizin kufomën. Deri atëherë nuk lëvizej nga pesha. Kjo ngjarje është e përmendur edhe në fshatin Berishën e Visoçës me një Shejh. Aty sot Shejh ka një tyrbe.

I plagosuri ushtarak turk vdiq. Në fjalën e fundit tha: Ka me ardhë një njeri që ka për tu bërë mit, jo vetëm për fshatin tuaj, por për gjitha këto anë. Kujt i shkonte ndërmend që natën, kur debatohej për emrin e djalit të Hasan Lushës, pikërisht ky djalë është fjala mbi tel e poetit Zeqir Lushaj. Eshtë fjala mbi besim e një të kuruari nga vet autorët. Ja çfarë zakonesh, ja çfarë parashikimesh, ja çfarë besimi kanë dhe çfarë përgjigjie iu jep Zoti besimtarve të çdo religjioni, kur besojnë në një Zot. Kujt i shkonte në mend që Frati i Rajës, pas dy apo tre shekujsh vjen dhe qendron deri në mëngjes tek varri i priftit tash pa emër. Sipas legjëndës bisedon me të dhe historia mësohet e njihet nga shumë malësor të feve të ndryshme. Në mëngjes herët thërret Bajraktarin e Krasniqes e shpeshherë i gjithë Malësisë Gjakovës, Sali Manin. Këtij të fundit i kërkon leje ta çvarrosin priftin në shkallë të Grisë. Atë ta çoj me nderime në oborrin e kishës. Çka mundet të shpjegoj dikush nga kjo mistik e gjallë e krejt e vërtetuar nga koha. Kjo bisedë e bërë disaherë në odat e burrave. Mbajtur e përcjell nga brezi në brez. Ja kjo ndërthurje e mistikës religjionare, e kategorive të besimeve. Në këtë vend Zanash, Shojzavallesh, Dragojsh dhe Kulçedrash. E më shumë se kërrkund Zoti lindë mite.

Këtu zë vend mësëmiri qellimi i besimit, kur një besimtar që në fillesat e tij, mendjen e ka tek Zoti. Ai naivisht thëret, kush është Zoti. Të gjitha autoritetet fetare janë në një mendje që pa shpalljen hyjnore nuk kuptohet Zoti. Pra duhet që vet Zoti duhet t`iu thonë njerëzve se kush është. Kjo duhet të njihet nëpërmes të folurit. Njerëzit si shembëlltyrë e tij i prekim, por prekja e Zotit është jashtë mundësive tona. Ai vet iu tregon njerëzve se ku dhe kush është. Ai flet nëpërmes profetëve dhe nëpërmes njerëzve që iu shfaqet hyjnia. E pastaj ne i shenojmë në libra dhe tregime. Ata kthehen në mite, kur ato janë të sakta. Kështu ndodhi edhe në Gri me Dervishin, tani Mit.

Ja, pra në një moment krejt deçiziv për jetën dhe fshatin në një natë të herëshme Avdyl Hasani vonohet për tu kthyer në shtëpi. Të gjithë familjarët merakosen, bile edhe dalin të shikojnë. Nuk ishte djalë që linte në merak prindërit. Ai punonte dhe defrimin e kishte kursim. Marrëdhëniet me të gjithë i kishte të shkëlqyera. Kështu thanë njerëzit e shtëpisë dhe u qetësuan që t’i lënë kohës shpjegimin e vonesës atë natë nga djali i tyre.

Erdhi Avdyl Hasani i lodhur, pak i zbehtë, i heshtur dhe mjaft serioz. E pyetën. Pse kaq vonë, pse kaq i lodhur, pse kaq i heshtur? Të gjitha pyetjet qënë të menjëhershme sa nuk mjaftoi koha të përgjigjej. Në oxhak, në dritare u shfaq një dritë e ëmbël dhe mjaft diell. Aq shumë u shndërit shtëpia atë natë sa dukej që është ditë vere dhe shtëpia s`ka mbulesë, pra s’ka çati. Dukej si në natyrë të hapët në ditë vere me diell e pa re në qiell. Ja, tha Avdyli erdhi drita e litrikut. Pas kësaj fillojë të shpjegojë. Nana Fazë i bani thirrje të mos tregoj. Po të shitojnë zanat more bir. Meraku i nanës. Jo nanë nuk ka asnjë problem. Unë kam leje të tregoj gjithçka kam parë dhe përjetuar në këto pak orë nate rrugës për në shtëpi.

