Çfarë i tha Presidenti Moisiu, 10 vjet më parë, Putinit

0
1158


Ruben AvxhiuIllyriapress.com

Një deklaratë interesante e presidentit rus pasoi takimin me homologun shqiptar në Dubrovnik të Kroacisë

Viti 2007 shtroi rrugën për pavarësimin e Kosovës. Ai çimentoi mbështetjen amerikane si dhe kundërshtimin rus.
Në dekadën që ka pasuar që atëhere këto dy pozicione kanë qenë faktorë të rëndësishëm ndikues në sukseset dhe dështimet e përpjekjeve për njohjen dhe pranimin e Kosovës në botë.

Gjatë gjithë kësaj periudhe përpara dhe pas shpalljes së pavarësisë, një moment të rrallë dhe të pazakontë përbën shkëmbimi i shkurtër mes Presidentit të Shqipërisë Alfred Moisiu me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjatë Samitit të Ballkanit për Bashkëpunim për Energjinë.

I rrallë sepse përpjekjet shqiptare dhe në veçanti të shtetit të Kosovës e kanë shmangur Rusinë, sepse jo vetëm që nuk ka dhënë shenja pajtimi po nga një herë ka qenë më e ashpër se Serbia vetë në kundërshtimin ndaj pavarësisë si dhe me kërcënimin me veto në OKB.

Ish-Presidenti Moisiu e hutoi pak Putinin kur iu afrua dhe filloi t’i fliste me energji. Shkëmbimi ngjalli kuriozitet mes të pranishmëve sepse dukej qartë se presidenti rus po tregonte interes për bisedën.

Nuk ishte e rastësishme që zyra e Presidentit Boris Tadiq kërkoi nga rusët një takim menjëherë mes dy kryetarëve të shtetit.
As Moisiu e as Putin nuk dhanë sqarime për bisedën mes tyre. Mirëpo, pas takimit me Tadiqin, Putin bëri një deklaratë disi të pazakontë.

Pasi tha se qendrimi i Rusisë ndaj Kosovës nisej nga dëshira për të krijuar stabilitet bazuar në të drejtën ndërkombëtare, Putin shtoi: “Qendrimi ynë nuk niset nga lidhjet fetare, etnike e historike, por ka parasysh parimet e ditëve tona, të të drejtës ndërkombëtare dhe dëshirën për të parë drejt të ardhmes, për të zhvilluar marrëdhënie të qendrueshme për zhvillimin e të gjitha vendeve në rajon”.

Kushdo që i ndiqte me kujdes deklarata ruse për Ballkanin në vite, nuk mund të mos e vinte re prirjen e papritur të bosit të Kremlinit për ulur rëndësinë e të ashtuquajturave lidhje historike me Serbinë. Ku shkoi papritur vllazëria pansllave, aleanca e shenjtë ortodokse, e pallavra të tjera që përmbysin faqet e mediave dhe botimeve ruso-serbe?

Në mendjen time nuk kishte dyshim se Moisiu i ishte ankuar Putinit më diskrimin të padrejtë. Nuk kam pritur që ta pranojë publikisht po është shumë e mundur që t’ia ketë përmendur vitet e miqësisë shqiptaro-ruse, ortodoksinë e veçantë të shqiptarëve dhe lidhjet e tjera mes dy vendeve.

Në fund të fundit, brezi i prindërve të mi e kishin rusishten të detyruar në shkolla. Të rinjtë e viteve 1950 njihnin filmat rusë, këngët ruse, letërsinë dhe historinë. Këto sigurisht nuk kanë dalë në bisedën pak minutëshe mes dy presidentëve, po Moisiu si i diplomuar në Bashkimin Sovietik që i fliste drejtpërdrejt në rusisht e vuri qartazi në pozitë të plotfuqishmin e Kremlinit. E çfarë kishin serbët më shumë që ra përmbys Rusia për ta?

Më vonë në një intervistë, më duket se për “Gazetën Shqiptare” Moisiu i vërtetoi pak a shumë imagjinatat e mia për bisedën me Putinin: “arrita t’i them atij mendimet e mia dhe ai reagoi. Por midis të tjerash, tha që ne nuk kemi asgjë me shqiptarët. Unë i thashë që e di që nuk keni asgjë me ne, por po e paguajmë ne këtë punë. Më tha që do ta shikojmë”.

Është interesant po asnjëherë në lidhjet me Rusinë dhe Kosovën, që nga 1999, nuk ka pasur një çast të tillë, kaq konkret, të hapur, dhe bindës.

Është për t’u vënë re se ndërkohë që Serbia ka bërë maksimumin për të shfrytëzuar lidhjet e krijuara gjatë Jugosllavisë titiste, Shqipëria, që ka pasur mundësi të flasë në diplomaci kur Kosova nuk mundej, nuk ka ditur ta shfrytëzojë potencialin e madh të saj që vjen nga periudha sovietike, qoftë lidhur me Rusinë, qoftë lidhur me republika të tjera sovietike.

