AV. XHABIR ZEJNUNI
Këto ditë, po bëhet shumë “zhurmë” në lidhje me heqjen e flamurit turk të skalitur në digën e Hidrocentralit në Qafë-Mollë të Mirditës, të ndërtuar nga një firmë private e huaj turke. Dikush, e dënoi këtë akt si antikombëtar dhe përçarës. Dikush tjetër, e mbështeti këtë akt si kombëtar dhe të nevojshëm. Ata që e dënuan këtë akt, nuk merren me arsyen e heqjes së këtij simboli turk, por merren me reagimin e protestuesve ndaj këtij simboli, ku gjoja u hodhën thirrje përçarëse, të dënueshme edhe nga Kodi Penal i Shqipërisë. Kjo, sipas akuzës edhe nga fakti se në protestë merrnin pjesë gjoja vetëm protestues katolikë. Edhe kjo akuzë është e pavërtetë, pasi në protestë morën pjesë edhe besimtarët muslimanë. Pasi protesta u bë jo vetëm në Mirditë, por kudo në Shqipëri dhe jashtë saj.
Kodi Penal, tek neni 265 me titull “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”, parashikon se “Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjeje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet”. Mos vallë të protestosh ndaj një simboli të një shteti të huaj, do të thotë se po nxit urrejtjen edhe ndaj komunitetit etnik apo fetar me të cilin ky shtet përfaqësohet? Apo edhe kundër atyre personave, që janë të të njëjtit besim fetar në Shqipëri? Të thuash “Poshtë simbolet turke”, nuk do të thotë “Poshtë muslimanët” (turq, arab apo shqiptar qofshin ata).
Është e vërtetë se Policia arrestoi disa protestues, duke zbatuar nenin 265 të Kodit Penal. Por, Policia u mor me pasojën dhe jo me shkakun që krijoi pasojën! Policia duhej të merrte më parë në konsideratë një nen tjetër të Kodit Penal. Dhe bëhet fjalë për nenin 225, me titull “Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese”, i cili në par. 2 disponon se “Shpërndarja apo futja e materialeve, shkrimeve apo SIMBOLEVE nga JASHTË në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues a CËNIMIN e TËRËSISË TOKËSORE të vendit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Norma ligjore në fjalë, merr në diskutim “cënimin e tërësisë territoriale” nga një “simbol” me prejardhje nga “jashtë”.
Atëherë. Kemi një simbol, që në rastin në fjalë është një flamur me përmasa 8×10 metër, i cili është i huaj për shqiptarët (dhe jo vetëm për mirditorët) dhe që është skalitur nga një firmë private e një shteti të huaj në digën e një hidrocentrali të ndodhur në territorin shqiptar. Ndodhemi kështu para veprës penale të “cënimit të tërësisë territoriale”. Pasi territori nuk cënohet vetëm me anë të pushtimit, por edhe me anë të simboleve. Nuk bëhet fjalë në këtë rast për një flamur apo simbol të huaj, i cili ndodhet në territorin e ambasadës së shtetit përkatës.
Nuk rezulton që firma e ndërtimit të ketë kërkuar LEJE për skalitjen e flamurit turk në digë, pasi dihej se askush nuk do ja jepte këtë leje asaj. Rrjedh se skalitja e atij flamuri, është bërë pa leje, në mënyrë arbitrare dhe të njëanshme. Në këtë rast, duheshin pritur edhe reagimet e nevojshme. Ashtu siç ndodhi me të vërtetë.
Fakti që flamuri turk është skalitur krahas flamurit shqiptar, nuk përbën një justifikim, apo ndjenjë reciprociteti. Fare thjeshtë mund të skalitej flamuri shqiptar, pa qenë nevoja që krahas atij flamuri të skalitej flamuri turk. Firma e huaj e ndërtimit, ka pasur të drejtë që në në veprën e ndërtuar (nuk është e thënë vetëm në digë!) të skaliste LOGON e saj (sipas përmasave të paracaktuara), e cila shërben edhe si një shenjë identifikimi, por jo flamurin e shtetit të cilit ajo i përket.
Dikush tjetër, mund të thotë se si ka mundësi që ishin mirditorët ata të cilët punuan në ndërtimin e këtij HEC-i dhe që skalitën edhe flamurin turk (mbase edhe në bashkëpunim me punëtorë turq!) në digë, por janë po ata mirditorë që e hoqën këtë simbol? Pse nuk e kundërshtuan që në fillim ata këtë fakt?
Edhe kjo e ka një shpjegim shumë të thjeshtë. Pavarësisht nëse mirditorët e kanë kundërshtuar apo jo këtë simbol të huaj, apo kanë marrë pjesë në skalitjen e tij në digë, ne ndodhemi para një vepre penale, ndaj të cilës duhej të aktivizohej menjëherë Prokuroria KRYESISHT, pa qene nevoja e një denoncimi paraprak nga të interesuarit: direktë apo indirektë. Pastaj. Nëse nuk do ndërhynin mirditorët, nuk do thotë që nuk do ndërhynin shkodranët, lezhjanët, tiranasit, vlonjatët, etj.
Por, më mirë që i takoi nderi të zotërve të shtëpisë. Dihet se flamuri shqiptar, është një flamur LAIK. Kurse flamuri turk nuk është aq laik, por ka më shumë një ngjyrim fetar. Arsyet dihen (….). Duhet pohuar edhe fakti se Kushtetuta e Republikës turke, parashikon në nenin 2 se “Republika e Turqisë është një shtet democratik, LAIK, social dhe federal i disiplinuar sipas normave ligjore (….)”. Por, ky laicitet është i konsakruar vetëm në letër. Kaq pak nuk mjafton! Pasi laiciteti duhet t’i korrespondojë pavarësisë së çështjeve fetare në raport me Shtetin. Një gjë e tillë nuk ndodh në Turqi, për shumë arsye që nuk ja vlen që të shkruhen këtu (….).
Prandaj, duhet që sa më parë të arrestuarit të lirohen dhe të merren masat përkatëse ndaj autorëve të vërtetë të kësaj përdhosjeje kombëtare.
Komentet janë mbyllur.