Feja në shkolla, akademiku kundërshton me argumente. Fuga: Lutem, MOS të realizohet

1
1172
Artan Fuga

NGA ANISA YMERI*

Propozimi i politikës, për të mësuar fenë në shkollë, rrjedhoi reaksion, fill pasi kryeministri i vendit Edi Rama publikisht propozoi që kultura fetare të ishte pjesë e kurrikulës në shkolla. Akademiku Artan Fuga në një intervistë për gazetaren Anisa Ymeri në emisionin ‘Në Tempull’ në News24, bën një analizë të problemeve që do të rrjedhojë ky projekt pilot i qeverisë. Filozofi Fuga jep argumentat e tij pse nuk aplikuar ky projekt tek minorenët dhe cilat janë sipas tij ndikimet negative që do të sjellë.

Kryeministri Rama deklaroi: I takon çdo shteti që i do dhe e do të ardhmen e fëmijëve, t’i hapë rrugë mundësisë që çdo fëmijë të ushqehet edhe me kulturën e feve, për ta kthyer shkollën publike, në një hapësirë njohëse, jo vetëm për shkencat por edhe për fenë. Ky projekt konsiston jo në cenimin e laicitetit të shkollës sonë, por në forcimin e themeleve të kulturës laike e cila është e dobët dhe e pafuqishme që të përballet me format e ekstremizmit të dhunshëm, nëse nuk arrin dot të pajisë fëmijët e të gjitha besimeve, me instrument njohës për faktin fetar si gjenerues civilizimesh dhe përparimi filozofik e social.

Do të fillojmë me një numër shkollash në zona urbane dhe rurale dhe do të bashkëpunojmë me shumë institucione ndërkombëtare, në Perëndim dhe në Lindje. Kemi thirrur në ndihmë ekspertë të mirënjohur botërisht, të kulturës së civilizimeve do të eksperimetojmë për herë të parë, falë teksteve të përgatitur në harmoni të plotë mes këtyre institucioneve, duke filluar që nga Observatori i Laicitetit në Paris dhe nga komunitetet fetare në Shqipëri. Dhe për herë të parë, nxënësit do të nxiten nga mësuesit, të trajnuar brenda dhe jashtë vendit, të përvetësojnë elementët e të folurit, premisat e dialogut, hapat e parë të të argumentuarit, pa pasione, pa paragjykime…duke zhvilluar sensin e përkatësisë, pikërisht falë dhe jo në pësim të dallimeve fetare.

A. Ymeri: Ishte kjo fjala e kryeministrit Rama i cili ndër të tjera thotë se: nuk do të kemi fe në shkollë por edukim fetar. Kjo tezë u përvijua edhe më vonë nga Ministria e Arsimit. Por ju e cilësoni këtë një budallakëk pedagogjik, që do të thotë…?
A. Fuga: Pozicioni im është shumë i nuancuar. Unë në faqen time në Facebook, së cilës ju edhe i jeni referuar, quaj budallallëk pedagogjik…dhe e quaj kështu nëse: Kjo kulturë fetare do të jepet në formën e një lënde të veçantë. E quaj kështu sepse fakti fetar, problemi fetar, mund të përqaset nga shumë shkenca të ndryshme; nga shkencat e komunikimit, filozofia, sociologjia, antropologjia, arti, historia…! Nëse do të duam që faktin fetar ta vëmë si një tekst më vete, në një lëndë më vete, ku ky tekst duhet të përqëndrojë dhe fokusojë të gjitha këto observime dhe reflektime nga shkenca të veçanta, është e pamundur të bëhet në kuadrin e një lënde; e pamundur të bëhet në kuadrin e një teksti dhe nuk mund të ketë mësues të formuar në të gjitha këto shkenca, që ta trajtojnë problemin që në gjuhën e sotme quhet nga pikëpamja ‘issue’, pra jo nga shkenca, jo nga struktura e një shkence por nga problemi.

Asnjë lënde nuk kemi ne të tillë në shkollat e mesme. Ne kemi fizikë, matematikë, biologji, ekonomi…por jo të drejtuara nga pikëpamja e një problemi, siç kjo lëndë do të dalë. Pra, meqë është një problem disiplinar, meqë kërkon thellime dhe studime e reflektime shumë të mëdha, ajo nuk mund të bëhet në kuadrin e një lënde. Pra, në një formë që është edhe pak me humorit e mprehtësisë së rrjeteve sociale, unë e kam konsideruar budallallëk pedagogjik sepse për mua është e pamundur që një tekst i tillë dhe një lëndë e tillë, të përballojë këtë problematikë sepse mendoj që ka mundësi të tjera më të mira. Por që të sqaroj, dua të them se Z. Rama, në këtë fjalim flet për kulturë fetare dhe ajo që unë s’kuptoj, me atë që ai thotë si kulturë fetare…po ta specifikosh pak më mirë, unë mund të them se kjo mund të ishte strategji e drejtë, por kur kjo rimerret pastaj si edukim fetar apo histori e feve, nga përfaqësues të tjerë të dikasterit ose jo, këtu fillon një problem.

