Zymer Mehani “Diellza dillon”, Prishtinw, 2018
Milazim F. KADRIU
Diellza diellon-
N’ vargun tim jeton
Flutur që flut’ron
Si lule pranveron
Kështu e nisë librin e tij “Diellza diellon” (poezi për fëmijë), autori Zymer Mehani, kushtuar vogëlushes me emrin Diellza. Poezitë në këtë përmbledhje autori nuk i emërton me tituj por vetëm me numra dhe atë 67 poezi. Kjo ndarje është mjaft e mirë pasi që ato janë poezi të sajuara për Diellzën dhe gjithë atë që asaj i pëlqen ia prezanton autori në këto vargje.
Këto vargje ndonëse janë për Diellzën ato me ëndje do të lexohen edhe nga fëmijët tjerë sepse çdo fëmijë e gjen veten në këto vargje të bukura që janë plotë gaz, hare, plot me aromë të luleve më të bukura ashtu si janë edhe vetë fëmijët. Ashtu siç është e veçantë bota e fëmijëve, është e veçantë edhe letërsia për fëmijë si zhanër letrar. Për të shkruar për fëmijë, duhet njohur mirë botën e tyre dhe shpirtin e tyre të çiltër…
Bota poetike e poetit Zumer Mehani është e pasur. Ai futet thellë në shpirtin e fëmijës dhe me imagjinatën e vet të pasur krijon atmosferë karakteristike që shpejt e bën për vete lexuesin. Gjithçka që i pëlqen dhe i shkon mendjes dhe zemrës së fëmijëve autori e thotë në vargjet e tija që janë përmbledhur në këtë libër duke ia atribuuar Diellzës.
Ti, moj Zemra e vogël
E bardhë si bardhësia
Je vetë agu i ditës
Je vetë lumturia
Mehani me pak vargje arrin të krijojë atmosferë dhe të thotë shumë, të zgjojë mendime e emocione dhe ta nxisë dashurin e artit letrar tek fëmijët. Diellzës bukuroshe autori i jep shumë epitete, bukurinë e sajë e krahason me flutur, lule, engjëll ….
Ajo është lule
Ajo është flutur
Ajo është engjëll
Besa shumë e bukur
Të gjithë fëmijët janë si lulet, janë zbukurim i jetës së njeriut dhe shoqërisë, janë zbukurim i familjes dhe shkollës, zbukurim i përditshmërisë…. Në këtë libër vargje të bukura janë ato që bëjnë fjalë për lulet, fluturat, diellin, ylberin, bimët, natyrën në përgjithësi. Por autori Diellzën na e përshkruan si shumë të kujdesshme edhe për nënën, mësuesen, shkollën, librin …
E do shumë mësuesen
Çdokush atë e donë
Merret veç me librat
Kohën kot s’e çon!
Vargjet e kësaj përmbledhje të shkruara posaçërisht për Diellzën e vogël janë plotë imagjinatë. Ato janë shkruar me një mjeshtëri të rrallë me ritëm e muzikalitet të cilat pa dyshim se shumë do të pëlqehen edhe nga moshatarët e Diellzës sepse edhe të tjerët e gjejnë veten në ato vjersha, ngase autori në disa vargje përmend edhe shokët e shoqet e Diellzës që janë po aq të bukur sa ajo, ngase të gjithë fëmijët janë po si lulet e natyrës
Shok e ka Agronin
E shoqe Iliren
Është si engjëllushe
Por dhe faqekuqeGencin e ka shok
Shoqe e ka Besën
Ka dhe shoqe tjera:
Mrikën, Bardhen, Shpresën
Tema e motivi i vargjeve janë shumë të qëlluara. Ato kanë të bëjnë me jetën dhe preokupimet e fëmijëve.
Vargjet janë edukative dhe mësimore. Ato janë të shkurta dhe rrallë ndonjë poezi ka më tepër se 20 vargje. Autori përpiqet ta përmbledh mendimin në pak vargje. Ai pretendon që me ato vargje të thotë shumë dhe të shprehet bukur. Ai komunikon bukur me lexuesit e vegjël përmes fjalëve dhe shprehjeve të bukura, pa e rënduar lexuesin.
Vargjet e këtij libri kushtuar Diellzës janë vargje kuptimplote. Ato kanë mendim, rimë dhe ritëm. Autori të gjitha këto vargje i sheh me syrin e fëmijës duke hyrë thellë në shpirtin e fëmijëve, ngase ai e njeh mirë natyrën dhe shpirtin e fëmijëve.
Shkronja e parë
E tëndit emër
Dashuri
Në Timen Zemër
Kur i lexon këto vargje të kthen në një kohë kur e sheh veten në vallen gazmore të të vegjëlve, të kthen në atë gëzimin asaj kohe që nuk mund të krahasohet as me një kohë tjetër.
Më je vesë mëngjesi
Gonxhe trëndafili
Më je freski mali
Më je zë bilbili
Vargjet e thurura me mjeshtëri në këtë libër lexohen me ëndje. Andaj lexues të vegjël, lexoni dhe shijoni këto vargje të shkruara nga autori Mehani. Ai i ka shkruar për Diellzën e vogël që e donë aq shumë por përmes sajë ju donë edhe juve sepse këto vargje nuk i shkruan vetëm për Diellzën por për shumë moshatar të sajë.