LETËR E HAPUR SALI BERISHËS

0
5670

AV. XHABIR ZEJNUNI

I Nderuar Zoti Sali Berisha.
Po ju shkruaj PUBLIKISHT Juve për një problem.

Mbrëmë, Ju bëtë në profilin Tuaj në FB një denoncim mbi fatkeqësinë që kishte pllakosur një baba me dy fëmijët e tij të sëmurë shumë rëndë. Këtë status, nuk e mora edhe aq seriozisht, duke menduar se ishin denoncimet dixhitale të radhës që Ju bëni, me të cilët ne tashmë jemi mësuar.

Por, kisha gabuar rëndë.
Sot, më shkroi në IN BOX babai i dy fëmijëve të sëmurë rëndë, i cili e kishte kekquptuar komentin tim të shkurtër në statusin Tuaj. Pasi e sqarova Zotërinë, ai më informoi se statusi i Juaj ishte i vërtetë dhe se dy fëmijët e tij po kalonin një kalvar të vërtetë për shkak të sëmundjes së rëndë, e cila kishte ardhur nga kompromentimi i hormonit të HIPOFIZËS (…).

Pastaj, babai i dy fëmijëve më tha se një mundësi shërimi ekzistonte në Itali, por kushtet e tija ekonomike dramatike nuk ja lejonin një mundësi të tillë. Shteti e kishte braktisur këtë familje. Helbete. Nuk është hera e parë që ndodhin braktisje të tilla nga Shteti. Për këtë arsye, që unë po ju drejtohem Juve Zoti Berisha, që të vini në lëvizje ndikimin Tuaj për ta ndihmuar këtë familje.

Po ju drejtohem si POLITIKAN, DOKTOR dhe PRIND që jeni. Hapini një LLOGARI BANKARE kësaj familjeje dhe hidheni në profilin Tuaj KODIN IBAN të kësaj llogarie bankare, ku të ftoni ndjekësit Tuaj që të kontribuojnë sipas mundësive të seicilit. Ju siguroj se unë do jem i dyti pas Jush në derdhjen e një shume në këtë llogari bankare.

Bëjeni Zotëri këtë gjest humanitar!

Do ishte një sinjal i mirë në shumë drejtime. Ashtu siç i bëni thirrje popullit për të protestuar ndaj Qeverisë në pushtet (të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit 2017), po ashtu bëjini thirrje popullit edhe në këtë rast. Ky rast, do ishte një lloj “barometri politik” edhe për Partinë Demokratike që Ju e drejtoni. Por, pse jo, mund të jetë edhe një lloj “BONUSI” politik për Ju dhe PD-në.

Nëse Ju nuk do e bëni këtë gjë, por nga ana tjetër do vazhdoni që t’i bëni thirrje popullit për t’u mbledhur me 27 janar në shesh për të protestuar ndaj Qeverisë në pushtet, atëherë nuk do bëni gjë tjetër veçse do dëshmoni se dhimbja e Juaj, që shfaqët mbrëmë ndaj kësaj familjeje, ka qenë vetëm një “DHIMBJE DIXHITALE”.

Po ashtu, po nuk reaguat kësaj radhe ndaj kësaj thirrjeje që po ju bëj unë (të cilën mund t’jua bënte kushdo tjetër), atëherë Ju do vërtetoni faktin se politika ka vetëm fjalë dhe asgjë konkrete ndaj popullit.

Dhe e fundit. Po shikoja tani në TV Edi Ramën, i cili po prezanton Portalin “INFERMIERË PËR SHQIPËRINË” (…)!
Respekte.