Isak Ahmeti: HYQMET HASKO, GRUAJA ME SHAMI JESHILE (roman)

1
1709
Hyqmet Hasko

Pak biografi

Hyqmet Hasko u lind më 1954 në fshatin Golem Lushnje. Shkollën fillore dhe tetëvjeçaren e mbaron në vendlindje, shkollën e mesme për mjekësi e mbaron në qytetin e Korçës. Të lartën në Univerditetin e Elbasanit për mësuesi. Me kërkesë të organeve të shtetit punoi si oficer policie në qytetin e Tiranës. Fillon të shkruajë poezi që në klasën e shtatë fillore. Poezitë e para i ka botuar te gazeta “Drita”, “Zëri i rinisë”, dhe “Nëntori”.

Ka botuar disa libra me poezi:
1. E përhershme Dashuria
2. S’ka faj zemra që të do
3. Shikoje shpirtin
4. Eja mu ul në zemër
5. Në krahët e erës

Në gjininë e prozës ka botuar librin me tregime dhe novela: Midis dy dashurive.

Romanet:
1. Vrasja misterioze në hotel”Delir”
2. Gruaja me shami jeshile(titulli i ballinës,ndërsa brenda kopertinës dhe në gjithë romanin figuron: Gruaja me shami të gjelbër)
3. Kujtimet e largëta

Ka në proces botimi dy libra me poezi, romanin: Midis dashurisë dhe vdekjes.
Ka botuar qindra attikuj(kritikë letrare), që do ishte mirë, dhe me interes, të botoheshin në një libër të veçantë.

GRUAJA ME SHAMI JESHILE, roman, Tiranë, 2016, fq. 240

Romani: Gruaja me shami jeshile, alias me shami të gjelbër, i shkrimtarit nga Tirana, Hyqmet Hasko, është shumë i veçantë si për nga përmbajtja poashtu edhe për nga gjuha dhe stili, gjithsesi origjinal, me një narracion ku përshkruhet lufta dhe qëndresa e policisë kundër krimit, kundër të keqes në shoqërinë shqiptare, kundër keqbërësve. Në roman ka plot ngjarje, plot gjendje lirike, psikologjike, psikoanalitike etj. që përshkruhen, siç e ka vënë re, shkrimtari dhe studiuesi, Pandeli Koçi (Pasthënie, fq. 237-240), me një gjuhë dhe stil të veçantë, të ngjeshur e dinamik.

Forma e shkrimit e H.Haskos, në këtë roman, ngërthen në vete një fuqi depërtuese të rrëfimit, ku pulson një potencë poetike e ndërtuar me mjeshtëri letrare-artistike, që ka për pikënisje heroin kryesor (është vetë autori), si bosht rreth të cilit e për të cilin rrëfehet që nga fillimi e deri në fund të romanit. Për nga shtresat kuptimore (temat, motivet dhe ngjarjet që shtjellohen), kreacioni, perceptimi i botës, i ngjarjeve që motivojnë, autori na jep një tekst letrar që të joshë,që të mban pezull, duke inkorporuar realitetin aktual.

Për më tepër, në këtë tekst letrar, me elemente autobiografike, H.Hasko, përveç se ka dëshmuar pasionin e tij prej narratori (Umberto Eko), ai ka shpërfaqë me elegancë fuqinë e tij krijuese, si një narrator i shkathtë dhe i talentuar, ku ngjarjet dhe personazhet i krijon me nuanca të gjalla, të bukura, artistike dhe me diskurs shumëplanësh letrar, të zhvilluara në kontraste interesante tematike… gjithë narracioni mbetet në tension të lartë, që nga fillimi deri në fund, aspekt ky që i jep këtij romani një dinamikë letrare të veçantë dhe bën që të lëxohet me shumë kënaqësi dhe me një frymë.

STRUKTURA E ROMANIT

Romani: Gruaja me shami të gjelbër, është strukturuar jashtë klisheve tradicionale, ka në fillim Prologun(fq.3-4), ku, ndër të tjera, lexojmë edhe këtë: “…Emri yt do të jetë i pranishëm në çdo faqe të këtij libri.

