Arif Ejupi,17 Janar 2018 – AlbInfo.ch
Edhe në të kaluarën albinfo.ch ka shkruar për formën e kënaqshme dhe lojën e bukur të futbollistit shqiptaro-zviceran Jetmir Krasniqi. Ky lojtar i ri e perspektiv më herët ka luajtur në skuadrat voduase FC”Lausanne-Sport”dhe FC“Le Mont”. Po ashtu ai ka qenë edhe pjesë e seleksionit të Zvicrës, në grupmoshat U-20 dhe 21.
Në fund të gushtit të vitit të kaluar Krasniqi pati kaluar në skuadrën tiçineze FC Chiasso, anëtare e të ashtuquajturës”Challenge League”të Zvicrës.
Me këtë ekip ai, luajti gjashtëmbëdhjetë ndeshje,duke treguar angazhim maksimal dhe lojë të shkëlqyer.
Një mbrojtës dinamik dhe i pathyeshëm si Krasniqi, është krejt e natyrshme që të lakmohet nga të gjitha skuadrat.
Mirëpo në këtë drejtim më vigjilent dhe të shkathët kësaj radhe u treguan aksionarët e FC Lugano.
Ata për mrekulli shfrytëzuan pushimet e këtij gjysmëstinori, duke rënë në kontakt me fqinjët e tyre.
Bisedimet ndërmjet udhëheqësve të këtyre dy skuadrave të këtij regjioni përfunduan me sukses.
Marrëveshja u realizua para tre ditëve. Në bazë të kësaj marrëveshje gjatë dy viteve të ardhshme Jetmir Krasniqi,me origjinë nga Drenoci i Klinës së Kosovës, do të jetë lojtar i FC”Laugano”anëtare e Super Ligës zvicerane të futbollit.
Me nënshkrimin e kësaj kontrate është tejet i kënaqur edhe vetë futbollisti Krasniqi.
Në një prononcim ekskluziv për Albinfo.ch,ai thotë se në mjedisin e ri ndihet sikur në shtëpinë e tij.
Po ashtu konsideron që është me fat dhe i privilegjuar që trajner ka Perluigi Tami, me të cilën u njoh në kohën kur ishte pjesë e ekipit të shpresave U-21 të Zvicrës.
FC” Lugano “gjysmësezonin e Kampionatit të sivjetmë e ka përfunduar në vendin e shtatë me gjithsej 22 pikë.
Krasniqi mendon që diferenca prej vetëm pesë pikësh nga FC”Sion”i radhitur në tabelë si i fundit, nuk garanton rehati.
Me kusht që të mos ngjajë ndonjë e papritur FC “Lugano”me kohë ka filluar edhe fazën e ushtrimeve përgatitore.
Një kontingjent prej njëzetepesë futbollistësh i kësaj skuadre tash sa ditë po ushtron në Romë të Italisë.
Në kuadër të këtyre ushtrimeve parashihet edhe zhvillimi i disa ndeshjeve miqësore, me çfarë do të testohet forma e secilit lojtar.
Krasniqi, i vetëdijshëm për rëndësinë e takimit të 4 shkurtit të muajit të ardhshëm FC “Basel 1893”-FC “Lugano”po punon intensivisht,në mënyrë që në stadiumin”Parc Saint-Jacques”të Baselit, ai dhe skuadra e tij të prezantohen sa më denjësisht.
Nga arritjet e këtij futbollisti të talentuar dhe tejet cilësor është mirë të përfitojnë edhe dy Federatat tona të futbollit, qoftë ajo e Shqipërisë apo e Kosovës.
Në të kundërtën Jetmir Krasniqi, si njëri nga mbrojtësit më të mirë në Zvicër, fare lehtë mund të jetë edhe në listën e përzgjedhësit zviceran Vladimir Petkoviq.