SOT ËSHTË 5 JANARI-DITËLINDJA E LIBRIT TË PARË SHQIP “MESHARI” I GJON BUZUKUT

1
1909

Dërgoi Prof. Zymer Mehani

Dita e Mesharit – 5 janar 1555

Më 5 janar 1555, prifti katolik shqiptar Dom Gjon Bdek Buzuku e përfundoi së shkruari ‘Mesharin’ e tij, që deri më sot njihet si vepra e parë dhe njëkohësisht i pari monument letrar i botuar në gjuhën shqipe. Datën dhe arsyen e shkrimit të kryeveprës monumentale vetë autori e shkruan në parathënien e Mesharit të tij, se e mbaroi “së shkruami” më 5 janar 1555 duke e vë edhe arsyen: “tue e u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gjā të ṇdigluom ṇë Shkruomit shenjtë,” dhe dëshmia se kjo është një vepër e parë e këtij lloji e shkruar në gjuhën shqipe: “këjo tue klenë mā e para vepër”.

Ja Pasthënia e Mesharit:
U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue ụ kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gjā të ṇdigluom ṇ së Shkruomit shenjtë, ṇ së dashunit së botësë sanë desha me ụ fëdigunë, për sā mujta me ditunë, me zdritunë pak mendetë e atyne qi tӫ ṇdiglonjinë, përse ata të mundë mernë sā i naltë e mujtunë e i përmishëriershim anshtë Zotynë atyne qi ta duonë ṃ gjithë zemërë. U lus ṃbas sodi mā shpesh te uini ṃ klishë, përse ju kini me gjegjuni ordhëninë e Tinëzot. E atë në ṃbaronjënë, Zotynë të ketë mëshërier ṃbi ju. E ata qi ṷ monduonë djerie tash, mā mos u mondonjënë. E ju t ini të zgḭiedhunitë e Tinzotë. E përherë Zotynë kā klenë me jū, ju tue ṇdjekunë të dërejtënë e tue lanë të shtrembënënë. E këta ju tue bām, Zotynë ka me shtuom ṇdër jū, se të korëtë taj të ṇglatetë djerie ṇ së vjelash, e të vjeltë djerie ṇ së mbjellash. E u mā duo tӫ ṃbaronj vepërënë teme, Tinëzot tue pëlqyem, Ņdë vjetët M. D. L. IV. njëzet dit ṇdë mars zuna ṇfill, e ṃbarova ṇdë vjetët ṇjë M. D. L. V. ṇdë kallënduor V dit. E se për fat në keshë kun ṃbë ṇdonjë vend fëjyem, u duo tuk të nukë fajtë, aj qi të jetë mā i ditëshim se u, ata faj e lus ta trajtojnë ṇde e mirë. Përse nukë çuditem se në paça fëjyem, këjo tue klenë mā e para vepër e fort e fështirë për të vepëruom ṃbë gjuhët tanë. Përse ata qi shtamponjinë kishnë të madhe fëtigë, e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, përse përherë ṇdaj ta nukë mundë jeshë; u tue ṃbajtunë një klishë, ṃbë të dȳ anët më duhē me sheryem. E tash u jam ṇfalë gjithëve, e lutëni Tenëzonë ende për muo”.

1 KOMENT

  1. NUK KA TË NDALUR PLAGJIATORI, ZYMER MEHANI

    Me 5 janar 2018, në “Fjala e Lirë”, lexova shkrimin: “SOT ËSHTË 5 JANARI-DITËLINDJA E LIBRIT TË PARË SHQIP “MESHARI” I GJON BUZUKUT“, i cili për autor kishte Profesor Zymer Mehani, me ç’rast u ndjeva sa i kënaqur për nivelin e lartë të shkrimit, aq edhe keq, që nuk e kisha njohur deri në atë çast këtë studius, i cili ma kujtoi studimin e Çabejt për Gjon Buzukun!? Por, për çudi krahas gëzimit për një studiues të ri, m’u shfaq dyshimi se ai është plagjiator ?!

    Përmes të internetit gjeta poezi, recensione, libra me emrin e tij, diku si gazetar, diku si profesor. E çka nuk ishte ?! Po, për fat të keq doli edhe plagjiator (shkurt e shqip vjedhës) i punës së studiuesëve, nëpër libra të shkollave të mesme, universitar siç është shkrimi për Esad Mekulin, Mitrush Kuteli e shumë e shumë të tjerë, deri tek ky i fundit me titull: “Është e kontestueshme çështja se a është Eagari babai i Orfeut”, të botuar në “Fjala e lirë”, “Bota sot” e te “Zemra shqiptare” e ndoshta edhe gjetiu.

    Edhe lexuesi më i thjeshtë më të hapur linkun e mëposhtëm, do ta shohë sa çfarë “studiuesi” është Zymer Mehani ?!

    Shih linkun: https://howlingpixel.com/i-sq/Orfeu dhe krahaso me shkrimin kinse i të Zymer Mehanit, të cilit i mungojnë rreshtat 3,4,5 (i ka hequr) me mjeshtrinë e tij prej plagjiatorit, që tashmë e ka zanat…

Komentet janë mbyllur.