Po udhëtoja me nxitim për në shtëpi. Doja që të jem këtu që ju të mos jeni në merak. Përpara më doli një dritë. Eci para meje dhe bisedoi si njeri. Tani ti nuk je më Avdyl, por je Dervish Avdyli. Kështu më tha. Forcën për mirësi e ke këtu. Kudo që të shkosh forca jote është Gria, është familja. Në ndarje, ajo dritë është shndërrue në një krijesë shumë gjigande me pamje njerëzore. Shumë leshtor dhe me bukuri të rrallë. Ja po të jem piktor do ta bëja këtu dhe ju do ta dashuronit. Do ta dashuronit, siç me dashuroni mua krijesën tuaj, djalin tuaj. Kështu tha dhe kërkoj të shtrohet darka. Deri atëherë nuk kishte askush në shtëpi dijeni që Avdyli dinte të këndontë lutje në gjuhë të huaj, apo shqip. Bani lutjen e bukës dhe filloi darka.

Jeta rrodhi si gjithkund. Dervish Avdylit nuk i thërriste askush, dervish. Atij i thërrisnin Avdyl dhe kaq. Rrugëtoi për në Turqi. Në gjithë Malësi rruga për në Turqi nuk thuhej Turqi, por po shkoj në Stamboll, kam qenë në Stamboll e tjera. Atje qendroi gjatë. Në kthim erdhi dervish Kadri. Rrallë ose fare është shfaq me uniformën e dervishit. Ai thoshte se uniforma nuk të jepë forcën mbinjerëzore. Forcën për të bërë mirë e gjenë tek vetja dhe tek ëngjëjt që të kanë konfirmuar. Për të bërë keq ka forcë kohore, por në të ardhmen të gjitha përplasen mbi ty.

Dervishit nuk ia njohim Shejh. Tani nuk ka njerëz, as klerik që konfirmon Teqen dhe Shejh e tij. Por në Stamboll ka Kadri dhe është edhe Teqja mamë e tarikatit Kadri. Me siguri edhe në natën e vonë iu paraqit Myrshydi që nga Stambolli. Rrugëtimin e ka sajuar mistika e tij, energjia mendore e Shejhit, e cila është përplas në energjinë bij të Dervishit, që ka sjellë rrugëtimin për në Stamboll. Thirrjen e dashurisë mbinjerëzore, që shpjegohet vetëm me të panjohurën si ekuacion në dyzet burrat e mendjes mistike.

Gjendja mistike e Dervish Avdylit erdhi në përfeksionim. Ai punonte dhe gëzonte si të gjithë fshatarët e tij. Të gjithë i kërkonin mendim për ngjarje e ndodhi, parashikimin e të ardhmes. Unë nuk jam perëndia, thoshte Dervishi. Vetëm ajo di gjithçka ndodh e do të ndodh. Por shumë shpejt këtu nga shtëpia jonë do flasim me telefon në tela çeliku. E shikoni këtë vend. Do të jenë shtylla me katër, gjashtë e tetë tela për të fol deri në Europë.

Nuk qe rastësi, por parashikimi i tij që u vendos linja telefonike nga Tropoja e vjetër, Peja, Dukagjini e në Shkodër. Pastaj poeti dhe fis trashëgimtar i Dervishit thërret “Fjala mbi tel”. Nuk ishte rastësi që Shejh Adem Nuria i Gjakovës erdhi dhe qëndroi dy muaj të gjëjë një truell për të ndertuar veprën e kultit Teqe. Dy muaj fshat në fshat e derë për derë dhe u vendos në Gri, Vend i quajtuar Molla e Kuqe. Këtë ngjarje e ka parashikuar dervishi gjashtëdhjetë vite më parë. Ja, aty do të keni një Teqe. Do jetë Teqe Rrefai. Do iu sherbej dhe ju do të keni mirësi nga ajo.