Çfarë problemi fillon? Sepse këto ditë po diskutohet publikisht, profesionistë dhe joprofesionistë kanë zgjedhur të marrin pjesë në diskutim, të thonë fjalën e tyre. Ata që e njohin dhe nuk e njohin problemin e feve, gjithashtu kanë zgjedhur të thonë fjalën e tyre. Ama duket se ka një problem të madh, ata që e njohin realisht situatën e Shqipërisë nuk janë pyetur…
Ne në Shqipëri kemi një defekt që vjen nga e kaluara dhe që është trashëguar edhe në ditët e sotme. Ne nuk kemi pasur një reflektim bashkëkohor në raportin midis hapësirës shtetërore laike, shkencës dhe fesë. Ky debat që hapet tani, tregon nga njëra anë krizën e këtij refleksioni në shoqërinë shqiptare, por ka edhe një gjë të mirë pasi si çdo krizë, hap mundësinë për reflektim. Në ato që unë dalloj, ka një konfuzion i cili për mua qëndron thjeshtë në një pikë, koncepti i kulturës fetare. Në një kuptim të caktuar, kultura fetare është baraz me fenë sepse feja është pjesë e kulturës, siç është shkenca, arti…siç mund të jenë forma të tjera ndoshta më pak të përpunuara nga pikëpamja e krijimtarisë shpirtërore. Kulturë do të thotë që unë mund ta kem si kulturë por të mos i besoj.

D.mth, kultura më vë në raport jo të subjektivizmit tim që të identifikohem me të. Mund të kem kulturë mbi një fe të caktuar, por jo doemos i besoj asaj. Mund të jem ateist, laik, panteist, politeist dhe mund të kem kulturë për një fe të caktuar. Kultura dallohet nga edukimi. Dhe nëse bëhet fjalë për edukim fetare siç e përdorin një pjesë termin, këtu edukimi do të thotë që, shkolla jo vetëm ta japë atë kulturë, fetare që në një kuptim të caktuar është feja, por edhe të rrënjosë bindje, vlera, në përputhje me atë botëkuptim fetar. Këtu është problemi. Nëse shkolla hyn në hullinë për të edukuar me fenë nxënësit, sidomos ata minorenë, këtu problemi hyn në një hulli shumë delikate. Problemi i tretë është: njohuri për fenë! Këtu duhet pasur shumë kujdes sepse disa kujtojnë se nëse thamë ‘njohuri për fenë’, njohuria është laike. Jo! Ka njohuri fetare mbi fenë.

Dhe ka, njohuri fetare mbi fenë e krishterë; njohuri të krishtera mbi fenë e krishterë; njohuri fetare katolike mbi fenë katolike; njohuri fetare katolike mbi fenë ortodokse; njohuri fetare të krishtera mbi fenë myslimane; njohuri të fesë myslimane mbi fenë e krishterë; pastaj janë feja hebre, hindu… Pra, fjala njohuri nuk na e zgjidh problemin nëse do të jetë një disiplinë laike apo jo laike. Z. Rama e ka vënë kufirin, thotë do jetë laike. Por problemi është që ata që do ta aplikojnë, duhet të kenë kujdes sepse problemi nuk është aq i thjeshtë. Të kenë kujdes sepse kur themi kulturë mbi fenë, duhet sqaruar koncepti se ç’është kjo kulturë mbi fenë. Këtu fillon problemi.

Duhet të kenë kujdes sepse ka një pakujdesi të madhe që vjen nga moskuptimi, siç ju e theksoni fort se ata nuk e kuptojnë, institucionet në këtë rast nuk e kuptojnë se kultura fetare dhe feja janë e njëjta gjë. Çfarë rreziku sjell kjo?
Ka një rrezik që të mos kuptohet kjo gjë dhe rreziku është i tillë: Nga pikëpamja pedagogjike, specialistët e arsimit në artikulimet që bëjnë, duket që kanë probleme konceptuale dhe nuk e kuptojnë këtë çështje; nuk kapin nuancat, dhe nga pikëpamja profesionale nuk e përkthejnë këtë detyrë që ju vë Kryeministri, e cila pjesërisht realizohet edhe sot. Jam i bindur që, nëse fjalët që Kryeministri thotë dhe shqetësimit që ai ka, aplikohen në një strategji pedagogjike të saktë, të gjitha rreziqet mund të evitohen.

Por ama unë shoh që, e deklaruar kështu, në këtë mënyrë dhe e paasimiluar nga profesionistët dhe ata që janë ngarkuar me këtë punë, mund të krijojë probleme. Problemi mund të jetë teksti që thotë Z. Rama, do bëhet nga specialistët. Bukur! Dhe do të shpjegohet një besim fetar i caktuar, p.sh të marrim besimin islam. Do ta japësh nga pikëpamja laike besimin islam? Çdo të thotë ta japësh nga pikëpamja laike besimin islam: Do të thotë që të bjerë në kundërshtim me besimin islam të disa nxënësve që janë minorenë dhe që e kanë marrë nga familjet e tyre apo brenda komunitetit mysliman. Do ta japësh këtë nga pikëpamja e besimit të krishterë dhe do pyesë nxënësi minoren: Jezusi çfarë është, Profet apo bir i Zotit?

Kështu, nëse do e trajtosh nga pikëpamja e fesë së krishterë, do biesh në kundërshtim me nxënësit të cilët janë të fesë islame. Nëse do e trajtosh nga pikëpamja e fesë islame, do biesh në kundërshtim me ata që i përkasin fesë së krishterë. Kështu mund të krijohen konflikte brenda komunitetit të nxënësve, brenda klasës; mund të krijohet konflikt mes nxënësit dhe mësuesit; midis komuniteteve fetare dhe shkollës; dhe mbi të gjitha, mund të krijohen konflike mes prindërve dhe mësuesve, shkollës sepse prindërit mund të thonë: Pse na ndërhyni në edukimin e fëmijëve minorenë që me kushtetutë, liria e fesë dhe besimit do të thotë se s’mund të jetë e detyruar. Dhe këtu duhet të jenë kujdes sepse nëse do të jetë një lëndë e detyrueshme, d.m.th që shkolla shtetërore publike, detyron me ligj të besojnë atë interpretim i cili është i shtetit mbi feme. Këtu fillon një problem kushtetues që ka të bëjë me lirinë e ndërgjegjes dhe atë që çdo familje, çdo fëmijë minoren (i cili ja lë përgjegjësinë prindit) të formojë ato besime të cilat janë të lira. Ndaj duhet pasur shumë kujdes në këtë pikë. Kjo, nga pikëpamja pedagogjike, në vende të ndryshme, zgjidhet në mënyra të ndryshme.

