VËSHTRIM PËR POEZINË E POETES HAZBIJE-DIELLZA BRAHIMI

0
987

Shkruan Zymer Mehani

Këto ditë letërsia jonë u pasurua edhe me një përmbledhje poetike me vjersha lirike të poetes Hazbije-Diellza Brahimi. Pra, autorja lexuesve po ua dhuron vëllimin poetik “Emblemë dashurie”, që është libri i parë i saj.

Kjo përmbledhje më dha shkas për të shfaqur disa mendime për atë që shpreh dhe përmban poezia e autores Brahimi. Për faktin se autorja veç sa ka nisur të botojë poezitë e veta, dhe meqë më parë nuk kemi pasur rast që të shfletojmë diçka nga autorësia e saj, vlerësimi ynë për artin poetik të saj do të jetë relativisht i saktë, sepse nuk e kemi mbështetur në një kriter të nivelizuar, ngase këtë e pengojnë shkaqet objektive.

Vëllimi poetik “Emblemë dashurie” në të vërtetë është dëshmi e ekzistimit të indit poetik bukur të brishtë të poetes Hazbije-Diellza Brahimi, që është në zhvillim e sipër.
Nga poezia e poetes Brahimi kemi gjetur tërë atë që është e natyrshme: shpirtin e dëlirë, butësinë dhe madhështinë, të mbështjellur me dashuri të sinqertë dhe me mall e dhembshuri për njeriun, qoftë prind, vëlla, motër, bijë, apo edhe të dashur.

Poezinë e poetes Hazbije-Diellza Brahimi ne e pranojmë dhe e kuptojmë si ndjenjë dhe mbresë të raporteve të përditshme jetësore, por edhe si funksion ndjenjash në të përjetuarit e jetës shpirtërore. Prandaj poezinë e kësaj autoreje do ta quajmë krijim më suptil dhe ndjenjë, madje edhe kur është fryt i ndjenjave intime, të buta, i epshit dhe i shtytjeve të brendshme.

E tillë është dhe duhet të jetë poezia e mirëfilltë, shprehëse e mendimeve për problemet dhe preokupimet e drejtpërdrejta, të thurura me gjuhën e fantazisë dhe të sensit krijues.

Në poezinë e poetes Hazbije-Diellza Brahimi dominon motivi i dashurisë në kuptimin e gjerë të fjalës. Ky motiv trajtohet i shoqëruar përherë me brenga dhe halle, kundërshtime e pajtime, luftë kundër veseve, siç janë gënjeshtra, mashtrimi, pabesia etj. etj.

Kur mbërrijmë deri te poezia e fundit e përmbledhjes poetike “Emblemë dashurie” të poetes Hazbije-Diellza Brahimi, të cilën e kemi lexuar dhe analizuar, për një çast do të ndalemi në njëfarë mëdyshjeje, ngase përmbledhja do të na sjell kënaqësi në përjetimin e vlerave poetike dhe freskisë së motiveve, siç janë dashuria, atdhedashuria, malli për babanë, dashuria ndaj fëmijës, ndjenja e miqësisë së sinqertë etj., por njëkohësisht do të na lërë përshtypje edhe me përdorimin me sukses të figuracionit poetik.

Pretendimet e poetes në këtë vëllim nuk hetohen, pasi që nuk janë aq të mëdha, për shkak se ajo është ndalur te bota e ndjenjave të veta subjektive dhe me to, kryesisht i ka përshkuar të gjitha poezitë e veta. Prandaj është edhe konstatimi ynë se autorja poezitë e veta i ka stolisur me ngjyrime individuale. Kjo gjeturi dhe modesti, autores i ka ndihmuar shumë dhe ka bërë që përmbledhja e saj të shquhet në mënyrë edhe më impresive. Lexuesi do ta lexojë me ëndje, ngase aty do të gjejë optimizëm, por edhe sentimentalizëm, mall edhe dhimbje, qëndresë edhe krenari.

Pra në këto poezi do të gjejmë tërë atë që na e paralajmëron edhe vetë titulli i përmbledhjes.

Podujevë, më 4 janar 2018