…Një atdhetar ndryshe…

0
1712

Muzeu i Malësise dhe Shtjefën Ivezaj

Kushtue atdhetarit, nga trevat shqiptare të Malit të Zi, Shtjefen Ivezaj

Nga Pjetër Logoreci

Shtjefen Ivezaj

Mbas udhëtimit prej nji ore nga Shkodra, në territorin e Malit të Zi, u ndala para nji porte të vjeter, mbas të cilës hapej nji oborr i madh, ku përmjedis, zgjatej shtegu qi të drejtonte tek nji banesë e thjeshtë katundi, me pak kambë shkallë, e që rrethohej nga do fusha të gjana ku tek tuk shihej ndoj shtëpi a vilë tjetër. Porsi pemët qi rriten përpjetë tuj kërkue diellin, njashtu në mes të oborrit, nji mbajtës disa metra i naltë, qi ja kalonte edhe kulmit të shtëpisë, mbante flamurin kuq e zi që naltohej sikur kërkonte frymëmarrje, tuj u tundë pa pra edhe pse ishte ditë gushti. Mu lidhën fjalët e ashtu i heshtun, ndava mendjen të shijoj pamjen që mu hap përpara…

Oda e gatimit e objektet muzeale

Pasi përshkova ngadalë oborrin, trokita në derën e shtëpisë, mbas së cilës lehja e mprehtë e një qenit sikur i zgjoj banorët. Mbas pak çastesh dera u hap, e ftyra e nji grueje të moshueme malsore, me krye të mbluem, mu shfaq përpara. Ishte Gjystja, e zoja e shtëpisë, grueja sokoleshë që mbante mbi durimin e saj të gjithë mundin e të hjekunit të asaj çka vizitorin aty e mahnitë.

Oda e ndejes e objektet karakteristike te malsisë

Mbasi na vendoj në një nga dhomat muze, grueja, mori ndër duer nji telefon të viteve 60 dhe thirri të shoqin, Shtjefnin, i cili nuk ndodhej aty. Si aparati i telefonit ashtu tavolina mbajtëse e blloku ku mbaheshin numrat, ishin objekte të vjetra, pjesë e muzeut. Shumë kisha ndigjue e lexue për Muzeun Etnografik të Malsisë, kishte qëllue me pa edhe foto apo ndonji copë filmi dokumetar, nga ku mora shkak për me ba këtë vizitë krejt të veçantë.
Me të zotin e shtëpisë ose ideatorin dhe krijusesin e këtij Muzeut, Shtjefen Ivezaj, ishim miq virtual, njohë e komunikue disa herë nëpërmjet internetit. Qysh në kontaktin e parë, më befasoj interesi i Shtjefnit për fotografinë dhe objektet historike. Më vonë, i ftuem prej tij për me vizitue Muzeun, pata mundësi me pa nga afër objektet e koleksioneve të tij të vlefshme.

Armë të perdoruna në Malësi

Shtjefen Ivezaj, asht biri i një familje të njohun nga Malsia e Madhe. Ai ka lindur me 30 gusht 1937, në Pikalë / Tuz të Malit të Zi, në kryeqytetin e së cilit (Podgoricë), ka krye dhe arsimin e mesëm në gjuhën serbokroate. Ai asht babai i tre femijëve, dy djelm e një vajzë. Për të përballue jetesën, Shtjefni, punoj për disa vite në zanatin e tornitorit, por që në vitin 1954 arriti të realizojë deshirën e tij për tu ba fotograf profesionist, tuj punue gjatë karrierës së tij, në të gjitha zonat e ish Jugosllavisë nga ku flet gjuhët: shqip, serbisht, kroatisht, boshnjake e malazeze. Si rezultat i punës krijuese dhe talentit të tij, në vjetin 1966, Shtjefni krijoi laboratorin e parë profesional të fotografisë në Malsi – Tuz.

Veshje e objeke malësore


Loading…


Edhe pse pat shumë pasoja e probleme nga autoritetet malazeze, Shtjefni, për tu përshtatun në treg, por edhe për ti shërbye komunitetit shqiptar, stampoi disa fotografi kartolina, me temë nga historia kombëtare, të cilat shiteshin për turistë si dhe për të urue festat tradicionale shqiptare. Me kalimin e kohës, kartolinat e para me flamurin shqiptar (pa yll), me heroin kombëtar Gjergj Kastriotin Skanderbegun apo Dedë Gjon Lulin, do të baheshin të njohtuna në të gjitha trojet shqiptare e në diasporë.

Dhoma e gjumit kthye ne Muze

Krahas artit të fotografisë, atij, ju rrit dëshira për të koleksionue aparate fotografike, libra, fotografi, vegla muzikore e bujqësore, objekte kulturore, orendi shtëpijake, të gjitha këto nga trevat dhe kultura shqiptare, për ti shndërrue të gjitha ambientet e shtëpisë së tij, qysh nga 1 maji 2002, në një galeri qi sot asht Muzeu Etnografik i Malsisë.