Në këtë pikë që ju domosdo e keni cekur këto ditë, komuniteteve fetare për çfarë ju duhet që ta kenë këtë lëndë në shkollë. Sepse ajo që është e kuptueshme, është se nëse kjo do të jetë një lëndë në kurrikulën shkollore, s’do e trajtojë fenë 100 % sipas pikëpamjes së tyre sepse shkolla ka të tjera detyrime të cilat ju i sqaruat me detaje…Për çfarë ju duhet atyre përcjellja e njohurisë fetare të kontrolluar nga shteti potencialisht?
Kjo është në strategjinë e tyre dhe është normale që ata ta mendojnë…drejt një shtrirjeje të influencës së kulturës fetare, në shkolla. Në një farë drejtimi, këtu ka një llojë nevoje shkolla shqiptare dhe edukimi shqiptar, që të mund të marrë edhe arritjet e fesë, p.sh në planin etik dhe sidomos në atë që konsiderohet baza etike e çdo feje monoteiste, që kanë të bëjnë me edukimin e ndershmërisë, solidaritetit, ndihmës së njerëzve në nevojë… pra ka një lloj etike të përbashkët që është pjesë e asaj që është përpjekur të zhvillojë edhe kultura laike. Dhe ky hap në shkollë, nga kjo pikëpamje mund të kishte edhe një gjë pozitive. Pra, mendojnë të shtrijnë influencën; që shkolla s’ka pse t’i bllokojnë hyrjet që ata duan të bëjnë atje. Problemet atyre do ju dalin më vonë dhe që është: Nëse nuk zgjidhet saktë kjo çështe e bëhet një lëndë e detyrueshme tek minorenët, pa aparatin metodologjik të duhur, atyre do ju ndodhë që në shkollë do të merret një edukim i bazuar në detyrimin shtetëror që ka nxënësi për të kaluar klasën, që s’do të jetë edukimi që ata do të donin t’i jepnin fëmijëve brenda besimit të tyre fetar. Këtu do të fillojë problemi. Ndaj mendoj se komunitetet fetare nga njëra anë duhet ta përshëndesin këtë shqetësim që ka Z. Rama kur thotë që ne duhet të përgatisim atë kulturë që do të ndihmojë paqen e solidaritetin, por duhet të vënë edhe kërkesat e tyre.

Por, a i kanë ata filozofët e edukimit? A i ka kisha në Shqipëri, filozofët e edukimit? Ai i ka komuniteti bektashi, komuniteti katolik apo ortodoks mendimtarët e dukimit? Unë nuk i shoh! Dhe ideja është për të diskutuar në formë konstruktive, për ta çuar projektin atje ku duhet sepse mund të kthehet në një problem shumë delikat. Ne të dy e njohim Prof. Francis Balle i cili në një libër të fundit ‘Le choc des incultures’ që mund të “Përplasja e mos kulturave’; një autoritet në Francë dhe Evropë në fushën e komunikimit dhe medias thotë: “Radikalizmin e sjell konkurrenca midis kulturave dhe feve të ndryshme”. Që do të thotë se secila fe në përplasje me tjetrën, fillon radikalizohet, shton distancat, hendekun dhe diferencat. E këto diferenca në një moment të caktuar bëhen kontraste, tensione dhe gradualisht shkon drejt konfliktit. Nëse neve shkollën shqiptare laike, do e bëjmë gabimisht, si efekt i padëshirueshëm i një gjëje të mirë që duam të bëjmë, një terren ku nxënësi, mësuesit, prindërit, do të konkurrojnë me njëri – tjetrin, se cila fe do të dominojë, F. Balle thotë se ‘ky është motorri i radikalizmit’. Duhet shumë kujdes.

Dhe jo më kotë ju pyesni: A ka klerikë ky vend? Mungesa e tyre, çfarë sjell? Cila është pasoja e madhe e gjithë kësaj dakordësie vetëm parimisht e jo dakordësi duke u ndalur në teza e duke hedhur edhe hipoteza që ndoshta duhet të kenë edhe vërtetimin e nevojshëm që duhet ta kenë në shkencë…sepse flasim për edukim, që kërkon vëmendje tjetër e jo thjesht dakordësi parimore.

Kam pyetur përherë a ka klerikë ku vend? Megjithë respektin e madhe që kam për klerikët, që kanë kaluar një kalvar 50-vjeçar, që njohin një të kaluar të vështirë që jep shumë vështirësi në rikuperimin e formimit të tyre dhe riprodhimit të tyre sepse nuk mund të krahasohemi me klerikët në Poloni, Hungari, Francë, Itali a Gjermani, sepse ata kanë punuar në kushte të tjera. Problemi në pikëpamjen time, kanë pozicione shumë të mbyllura brenda komuniteteve të tyre, për problemet sociale të Shqipërisë. Prononcohen shumë pak dhe e kanë shumë të kufizuar daljen e tyre në hapësirën publike e cila është e të gjithëve.