Ti do të jesh muza dhe nxitja ime, e infiltruara që do të çosh deri në fund aksionet e guximshme, të një trimërie të çartur, m’u në strofullën e ujqërve. M’u në strofull të tyre, do të dëshmosh një prani tjetër, dehjen aromatike të femrës së bukur, që kërkon drejtësi dhe sakrifikon në emër të saj.

Ndaj këtë libër ta dedikoj ty, ua dedikoj të gjithë atyre bashkëpunëtorëve anonimë të shërbimeve policore, që vunë kokën në rrezik për të mbrojtur jetën e të tjerëve “(fq.3) dhe mbaron me Epilog, ku, ndër të tjera, lexojmë edhe këtë: “Me ka marrë malli shumë, o mike, Grua me shami të gjelbër, o yll që ndrit në një natë të errët krimi e deliri dhe mbete për jetë me sytë të fiksuar në pafundësi, atje ku bridhte imazhi dhe fantazia jote për një jetë më të mirë. Jo për vete, se ty s’të mungonte asgjë, por për ata që të rrethonin dhe përballeshin në çdo çast me keqbërjen…”(fq. 235).

Përveç Prologut dhe Epilogut që përngjan në një dramë, romani në fjalë ka 28 kapituj, 3 ndërkapituj dhe Një shënim, të cilin autori, siç thuhet (fq.233-234), e ka bërë kohet e fundit:
“Ky është testament dashurie.
Ky është betim që shkon deri në
përjetësi.
Apo jo, mikja ime, Grua me shami të gjelbër ?!”

Struktura e romanit në fjalë, përveç Prologut dhe Epilogut, duket kështu:
1. Emërimi
2. Trazimet që më vijnë nga një.grua misterioze
3. Gruaja me shami të gjelbër
4. Alibia e një vrasje
5. Infiltrimi i gruas enigmatike
6. Pjesë nga ditari i gruas me shami të gjelbër
7. Në gojën e ujkut
8. Vizita e papritur e krushkut
9. Rojtari i pyllit (që fillon me një shkrim diskurdiv “Nga njëfarë Zef Shpirtkeqi, nuk mund të presësh vetëm ligësi e keqësi, por keq e më keq, keq e për dreq” (fq.57),
10. Humbja e një miku
11. Shtatë të shtëna me pistoletë
12. Vajza nga një fshat i thellë
13. Rikthimi i dosjes së Arditës
14. Shtëpia e veçuar në fshatin Linzë
15. Gruaja me nofkën princeshë
(Te kjo pjesë kemi skena të zjarrta dashurie,intimiteti dhe seksi , që zgjojnë emocione të papërshkrurshme tek lexuesi …)
16. Pas takimit me shefin e Komisariatit
17. Ndërprerja e pushimeve
18. Një ngjarje në burgun që ndodhet në rrugën e lagjes sime
19. Takimi i fundit me Kleon
20. Dyshimet e gazetarit të kronikës së zezë
21. Dyshimi
22. Për borxhin e pashlyer mori jetën
23. Fillimi i një dëtyre
24. Mesnatë e përgjakur në Qytetin Student
25. E dashura e Kakomesë
26. Pjesë nga ditari i gruas me shami të gjelbër
27. Unë, e infiltruar
28. Dushi i dedektivit

– Ndërkapitull
– Ndërkapitull më vete
– Ndërkapitull

Përmes rrëfimit në veten e parë, që nënkupton vetë autorin, si personazh kryesor, tregohet puna me pasion e përkushtim e njerëzve që dhërbejnë në frontin e luftës kundër krimit në shoqërinë shqiptare, luftë kjo me mafien dhe me vetë vdekjen për të siguruar rendin qytetar dhe liritë qytetare. Kemi këtu tablo të gjalla të luftës heroike të policisë kundër krqbërësve, kundër protagonistëve të krimit. Në këtë roman që ka karakter autobiografik, autori në fjalë, H.Hasko, që tashmë ka një përvojë krijuese, mjaft solide dhe të konsoliduar, faqe pas faqeje, kapitull pas kapitulli, pasazh pas pasazhi, zbulon, përmes një rrëfimi interesant, dinamik dhe mjaft mbresëlënës, emocionet e punës të një inspektori policie (që është vetë autori), me plot të panjohura dhe të papritura.