Dervishi kishte simbol fjalën. Nuk mund të flas pa hanxhin tha një ditë. Kur të flasin një dervish do të jetë fjalë e mbajtur dhe e dalur. Kjo duhet të bëhet vepër. Kështu mu shfaq Hyjnia dhe kështu duhet të vazhdoj. Këtë duhet ta ketë çdo dervish. Dervishi ynë tashti nuk ishte pa dituri shkencore. Në traditën e Teqeve dhe të Shejh nuk mund të bënte dervish pa një shkollim mbi Kuran si fjalë e Zotit. Kështu Shejh e mbante në Teqe disa vjet, pastaj e konfirmonte diturinë e tij në gradë mistike. E Dervish Avdyli qendroi shumë vite në Stamboll, pastaj erdhi Dervish. Lexonte Kuran dhe libra të tjera në gjuhen e Kuranit. Fliste dhe mendonte njëherësh. Përgjigjej në çfardo kërkese dhe pyetje nga të tretët. Edhe sot ka fjalë dhe bame që thuhen në Malësi, e ka thënë Dervish Avdyl Hasani. Tyrbja e tij është në fshatin Gri, aty ku rruga dhe fjala qarkullojnë lirshëm. Rrugë që lidh me fjalë krahina dhe religjione. Tyrbja u ri-ndertue dhe sherbehet nga pasardhësit e tij, djemtë dhe nipat e Sadik Selmanit, nipit të dervish Avdylit.

Filozofia dhe mistika janë një binom që vërtetojnë ngjarje dhe i parashikojnë ato në kushtet e njerëzores. Historia mitike ka ardhur si religjon edhe si tregim, por kurrë fars. Ne kemi dëgjuar dhe po dëgjojmë çdo ditë se njerëzit po shkojnë në planetet e tjera. Ndoshta dikush thotë se këto janë teori konspirative. Mendoj dhe e definoj se energjia më e madhe në jetën tonë deri tash është energjia e mendimit. Mendimi si një kategori e mitikes dhe e shfaqur nëpërmes shqisave realizon shperthime, bile edhe përplasje. Këto përplasje sjellin edhe lindje të reja edhe zhdukje. E në konceptin tonë që sapo e shpreha kemi të bëjmë më një Dervish, me energji të pashtershme dhe mjaft të menduara. Kacavjerrë energjinë e tij në sigurinë njerëzore i bën thirrje vllait të mos shkoj në punë për të mbajt bazë ushqimore për blegtorinë. Ngushtësia e fshatarit nuk dëgjon mendimin me energjitë e tij tej mundimshme, ai pëson dramën e flakës mbi kalë e në sanën që mbart ai. Parashikon që do të lind një djalë dhe do të jetë epiqendra e kuvendeve në Malësi. Do të këtë një bujari të pashoqe. E ky ishte Sadik Selmani, bile edhe emri duhet t’i ngjitej, siç doli nga mendimi në përplasjen e energjive mendimtare.

Vemendja njerëzore ka neglizhencat e veta. Ajo pra, neglizhenca bashkë me njeriun bëjnë subjektivizmin që për ne shumëherë është i damshëm. Them shumëherë, sepse ka raste që neglizhenca sjell edhe paqtim. Njeriu në tokë ka rolin e vet të përcaktuar nga Hyjt. E në këtë rol duhet të përcaktohet secili me energjinë mendore përtej neglizhencës që të jetë sa ma objektiv në vlerësimin e hyjnive. Të jetë i vëmendshëm në kuptimin Zot që të mbaj në vemendjen e tij mirësit. Dervish Avdyl Hasani me vëmendje, me mosneglizhencë, me energji mendimi vepruese u bë mit.

Shkoder, Janar 2018.

Dërgoi për publikim, Ramiz Lushaj