Ajo është laike në kuptimin që nuk dominohet nga një fe, por secili botëkuptim, secila fe, secili ngjyresë politike, mund të dalë të artikulojë. Klerikët nuk i dëgjojmë këtë hapësrë dhe mua për këtë më vjen keq sepse ka mundësi që fjala e tyre të mos ndihet vetëm në një rast kur ka një atentat diku në një vend të botës, dhe pastaj nuk i sheh se ku janë! Ata bëjnë punën e tyre në grupe të vogla, në komunitete e në familje me siguri, por unë do të doja një artikulim më të gjallë. Dhe në këtë çështje unë përsëri pyes: A ka klerikë? Në kuptimin që ata duhet të ragojnë duke thënë: Dakord, shumë mirë që shkolla të merret me atë punë, aq sa i takon. Por kujdes – liria e fesë! Sepse do ketë kontradikta dhe nuk janë probleme kaq të lehta.

Dhe as sipërfaqësore?
Padyshim, sepse i bie të fshehim kokën si struci. Po marrim problemin e divorcit. Ai do të trajtohet si problem etik e social në shkollë dhe sociologjia apo edukimi politik do të thotë që divorci është një e drejtë e gruas dhe e burrit; është negativ kur ai prodhon fenomene negative por ama shumë pozitv kur zgjidh një konflikt të vazhdueshëm. Është zgjedhje e lirë e dy njerëzve që nuk duan të jetojnë më!

Apo aborti. Sot në Perëndim, aborti nuk njihet më as si e drejtë e burrit për të vendosur, që të thotë se unë kamë fëmijën brenda trupit tënd ndaj duhet të pyetem edhe unë. Jo! Konsiderohet si pjesë e trupit të gruas, i lejohet gjithnjë e më shumë vetëm intimitetit të gruas. Do vijë feja? Ajo do thotë: Jam kundër divorcit e abortit sepse ka agrumentat e veta! Dhe nxënsi do të ndodhet në shkollë tani, midis dy qasjeve kontradiktore. Dhe çfarë do të prodhojë kjo tek minorenet? Mua më shqetëson ajo që tha Z.Rama për këtë gjë. Eksperimenti s’duhet bërë tek minorenet, siç e tha edhe Ministrja e Arsimit më pas.

Ja pra pse është shumë e rëndësishme të pyeten njerëzit për këtë gjë. Me ç’kemi dëgjuar këto ditë, nga sa kanë artikuluar edhe zyrtarë të lartë, ata na flasin për ekspertë ndërkombëtarë që i dinë mirë këto punë, dhe që kanë ofruar ekspertizën e tyre. Sa me risk është kjo? Sepse në të gjitha fushat, ne shqiptarët kemi përballë ekspertët ndërkombëtarë. Edhe për fenë do na thonë ata…edhe pa e njohur realitetin shqiptar jo siç e njihni ju dhe ata që e studiojnë këtë disiplinë shkencore këtu në Shqipëri…

Unë e kuptoj që s’ka pse të mos pyeten edhe ekspertë ndërkombëtarë, mekanizma të specializuar dhe Z. Rama thotë se do të pyeten ekspertët më të mirë etj. Nga njëra anë shumë mirë të pyeten. Por nga ana tjetër, edhe në raste të urbanizmit, arkitekturës, reforma, monitorime, për kushtetutën e kështu me radhë, i besohen specialistëve të huaj dhe injorohen si në këtë rast, të tëra ato forca që në Shqipëri e kanë një mendim të caktuar. Janë specualistë edhe ata, janë ekspertë. Një pjesë e tyre kontribuojnë edhe jashtë. Dhe unë jo më kot kam thënë se specialistët shqiptarë, administrata ‘i çon për peshk’. Këto ditë herë pas here më pyesin njerëzit: pse thua që jam për peshk? Po neve për peshk na kanë çuar, jo mua por të gjithë të tjerët. As nuk pyet dhe as nuk interesohet njeri për të pyetur se cili është mendimi ynë. Kjo nuk është një xhelozi. Aspak!

Për mua është një problem ky sepse më duket se referimi tek ekspertët e huaj, është për të shmangur hapësirën e diskutimit midsi aktorëve lokalë. Dhe kjo do të thotë: kërkoj një aktor të huaj, e zhvendos diskutimin nga brenda Shqipërisë në një marrëdhënien time me një ekspert të huaj. Eksperti i huaj, i angazhuar nga qeveria shqiptare, menjëherë e humbet statusin e tij të ekspertit që e ka jashtë. Kjo ndodh sepse ai paguhet nga qeveria. Në momentin që paguhet nga qeveria, s’mund të jetë një ekspert i pavarur dhe as arbitër në konfiktin që ka qeveria me shoqërinë civile apo me universitarët dhe akademikët shqiptarë. Nga kjo pikëpamje, mua më duket sikur kemi një lloj jeniçerizimi të ekspretit.

Unë gjej jeniçerë jashtë dhe i përdor, njësoj siç përdorte sulltani dikur, por këtë herë është inversi. Më duket kompleksi i thirrjes së plakut si arbitër në legjendën e Kështjellës së Rozafës, vëllezërit që marrin mendim. Vjen plaku nga jashtë dhe jep ‘mendim të bukur’ dhe i thotë vrisni nusen e vëllait të vogël. Kjo do të thotë: Mbyllni debatin, zhdukeni atë dhe merrni ju një vendim në pabesi, pa e hapur debatin. Nga ky sindrom ne kemi kohë që po vuajmë dhe kësaj i duhet dhënë fundi. Mua më pëlqeu shumë ajo që tha Z. Rama, që ne duam t’u mësojmë nxënësve kulturën e dialogut. Por kujdes! Kultura e dialogut nuk mësohet nga feja – mësohet nga një lëndë që quhet shkenca të komunikimit dhe të komunikimit. Dhe ne vitin e shkuar, në Departamentin e Shkencave të Komunikimit të Universitetit të Tiranës, kemi botuar një manual – udhëzues, se si në gjimnazet shqiptare duhet të futet lënda e komunikimit, pikërisht për të mësuar dialogun.

