SHOQËRIA NË PERËNDIM PO VDES NGADALË…

0
903

Arben Çokaj

E ku përfundon kjo shoqëri pastaj? Te importi i emigrantëve arabë e muslimanë, se ata lindin fëmijë. Pra sistemi evropian e Perëndimor ka krijuar ligje e rregulla aq shumë, struktura burokratike e vetëvrasëse të tilla, që e kufizojnë veprimtarinë lirë të njeriut, ia zënë frymën atij, e vrasin atë dalëngadalë, saqë po e vdesin të gjithë shoqërinë nga përbrenda, dhe nuk po e kuptojnë se çfarë po i bëjnë vetes. Po vdes Perëndimi nga përbrenda, dalëngadalë, dhe si rrjedhojë i lind nevoja të importojë njerëz, gjak të ri, nga vendet islame, e kështu bashkë me të merr edhe një kulturë të re, një fe të re, dhe fillon e bëhet një shoqëri më e pasigurtë, më agresive.

Ndoshta kjo pasiguri është qëllimtë, pasi po i krijove njeriut siguri, ai vjen duke mos qenë konkurrent, si puna e një fëmije, që ia sigurojnë të gjitha prindërit, dhe ai bëhet qullash. Mplaket shoqëria dhe kalon në një gjendje zhake. Kjo mund të jetë edhe një nga shkaqet kryesore, se pse po ndodhin në këto dekadat e fundit këto luftëra në Lindjen e Mesme, e kjo lëvizje e madhe shoqërore… Trazohet shoqëria, si një ujë në zhakë, që po ndejti, e nuk lëvizi, qelbet, nuk pihet.

Kemi të bëjmë me një lëvizje agresive kaotike, që e ndikon dhe e provokon Perëndimin për ringjallje, ngaqë ka rënë në një plogështi e ngordhje shoqërore, realisht në një vdekje të përbrendëshme. Pra, shoqëria në Perëndim, në mënyrë të pavetëdijshme, me rregulla e ligje, e me struktura përndjekjeje burokratike dhe administrative të tilla, aq të mëdha, ka ardhur duke kaluar në një zhakë që qelbet, që gjeneron poshtërsi e kotësi, legenllëk e hajni, dhe prandaj instinktivisht, kjo shoqëri ka nevojë për gjak të ri nga jashtë, dhe nuk kanë kë të marrin tjetër, marrin turko-arabët e muslimanët. E gjitha kjo si një nxitje, për të mos rënë në gjumë, për t’u zgjuar.

Është në natyrën e njeriut të organizohet e krijojë rregulla dhe kur i krijon ato rregulla, bëhen aq shumë modifikime e ndalesa, sa vjen e mbytet njeriu nga ato… Dhe lind vetvetiu nevoja për transfuzion, për gjak të ri. Kjo duket se është shkaku edhe i lejimit apo shkaktimit të emigrimeve të shumta, që nuk pushojnë, një lloj përzierjeje shoqërore, provokimi e ngacmimi, për ta nxjerrë shoqërinë nga një gjendje letargjie, fjetjeje, mplakjeje e plogështie të shoqërisë Perëndimore. Pra, ngacmohet, rrezikohet shoqëria që të mos flejë, që të ringjallet.

Kemi kështu paralelisht dy veprime të kundërta, nga njëra anë rregullat e strukturat njerëzore në Perëndim, që po e ngordhin shoqërinë nga përbrenda, një farë qetësie e sigurie, dhe nga ana tjetër, shkaktimi i çrregullimeve në vendet përreth, luftërave e konflikteve në vendet e tjera, që të gjenerojnë një valë lëvizjeve shoqërore dhe emigrimi të vazhdueshëm. Duket se kjo qëndron në vetë natyrën e njeriut… Rregull e siguri nga njëra anë, shkatërrim e pasiguri nga ana tjetër. Edhe me ligjin e Entropisë në Termodinamikë, sisteme të tilla sqarohen kështu, një sistem i rregullt përbrenda, sjell shkatërrim nga jashtë. E keni parë në sistemet e ngrohjes dhe ftohjes. Mekanizmi i tyre i ruajtjes dhe shndërrimit të energjisë krijon detyrimisht psh. te frigoriferi, ftohje nga brenda, dhe lëshon të nxehtë nga jashtë…

pjesë nga libri “Përndjekja” (Forfølgelsesvanvid)