Vetë Presidenti Moisiu duket se e ka vënë re këtë potencial dhe në intervistën e lartpërmendur u ankua në vija të ngjashme: “E gjykoj si një mangësi të diplomacisë shqiptare dhe asaj kosovare, por në mënyrë të veçantë të diplomacisë shqiptare, sepse ne si shtet sovran e kemi pasur këtë mundësi që të jemi më aktiv në kontaktet me rusët për t’u dhënë atyre të kuptojnë se si është situata realisht, pasi ata kanë dëgjuar vetëm krahun serb”.

Sigurisht është naivitet të besosh se rusët do të ndryshonin qendrim për Kosovën nëse do të dëgjonin krahun shqiptar. Argumentet e Kosovës Rusia jo vetëm që i njeh mirë, po për ironi është edhe dakord me to.

Rusia kundërshton pavarësinë e Kosovës, e para sepse kërkon që në shkëmbim të njohjes së saj të fitojë njohjen nga Perëndimi të një numër projektesh për ndërrim kufiri sin ë Abkhazi, Oseti Jugore, Krime e kush e di se ku tjetër. Dhe e dyta, sepse është një nga pikat e pakta në botë ku mund t’i shkaktojë dhimbje koke Perëndimit. Akoma më shumë sa më i trazuar të jetë Ballkani aq më shumë Perëndimit i zihen duart që të mos kërkojë llogari për krimet ruse në Siri e Ukrainë, për grabitjen e krahinave gjeorgjiane për ndërhyrjet e paturpshme në territoret e vendeve fqinje etj.

Mirëpo, ajo që shquan në ndërhyrjen e Moisiut përveç shpirtit të lavdërueshëm të iniciativës, është trajtimi i çështjes nga pikëpamja e lidhjeve miqësore tradicionale e kulturore, që në rastin me Rusinë, duket sikur janë monopol i Serbisë.

Beogradi tmerrohet se mos Uashingtoni, Berlini, Tirana apo Prishtina i ofrojnë ndonjë gjë Moskës që ta bindin të bëjë ndonjë Pazar me njohjen. Por, sa për lidhjet shpirtërore aty ndihet se i ka të gjitha kartat në dorë. Ndërhyrja e Moisiut pra shkaktoi qartazi hutim në një marrëdhënie tripalëshe që dukej deri atëhere e qartë.

Dhe është intersante se Moisiu jo vetëm në planin shqiptar po edhe në atë ndërkombëtar mbetej një nga njerëzit e paktë që mund të impresionin një njeri si Putini.

Moisiu është veteran i Luftës së Dytë Botërore, e vetmja luftë për të cilën ka interes historik dhe propagandistik Putini. Në 70-vjetorin e mbarimit të saj doli me fotografinë e gjyshit në marshim. Moisiu, jo vetëm që është diplomuar në Bashkimin Sovietik (nga të parët kadetë shqiptarë që shkuan aty), po e ka bërë këtë në Shën Petërsburg, qytetin që e ka formuar Putinin dhe që e katapultoi në fund në krye të Rusisë. Moisiu u rikthye pastaj për të studjuar në Akademinë e Moskës ku mbaroi me Medalje Ari.

Në fund këto potenciale duhen trajtuar me kujdes. Siç e ka dëshmuar Serbia në përpjekjet e saj tridekadëshe për të hyrë në zemrën ruse, Kremlini sheh në radhë të parë interesat e veta. Fytyra e ngrysur e Putinit në Beograd, megjithë paradën e madhe ushtarake për nder të tij është një tregues i efektit të kufizuar të përdorimit të lidhjeve historike. Në vend të rezultatit shumë nga ata që janë përpjekur më shumë janë komprometuar dhe përfunduar që kanë luajtur lojën e Rusisë në vendet e tyre, përfshi edhe Serbinë, sesa kanë bërë që Rusia të ndihmojë.

Pikërisht për këtë është me mend që Shqipëria e Kosova kanë zgjedhur si aleatë SHBA-në dhe BE-në, të cilat ndryshe nga Rusia, kanë plane e projekte afatgjata në Ballkan, që garantojnë e synojnë paqe e zhvillim rajonal me përfshirje eventuale në suazën e Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Gjithësesi, në rastin e Kosovës, ndaj të cilës Rusia ka qenë rregullisht disa vite dritë larg në qendrimet e saj, kjo përçapje me instikt dhe me fantazi e Presidentit të moshuar, plot 10 vjet më parë, mbetet një rast interesant për t’u studjuar, debatuar, e për të nxjerrë mësime.

(Ndalohet me ligj ribotimi pa lejen e autorit)