Nuk kemi marrë asnjë përgjigje! Nuk na dëgjon njeri! Janë me dhjetra studiues dhe njerëz që vijnë nga mediat, kanë punuar aty. Theksoj, dialogu nuk vjen nga feja.

Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit: Ka një nismë të Kryeministrit, një diskutim gati 1 vjeçar me komponentë të caktuar të opinionbërësve, edhe me ekspertizën e huaj me të cilët ne po punojmë, jo për të futur mësimin e fesë në shkollë, absolutisht jo, në respekt të plotë të laicitetit. Por për të futur një modul të caktuar në mënyrë që çdo nxënës dhe i ri shqiptar të njihet me kulturën, se çfarë përfaqësojnë kulturat fetare, cila është historia e tyre. Për të vendosur pikën e rëndësës tek ajo që ne duam të edukojmë, si vlera edhe të kulturave fetare që janë: toleranca, bashkëjetesa, humanizmi. Kemi dakordësuar dhe kemi marrë mendimin edhe të të gjithë trupës diplomatike në Shqipëri, të cilët jo vetëm që e kanë përshëndetur, por kanë ofruar edhe ekspertizën e tyre që kjo të bëhet në rrugën më të mirë të mundshme.

Bëhet fjalë për një modul, për pilotim në klasën e 6-të dhe të 10-të, në 10 shkolla në Shqipëri, me të cilët ne po punojmë duke zgjeruar debatin edhe me përfaqësuesit e komuniteteve fetare të cilët po na bashkëshoqërojnë që të bëhet gjëja e duhur. Nuk ka vend për keqkuptim por vetëm për mirëkuptim. S’bëhet fjalë për përfshirje klerikësh në shkolla, vetëm mësuesit do të japin mësim aty. Bëhet fjalë për një lëndë që do të quhet ‘Histori mbi kulturat fetare’ ose ‘Laiciteti dhe qytetërimi’ ose ‘Qytetërimi dhe kultura e fesë’…si ta vendosim neve, pra s’do të mësohet feja. Mësuesit e historisë dhe sociologjisë do të jenë të mirë trajnuar në mënyrë që ne të mos kemi asnjë efekt negativ nga ky proves i mirëdakordësuar.

S’di ç’të mendosh pasi dëgjon Ministren e Arsimit e cila deklaron se nuk dihet ende si do të quhet kjo lëndë. Dihet vetëm që do ju serviret minoreve dhe ata që dinë nga shkencat e edukimit, e dinë mirë që është edhe grupmosha më e brishtë, për rrjedhojë shumë e vështirë të bësh eksperimente. Prof. Fuga, disa paradokse më duket se ka në fjalën e saj, po cili do të ishte një reflektim i shpejtë juaji pasi dëgjoni ç’thotë ministrja?
Në nisje… një problem që është sindrom i përgjtshëm. S’kuptoj dot ç’lidhje kanë përfaqësitë diplomatike në Shqipëri me këtë problem. Çfarë? Do na thonë ato e prekët apo nuk e prekët laicitetin? Po nuk janë specialistë ata, janë diplomatë. Nëse shteti shqiptar ka një problem që duhet të komunikojë me partnerët tanë të komunikojë për diçka, është shumë mirë por në Shqipëri ka aq shumë përfaqësi diplomatike, mbase edhe nga Arabia Saudite mund të ketë, se di mirë.

Pastaj vijnë opinionbërësit. Po ata janë opinionbërës që dalin në TV për të diskutuar, për të divulguar dijen dhe për të krijuar një urë lidhjeje midis medias dhe audiencës, nuk janë ata që e dinë problemin. Janë ekspertët e huaj të cilët sigurisht që kanë një problem që mund të gjesh ekspertë shumë të mirë por mund të gjesh edhe lloj – lloj sharlatanësh (siç i kemi parë ne këto vite), që vijnë. Nga ana tjetër, nuk është diçka të cilës Perëndimi ja ka gjetur zgjidhjen dhe ne të themi se po marrim këtë mjekun që di të shërojë një sëmundje, e ai vjen e shëron. Perëndimi nuk e di vetë këtë problem, është në debat të madh. Dhe kjo mua më shqetëson, sepse duket sikur thonë: ne do të bëjmë diçka, e cila është në modelin perfekt.

Ndërsa kur vijmë tek problemi pilot, më duhet të them: Në shoqëri nuk mund të bësh eksperimente! Njerëzit nuk janë disa vetura që frenojnë dhe unë bëj kontrollin teknik të tyre. Mirë, vajta dhe bëra një projekt pilot në 10 shkolla, siç thonë. Ama efektet, ky projekt nuk i jep atë vit por në 30 vitet e ardhshme. Që këtu eksperimenti ka marrë fund. Nuk bëhet kjo! Nuk zgjidhet me eksperiment për 6 muaj apo 1 vit. Nëse thua do zgjedh 10 shkolla, ti e ke kufizuar problemin dhe mendon që duke e kufizuar, e kontrollon më shumë. Kur fillon e zbaton, krijon një realitet të ri i cili s’ka të bëjë me ato shkolla.