Me përmasat ideore, me elementet autobiografike, me rrëfimin interesant, të gjallë e dinamik, i përshkuar nga sekuenca të fuqishme trimërie e guximi, dashurie e vdekjeje, ku sakrifica për të luftuar të keqen, keqbërësit, ky roman është tej mase sa i bukur aq edhe rrënqethës, është një histori më vete, jo histori sentimentale, por një dramë e gjallë dhe jo vetëm roman, ku semantika e tekstit gërshëtohet me shenjat semiotike që konotojnë fuqishëm në planin ideoestetik.

Duke rrëfyer në veten e parë një histori të shumëfishtë, për ngjarje, sa interesante aq edhe dramatike, për luftën kundëe krimit,autori nuk ngurron të rrëfejë edhe për gjërat intime, për flakën e syve plot dashuri e kthjrllësi, për gruan me shami të gjelbër, për Albulenën (Albulena Kristo), që është” gjithçka që më kishte munguar deri atëherë,të paktën tani për tani dhe nuk kam pse ua fsheh” (fq.11), sepse “Sytë e saj ishin të kaltër, të thellë dhe e ruanin në mënyrë të natyrshme bukurinë e rinisë së saj të hershme.

Dukej sikur koha kishte ndalur në atë fytyrë të ëmbël, duke ia ruajtur tiparet femërore të pastërta e të dëlira, sikur të ishte tetëmbëdhjetëvjeçare” (fq.75-76).Përshkrime të këtilla të bukura e të gjalla,të mahnitshme, jo vetëm të kësaj figure, kemi edhe në shumë faqe të tjera të këtij romani, të cilin autori ma ka dhuruar me një dedikim të veçantë.

Vlen të theksohet, me këtë rast, se ajo që e bën të dallueshme krijimtarinë letrare të H.Haskos si dhe në këtë roman të tij, është linja shumëngjyrëshe përshkruese dhe meditative, ritmi i përndezur, figurat e gjalla dhe të freskëta, vrulli i fjalës dhe thellësia e ndjenjës dhe mendimit (Pandeli Koçu). Aventura e tij shkrimore është një aventurë e bukur, plot gjallëri, në një rrugëtim të natyrshëm drejt vetvetes poetike, njëherësh është në një rrugëtim në vetë thelbin e kohës shqiptare. Shkrimtari konfiguron një peisazh të thyer të shpirtit njerëzor, na jep tablo levizje, si vetë jeta e saj dinamike, në kërkim të gjërave për të cilat ia vlen të jetosh… ndonëse historia me realitetet e deformuara, ëndërrat dhe zhgënjimet siç e ka vënë re edhe P. Koçi, janë “të fshehtat përvëluese” që vëjnë në veprim rrëfimin, kujtesat, përjetimet dhe fantazinë.

Si njëri nga zërat më të veçantë të brezit të tij të shkrimtarëve që erdhi relativisht vonë në letërsi, pas çlirimit nga soc-realizmi, Hasko, si protsgonist i romanit në fjalë, me ëndrrat e tij dhe luftën e tij të për çdo çastshme, do mbetet model i rezistencës aktive të një inspektori policie ndaj çdo shaloni nga ku vjen e keqja, krimi dhe mungesa e të drejtës njerëzore.

Koblenz, 20 prill 2016

1 KOMENT

  1. Habitem me artikullshkruesin Isak Ametaj qe ngre vlerat e nje plagjiatori si Hyqmet Hasko te akuzuar nga shume autor. Letersia shqiptare po denigrohet nga tipa te tille. Turp!

Komentet janë mbyllur.