Terror shtetnor i tipit Erdogan ndaj mbrojtësve t’identitetit shqiptar n’Mirditë

0
1640
Paul Tedeschini

NGA: PAUL TEDESCHINI MË: 5 JANAR 2018 NË BOTA SOT

Diktatori turk Erdogan njihet si shkelës i të “Drejtave të Njeriut” të shtetasve të vet, e jo se ma edhe të shtetasve të vendeve të tjera. Per Erdoganin njerzit janë miza. Arrestoi mijra qytetarë turq dhe nuk u muer vesht asgja se çka ka ba ai me këto shtetas turq, të cilët ai i akuzoi per grusht shteti, pamvarsisht se me të drejtë apo pa të drejtë. Do të kishte qenë në favorin e tij politik vendas e nderkombëtar, sikur Erdogani të ishte transparent per këtë rast. Sidoqoftë, punë per tè.

Bani nji bujë të madhe dhe plot arrestime (tjeter gja nuk dijmë), por gjithçka në errësinë, pa kurrfarë transparence të pakten per ta bindë boten se ai kishte arsye per çka bani.
Këtë mosperfidhje ai po e zbaton edhe me shqiptart. Pa pikë etikete dhe argumentash historikë, Erdogani u ka kerkue shqiptarve, që ta ndrrojnë historinë e qendrimit të Turqisë Osmane ndaj shqiptarve dhe ta quejnë Turqinë Osmane “administruese” e jo “pushtuese” të shqiptarve. Kësaj i thonë me pretendue të mbulosh diellin me shoshë.

A ban me dijtë se kush i paska thirrë turqit osmanë të administrojnë per pesë shekuj rresht popullin shqiptar, i cili luftoi kundra këtyne pushtuesve turq-osman deri në vetmohim nen komanden e Heroit të tyne Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, bile edhe gjatë pesë shekujve në vijim deri në diten e Shpalljes së Pamvarsisë me 28 Nandor 1912, 100 vjetorin e së ciles të gjithë shqiptart e festuen me të madhe në Tiranë, bile edhe me nji alamet torte të madhe në Sheshin Skenderbè, ku hangri i madh i vogel tue fillue prej drejtuesve të qeverisë së Shqipnisë dhe të Kosoves, dhe deri tek pleqtë e gràtë e fëmijtë e burra sa s’plasne tuj hanger.

Shkurt muhabeti, Erdogani mor zotni nuk ka rrespekt per kerkend veç si ti shkojë atij tymi mbarë. Nji herë pat plasë tue folë per bashkimin e shqiptarve. Tash së fundi që asht lidhë me serbtë dhe rustë, na ka dalë çuditërisht kundra bashkimit të shqiptarve. Dhe ka mjaft shqiptar, po thona shqiptar, që Erdogani iu duket miku ma i madh i shqiptarve.

Mendoni ju per nji minutë, se sa mik asht per shqiparët Erdogani, sa ka lidhë aleancë me sllavt, “miqtë” e vjeter e të rij të shqiptarve. Shkon në Serbi me nja 200 biznesmena turq, ndersa në Shqipni nderton xhamia e superxhamia, vend e pa vend deri edhe neper kalanat e shqiptarve, ku kerkush nuk shkon të falet.

Unë nuk tham se pse Erdogani u lidh me sllavët. Kjo asht puna dhe interesi i tij, por ama me prishë qeveria shqiptare miqësinë me Ameriken per hater të Erdoganit, kjo asht politikisht tamam çmenduri nga ana e qeverisë shqiptare. E kjo qeveri pseudoshqiptare po zbaton në trojet shqiptare gjithçka i teket Erdoganit pa marrë parasyshë aspak interesat e popullit, pa marrë parasyshë aspak as ndjenjat e popullit të shumë vujtun shqiptar, pikërisht per shkak të Turqisë Osmane “administruese”, që paska lanë si trashigimtare Turqinë erdogane.

Tashti le të shohim rastin e vumjes së flamurit turk në digën e hidrocentralit të Qafë Mollës në Mirditë, të cilin e hoqi vetë populli i Mirdites.

Kudo në botë ka rregulla ligjore të percaktueme mirë se kur dhe ku mund të vendosen simbolet shtetnore si flamujt, stemat e shtetit dhe aqë ma teper simbolet, si stemat dhe flamujt e shteteve të hueja të akreditueme në vendin tonë. Vetem fëmijve duhet me ua spjegue se kur dhe ku mund të vendosen flamujt dhe stemat, prandej nuk po zgjatem me këtë problem.

Vendosja e flamurit turk në digën e hidrocentralit të Qafë Mollës në Mirditë, thanë troç e shqip, nuk ka qenë asgja tjeter veçse nji provokim qellimkeq i ndermarrjes turke të HEC-it në Mirditë – njilloj siç pat veprue po kjo ndermarrje edhe në nji shkollë në Kosovë, ku mbas ndertimit të sajë pati vendosë stemen turke.

Vendosjen e flamurit turk në këtë digë e randojnë psikologjikisht në vetëdijen e shqiptarve edhe vetë pretendimet cinike publike dhe të pa baza historike të Erdoganit, per ta quejtë Turqinë Osmane administruese të shqiptarve. Asht njilloj sikur nji firmë gjermane të vendosin nji flamur gjerman në nji konstruksion në rastin hipotetik që qeveria e sotme gjermane ta quente Gjermaninë naziste të Hitlerit nji administruese të trojeve shqiptare, e jo nji pushtuese. Ose sikur të nji firmë italiane të vendoste nji flamur italian në nji konstruksion në rastin hipotetik që qeveria e sotme italiane ta quente Italinë fashiste të Musolinit nji administruese të trojeve shqiptare, e jo pushtuese. Aqë ma keq do të kishte rreagime negative sikur nji firmë ndertuese greke të vendoste flamurin grek ose nji firme serbe të vendoste flamurin serb. Këto veprime janë nji cenim direkt i identitetit të nji populli, në këtë rast të popullit shqiptar prej Vermoshi e deri në Konispol.

Por gjaja ma e çuditshme asht se në vend që të reagonte qeveria shqiptare dhe të nderhynte që të mos vendosej flamuri truk në digë, kjo qeveri aspak shqiptare, po kerkon nepermjet prokurorisë, që të merren në hetim djemtë e popullit shqiptar, në këtë rast të Mirditës, të cilët kan ba atë që duhet të kishte ba vetë qeveria shqiptare. Këto gjana ndodhin vetem në nji vend që quhet ABSURDISTAN.

Prandej kerkoj publikisht nga qeveria shqiptare që të thellohet dhe ta mbyllin këtë problem me urtësi tue nxjerrë konkluzionet perkatëse dhe mos të shkojë kundra vullnetit të popullit, aqë ma shumë kundra popullit patriot të Mirditës, që ka derdhë gjakun rrëkè me shekuj kundra pushtuesve turq-osmanë dhe edhe kundra diktatures komuniste. Në të kundert nuk mund të perjashtohen reagime të padeshirueshme, që nuk i bajnë aspak nderë qeverisë shqiptare.

Nji fjalë e vjeter thotë:
“VOX POPULI, VOX DEI”, don me thanë “ZANI I POPULLIT, ASHT ZANI I ZOTIT”.