Pra, nga pikëpamja që efekte nuk janë të mbyllura, siç janë në shkencat e natyrës apo në eksperimente mjekëore – ndaj në shoqëri, s’ka eksperimente të tilla. Është çështja që ka dallgë në një gotë uji dhe thua: këto dallgë s’janë asgjë. Ama kur nisin dallgët e oqeanit pas 10 vjetësh, nuk e ndalon dot më, dhe nuk je në gjendje që ta administrosh. Prandaj, kujdes me këtë idenë pilot; Kujdes me këtë përjashtimin e faktorit shqiptar, të cilët njohim mentalitetin shqiptar. Ku e di eksperti në Paris apo Gjermani, se cili është mentaliteti shqiptar? Cila është feja dhe besimi në Shqipëri, nga pikëpamja e psikologjisë sociale? Këtë s’mund ta dijë ai!

Unë e kuptoj që ka një hezitim porsa i përket emrit të lëndës, dhe dua të them se ky hezitim nuk vjen si rezultat i një dyshimi momental, por sepse ashtu siç është menduar, nuk ka zgjidhje. Pyetja që ne shtrojmë është se çdo jetë kjo përqasje në një tekst pedagogjik, jo si platformë por kur të vijë puna për t’u aplikuar. Do jetë histori? Kulturë? Qytetërimi dhe feja? Gjera që nuk janë të zgjidhshme në këtë mënyrë, me këtë tekst. Kush do të guxonte, një autor, që për nxënësit e shkollës 9-vjeçare dhe të gjimnazit, të zgjidhte problemin: qytetërimi dhe feja! Ku? Në Lindjen e Mesme? Në Lindjen e Largët? Në Ballkan? Evropën Perëndimore? Qytetërimi cili? Ai romak dhe feja e krishterë? Qytetërimi spanjoll? I krishterë dhe prurjet arabo – islame në Spanjë, në Andaluzi? Raportin e kujt, e protestantëve me katolikët në Francë? E protestantëve dhe antireformën në Gjermani.

Qytetërimi dhe feja do të thotë që të gjitha lëndët e historisë dhe të kulturës, të bëhen në një libër të vetëm. Nuk bëhet kjo! Kjo jo vetëm s’bëhet dhe s’ka ndikim. Se ka problemin Znj.Ministre këtu, por ata specialistët e dikasterit, nuk e di se kish e ka propozuar kështu, specialisti që i ofron dosjen Znj.Ministre, për mua nuk ka pikën e profesionalizmit, është në një gjendje që mua vetëm më vjen keq. Është për të ardhur keq…

Është për të ardhur keq thoni ju, por nga ana tjetër, çdo të thotë t’ju servirësh fëmijëve të asaj moshe (nxënësve), minoreve, mësim feje pa formë?

Është një dështim! Fatmirësisht s’do të lërë asnjë gjurmë tek ta, do ta harrojnë shpejt. Ndërsa nëse flasim për influenca, influencat pedagogjike janë vetëm negative. Keni të drejtë kur flisni për minorenët, të cilët kushtetuta jua lë familjeve t’i edukojnë në këtë drejtim, e cila konstituon që të jenë ata ta përmbushin këtë detyrim. Këtë e bën universiteti, kur ata janë të rritur, e zgjedhin, nuk e zgjedhin… çështje e tyre.

Ka edhe dy momente akoma më delikate! Thuhet që: Ne s’do bëjmë ndonjë gjë, historinë e feve do bëjmë. Mua më duket që koncepti i historisë është ende në nivele empirike në shumë mjedise shqiptare. Duket sikur historia është renditje faktesh dhe mendojnë: nuk është ndonjë gjë, do themi se iku Muhamedi nga Medina në Mekë, nga Meka në Medinë. Iku Jezuri nga Betlehemi; Shën Pali iku prej andej, erdhi e u konvertua…ja këto faktet do themi, bëjmë kronologji dhe kaq. Po nuk është kjo histori! Historia është shpjegim logjik dhe vënie në perspektivë e ngjarjeve historike. Gjithë debati dhe ajo që i ndan fetë në planin historik sot, diskutimet e pafund janë të tilla saqë nuk i zgjidhin dot as teologët, njerëzit më të ditur…ta zëmë: Protestantizmi lindi në gjurin e Kishës Katolike apo erdhi si rezultat i një refleksi të nacionalizmit gjerman të shprehur tek Luteri ndaj sundimit të Romës. Vetëm për këtë ka mijëra botime dhe studime e nuk e zgjidh dot njeri.

Mos të kujtojnë që do të bëjnë një tekst të mjerë për 20 orë mësimore, dhe ne do t’i japim dije minorenëve, dhe mendja e tyre do të harmonizohet në mënyrë përfundimtare, pa asnjë çarje dhe dyshim dhe kështu problemi zgjidhet. Jo! Sot në Perëndim thuhet që problemi i radikalizmit dhe ekstremizmit fetar nuk vjen thjesht nga një problem njohjeje. Problemi është që ata, ekstremistët, kanë humbur mundësinë për t’u integruar në shoqëri; Janë në konflikt me shoqërinë dhe kur je në konflikt me shoqërinë… do të shkosh të kërkosh tek teksti. Por ata që dinë mirë çështjen e teksteve, dhe të tillë ka shumë, do thonë: nuk është teksti që më interpeton mua por janë unë, subjekti që e interpretoj tekstin.