Oda e miqve e objektet etnografike

Shtëpija e familjes së Shtjefen Ivezajt ose Muzeu Etnografik i Malsisë, gjindet në fshatin Lekaj të komunës së Tuzit në Malin e Zi. Në përbamje të Muzeut, në fillim ishin: Fototeka, Biblioteka me libra të rinj dhe të vjeter, si dhe Koleksioni i Filatelisë. Edhe pse me mundësi të pakta financiare, Shtjefni, ju përkushtue mbajtjes dhe dokumentimit të kulturës, të një ndër popujve më të vjeter në Ballkan, atij shqiptar. Koleksioni i parë, ai i pullave postare, e ka zanafillën në vitin 1947, ndërsa ai i etnografisë qysh nga viti 1966.

Aksesor i Xhubletes se Malsisë

Ndikim shumë negativ dhe humbje të mëdha në ekonomine e tij private, i shkaktoi Shtjefnit, kriza monetare e Dinarit, por edhe futja në përdorim e monedhës europjane, duke detyruar atdhetarin Ivezaj, qi për mbijetesë, të shesë pjesë nga trojet e familjes dhe aktivitetin e tij si fotograf në Tuz.

Ivezaj, me koleksionet e tija fotografike dhe etnografike, ka marrë pjesë në disa ekspozita në Mal të Zi e Kosovë. Po ashtu, nën kujdesin e dashamirëve, ndërhyrjen e disa sponsorëve apo të komunës, Muzeu ka festuar disa përvjetorë. Në maj 2006, 4 vjetorin e themelimit, të organizuar nga Prof. Xhoana Përkaj; në maj 2007, 5 vjetorin të organizuar nga këngëtari i njohur Lindon Camaj; po ashtu dhe 8 vjetorin të organizuem nga Sytki Ndrecaj n/Prefekti i Malsisë së Madhe, aktivitete të cilat u pasqyruen gjërësisht në mediat lokale e kombëtare.

Objekte te Muzeut

Për punën dhe përkushtimin e tij në ruajtjen e traditës dhe të vlerave shqiptare, Shtjefen Ivezaj asht nderue me shumë: Medalje, Mirënjohje, Diploma e Falenderime nga përsonalitete të ndryshme si dhe ka titullin Ambasador i Paqës. Janë të shumtë dhe të ndryshëm personat që interesohen dhe vizitojnë Muzeun e Etnografik të Malsisë: etnografë, studentë, gazetarë, arkeologë, shkrimtarë, studjues, nga trojet shqiptare por edhe shumë të huaj.

Objekte te Muzeut

Personalisht, vizita në Muzeun e Malsisë, më la përshtypje të pashlyeshme. Natyra e shumëllojshme e qindra objekteve, ku secili ka historinë e vet, më emocionoj shumë. Veçanërisht befasuese ishte vendosja e orendive jetësore që familja përdor çdo ditë, në mënyrë funksionale dhe pa “damtue” pamjen e ambientit rrethues. Magja ku Gjystja gatoi bukën e drekës, vatra, saçi dhe çerepi, enët prej dheut apo mjetet e të ngrënit, më kthyen shumë mbrapa në kohë. Po ashtu e admirueshme asht vendodhja e shtratit bashkëshortor në mes të koleksioneve me objekte të ndryshme mekanike. Por, në mes të qindra objekteve me vlerë, më mbeti në mendje aparati fotografik me të cilin Shtjefni kishte punue, të cilin, në pa mundësi ekonomike për ta blerë të ri, e kishte krijue vetë me pjesë të mbledhuna nga aparatura të vjetra.

Objekte te Muzeut

Flamuri kombëtar si dhe figurat e atdhetarëve më të randësishme të kombit si: Nënë Tereza, Gjergj Kastrioti Skanderbeg, Dedë Gjon Luli, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali, etj, paraqiten në të gjithë ambientet e shtëpisë Muze.

Objekte te Muzeut

Një herë një gazetar i TVsë shqiptare, i mrekulluem nga sa kishte parë, ishte shprehë: “…Ky asht Muzeu ma i çuditshëm në botë, se asht i vetmi Muze që nuk ka buxhetin e vet, nuk ka makinen e vet, nuk ka kamera sigurie, nuk ka administratë, nuk ka rojen e natës.”
Mbas vizitës së Muzeut, i ulur nën hije pranë çoshkut të shtëpisë, po admiroja pasionin dhe sakrificën e Shtjefnit për ta krijue këtë pasuni kombëtare. Sigurisht, sikur eksponatet “të flisnin” për historinë malazeze, Muzeu do të kishte pamje tjetër dhe familja Ivezaj nuk do të jetonte në varfëri, me një pension mujor 90 euro.

Koleksioni i aparateve fotografik

I kënaqun dhe krenar nga sa pashë, vlerësoj pakufi përpjekjet e atdhetarit Shtjefen Ivezaj: … përballë keqdashjes së shtetit e politikës malazeze, përballë keqdashjes së disa banorëve të krahinës, për shpenzimet e mëdha nga arka private e familjes, humbjen e hapsinave jetsore të shtëpisë dhe prishjen e qetësisë e rehatisë përsonale e familjare. Sot, në moshen 80 vjeçare, burri shtatvogël por energjik Shtjefen Ivezaj, shijon frutet e pasionit të tij, të një pune kolosale dhe i gëzohet pa masë vizitave e lavdrimeve të turistët që vijnë të shohin Muzeun.

Vjenë, me 14 janar 2018