Ma jep sa të duash të mirë, nëse unë kërkoj një pretekst ideologjik për të shprehur rivendikimet e mija, në momentin kur unë nga pikëpamja sociale nuk integrohem më dhe jam i përjashtuar, do ta interpretoj tekstin, ashtu sikurse dua unë. Dhe ky është problemi! Problemi i çarjeve konceptuale, vjen jashtë strukturës së dijes, vjen nga raporti empirik midis individit dhe shoqërisë, grupeve shoqërore dhe shoqërisë. Çfarë na tregon përvoja, kush i ka radikalizuar këto shtresa, në gjithë botën dhe jo vetëm në Perëndim, Magreb apo Azi të Vogël. I ka radikalizuar korrupsioni i shtetarëve, diskriminimi etnik, diskriminimi i minoriteteve, përjashtimi nga jeta sociale, varfëria. Këto fenomene duhen parë sepse s’janë vetëm fenomene sociale por edhe pozicione statusore që kushtëzojnë leximin e teksteve fetare në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër.

Do ndalemi pas pak në propozimet tuaja për se si zgjidhet kjo çështje, por një tjetër çështje problematike është se kush do e japë këtë lëndë. Ministrja tha mësuesit e historisë dhe sociologjisë…ata që dinë pak nga shkenca, dinë mirë që kjo është disiplinë shkencore më vete dhe s’mund ta japë një mësues historie a sociologjie…
Nëse do ma propozonin tani këtë gjë, të më thoshin që do të kesh një rrugë 3 herë më të lartë por ik nga pedagog e kërkues shkencor i Universitetit të Tiranës dhe shko bëhu mësues për të aplikuar këtë projektin pilot. Merr edhe tekstin dhe bëje. S’do e kisha pranuar sepse nuk e bëj dot! Nëse ka mësues që mund ta bëjnë me një kurs 2-mujor, le ta bëjnë. Unë, pas 35 –vjetësh përvoje në komunikim, sociologji, filozofi, shkenca politike, them se është e pamundur. Pse? Sepse raporti i fesë me qytetërimin është i pafund; problemet janë ekstremisht delikate dhe të pazgjidhura. Dhe mbi të gjitha, kërkon mobilizimin e shumë disiplinave, që t’i ndërpresësh në një pikë që është shumë e vështirë. Dhe mbi të gjitha, si do menaxhosh kundërshtimet që vijnë nga besimet e prindërve dhe vetë fëmijëve!

Mund të na vënë mësues që të na thonë se e kanë të mundur, por unë nuk e shoh të mundshme këtë gjë. Kam gati 5 vjet që po merrem me një vepër filozifiko – ekonomike që ka të bëjë me raportin e fesë me paranë dhe nuk dal dot nga kjo hulli sepse problemi është kaq i ndërlikuar! Dhe bëhet fjalë për një problem të vetëm: feja dhe paraja. Por pozicionet janë kaq të ndërlikuara brenda fesë, nga një fe tek tjetra, nga fetarët dhe biznesmenët, nga një periudhë në një tjetër.

Le të kthehemi tek mësimi, nëse do të shkoja në klasë do u thosha nxënësve dy gjëra, dhe të vegjël siç janë, do i manipuloja dhe do të më besonin. Por sa të rriteshin pak do të binin në kontakt me qëndrime të tjera dhe do të thoshin: ato që na ka thënë ai në shkollë, kanë qenë ca manipulime ideologjike për të formuar njeriun e ri paqësor. Sepse jemi tamam brenda këtij modeli, ne do të japim dije që të formojmë njeriun e ri paqësor, njeriun revolucionar, kontestues apo njeriun tjetër. Në këtë rast ne duam të bëjmë një dije që me çelësin magjik, i futet në kokë një minoreni shqiptar dhe ky transformohet në njeriun paqësor. Jo!

Ju e studioni këtë fushë Prof. Fuga. Ata që do duhet t’ju kishin pyetur përpara se të hidhni ide të tilla, që na i sjellin publikisht si fakte dhe që me gjasë do të jenë realitet në nisje të vitit të ri akademik, çfarë duhet të kishin bërë?
Çfarë na thotë përvoja botërore? Si e kanë zgjidhur të tjerët këtë çështje sepse ky është problem që ka lindur jashtë nesh, e tani këtu?
Strategjia që hedh Z.Rama për mua, duhet marrë, duhet përkthyer në mënyrë profesionale dhe duhet aplikuar siç duhet, brenda kufijve që lejon pedagogjia dhe shkencat e edukimit, sociologjia e shkollës, ligjet, kushtetuta. Po kjo nuk duhet të na çojë drejt aventurave që na vijnë nga mungesa e profesionalizmit e specialistëve të cilët menjëherë, sapo jepet një detyrë – gjejnë një zgjidhje! Një zgjidhje e cila është amatoreske dhe shumë spontane. Unë nuk pres që të më pyesë njeri sepse nuk përfaqësoj asgjë, prandaj e them: pas pune dal të gjuaj peshk.

Nuk ka nevojë të komplikohet historia që të thonë se çfarë bëjnë në Observatorin e Parisit apo gjëkundi tjetër. Çështja është e zgjidhur thjeshtë fare. Ata njerëz që janë në kontakt me shkollën Perëndimore, e kanë fare të qartë këtë gjë, edhe në nivelin e shkollës elementare, edhe të mesme edhe universitare. Sa i takon arsimit parauniversitar, e dinë që fakti fetar është i shpërndarë në lëndë të ndryshme. Pse? Sepse ky objekt, që është fakti fetar; ky objekt nga ana e epistemologjisë së shkencës (po kujt t’ja shpjegosh epistemologjinë) fakti nuk ekziston jashtë përqasjes. Një fakt që thua se do e shoh, pra do e studion, p.sh: malin! Nuk e studion dot ndryshe veçse, ose si gjeolog, gjeodezi, gjeograf, si biznes dhe e shoh nga pikëpamja financiare, si antropolog, mitolog, vullkanolog etj…! Por të studioj malin jashtë çdo shkence, është e pamundur! Ata specialistët e huaj, nëse do i pyesim: A është e mundur të bëhet kjo? Ju them: Ose do thonë jo, ose do kemi rëndë në sharlatanë. Ndaj duhet pasur kujdes, tek sharlatanizmi i ekspertëve të huaj.

Gjëja e parë që duhet bërë: fakti fetar duhet shpërndarë në lëndë të ndryshme. Nuk mundet që nga njëra anë të trajtohet historia dhe nga ana tjetër historia e feve. Historia e njerëzimit është një bashkëveprim i të tërë elementëve dhe benda edhe historia e institucioneve fetare që në kohëra kanë luajtur rol të ndjeshëm, pozitiv apo retrograd (nuk po gjykojmë këtu). Dhe historia e feve duhet të integrohet në historinë e çdo periudhe. Në këtë mënyrë problemin e trajton mësuesi i historisë. Kur të vijmë tek analizat sociologjike të faktit fetar, raportin e fesë me shoqërinë, e trajton sociologjia. Kështu edhe kultura artistike (e cila është për faqe të zezë në shkollat e mesme). Si mund të shpjegosh historine e artit, jashtë ndikimit të fesë, afresket, katedralet, pikturat, perpektivën, aspektin ornamental.

Filozofia – kemi raportim midis koncepteve filozifike dhe raporti i tyre me fenë. Në këtë mënyrë, kur del nxënësi nga shkolla, ka formimin koherent brenda shkencave të ndryshme dhe brenda tyre ka të integruar në mënyrë shumë koherente, të strukturuar shumë mirë, të të gjithë fakteve me të cilat ndeshet ai. Për mua këtu është gabimi që nëse Kryeministri ka dhënë një strategji, është përkthyer në mënyrën më të gabuar, sikur kjo strategji do të realizohet sërish në mënyrë unitare me një tekst. Dhe kanë hyrë në një konflikt të paparë, të pazgjidhshëm, pikërisht sepse janë përpjekur që ta zgjidhin thjesht, që po shtojmë një tekst. Ndërkohë që kjo kërkon reformën e të gjithë sistemit të arsimit, e cila jam gati ta provoj që është në ditë të hallit, është për faqe të zezë, jo sot, por si një vazhdim.

Gjuhët e huaja janë në nivel nën zero. Kultura humane, në nivel nën zero. Historia, shkencat formuese shpirtërore, arti, letërsia, filozofia, janë në gjendje keqardhjeje. Dhe ky është një problem që nuk zgjidhet në një ditë. Problemet e edukimit nuk janë si çështja që, do bashkoj tërë fshatrat me Bashkinë Tiranë dhe e zgjidha çështje. Kjo kërkon një reformë të tërë të sistemit arsimor shqiptar; të marrëdhënies së tij me shoqërinë; me dijen botërore; dhe vetëm në këtë mënyrë mund të zgjidhet. Çdo mënyrë tjetër, që kam një strategj, kam një tekst dhe zgjidh problemin, është e pamundur.

Për këto arsye e shihni të udhës të thoni MOS; t’i thoni mos Kryeministrit, Ministres së Arsimit?
I lutem, i përulem! Nëse në një eksperiment ne themi se ka reversabilitet, p.sh: provoj që kjo shishe uji e mban apo jo të pastër ujin? Bëj projekt pilot dhe pres 6 muaj për ta parë dhe e heq e vë një tjetër. Në këtë rast nuk është kështu, ka efekte afatgjata të cilat për atë brez që e ka pësuar, janë të pakthyeshme. Unë s’them MOS, sepse s’jam askushi që të them MOS. Por lutem, lutem MOS! Problemi është real, neve na duhet një njeri i edukuar, na duhet një njeri tolerat, paqësor por bëjeni diç duhet. Politika ka një problem – do t’i zgjidhë problemet brenda një mandati, në 1 vit apo 2 vjet, që më pas ta prezantojë në elektorat si arritje. Jo, problemet e edukimit kalojnë përtej mandateve elektorale prandaj nuk janë çështje vetëm të politikës, por e gjithë shoqërisë.

* Intervista u transmetua në emisionin ‘Në Tempull’ të gazetares Anisa Ymeri. © News24, 15 Prill 2016

1 KOMENT

  1. Sot ne Tirane ose Prishtine jane :

    60-70 Shkolla fillore dhe te mesme, private dhe shtetrore.
    10 Universitete shtetrore dhe private
    5-6 Biblioteka
    4–5 Kafiteri -Biblioteka
    60-70 klube te ndryshme sportive te te gjitha sporteve
    20-30 bazena te ndryshem.
    10-15 shkolla vallezimi modern dhe popullor..
    2500 Bar-Restorante – kafiteri
    Korzo te lira per shetitje….
    Parqet e Gerrmise ose TaukBashqes per shetitje….dhe dhjetera parqe ne Tirane
    Mijera femra shum te bukura…kudo qe te shkosh…

    Dhe duke i pase te gjitha keto mundesi , …disa te rinje shkojne ne faltore Muslimane ku ka veq : meshkuj nervoz, depresiv dhe pedera…..dmth faltoret Islamike jane institucione per sherim dhe per , perhapjen e diagnozes mentale…Musliman.
    Pra mund te konkludojme se te gjithe keta vizitor te faltoreve muslimane jane te semure mentalisht.ose pedera….sepse prej te gjitha te mirave qe i ka jeta ne Liri………..idioti -pederi shkon dhe e degjon nje shizofren tjeter , peder manijak musliman, per me i tregue se a bon me pi Coca Cola apo jo.!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

Komentet janë mbyllur.